
Duke vështruar raportin e komunikimit të Kinës me BE-në, por edhe vende të tjera jashtë këtij Unioni, shikon shifra entuziaste dhe një komunikim tregtar, i cili pavarësisht qëndrimeve politike, shënohet kurbë rritjeje në vijimësi. Viti i kaluar i hapi dritën jeshile Marrëveshjes së Gjithanëshme të Investimeve, e cila po negociohej prej vitesh dhe palët e përfshira e përshëndetën me shumë entusiazëm. Por acarimet e marrëdhënieve dypalëshe në muajt e parë të këtij viti, sanksionet e ndërmarra në mënyrë të ndërsjellë rikthyen një klimë të acartë, gjë që ka bërë që ratifikimi i Marrëveshjes të pezullohet si pasojë e një dinamike tjetër në një plan më të gjërë të marëdhënieve Kinë –BE .
Sanksionet e Brukselit erdhën si pasojë e shkeljeve të pretenduara të të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiangut, për të cilën disa vende perëndimore kanë kohë që artikulojnë kritika e qëndrime ekstreme. Kina është treguar shumë e hapur dhe ka ofruar fakte e dokumente që akuzat janë një përpjekje për të komprometuar ecurinë dhe zhvillimin e saj dhe për ta vendosur atë në një ballafaqim të vështirë me vende të ndryshme. Kina e ka konsideruar si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme, dizinformimin e qëllimshëm që bëhet për rajonin e Xinjiangut dhe në mënyrë konstante ofron mundësi për ta parë realitetin nga afër e për të dëshmuar të kundërtën e asaj që artikulojnë disa media perëndimore.
Frenimi i rritjes së saj, pavarësisht aleancave të krijuara, është i pamundur dhe sjell efekte negative në ekonominë globale, pasi komunikimi ekonomik, tregtar dhe teknologjik i Kinës me vendet e BE-së, por edhe vende të tjera mbetet i lartë e kompetitiv për palët. Vende të ndryshme evropiane dhe azaitike vijojnë të kenë një qëndrim të kujdesshëm në atë që mund të konsiderohet “luftë e ftohtë” ndaj Kinës nga SHBA-ja.
Ata gjithnjë e më shumë modifikojnë qëndrimet e raportet, pasi nuk duan të vendosin në rrezik marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe që kanë një impakt të madh për vendet e tyre.
Shtetet më të fuqishme evropiane, pavarësisht akordit për të “ngrirë” ratifikimin e Marrëveshjes vijojnë komunikimin intensiv me Kinën në shumë fusha, që nga ajo politike e deri në ato që lidhen me ekonominë, shëndetësinë, mjedisin e të tjerë. Një bisedë e ditëve të fundit midis kryeministrit kinez Li Keqiang me homologun e tij italian Mario Draghi, dëshmoi se vullneti i palëve për bashkëpunim është pozitiv dhe i njohur, por edhe vullneti për një qëndrim të hapur në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nepërmjet dialogut e konsultimeve. Kjo jo thjesht në kuadrin e komunikimit midis dy vendeve, por më shumë në planin e bashkëpunimit Kinë- BE. Kryeministri kinez afishoi edhe një herë qëndrimin se bashkëpunimi Kinë-BE është në favor të rimëkëmbjes së ekonomisë botërore dhe të dy palët duhet të punojnë sëbashku për të nxitur sa më parë nënshkrimin e Marrëveshjes së Investimeve.

Duke e konsideruar shumë të rendësishme këtë marrëveshje dhe konsensusin e arritur nga palët, kryeministri italian Draghi nënvizoi vullnetin e qeverisë së tij, për vazhdimin e procesit pasues ndërmjet dialogut. Është ky një komunikim që vjen pas vendimit të Brukselit dhe që tregon se imponimi për aleanca që çojnë drejt një “lufte të ftohtë” me Kinën, jo vetëm nuk ngjan shumë i akorduar, por vende të ndryshme europiane janë më pragmatikë në vendimet që ata kërkojnë të marrin në këtë drejtim. Pavarësisht disa vendimeve që merren në momente të caktuara shumë shtete si Franca, Gjermania, Britania e Madhe e kanë pranuar rritjen e hovshme të Kinës me ritme të ndryshme nga SHBA.
Mick Wallace, anëtar i Parlamentit Europian shkroi ditët e fundit se “BE duhet të bëjë gjëra në favor të Europës, jo në favor të SHBA-së “ .
Në fjalimin e tij në Parlamentin Europian Mick Wallace vuri në dukje se Kina ka realizuar me sukses planin më të madh të shkëputjes nga varfëria në historinë e njerëzimit, por numri i të pastrehëve në Perëndim ka shënuar rritje.
Kina mbetet sot partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së dhe futja në korridoret e “luftës së ftohtë” vetëm e pengon partneritetin, i cili çdo ditë e më shumë ka nevojë të ridimensionohet pozitivisht. Linjat hekurudhore të Kinës me vende brenda dhe jashtë BE-së, kanë bërë të mundur që të ketë një shtim fluksi komunikimi, i cili çdo vit shënon hov të ndjeshëm. Ai tashmë nuk mund të ndalet, por as të ulë ritmin, pasi marrëveshje të rëndësishme të nënshkruara e që po zbatohen, në një rast të tillë do të sillnin pasoja të dëmshme për ekonomitë respektive.
Gjatë dekadës së fundit, ritmi i rritjes së vëllimit tregtar të Kinës me vendet e Europës Juglindore, është mbi 8 % në vit. Po kështu në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe 17 vendeve të Europës Qëndrore e Lindore (një pjesë e të cilave janë pjesë e BE-së) është rritur me 50.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kina ka tejkaluar SHBA-në dhe është bërë partneri kryesor tregtar me BE-në gjatë vitit të kaluar dhe ky trend vazhdon. Importet e BE-së nga Kina në vitin 2020 u rritën me 5.6 %, ndërsa eksportet në 2.2 % . Sigurisht që kjo zbritje në vend të dytë e SHBA-së, si partneri kryesor i BE-së ka sjellë shqetësimin e vet dhe ambicia e lufta për të ndaluar rritjen e Kinës ndjehet si një prirje që po dominon në politikën aktuale amerikane. Rritja e Kinës, pavarësisht aleancave që përpiqen e ravijëzohen të krijohen, është e konsoliduar dhe mbi baza të fuqishme. Kjo rritje po integrohet edhe në ekonomitë e vendeve europiane, që kanë një shtim të komunikimit me Kinën, pavarësisht rrethanave që krijohen në momente dhe për tema të caktuara.
Gjatë periudhës së pandemisë, e cila vazhdon të ketë ndikime globale, Kina dhe BE kanë identifikuar e janë investuar sëbashku për ta futur ekonominë në rrjedha normale zhvillimi e komunikimi. Vonesat në ratifikimin e Marrëveshjes së Investimeve ndikojnë negativisht në ritmet që duhen kapur për të futur në pistën e duhur prosperitetin ekonomik. Investimet ne tregjet respektive të kompanive kineze dhe atyre evropiane, e parashikuar në Marrëveshjen e arritur pas më shumë se 7 vitesh intensive negociatash, krijojnë epërsi zhvillimi në raport me të kaluarën, por edhe zhvillojnë partneritetin efikas në këtë moment të depresionit ekonomik.

Një marrëveshje me ndikim të ndjeshëm në ekonomi, nuk justifikohet për t’u ngrirë nga akuza që formulohen për shkeljen e supozuar të të drejtave të njeriut, aq më shumë në një botë globale e të hapur kur gjërat janë lehtësisht të verifikueshme. Bashkëpunimi sjell përfitime jo vetëm për tregtinë, prodhuesit dhe konsumatorët, por dëshmon se çdo kundërvënie ndaj Marrëveshjes vetëm vonon procesin, por nuk e ndal dot.
Gatishmëria e ndërmarrjeve kineze për të rritur investimet dhe marrëdhëniet tregtare është një mundësi që i jep lidhjeve Kinë-BE fuqinë për t’u zhvilluar e ecur, pavarësisht disa korrenteve politike për interesa që dalin jashtë BE-së. Ata kanë mundësitë që të rrisin bashkëpunimin e partneritetin ekonomik e tregtar, duke injektuar potenciale të reja në rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, por të rrisin ndikimin edhe në zhvillimin e ekonomisë me karbon të ulët dhe të teknologjisë digjitale. Fushat janë më të gjëra se kaq dhe mundësitë me të shumta. Pavarësia në marrjen e vendimeve i jep më shumë mundësi zhvillimeve e lidhjeve reciproke, që pavarësisht konjukturave, nuk mund të ndalen.
Gëzim Podgorica







