Takimi tre-ditor i Grupit G7 mbajtur më 11-13 qershor është përmbyllur, me udhëheqësit e klubit që nënshkruan një komunikatë në Mbretërinë e Bashkuar. Një ditë më vonë, këta udhëheqës shkuan në Bruksel ku u shtuan edhe 23 liderë të tjerë nga vendet e NATO-s për një mbledhje tjetër.

U bënë foto buzë detit, u falën buzëqeshje gazetarëve, u prekën brrylat me sportivitet dhe bota pa si gjestikulojnë disa nga njerëzit më të fuqishëm në botë. Shumë çështje u diskutuan, nga vaksinat anti- COVID, ndryshimet klimatike, infrastruktura deri në teknologji, dhe patjetër, faktorët e jashtëm.

Kina u bë shpejt tema kryesore e këtyre dy eventeve dhe është e qartë se të 7 anëtarët duhet të tregonin një bllok të unifikuar në qëndrimin e tyre në marrëdhëniet me Kinën.

Udhëheqësit e NATO-s paralajmëruan se Kina paraqet "sfidë sistemike", duke marrë një qëndrim të fuqishëm ndaj Pekinit në një komunikatë në samitin e parë të Joe Biden, me një aleancë që Donald Trump haptazi e zhvlerësoi. Presidenti i ri i SHBA ka nxitur kolegët e tij udhëheqës të NATO-s të qëndrojnë të bashkuar përballë fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.

Nga ana tjetër Sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se nuk është qëllimi i SHBA të mbajë të shtypur Kinën por perëndimi do të mbrojë rendin ndërkombëtar prej përpjekjeve subversive nga çdo vend, përfshirë Kinën. Ai tashmë ka hedhur tezën e ashtuquajtur CCC (Cooperate - Compete - Confront) që ka si qendër idenë e “në marrëdhëniet SHBA-Kinë ka tre opsione: Bashkëpunim ku mundesh, Konkurrencë kur duhet dhe Ballafaqim kur nevojitet”. Por, me sa duket diskursi poltik po përshkallëzohet jashtë skemave të mësipërme.

Einer Tangen, shprehet se kjo mbledhje u duk më shumë si një një seminar rekrutimi për ata që dëshironin të shkonin kundër Kinës, pasi nuk kishte zgjidhje por vetëm ankesa.

G7 - x = ?

G7 është më shumë e ndarë sesa e bashkuar për t'iu kundërvënë Kinës. Uashingtoni ka shtuar përpjekjet e tij për të ndërtuar koalicione anti-Kinë në Indo-Paqësor. Seuli dhe Tokio janë ndarë përgjithmonë, ndërsa Dialogu Katërkëndësh i Sigurisë (i njohur gjithashtu si Quad) është një dialog strategjik informal midis SHBA, Japonisë, Australisë dhe Indisë që nuk po merr terren. Tani, indikacionet nga G7 janë se edhe vendet më të fuqishme në botë janë gjithashtu të ndara për qasjet e tyre ndaj Kinës. Raporte të shumta shtypi nga samiti duke cituar një zyrtar amerikan të paemëruar thanë se Biden drejtoi akuzën kundër Kinës, të mbështetur nga MB, Franca dhe Kanada. Sidoqoftë, Italia, Gjermania dhe BE ishin më ngurrues.

Përkundër një imazhi në dukje të unifikuar dhe pretendimeve parimore, çështje të tilla si buxheti i mbrojtjes i NATO-s mosmarrëveshja Airbus-Boeing dhe së fundmi, Irlanda e Veriut në kontekstin e Brexit, kanë kërcënuar të ndajnë Perëndimin , shënon agjencia Xinhua.

Ndërsa Financial Times shkruan se deklaratat e mundshme të unitetit, Biden do të duhet të merren në një realitet të vështirë ... Ajo (Evropa) ka përparësi të ndryshme ekonomike dhe strategjike nga SH.B.A. dhe ekziston një rrezik i vazhdueshëm që këto ndarje të thellohen.

Kina u përfol, u etiketua “subversive” dhe u vu në qendër të vëmendjes për shumë aspekte, dhe ajo që u nënvizua më tepër ishte fjala “sfidë”.

Por, a është Kina një fuqi subversive dhe agresive siç është portretizuar?

Profesor John Gong, shprehet se Kina kurrë nuk ka bërë asgjë për të përmbysur qeveritë e huaja, ajo nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë luftë ‘satelitore’, ose ndonjë lloj ndërhyrje tjetër në vend të huaj për gati katër dekada. Ndoshta ndjenja në perëndim nuk ka të bëjë me Kinën që të jetë një shtet revizionist apo pushtet përmbysës ka të bëjë më shumë me faktin se Kina po jep një shembull alternativ dhe ai shembull alternativ është një lloj eklipsimi i modelit që perëndimi ka promovuar, modeli i zhvillimit të Kinës po bëhet tërheqës dhe nga këtu po vjen kryesisht kjo e ashtuquajtura ‘‘sfidë’’.

Kina nuk ka pasur kurrë qëllimin ose interesin të rishkruajë rregullat e sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ajo që qeveria kineze ka shprehur vazhdimisht është se ata duan të jenë pjesë e saj.

Retorika dhe praktika

Si në Britani dhe në Bruksel, autoritetet kineze reaguan. Një zëdhënës i ambasadës kineze në Londër u shpreh se “Ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një grup i vogël vendesh kanë kaluar...Ne gjithmonë besojmë se vendet, të mëdha apo të vogla, të forta ose të dobëta, të varfra ose të pasura, janë të barabarta, dhe se çështjet botërore duhet të trajtohen përmes konsultimit nga të gjitha vendet."

Ndërsa dy ditë më vonë një deklaratë nga Misioni Kinez në Bashkimin Evropian bëri thirrje që NATO "të shikojë zhvillimin e Kinës në mënyrë racionale, të ndalojë ekzagjerimin e formave të ndryshme të" teorisë së kërcënimit të Kinës "dhe të mos përdorë interesat legjitime dhe të drejtat ligjore të Kinës si justifikime për manipulimin e politikës botërore.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen është një iniciativë e re që del nga takimi i G7, plani "B3W” i cili u shpall si një kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj Kinës, dhe specifikisht nismës “Një Brez, Një Rrugë” për zhvillimin infrastrukturor të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas planit vendet G7 do të sigurojnë rreth 40 trilion dollarë për vendet në zhvillim deri në vitin 2035.

Sipas Martin Jaqcue, kjo është e pamundur pasi vendet që zotohen për këtë nismë janë të zhytur në borxhe, nuk kanë historik mbështetës për nisma të tilla dhe politikat e tyre të brendshme nuk pajtohen me ofrimin e kësaj lloj ndihme për vendet në zhvillim. Sipas tij, Biden po vrapon i frikësuar nga brigada Trumpiane anti-Kinë. Ai nuk mund ti lejojë vetes të duket i dobët ndaj Kinës pasi i duhet suport në zgjedhjet e Kongresit në 2022.

Një qasje teorike e problemit në fjalë

Më pak politikë, më pak ideologji dhe më shumë përfitime praktike për njerëzit e tyre dhe për botën shprehet Eric Li, një politolog kinez. Një problem i madh me vendet perëndimore është se disa kanë bindur veten se ekziston vetëm një tip i demokracisë dhe që quhet demokraci liberale.

Është bërë lidhje midis liberalizmit dhe demokracisë duke pretenduar se vetëm shoqëritë liberale mund të jenë demokratike, por ky është një pretendim i pavërtetë, sepse mund të ketë forma të tjera të qeverisjes demokratike. Në Kinë quhet demokraci konsultative.

Katër dekadat e fundit demonstrojnë se liberalizmi ka çuar në mungesë të demokracisë, perëndimi tenton të masë demokracinë me procedura, dhe ky është liberalizmi, fokusi në procedura.

U thuhet vendeve në zhvillim se nëse ndiqni këto procedura në mënyrë korrekte dhe u bindeni këtyre institucioneve atëherë do të keni demokraci, nuk ka rëndësi nëse ka uri dhe padrejtësi, etiketa është aty.

Në Kinë demokracia matet me rezultatin, kështu që nëse qeveria jep një jetë më të mirë për numrin më të madh të njerëzve sigurisht është demokratike, nëse një qeveri nuk jep rezultate, atëherë sa demokratike është ajo qeveri?

Afro tre dekada më pare në Kinë u shfaq doktrina e ‘Rritjes paqësore’ – në atë kohë, shumë njerëz menduan se nuk ishte e besueshme, as e arritshme. Por po të shihet pas me kthjelltësinë e retrospektivës, kjo ngritje statusi tashmë ka ndodhur.

Kina kaloi nga një vend i varfër agrar në një vend të madh industrial në shumë pak kohë, dhe ndryshe nga pritshmëritë, për këtë rritje Kina nuk ka pushtuar asnjë vend të vetëm, asnjë plumb të shtënë dhe kjo është e paprecedent në historinë njerëzore.

Ngritja e çdo fuqie të madhe nga Athina në Romë, në perandorinë britanike deri në ngritjen e Amerikës, të gjitha u shoqëruan me gjakderdhje, kolonizim, skllavëri, luftra. Rritja e Kinës ka qenë më e shpejtë në kohë sesa të gjitha ato dhe pa dhunë ose kërcënim, dhe në vend që të festohen këto arritje, ka vetëm hostilitet dhe retorikë akuzuese. Për kinezët kjo është e pahijshme dhe deri diku zhgënjyese.

Mjafton të mendojmë se ka më shumë se 400 baza ushtarake nga anëtarët e NATO-s përreth Kinës dhe kuadri bëhet më i qartë.

Në botën ende të mbërthyer nga pandemia, me ekonomitë që me zor po marrin pak oksigjen, dhe me vështirësitë ende të pa dala në pah si pasojë e këtyre kohëve katastrofike, është shumë e lehtë të gjenden ‘armiq’ dhe të krijohen fushëbeteja fjalësh, por përshkallëzimi i diskursit agresiv në kohëra të tensionuara rrezikon të transformojë mentalitetin (e Luftës së Ftohtë) në paranojë.

Dr. Marsela Musabelliu