Në diskursin aktual politik transparenca mbahet në altarin më të lartë të vlerave dhe përshkruhet si një e mirë e qenësishme dhe e padiskutueshme, por sikurse mund të ketë transparencë shkatërruese ashtu mund të ketë dhe “mjegullsi” konstruktive.

Në Kinë rrallëherë shihen drama dogmatike në diskurs, jo vetëm politik por edhe atë social. Nuk ka akuza dhe kundërakuza publike me tone denigruese për kundërshtarin, ashtu sikurse në jetën e përditshme edhe në politikëbërje, vendimmarrja është me kundërshti por me tone të ulura, me teori dhe kundërteori por me përfundime të pranuara nga shumica dërrmuese dhe për përfitim të pjesës dërrmuese.

Në Kinë fjala ka peshë dhe kur nxirret mbart gjithë rëndësinë e pozicionit të personit ose institucionit që e shpreh. Kur fjala vjen në formë dokumenti atëherë është e sigurt se studimi i tij ka prekur rëndësinë në nivel qelizor.

Një “Letër e Bardhë” (ndonjëherë e referuar si një libër i bardhë) në terminologjinë politike është një raport ose udhëzues që informon lexuesit në mënyrë të përmbledhur për një çështje komplekse dhe paraqet filozofinë e organit lëshues mbi një ose disa çështje.

Përgjatë historisë moderne, këto raporte janë përpjekur të kryejnë rolin e dyfishtë të paraqitjes së politikave të vendosura qeveritare, dhe në të njëjtën kohë ftojnë mendime dhe analiza të jashtme mbi tematikën e vetë raportit.

Kina përdor shpesh këtë tipologji raportesh, dhe në momentin kur dalin për konsultim publik janë dokumente gjithëpërfshirëse, të kuptueshme dhe shteruese.

Në prag të 100 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Kineze (PKK), Kina lëshoi një letër të bardhë me titull "Sistemi i Partive Politike të Kinës: Bashkëpunimi dhe Konsultimi". Në 30 faqe dhe 8,500 fjalë dokumenti është një panoramikë e qartë e funksionimit të sistemit në kohë dhe në trajtë.

Një ndër shumë supozime të gabuara që bota ka rreth Kinës është se në Kinë ekziston vetëm një parti, (Partia Komuniste). Si shumë analogji teorike që i mvishen partisë-shtet supozohet se nuk ka bashkëpunim dhe konsultim, rrjedhimisht nuk ka demokraci, por fakti që PKK aplikon dhe mban pushtetin shtetëror nuk do të thotë që në Kinë nuk ka demokraci.

Përveç PKK, sistemi i partive politike të Kinës përfshin tetë parti të tjera dhe individë të shquar pa lidhje me ndonjë nga partitë politike. Bashkëpunimi midis tyre siguron që zërat nga fusha të ndryshme të dëgjohen në administrimin e çështjeve shtetërore.

Partitë e tjera janë :1) Komiteti Revolucionar i Kuomintangut Kinez; 2) Lidhja Demokratike e Kinës; 3) Shoqata Kombëtare e Ndërtimit Demokratik e Kinës; 4) Shoqata Kineze për Promovimin e Demokracisë; 5) Partia Demokratike e Fshatarëve dhe Punëtorëve Kinezë; 6) Partia Zhi Gong e Kinës; 7) Shoqëria Jiusan dhe 8) Lidhja e Vetëqeverisjes Demokratike të Tajvanit.

Bashkëpunimi i ngushtë midis PKK dhe partive të tjera politike i ka mundësuar Kinës të bashkojë të gjitha burimet e nevojshme për qëllimet kombëtare.

Një sistem Kino-centrik që i përshtatet realitetit të vendit

Dokumenti i lëshuar në fund të qershorit, në fakt hedh dritë mbi funkisonimin e brendshëm të sistemit politik të Kinës dhe duket qartë që është një analizë e detajuar më shumë për një audiencë të jashtme, pasi brenda vetë Kinës kjo ndarje është shumë e qartë.

Siç përcaktohet në dokument "Sistemi më i përshtatshëm për një vend përcaktohet nga historia, traditat dhe realitetet e tij. Ka shumë lloje të sistemit të partive politike në të gjithë botën, dhe nuk ka një sistem të vetëm që është i mirë për të gjitha vendet."

Lexohet se sistemi politiko-partiak i Kinës është një strukturë me forcë, krijimtari dhe gjallëri të jashtëzakonshme dhe mishëron thelbin e traditave kineze, pasqyron kërkesat e brendshme të socializmit dhe përputhet me realitetet e Kinës dhe nevojat e saj në qeverisjen e kombit.

Në këtë dokument po ashtu, lexohet se sistemi kinez vjen si rezultat i përshtatjes së teorisë së partisë politike marksiste në kontekstin kinez. Është një strukturë unike politike e krijuar nga PKK, populli kinez, partitë politike jo-PKK dhe jo-anëtarët. Rrënjët e këtij sistemi janë në tokën kineze – vazhdon dokumenti - evoluojnë me kalimin e kohës bazuar në trashëgiminë historike të Kinës, traditat kulturore dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Një model i suksesshëm politik nuk ka të bëjë veç me etiketimin si të tillë, por është paracaktuar nga aftësia e një shteti për t'u kujdesur me të vërtetë për interesat e njerëzve, për t'iu përshtatur nevojave, për të rritur standardin e jetesës dhe për t’ju dhënë qytetarëve një jetë më të mirë.

Si një përbërës themelor i sistemit politik të Kinës, ai kontribuon në zhvillimin e Kinës, përtëritjen kombëtare, përparimin shoqëror dhe është me përfitim të madh për mirëqenien e njerëzve – spjegon dokumenti.

Roli i PKK në këtë sistem

Roli i PKK në udhëheqjen e vendit u konfirmua dhe konsolidua gjatë revolucionit, zhvillimit ekonomik dhe reformës së Kinës. Partitë politike iu përgjigjën thirrjes së PKK dhe pranuan lidershipin e saj në 1948.

Partitë politike u krijuan dhe u zhvilluan në luftën e popullit kinez për të shkatërruar imperializmin dhe autokracinë dhe për të ndjekur demokracinë. Nën udhëheqjen e PKK, këto parti kanë marrë pjesë në themelimin e Republikës Popullore, rindërtimin e vendit, përparimin e reformës dhe realizimin e ëndrrës Kineze. Së bashku, ata janë angazhuar për çështjen e madhe të kërkimit të pavarësisë kombëtare, çlirimin dhe mirëqenien e njerëzve dhe prosperitetin e vendit.

PKK përfaqëson udhëheqjen e socializmit me karakteristikat kineze. Partitë e tjera politike kanë evoluar në një aleancë të ngushtë të punëtorëve socialistë dhe patriotëve që ata përfaqësojnë, dhe bëhen parti që marrin pjesë në administrimin e çështjeve shtetërore.

Në vitin 1993 u shkrua në Kushtetutë që sistemi i bashkëpunimit shumëpartiak dhe konsultimi politik nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës do të vazhdojë dhe zhvillohet gjatë në të ardhmen, duke siguruar një bazë të shëndetshme për sistemin.

PKK është në pozitë udhëheqëse dhe Kushtetuta përcakton se, "Sistemi socialist është sistemi themelor i Republikës Popullore të Kinës. Udhëheqja nga Partia Komuniste e Kinës është tipari përcaktues i socializmit me karakteristikat kineze. "

Ndërkohë që PKK është thelbi i udhëheqjes së socializmit kinez, partitë e tjera politike dhe jo-anëtarët e pranojnë udhëheqjen e saj dhe mbështesin statusin e saj qeverisës. PKK ushtron udhëheqjen mbi to përmes udhëzimeve politike, kryesisht në bazë të parimeve politike, drejtimit dhe politikat thelbësore.

Partitë e tjera politike marrin pjesë në qeverisjen e shtetit nën socializmin me karakteristikat kineze. Por ato nuk janë në opozitë, as nuk janë thjeshtë vëzhgues ose të huaj në qeverisje, ata marrin pjesë në qeverisjen e shtetit nën udhëheqjen e PKK.

Në këtë dokument thuhet se Kina, si gjithmonë, do të mësojë dhe do të nxjerrë mësime nga përvojat pozitive të vendeve të tjera, por nuk do të imitojë mekanikisht sistemet e tjera të partive politike, dhe as nuk do t'i imponojë të vetat ndonjë vendi tjetër.

Nga Pekini vjen mesazhi se për kinezët ky sistem funksionon dhe në epokën e re do të vazhdojë të pasurojë teoritë e tij, të përmirësojë institucionet dhe të sigurojë efikasitetin e tij maksimal.

Dr. Marsela Musabelliu