Ndërsa komuniteti ndërkombëtar e njerëzimi prisnin nga axhenda e udhëtimit të parë në Evropë të presidentit të SHBA-së Joe Biden rezultate të fuqishme konkrete në luftën kundër pandemisë dhe pasojave të saj ekonomike dhe shëndetësore, kthimin e vaksinës anti-kovid në pronë të të gjithë njerëzimit, rimëkëmbjen e ekonomisë globale e veçanërisht të vendeve të varfëra, që po varfërohen më tej, diversifikimin e zgjërimin e tregtisë botërore, ndryshimin e klimës, biodiversitetin dhe “mbrojtjen e vlerave të përbashkëta” në një botë më të sigurt dhe paqësore, një vështrim analitik dëshmon se në të gjitha etapat e turit të kreut të Shtëpisë së Bardhë retorika ‘shumëngjyrëshe’ anti-kineze zinte vend parësor sikur ‘fajin’ e ka Kina për çdo gjë që po shkon keq e më keq në aspektin ekonomik e social në vendin e tij dhe vende të tjera të zhvilluara për të mos folur për vendet e varfëra. Erërat e Luftës së Ftohte të natyrës së viteve 1960-80, në atë kohë kundër ish- Bashkimit Sovjetik e aleatëve të tij evropianlindorë, që po frynin nga Uashingtoni prej kohësh gjatë përgatitjes së turit evropian të Biden-it nën slloganin ‘Amerika është kthyer’, u përplasën fort mbi selitë e G7-s, NATO-s dhe BE-së nga 9 deri më 17 qershor 2021, por me sa duket nga analizat e para nuk arritën të ‘ngrijnë’ pjesën më të madhe të aleatëve. Në të gjithë deklaratat e shumta të lëshuara pas takimit të G7-s në Cornwall të Britanisë, takimit të nivelit të lartë të NATO-s dhe bisedimeve SHBA-BE në Bruksel apo takimeve kokë më kokë të presidentit amerikan me aleatët kryesorë bie në sy qartë se në vend të një shqyrtimi të thellë dhe konkret të objektivave për rimëkëmbje globale në frymën e multilateralizmit tërhiqte vëmëndjen sllogani i ‘sfidave sistemike’ kineze nga Deti i Kinës Jugore deri ne Balltik.

Retorikë e vjetëruar nën mantel të ri

Shumë analistë kanë vënë re se Biden-i vijoi veprimet e Trump-it, ndoqi kursin e tij me një mantel më diplomatik në përpjekjen për të drejtuar G7-n, NATO-n dhe BE-në “të tregojnë vëmendje ndaj Pekinit” dhe të mbajnë një qëndrim më të fortë ndaj saj. Kësisoj retorika nën slloganin ‘Amerika u kthye’, në fakt, ka patur një sfond të ethshëm anti-kinez por edhe anti-rus shumë kohë para turit evropian të Biden-it e shoqëruar me masa dhe sanksione konkrete kundër Kinës. Kështu më 8 qershor ndër të tjera në Senatin Amerikan u miratua “Ligji i Shteteve të Bashkuara për Inovacionin dhe Konkurrencën e vitit 2021”. Përmbajtjet e ligjit mbulojnë pothuajse të gjitha fushat që kanë të bëjnë me Kinën. “Ky ligj plot mendësi të Luftës së Ftohtë që synon ngjalljen e kundërvënieve dhe shkëputjes midis dy ekonomive më të mëdha botërore, dhe frenimin e zhvillimit të Kinës nën pretekstin e ‘risive dhe të konkurrencës’, çka jo vetëm shtrembëron idenë bazë të risive dhe të konkurrencës, por edhe shkel parimet e tregut me konkurrencë të lirë që ShBA-ja gjithmonë propagandon”, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.

Por me pak fjalë cilat ishin argumentet për çfarë u sulmua Kina nën dirigjimin e presidentit amerikan, i cili u rrek të krijojë një front të përbashkët kundër Kinës por dhe Rusisë. Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas Samitit të G7-s Kina u sulmua ndër të tjera për të ashtuquajturat probleme lidhur me të drejtat e njeriut, për rajonet e Xinjiang-ut e Hong-Kongut dhe gjurmimin e origjinës së COVID-19. Pas samitit të NATO-s të zhvilluar më 14 qershor në Bruksel, Kina etiketohej si ‘sfida sistemike’ ndaj rendit ndërkombëtar dhe zonave përkatëse të sigurimit të Aleancës dhe shpehej shqetësimi për rritjen e shpejtë të arsenalit të saj bërthamor. “Ajo (Kina) gjithashtu po bashkëpunon me Rusinë, duke përfshirë pjesëmarrjen në manovra ruse në zonën Euro-Atlantike”, pretendonte deklarata, e cila shpejtonte të kumtonte se NATO-ja mban një dialog konstruktiv me Kinën ku është e mundur. Kurse në deklaratën e përbashkët të Samitit SHBA-Kinë përsëritesh retorika mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Xinjiang e Tibet dhe ‘erozionin e autonomisë e proceseve demokratike në Hong Kong’.

E gjithë situata i përshtatet titullit të librit të shkrimtarit të madh Erich Maria Remarque ‘Asgjë e re nga fronti i Perëndimit’ (All Quiet on the Western Front).

Evropa e dëshiron Kinën si partnere të çmueshme tregtare

Edhe pse jo anëtare, nga ana propagandistike Kina ishte më shumë se anëtare e G7-s dhe në një farë mënyre kjo tregon rëndësinë që ka kjo fuqi në ‘klubin’ e vjetër të të mëdhejve: pa qënë e pranishme në tri mbledhjet publike zyrtare dhe takimet me dyer të mbyllura Kina ishte një ndër temat kryesore në rend të ditës dhe ‘dhimbja e kokës’ e presidentit amerikan.

Dhe ndërsa u kthye në Uashington më 17 qershor Biden la prapa një konfuzion mesazhesh ndër të cilët spikat dyshimi në disa qarqe elitare evropiane nëse mund të besojnë se Amerika ka ndryshuar qëndrim ndaj vetë aleatëve, kurse në Uashington Evropa dërgoi mesazhin se disa nga aleatët më të fuqishëm nuk ishin në sintoni më të lidhur me qëndrimin ‘e ashpër’ ndaj Kinës, lë pastaj skenarin e Luftës së Ftohte 2.

“Pati mosmarrëveshje me Gjermaninë, Italinë dhe përfaqësues të BE-së, të cilët nuk pranuan ta kritikonin ‘ashpër’ Kinën, një partner i çmueshëm tregtar”, shkruante në një koment AP sapo Biden zbriti në tokën amerikane më 17 qershor. Po kështu ndër mosmarrëveshjet e papajtueshme ishte fakti se aleatët nuk kanë pranuar konceptin amerikan se një konkurencë ekonomike me Kinën do të përcaktonte shekullin e 21-të…

Duke iu referuar fjalëve të një funksionari amerikan, gazeta britanike “The Guardian” vinte në dukje se Biden-i shpresoi shumë që G7-ta ta dënonte të ashtuquajturën “punë të detyruar” në rajonin e Xinjiang-ut në komunikatën e përbashkët, por në këtë dokument nuk përmendet drejtpërdrejt Kina. Sipas njoftimit të websaitit “Eur Activ”, SHBA dëshiruan të përdoresh fjalë më të fortë në komunikatën e Samitit të NATO-s, por vendet anëtare autoritare ngulën këmbë ta përshkruajnë Kinën si “sfidë”, jo “kërcënim”.

Në një konferencë shtypi pas Samitit të G7-s, presidenti i Francës Emmanuel Macron tha prerazi se G7 nuk është një “klub” që e armiqëson Kinën, por dëshiron prapëseprap bashkëpunimin me Kinën në përballimin e ndryshimit klimatik, tregtinë ndërkombëtare dhe në politikën e zhvillimit. “Kina është një rival ekonomik nga i cili presim respektim të plotë të rregullave (tregtare ndërkombëtare)”, Macron deklaroi në konferencën e shtypit në fund të mbledhjes së G7-s.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se “Kina është rivalja jonë në shumë probleme, por ajo është gjithashtu partnerja jonë në shumë aspekte”. Kurse pas mbledhjes së NATO-s Kancelarja deklaroi se vendimi i Aleancës për të quajtur Kinën si një sfidë sistemike “nuk duhet ekzagjeruar” sepse Kina, si Rusia, është gjithashtu një partnere në disa fusha. Kurse gazeta gjermanë Die Zeit vinte në dukje në një koment se NATO-ja nuk duhet t'i kushtojë shumë vëmëndje Kinës. Gazeta prestigjioze gjermane Bild vinte në dukje se pavarësisht nga thirrjet e SHBA-së, Britanisë dhe Kanadasë për marrjen e politikave më të forta kundrejt Kinës, Merkeli dhe Draghi “shkelin frenat”. Kurse gazeta belge l'Echo citonte kryeministrin e Belgjikës Alexander de Croo si më poshtë: “Ajo që ka rëndësi është që Evropa të përcaktojë përparësitë e saj. Evropa duhet të dalë nga hija e Shteteve të Bashkuara”.

Nga ana e tij Kryeministri i Italisë Mario Draghi ishte i mendimit se Perëndimi duhet të bashkëpunojë me Kinën në pikat kyçe, sidomos për ndryshimin e klimës. Duhet të kujtojmë se Italia është zyrtarisht partnere strategjike e Kinës dhe pjesëmarrëse në megaprojektin ‘Një brez, një rrugë’ dhe për më shumë opinioni i gjërë publik i këtij vendi anëtar i G7-s, NATO-s, dhe BE-së i është shumë mirënjohës Kinës për ndihmën emergjente humanitare dhënë në kulmin e goditjeve nga pandemia kovidiane vitin e kaluar ndërsa aleatët ia kishin mbyllur dyert. Këtë populli italian nuk e harron asnjëherë, sikurse deklarojnë herë pas here udhëheqës të të gjitha forcave politike të këtij vendi. Madje edhe anketime publike tregojnë një mbështjetje masive të të anketuarve për Kinën. A nuk është kuptimplotë se pikërisht në kulmin e kësaj atmosfere anti-kineze në sallonet diplomatike perëndimore, një seminar ndërkombëtar u mbajt më 10 qershor mes bashkisë Chongqing të Kinës jugperëndimore dhe Romës së Italisë, me fokus Covid-19 dhe të drejtën për jetë dhe shëndet. Seminari 2021 Kinë-Evropë për të Drejtat e Njeriut u mbajt pjesërisht në internet, me mbi 180 pjesëmarrës nga brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë figura politike, ekspertë, studiues, biznesmenë, artistë dhe media, shkruante Xinhua.

Për ti dhënë karakter konkret sfidës ndaj Kinës, SHBA publikoi të ashtuquajturën nismën “Kthimi në një Botë më të Mirë” (B3W) si kundërpeshë ndaj megaprojektit kinez ‘Një brez, një rrugë’ rrjeti i të cilit tashmë ka përqakuar pothuajse tërë globin me trenin e fundit që arriti këto ditë para Samitit të G7-s në Hamburg. Projekti B3W për ndërtimin global të infrastrukturës në vendet në zhvillim me një vlerë prej mbi 40 trilionë dollarësh amerikanë është i mirëpritur përderisa synon zhvillim të infrastrukturës, por të vë në mendime ajo që njofton gazeta “Financial Times” se deri në fund të Samitit të G7-s nuk u arrit konsensusi për burimin e fondeve dhe përmbajtjen e nismës. Pikërisht çështje të tilla financiare dhe konkurenca e ashpër pa kompromis në fusha të ndryshme vazhduan të mbetën pa rrugëdalje edhe në takimet e fundit në Britani e Bruksel.

“T'ia kthesh dikujt sipas mënyrës së tij”

Jemi në vitin 2021 kur Kina është fuqia e parë më e madhe tregtare në botë si dhe renditet e dyta për potencialin e saj ekonomik. Në maj, ekonomia kineze vazhdoi prirjen e rimëkëmbjes së qëndrueshme të këtij viti dhe sikurse njoftonte Banka Botërore para pak ditësh ajo e kishte ndryshuar parashikimin e rritjes së ekonomisë kineze për këtë vit nga 7.9 % në 8.5 %, duke parashikuar se kjo ekonomi do të kontribuoj për mbi 1/4 të rritjes së ekonomisë botërore sivjet! Ndërkohë Kina e çrrenjosi zyrtarisht varfërinë duke u bërë vendi i parë më 2021 që plotësoi objektivat e axhendës 2030 të OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Në kulmin e pandemisë për të cilën është bërë shëmbull për mbarë njerëzimin se si luftohet në mënyrë efikase duke patur njeriun në plan të parë ekonomia e saj njeh rritje dhe po kështu tregtia. Është rasti të citojmë lajmin e 18 qershorit se Kina është bërë vendi lider dhe i pakonkurueshëm në vaksinimin ndaj COVID-19. Së shpejti vendi më i populluar i botës arrin në 1 miliardë vaksinime. Edhe pse e nisi me dy javë më vonë se SHBA, Kina e ka kaluar 3 herë Amerikën për vaksinim ndërsa në raport me botën Kina ka 40 përqind të vaksinimeve në nivel botëror. Vetëm në maj Kina bëri 400 milionë vaksinime ndërsa më 15 qershor më shumë se 20 milionë të tilla.

Ndërkohë hapësira e pafund përtej tokës sonë të vogël me një popullsi prej 7.8 miliard njerëz ndër të cilet 1.4 miliard janë kinezë po pret një pas një vizitorë nga Kina. Konkretisht më 17 qershor tre austronaute u nisën me anijen kozmike "Shenzhou-12" për një mision tremujor në modulin kryesor të stacionit hapësinor kinez "Tianhe".

Në 21 maj zbarkoi në Mars sonda hapësinore Zhurong, e cila po eksploron planetin e kuq në hapësirën marsiane të Utopia Planitia. Aspekte të tjera historish suksesi mbresëlënëse. Forcat e armatosura janë në nivele maksimale për mbrojtje totale, investimet jashtë vendit dhe ato të huaja në Kinë po njohin rritje, ‘Një brez, një rrugë’ zgjërohet bashkë më mekanizmin ‘17+1’ i cili në Ningbo dëshmoi vitalitetin si projekt, numri i paqëruajtësve kinez nën flamurin e OKB-së është më i larti ndër anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare për të shuar jo ndezur konfliktet. Në vend mbizotron zhvillimi, rendi, sundimi i ligjit dhe harmonia ndëretnike. Në aspektin e planifikimit familjar tani familjet mund të kenë 3 fëmijë, pra popullsia e vendit ka nevoje për gjak të ri.

Ky bilanc triumfi nuk është i rastësishëm dhe merr vlerë kur Kina është në atmosferën e përkujtimit të 100-vjetorit të krijimit të PKK-së, që ka drejtuar vendin në një sistem socialist me karakteristika kineze, i cili ka qënë vazhdimisht objekt sulmesh për ta demoralizuar e shkatërruar nga forca të jashtme por edhe të brëndëshme sepse pikërisht tek ajo shikojnë vitalitetin e ketij vendi dhe të popullit të tij.

I rikujtova këto arritje që nuk ka si të mos gëzojnë miqt por të xhelozojë kundërshtarët nga ana tjetër, por edhe për të risjellë në vëmëndje se tashmë ka kaluar koha kur fuqitë kolonialiste bënin si të donin me Kinën.

Tani jo më në këtë vend të ngritur mbi themele të forta dhe me popullin kinez vetmohues! Çdo veprim armiqësor merr përgjigjen e merituar në formë dhe përmbajtje, dhe si edhe me parë Kina ka shprehur kundërpërgjigjet e saj ndaj frymës armiqësore të shprehur në G7, NATO, BE a ndokund tjetër nga 9 deri më 17 qershor 2021 lidhur me ndërhyrjet aspak diplomatike në çështjet e rajonit të Hong-Kongut, të Xianjingut apo aspekte të tjera.

Kështu Ministria e Jashtme kineze i kërkoi më 15 qershor palëve të G7-s të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës pasi ky grup lëshoi një komunikatë të përbashkët duke përmendur Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit. Zëdhënësi i diplomacisë kineze, Zhao Lijian, e dënoi këtë veprim të disa palëve që synojnë ngritjen e "klikave" dhe shtypjen e vendeve të tjera.

"Koha kur vendimet botërore diktoheshin nga një grup i vogël vendesh ka perënduar", tha zëdhënësi. Duke ritheksuar vendosmërinë e Kinës për të mbrojtur sovranitetin e saj kombëtar dhe integritetin territorial, Zhao u kërkoi vendeve të G7-s të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës. Tani më shumë se kurrë duhet të mbizotërojnë bashkimi dhe bashkëpunimi për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, theksoi Zhao, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin veprime konkrete për të mbrojtur multilateralizmin në vend që të ndryshojnë përgjegjësitë dhe të hutojnë publikun.

Ndërkohë duke dënuar çdo ndërhyrje një zëdhënës i misionit kinez në BE tha më 11 qershor se vendet evropiane kanë ndërhyrë vazhdimisht në punët e Hong-Kongut në emër të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe vlerave dhe kanë minuar parimin "Një vend, dy sisteme" dhe begatinë e stabilitetin e rajonit të Hong-Kongut, tha zëdhënësi. "Ata nuk morën parasysh ndikimin pozitiv të ligjit të sigurisë kombëtare për Hong-Kongun dhe sistemin e përmirësuar zgjedhor si dhe të drejtat e tij njerëzore dhe mangësitë institucionale", ai tha.

Në reagimin ndaj pretendimit të komunikatës së NATO-s zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian deklaroi më 15 qershor se Kina nuk paraqet ‘sfida sistemike’ ndaj askujt, dhe vuri ne dukje se vendi i tij do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit.

Po kështu është rasti të përmënd "Ligjin kundër sanksioneve të huaja" të miratuar nga Asambleja Kombëtare Popullore (AKP) sikurse njofton më 11 qershor CMG. Ky ligj plotëson paketën e mjeteve të Kinës kundër sanksioneve, ndërhyrjeve dhe të ashtuquajturit "juridiksion me krah të gjatë", do të ruajë në mënyrë më të fuqishme sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës dhe do të mbrojë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.

“T'ia kthesh dikujt sipas mënyrës së tij.” Kjo shprehje e lashtë kineze mund të përdoret si shpjegim i saktë për këtë ligj të sapomiratuar, por edhe për të gjithë qëndrimet që ka mbajtur diplomacia kineze ndaj insinuatave armiqësore ndaj Kinës.

Sanksioneve të njëanshme nga disa vende perëndimore, Kina u është kundërpërgjigjur me mjete ligjore, çka është e domosdoshme dhe në kohë, thekson CMG në komentin e saj. Kjo ka mbrojtur jo vetëm dinjitetin dhe interesat themelor kombëtar, por edhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe të barazisë sovrane, duke shprehur kundërshtim ndaj hegjemonizmit dhe politikës së forcës. Nga ana e së drejtës ndërkombëtare, publikimi nga Kina i "Ligjit kundër sanksioneve të huaja" është i ligjshëm dhe ka natyrë të ndryshme nga veprimet hegjemoniste të SHBA-së dhe një numri të vogël vendesh të tjera.

Uashingtoni nuk ka sukses që Rusia të tjetërsojë Kinën

E mësuar me oshilacionet e qëndrimeve sa kërcënuese por po aq edhe foshnjore të perëndimit Kina ka vazhduar politikën e saj të jashtme të mbështetur në pragmatizmin shëmbullor dinjitoz, që personalisht e kam adhuruar.

Në aspektin diplomatik kanë qënë produktive vizitat e disa ministrave të jashtëm të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore dhe të BE-së në Kinë në fund të muajit maj. Po kështu një sukses i plotë ishte Ekspozita Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL) ku Shqipëria u paraqit me pavionin e saj. Këtë veprimtari e përshëndeti edhe ministrja e ekonomisë Milva Ekonomi, e cila shikonte mundësi të pashfrytëzuara për zgjërimin dhe diversifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kinës. Ndërkohë teksa zhvilloheshin takimet e Biden-it në Evropë Këshilltari i Shtetit i Kinës dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare Wei Fenghe mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Kombeve të Azisë Juglindore (ADMM-Plus) më 15 qershor. Ai theksoi qëndrimin konsekuent të vendit për çështjet që lidhen me rajonet e Tajvanit, Xinjiang-ut, Hong-Kongut dhe Detin e Kinës Jugore. Duke theksuar shumëllojshmërinë e krizave të pashembullta që ndodhin sot, Wei nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe të bashkëpunimit dhe bëri thirrje për ndërtimin e përbashkët të një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kina i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me vendet e tjera në fushën e sigurisë dhe i kupton dhe respekton plotësisht shqetësimet e tyre legjitime, tha ai, duke theksuar se interesat kombëtare të Kinës gjithashtu duhet të respektohen dhe mbrohen plotësisht. Wei përmendi gjithashtu mbrojtjen e paqës dhe të stabilitetit në rajonin e Azi-Paqësorit.

Ndërkohë marrëdhëniet me Rusinë janë pasuruar më tej dhe sikurse deklaroi ambasadori i këtij vendi në Pekin Andrey Denisov në prag të takimit Putin-Biden në Gjenevë më 16 qershor se Rusia nuk do të tjetërsojë Kinën për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me SHBA-në. Denisov e tha këtë gjatë një interviste të fundit për Global Times të cituar nga CRI më 11 qershor në përgjigje të analizave se administrata e Biden-it mund të ndjekë një strategji të "uljes së moderuar të tensionit me Rusinë në mënyrë që të përqendrohej në marrëdhëniet me Kinën".

Nuk ka asnjë njoftim që në takimin Biden-Putin të jetë përmëndur Kina dhe sikurse tha ambasadori rus në intervistën e mësipërme “Rusia është më e zgjuar nga sa mendojnë amerikanët". Ai shtoi se Rusia nuk pret ndonjë rezultat nga samiti Putin-Biden dhe dy palët nuk kanë gjasa të zgjidhin çështje të rëndësishme në takim. Ambasadori vuri në dukje se nëse të dy udhëheqësit flasin për çështje që lidhen me Kinën gjatë takimit të tyre, Rusia do t'i diskutojë ato me palën kineze. "Në tërësi, interesat ndërkombëtare të Rusisë dhe Kinës janë të njëjta, kështu që pozicionet tona në shumicën e çështjeve ndërkombëtare janë gjithashtu të njëjta," tha ai.

Presidenti rus Vladimir Putin pati një takim me partnerin e tij amerikan Joe Biden në Gjenevë më 16 qershor 2021. Sipas njoftimeve zyrtare dhe meadiatike të dy presidentët ranë dakord vetëm për të filluar një dialog mbi kontrollin e armëve bërthamore dhe për të rikthyer ambasadorët përsëri në kryeqytetet e njëri-tjetrit. Sidoqoftë, Biden dhe Putin mbetën të ndarë për çështje të tilla si siguria kibernetike, disidenti i Kremlinit Alexei Navalny dhe Ukraina. Siç ishte parashikuar gjerësisht, samiti Biden-Putin dha rezultate të kufizuara, duke përfshirë një deklaratë të përbashkët mbi stabilitetin strategjik. Ekspertët e konsideruan takimin si një përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfrontimit.

Skenari 10- ditor amerikan i 'rrethimit' imagjinar të Kinës i imponuar në grupimet e mbyllura të kohës së Luftës së Ftohtë 1 kundër ish- bllokut lindor duket nuk arriti të prodhojë Luftën e Ftohtë 2 anti- kineze. Në të kundërt u bë rast për të evidentuar ndër të tjera tre realitete: blloku perëndimor e ka humbur kohezionin e tij nën hegjemoninë amerikane, e cila sa vjen e zbehet dhe BE është në kërkim të vizioneve të reja për rimëkëmbje të saj. Konferenca një- vjeçare për të Ardhmen e Evropës, e cila ka nisur në maj të këtij viti ka tematikë riformatimin e BE-së në nje Evropë të rilindur sovrane. Së dyti, Kina rikonfirmoi vendosmërinë e saj në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit te vet me çdo çmim duke treguar pamëdyshje se qëndrimet konsekuente të konsakruara në themelet e Republikës Popullore janë të pacënueshme nga kushdo, dhe së treti, u demonstrua solidariteti i ndërsjelltë i Kinës me pjesën më të madhe të vendeve të botës, përfshi edhe shumë prej anëtarëve të aleancave të ngushta perëndimore, kur për mbarë komunitetin ndërkombetar një Kinë e pavarur, e zhvilluar, e fuqishme dhe paqësore është domosdoshmëri e kohës per ruajtjen e stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurisë së paqës në botë, si dhe garantuese e çdo ndryshimi të ekujlibrit të forcave në arenën ndërkombëtare në favor të çdo vendi dhe populli liridashës kundër hegjemonizmit të së kaluarës së hidhur të Luftës së Ftohtë.

Genc Mlloja