Një tryezë e shumëllojshme ushqimesh e mbushur me dashuri nga mikpritësit kinezë dhe vendet europiane, pjesëtarë të Nismës 17 +1 , u bë dëshmi tjetër e një lidhjeje që sa vjen e forcohet. Verë, birrë, proshuta të ndryshme, lloje djathrash, mjaltë e mjaft artikuj të tjerë, por edhe gatime tradicionale bënë që pjesmarrësit në panairin e Ningbosë jo vetëm të ekspozonin mundësitë e produkteve të ndryshme ushqimore, por edhe të uleshin në tryezat e përbashkëta për të trokitur gotat e miqësisë. Ishte më shumë se një panair! Ishte një frymë miqësore së cilës ushqimet e përgatitura me shumë shpirt njerëzor, i jepnin një dimension të ri komunikimit midis vendeve europiane dhe Kinës, duke treguar se rrugët e miqësisë e bashkëpunimit janë të hapura e të shumëllojshme.

Ningbo u kthye në një adresë të re të zgjerimit të bashkëpunimit, për të treguar mundësitë e shumta që kanë vendet e Europës Juglindore e më gjërë në bashkëpunim me Kinën, por edhe në mes vetes. Çatia e përbashkët e Ningbosë e dëshmoi këtë në pistën e tryezës ushqimore, e cila solli shumë ngrohtësi dhe tregoi se kulturat e ndryshme edhe në këtë drejtim kanë pikat e veta të takimit dhe ato duhen forcuar.

Sigurisht që përmasat e panairit të Ningbosë ishin shumë më të mëdha se ekspozimi i produkteve bujqësore, pasi aty kishte edhe një sërë produktesh të sferave të ndryshme, por produktet bujqësore dhe ato ushqimore, ishin embrioni i panairit.

Ningbo është një adresë shumë e rëndësishme komunikimi në rrugën e lashtë detare të Mëndafshit, një portë e hapur që ka shërbyer për të lidhur në thellësitë e viteve një varg vendesh, ka frymëzuar tregëtinë, por mbi të gjitha ka dëshmuar miqësi e prosperitet.

Tani që Nisma “Një brez një rrugë” po merr gjithnjë e më shumë një zgjerim dhe po hap perspektiva të reja bashkëpunimi, Ningbo po demonstron se është vendi ku ndërthuren mundësi dhe interesa pozitive, një portë e hapur miqësie. Panairi i përgatitur me aq dashuri atje, por edhe me shumë thjeshtësi njerëzore, tregoi se sa afër janë njerëzit e vendeve të ndryshme, kur në mes tyre ekziston një miqësi e sinqertë. Gatimet e realizuara nga diplomatët e vendeve të ndryshme te Europës në ditët e panairit dhe qëndrimi në tryezat e përbashkëta ku trokiteshin ngrohtësisht gotat e verës, rakisë apo birrës e pijeve të ndryshme, treguan se demonstrimi i bashkëpunimit kërkon vetëm vullnete pozitive. Rrugët e shkëmbimeve kulturore e njerëzore, të investimeve e tregtisë, të fushave të tjera të gjëra të komunikimit ekonomik e më gjerë, shkurtohen dhe bëhen të afërta, kur në themel të tyre qëndrojnë iniciativa të sinqerta.

Prej vitesh Nisma 17 +1 po sjell fryte të çertifikuara të një komunikimi me tregues surprizues dhe me ndikim të ndjeshëm në ekonomitë e vendeve pjesmarrëse. Presidenti kinez Xi Jinping, si frymësues dhe mbështetës kryesor i këtij mekanizmi theksonte në letrën e tij drejtuar pjesmarrësve në panair se “ Mekanizmi i bashkëpunimit Kinë- Vende të EQL-së është një platformë e rëndësishme për Kinën dhe vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore për të forcuar miqësinë, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të kërkuar zhvillimin e përbashkët”. Ajo që theksoi Presidenti kinez se “mbajtja e kësaj Ekspozite Kinë- vendet e EQL është e favorshme për të rritur kuptimin e tregut kinez të mallrave të Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë si dhe e dobishme për të gjitha palët që të kapërcejnë sfidat e sjella nga pamdemia Covid 19 dhe rimëkëmbija e ekonomisë”, është mundësia që nëpërmjet një bashkëpunimi të hapur, sfidat të kapërcehen së bashku dhe përfitimi do të jetë i ndërsjellë.

Potenciali është shumë i gjërë dhe mundësia për të shfrytëzuar mundësitë që ofrohen edhe një suport pozitiv për të gjitha vendet. Pjesëmarrësit në panair e kanë ndjerë këtë, mbi të gjitha kanë ndjerë afërsinë shpirtërore e kulturore me njeri-tjetrin dhe rënien e barrierave që ngrihen shpesh artificialisht apo të imponuara nga konjuktura të ndryshme.

Lidhja e ngushtë midis Kinës dhe vendeve të EQL u dëshmua edhe një herë në Ningbo, për të shkuar drejt një modeli të ri marrëdhëniesh të cilat potencojnë edhe mundësi të reja. Vitet e fundit, po t’u referohemi shifrave në fusha të ndryshme, konstaton se trendi është në nje rritje me tregues pozitivë. Vetëm gjatë këtij viti, duke marrë si referencë periudhën janar – prill nga qyteti ku u mbajt panairi drejt vendeve të EQL-së, vëllimi i mallrave në eksport- import është në shifrat e 79.67 milionë juanë. Ura e re ajrore e cila nisi fluturimet me 26 maj nëpërmjet Ningbosë dhe Budapestit transporton rreth 40 ton produkte bujqësore dhe ushqimore, duke sjellë në Kinë produkte të freskëta të cilat përcjellin shijen e dashurisë europiane.

Në Nigbo u ekspozuan më shumë se 5000 produkte nga vende të ndryshme. Kishte atje edhe një copëz Shqipërie, me mjaltin e veçantë e bio, por edhe me verë, vaj ulliri, birrë, ujë mineral e të tjerë tek të cilat të pranishmit ndaleshin me kënaqësi e shijonin cilësinë karakteristike të prodhimeve shqiptare. Sigurisht që Shqipëria është një vend i vogël, por rruga e hapur për në tregun kinez, krijon mundësinë që të investohet drejt një tregu të sigurt e të konsoliduar, por edhe të vendosen themelet e investimeve të përbashkëta, që i japin Shqipërisë një suport të fuqishëm në këtë fushë.

Hyrja në tregun kinez e mallrave shqiptare u jep atyre edhe një certifikatë vlere e cilësie për të qënë gjithnjë të kërkuara e vlerësuara. Në shtator do të përurohet në ekspozitën e përbashkët të produkteve nga EQL në Ningbo, edhe pavioni shqiptar i produkteve ushqimore, si një mundësi për të qënë përherë në kontakt me konsumatorët kinezë dhe për të marrë në vijimësi kërkesa të reja. Ningbo zgjeron gjithnjë e më shumë mundësitë e komunikimin.

Ningbo është vetëm një referencë dhe stacion, pasi shifrat në një plan më të gjerë janë tepër domethënëse në planin e bashkëpunimit të Kinës me vendet e EQL-së. Në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e shkëmbimeve tregëtare është mbi 50 % krahasuar me vitin e kaluar, mbështetur mbi referencën e mbi 30 miliardëve dollarë mallra. Përmasat e reja të vrullit tregtar Kinë- vende të EQL-së, identifikojnë mundësitë e shumta midis këtyre vendeve, por edhe klimën e re mirëkuptuese. Më shumë se 170 miliardë dollarë mallra të ndryshëm do të importojë Kina nga vendet e EQL në një hark kohor pesëvjeçar, duke iu dhënë këtyre të fundit jo vetëm mundësinë për të eksportuar në një treg të madh, por edhe suport në zhvillimin ekonomik dhe stabilitet shumë planësh.

Ky vit ka shënuar një hapje dhe ridimension të bashkëpunimit, pasi disa vende si Shqiperia, Serbia, Republika Çeke dhe Hungaria kanë nënshkruar marrëveshje e memorandum mirëkuptimi në bashkëpunimin e ndërsjellë. Kina ka një treg gjigant, i cili ka damarët e veta të furnizimit në të gjithë boten, por vëmendja e posaçme në tregun e EQL-së, bën që në mënyrë kapilare të dy palët të përfitojnë, të konsolidojnë komunikimin dhe të bëhen pjesë e bashkësisë së fateve të barabarta, duke krijuar mundësi për zgjerimin e të gjitha rrugëve që çojnë drejt standardeve në rritje të jetesës së banorëve të vendeve respektive.

Përputhja e interesave është pjesë e një strategjie të përbashkët zhvillimi. Që kur filloi 9 vjet më parë shtrimi i rrugës së mekanizmit bashkëpunues midis Kinës dhe vendeve të EQL-së, rritja e tregtisë midis palëve ka shënuar një shifër mesatare prej 8% në vit, tregues që përbën një referencë të pakundërshtueshme të vullnetit, por edhe lidhjeve politike e ekonomie që janë vendosur e që funksionojnë pozitivisht. Vetëm vitin e kaluar janë realizuar mbi 100 miliardë dollarë shkëmbime tregtare, duke kaluar kësisoj edhe volumin që Kina ka realizuar me BE-në për këtë periudhë.

Duke ofruar një fushë me rregulla e mundësi të barabarta loje, ka bërë që bashkëpunimi midis Kinës dhe Evropës e në mënyrë më specifike me vendet e EQL-së, të jetë i konsoliduar e me perspektivë në rritje.

Panairi i Ningbosë i dha një aromë tjetër miqësie kësaj lidhjeje, duke i ulur të gjithë në tyezën e madhe të asaj që kultura e kulinarisë ofron, por edhe të nxit për të komunikuar në mënyrë sa më miqësore. Diversiteti kulturor në tryezën e përbashkët, tregoi se ato nuk janë rrugë ndarjeje, por rrugë bashkëpunimi që gjenden më lehtësisht kur ekzistojnë vullnetet e sinqerta për një komunikin të hapur e me përfitim reciprok.

Gëzim Podgorica