
“Të kalohet lumi duke u prekur gurët” – një shprehje e famshme kineze, u bë e njohur për botën pas reformave ekonomike të vitit 1978. Të qenit njëkohësisht të guximshëm dhe të kujdesshëm në sferën e reformave, mund të emërtohet si qasja graduale ndaj ndryshimeve duke eksperimentuar.
Kjo qasje është një koncept i rëndësishëm në reformën dhe hapjen e Kinës dhe një metodologji e vlefshme për të drejtuar punën praktike të një shteti. Thënia në modernitet i referohet reformave të pjesshme në një mënyrë eksperimentale, shpesh duke filluar në disa rajone dhe duke i zgjeruar ato në rang kombëtar pasi suksesi është provuar.
Në vitin 1978 u zgjodh Shenzheni si pikënisje e një testimi masiv për masa të reja ekonomike dhe sociale, në vitin 2021, zgjidhet Zhejiang për t’u bërë provinca pilot e asaj që quhet “arritja e prosperitetit të përbashkët”.
40 vite më parë reforma kishte nocione tërësisht ekonomike dhe qasje pragmatike të tregut dhe kapitalit. Sot, pikënisja e së ardhmes ka sa konotacion ekonomik, aq edhe ideologjik. Socializmi me karakteristika kineze ka evokuar përherë egalitarizmin, ose shpërndarjen e fryteve të punës dhe arritjeve për të gjithë.
Evolucioni i vizionit për të ardhmen në poltikbërjen kineze është lidhur përherë me arritje të mëdha dhe progres, dhe në të tashmen ky progres duhet të jetë jo vetëm sasior, por cilësor.
Më 3 qershor, Komitetit Qendror i Partisë Komuniste Kineze (PKK) dhe Këshilli i Shtetit publikuan një udhëzim duke caktuar Provincën Zhejiang të marrë drejtimin në ndërtimin e një zone demonstrimi si shembull për promovimin e prosperitetit të përbashkët në të gjithë vendin. Qëllimi kryesor bëhet eksplorimi i një qasjeje efektive për të adresuar problemin e zhvillimit të çekuilibruar dhe joadekuat.
Nga zhvillimi dhe pasurimi i Kinës në dekadat e fundit, jo të gjithë kanë përfituar njësoj. Ka ende zhvillim të pabalancuar dhe hendek midis zonave urbane dhe rurale.
Duke pranuar se prosperiteti i përbashkët është një kërkesë thelbësore e socializmit

dhe aspiratave të përbashkëta të njerëzve, udhëzimi shpreh qartë se kjo lidhet jo vetëm me çështjet ekonomike, por gjithashtu është një çështje politike që ka rëndësi për themelin e qeverisjes së PKK.
Zhejiang aktualisht dhe vizioni 2025-2035
Kjo provincë u zgjodh për t’u bërë zonë pilot për një seri arsyesh: së pari, ka arritur përparim të dukshëm në zgjidhjen e problemit të zhvillimit të paekuilibruar. Në vitin 2020, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Zhejiang arriti në 6.46 trilion juanë dhe të ardhurat e disponueshme për frymë të banorëve ishin 1.63 herë mesatarja e vendit. Përparimet e kësaj province pilot do të duhet të jenë të dukshme brenda 2025. Në atë vit, Zhejiang duhet të arrijë progres të fortë në ndërtimin e zonës demonstruese, me (PBB) për frymë që arrin nivelin e ekonomive mesatarisht të zhvilluara, plus një strukturë shoqërore me një popullsi me të ardhura të mesme.
Në këtë vit krahina e Zhejiang do të marrë drejtimin në formulimin e sistemeve, mekanizmave dhe kornizave të politikave. Formësimi i një mënyre zhvillimi me cilësi të lartë me vitalitet, inovacion dhe konkurrencë edhe më të fortë dhe duke realizuar ndarjen e shërbimeve publike me cilësi të lartë që prekin të gjitha aspektet e jetës së njerëzve.
Ndërsa, në vitin 2035, do të bëhet përparim i madh në zhvillimin me cilësi të lartë në krahinë dhe prosperiteti i përbashkët duhet të arrijë në thelb.
Ҫdo të ndodhë në Zhejiang?

Në ndërtimin e zonës demonstruese, fokusi duhet të përqëndrohet në promovimin e prosperitetit të përbashkët. Pekini bën thirrje për reformë dhe inovacion për të adresuar boshllëqet e zhvillimit midis rajoneve, si dhe midis zonave urbane dhe rurale, dhe për të ngushtuar hendekun e të ardhurave, me theks në fshatrat, zonat më pak të zhvilluara, si dhe njerëzit në nevojë.
Inovacioni pritet të luajë një rol jetësor në ndjekjen e prosperitetit të përbashkët. Reformat e reja do të plotësohen dhe avancohen në fusha të tilla si teknologjia, dixhitalizimi, sistemet e shpërndarjes, zhvillimi i koordinuar midis zonave urbane dhe rurale dhe midis rajoneve të ndryshme, shërbimet publike dhe realizimi i vlerës së produkteve ekologjike. Përdorimi i ekonomisë dixhitale për të fuqizuar ekonominë reale në mënyrë që të përmirësojmë efikasitetin e punës, do të jetë në pararojë.
Pse u zgjodh Zhejiang?
Zhejiang ka një ekonomi të zhvilluar, një ndjenjë të fortë reforme dhe inovacioni dhe gëzon themelin dhe përparësitë për ndërtimin e zonave demonstruese. Afro 101 mijë metra katrorë, dhe popullsi totale prej afro 57 milion banorësh, Zhejiang ka arritur rezultate të dukshme në eksplorimin dhe zgjidhjen e problemit të zhvillimit të paekuilibruar dhe të pamjaftueshëm; frytet e arritura përmes reformave atje duhet të japin përvojë për pjesë të tjera të vendit.
Zhejiang është një provincë relativisht e pasur. Banorët rurale përbëjnë gjysmën e popullsisë së saj totale, por diferenca e të ardhurave midis banorëve urbanë dhe atyre rurale është 1.96, shumë më e ulët se 2.56 kombëtare. Liu Yuanchun, nënkryetar i Universitetit Renmin i Kinës shprehet se eksperienca që do të merret në Zhejiang mund të pasurojë vazhdimisht mendimin strategjik për arritjen e prosperitetit të përbashkët. Dhe gjithashtu e rëndësishme është se ajo mund t'i sigurojë Kinës shembuj, dije dhe zgjidhje për të trajtuar polarizimin e shpërndarjes së të ardhurave me të cilin po përballet gjithë bota.
Rrenjët në strategji të hershme
Provinca Zhejiang ka parë ndryshime të jashtëzakonshme që nga fillimi i një plani të përqendruar në zhvillimin me cilësi të lartë në 2003. Plani, i njohur si Strategjia e Dyfishtë [ 2x8 avantazhe], u iniciua nga Presidenti Xi Jinping, i cili, në atë kohë, ishte sekretar i Komiteti të PKK për provincën Zhejiang.
Strategjia “8x8” identifikon tetë pikat e forta që Zhejiang zotëron për sa i përket strukturës ekonomike, pozitës gjeografike, industrive, zhvillimit të koordinuar të zonave urbane dhe rurale, ekologjisë, burimeve malore dhe oqeanike, mjedisit dhe kulturës.
Këto tëtë pika të forta të identifikuara nga qeveria qendrore në Pekin, do të plotësohen nga tëtë fusha aksioni për të cilat përgjigjet qeverisja vendore e Zhejiang. Fushat me aksion të përqendruar në kompetencë të qeverisjes vendore do të jenë: stabilizimi i ndërmarrjeve dhe rritja ekonomike, zgjerimi i kërkesës së konsumatorit, fuqizimi përmes inovacionit, cilësia e lartë e prodhimtarisë, integrimi i brigjeve të lumit Yangtze, zhvillimi i gjelbër (ekologjik), promovimit kulturor dhe garancia e standartit të jetesës.

Nga Pekini vjen mbështetja dhe drejtimi, dhe bashkë me to vijnë edhe pritshmëri të larta për arritje. Me pak fjalë, sa më e suksesshme të jetë një zonë e caktuar, aq më shumë i kërkohet.
Zhejiang-ut, në vitin 2021 po i jepet mundësi e të qënit në pararojë dhe një krahinë pionier për vizionin e Kinës së së ardhmes, pasi vizioni i Kinës për të ardhmen e afërt po formëzohet në Zhejiang. Një vizion ku thelbi është socializmi dhe ky socializëm do të jetë i begatë, dhe kjo begati do të shpërndahet sipas nevojave, dhe nevojat do përmbushen me anë të politikave efikase.
Në shekullin XIX një doktrinë e quajtur “utopia socialiste” i referohej të gjitha ideve që thjesht paraqesnin një vizion dhe qëllim të largët të një shoqërie të drejtë dhe barazitare - mbase në shekullin e XXI doktrina do të riemërtohet Zhejiang.
Dr. Marsela Musabelliu







