
Në Kinë, në Ningbo, provinca Zhejiang, midis datave 8 – 11 qershor 2021 organizohet ekspozita e dytë midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (VEQL).
Panairi i parë ndërkombëtar i mallrave të konsumit u mbajt në 8 – 12 qershor 2019 dhe pati më shumë se 25,000 të ftuar e personalitete të fushës së biznesit e tregtisë dhe më shumë se 80.000 vizitorë të interesuar për biznes, investime e tregti.
Në panair u gjeneruan rreth 300 milionë dollarë blerje produktesh, u zhvilluan më shumë se 20 forume bashkëpunimi, veprimtari të tjera ekonomike, tregtare e ngjarje të rëndësishme kulturore të suksesëshme. Paralelisht me to u zhvilluan më shumë se 30 takime midis përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse për nxitjen e bashkëpunimit 17 + 1, që synohet të jetë një bashkëpunim fitimprurës, i qendrueshëm, i fortë.
Panairi i parë jo vetëm që kontribuoi në ndërtimin e Zonës Demonstruese të Bashkëpunimit Tregtar 17 + 1 dhe Zonës Pilot Gjithëpërfshirëse të Iniciativës “Belt & Road”, por bëri të mundur krijimin e një platforme shumë të rëndësishme bashkëpunimi ndër-rajonal me ndikim tërësor në rajon dhe më gjerë.
Ky bashkëpunim në formën e konsultimeve të gjera dhe kontributit të përbashkët, për arritjen e rezultateve reale në hapje, gjithëpërfshirje, inovacion dhe rritje ekonomike tashmë është kthyer në shembull të vërtetë multilateralizmi.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, në 2020, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Ningbo-s dhe VEQL ishte 30 miliardë juanë (4.68 miliardë USD), më shumë se 4% e totalit të vendit. Importet e mallrave nga VEQL arritën 3.76 miliardë juanë, një rritje prej 6.3% nga 2019, ose 2% e totalit të vendit.
Ekspozita e dytë, që po zhvillohet këto ditë, synon një nivel më të lartë të zhvillimit të ndërsjellë dhe rezultateve fitimprurëse, për ndërtimin e komuniteteve me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, duke synuar rezultate konkrete me përfitim për tërë palët në proces.
Kina synon që, në pesë vitet e ardhshme, të importojë më shumë se 170 miliardë USD mallra nga VEQL, të forcojë bashkëpunimin e biznesit midis vendeve pjesëmarrëse në këtë iniciativë dhe të zhvillojë në qytete kineze si Ningbo, Cangzhou, etj, zona demonstruese e parqe industriale për bashkëpunim midis Kinës dhe VEQL.

“Vizion i ri, mundësi të përbashkëta”, është motivi i ekspozitës katër ditore, në të cilën zhvillohen shumë veprimtari të tilla si: ekspozita, forume, konferenca dhe aktivitete të bashkëpunimit tregtar. Në këtë panair marrin pjesë më shumë se 2,000 ekspozues nga VEQL dhe mbi 6,000 blerës biznesi nga Kina.
Mjediset ekspozuese janë grupuar në tre kategori: (1) ekspozita CEEC, (2) ekspozita ndërkombëtare e mallrave të konsumit dhe (3) ekspozita e përhershme e mallrave të importuara dhe të treja këto veprimtari zhvillohen në një sipërfaqja totale 200,000 m².
Në këtë ekspozitë paraqiten shtatë kategori produktesh si pije dhe ushqime, produkte kozmetike, të kujdesit personal, të nevojave të përditshme, pajisje arti, teknologji inteligjente etj.
Pas vënies nën kontroll të pandemisë COVID – 19, Kina synon hop cilësor në marrëdhëniet me VEQL, si në aspektin e bashkëpunimit dypalësh, dhe në bashkëpunimin me grup vendet e rajonit. Tregtia me VEQL në 2020 u rrit me më shumë se 50% dhe partnerët kryesorë të Kinës nga VEQL janë Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania, ekonomi të rëndësishme edhe për vetë BE-në.

Investimet e vendeve të EQL në Kinë dhe investimet e Kinës në VEQL kapin shifrën totale rreth 20 miliardë dollarë, fokusuar në sektorë si ekonomia me karbon të ulët, mjekësia, energjetika, etj. Norma e rritjes së tregtisë midis Kinës dhe VEQL është 8% më e lartë, duke kapur për herë të parë shifrën mbi 100 miliardë USD, shifër më e lartë se norma e rritjes së tregtisë midis Kinës dhe BE-së.
Pjesa më e madhe e produkteve që shkëmbehen midis Kinës dhe VEQL janë produkte mekanike, elektrike, tekstile, veshje, produkte bujqësore e ushqimore.
Një veçori e kësaj tregtie është se një pjesë e mirë e saj mbështetet nga transporti hekurudhor. Më shumë se 60 qytete kineze lidhen me vendet evropiane nëpërmjet hekurudhës. Vetëm në vitin 2020 trenat kanë bërë më shumë se 12,400 udhëtime, 50% më shumë se në 2019, duke mbuluar 92 qytete në 21 vende evropiane.

Ekspozita e dytë Kinë-VEQL ndihmon rimëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë globale. Kina synon që me veprimtari të tilla të bëjë të mundur në pesë vitet e ardhshme të importojë 20 miliardë dollarë mallra nga VEQL, të realizojë investime të dyanshme me vlerë mbi 1.5 miliard dollarë dhe të shtojë tregtinë ndërkufitare për produktet e tregtisë elektronike mbi 30% çdo vit, kryesisht për zgjerimin e konsumit.
Kina kërkon të shfrytëzojë avantazhet krahasuese të VEQL në produktet mekanike dhe elektrike, automobilat dhe pjesët për to, produktet bujqësore dhe tekstile, mineralet, lëndët e para dhe mallra të tjera. Kësaj i ka shërbyer edhe nënshkrimi nga Kina i memorandumeve të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për investimet dhe promovimin e tregtisë me Shqipërinë, Serbinë, Republikën Çeke dhe Hungarinë.
Ekspozita dhe infrastruktura e investuar në provincën Zheijang dhe specifikisht në Ningbo, synon që në këtë zonë të Kinës të hyjnë produktet e VEQL përmes integrimit të zinxhirëve të furnizimit, shërbimeve, kanaleve të shitjes, inkubimit të markave dhe prokurimit të centralizuar. Ningbo ka një mjedis të mirë natyror, si dhe një mjedis të hapur biznesi dhe është kthyer në një hot – spot të rëndësishëm për produktet e VEQL për të hyrë në tregun kinez. Qyteti ka luajtur gjithashtu një rol kryesor në rritjen e investimeve të dyanshme midis Kinës dhe vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në kuadër të Zonës Demonstruese të Bashkëpunimit Tregtar 17 + 1 dhe Zonës Pilot Gjithëpërfshirëse të Iniciativës “Belt & Road, është në funksionim iniciativa “Pesë Dete e Gjashtë Porte” midis Portit Ningbo Zhoushan dhe VEQL. Paralelisht me këtë, Qendra Kulturore Kineze e Sofjes, Bullgari ka krijuar dhe ka në funksionim programe të ndryshme bashkëpunimi me 78 universitete në VEQL.
Duket se tema kryesore e këtij panairi, “tregtia për mallra e shërbime të konsumit të përditshëm të industrive në zhvillim”, është në përputhje të plotë me interesat e Kinës dhe VEQL për të ardhmen e afërt e të largët të bashkëpunimit të frutshëm në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës të qytetarëve të këtyre vendeve.
Nga: Dr. Enriko Ceko








