Në mesin e qershorit presidentët Biden dhe Putin pritet të takohen në Gjenevë, në një moment kur marrëdhëniet midis vendeve të tyre janë në nivelet më të ulëta. Pas takimit të Antony Blinken dhe Sergei Lavrov, pak kohë më parë në Rejkjavik në kuadër të samitit të Arktikut, u theksua se atmosfera është e akullt në raportet midis vendeve të tyre dhe me mjaft ngarkesa negative. Pavarësisht toneve të takimit, Shtëpia e Bardhë u shpreh se duhen “diskutuar një sërë problemesh në situatën kur këmbëngulim të rinovojmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin e raporteve tona “. Nga ana tjetër , diplomacia ruse nënvizon se takimi i dy liderëve “ është me rëndësi në mënyrë që raportet e Rusisë me SHBA-në, të dalin nga pozita e mjerë dhe e trishtuar, në të cilën gjenden sot” .

Ajo që është e lehtë të konstatohet është se të dy palët e pranojnë faktin e një marrëdhënieje aspak të ngrohtë mes tyre dhe fërkimet që shpesh nxjerrin xixa nuk mungojnë as gjatë këtyre ditëve. Blinken dhe Lavrov me sa duket në takimin e tyre janë kujdesur të vendosin shinat e agjendës së takimit midis dy presidentëve, se sa të modifikojnë qëndrimet e kundërta për një varg çështjesh, në një kohë që tensionet në mes dy vendeve vetëm rriten.

Presidentët Joe Biden dhe Vladimir Putin (Euronews Albania)

Presidentët Joe Biden dhe Vladimir Putin (Euronews Albania)

Pas një periudhe mjaft të nxehtë deklaratash e qëndrimesh, të cilat lidheshin me grumbullimet e trupave ruse afër kufirit ukrainas, që tani pasuan me një qetësi relative, ndodhi ulja e detyruar e avionit të pasagjerëve në Bjellorusi, ku u krye arrestimi i gazetarit opozitar Roman Protasheviç dhe ku gishti drejtohet ndaj Rusisë në këtë ngjarje. Duket një ngjarje periferike për të qenë në tryezën e bisedimeve midis Biden dhe Putin, por pala amerikane do e shtrojë këtë çështje. Duke folur rreth kësaj çështjeje dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi këto ditë se: “Unë do të takohem me Presdientin Putin në Gjenevë dhe do ia bëj të qartë se nuk do të tolerojmë shkeljen nga ana e tij të këtyre të drejtave”.

Pikërisht qëndrimet diametralisht të kundërta për tema të kësaj natyre, do e bëjnë takimin midis dy presidentëve edhe më të vështirë për të realizuar një detantë në marrëdheniet midis dy vendeve. Ukraina, pavarësisht qetësisë së përkohshme, do të jetë një ndër temat më të vështira të takimit, aq më shumë që Biden ka shprehur garancinë e pavarësisë, sovranitetit dhe të integritetit territorial të saj.

Gjatë takimit të Lavrovit me Blinken fati i megaprojektit të gazsjellësit “Rryma e Veriut 2” ishte pjesë e diskutimit dhe është shumë e mundur që Biden, i cili ka shprehur kundërshtinë e tij të hapur për këtë projekt, nuk besohet se do ta anashkalojë, pavarësisht se hoqi dorë nga sanksionet e reja lidhur me këtë vepër që është në përfundim të saj.

Pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe angazhimet specifike në këtë drejtim, mund të jenë hapja e bisedimeve, pasi në këtë pikë dakordësitë mund të jenë më të lehta për t’u arritur, për të kaluar pastaj në dy pika të tjera ku mund të arrihet bashkëpunim: Në ndryshimet klimatike dhe kontrollin e armatimeve. Presidenti rus rikonfirmoi angazhimin e tij në samitin virtual klimatik për një strategji efikase dhe gjithëpërfshirëse në këtë çështje, e cila sa vjen e bëhet një shqetësim global në rritje. Po kështu, menjëherë pas ardhjes së Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë u rinovua marrëveshja Start III.

Gjeneva (Albinfo)

Gjeneva (Albinfo)

Kjo paradhomë mirëkuptimi ku mund të ketë bashkëpunim, është shumë pak për të garantuar një përmisim të raporteve ruso–amerikane, për të cilat kryetari i komisionit për politikën informative dhe marrëdhëniet me median në Këshillin e Federatës ruse, Aleksej Pushkov, mendon se vetëm një ndryshim thelbësor në politikën e jashtme amerikane mund të çojë në një kurs të ri të raporteve midis dy vendeve.

“Vazhdojnë të ekzistojnë akoma sinjale për përgatitjen e sanksioneve antiruse. Biden akoma nuk ka kërkuar falje për deklaratën e tij të shëmtuar” nënvizoi Pushkov, ndërsa ministri rus Segej Shojgu ka deklaruar se SHBA dhe NATO po zhvendosin trupa në kufi me Rusinë. Në këtë kontekst, bisedimet mbi shkrirjen e raporteve do të thotë ta vlerësosh gabim situatën.

Krahas temave të tjera, sigurisht që në këtë takim do të flitet edhe për faktorin kinez, pasi tashmë Kina po rrit ritmet e saj të zhvillimit dhe rivaliteti me SHBA-në ndjehet si kërcënim për dominim global, ndërkohë që rruga e partneritetit dhe e bashkëpunimit mund të rezononte pozitivisht jo vetëm ndërmjet tyre, por edhe në rang botëror. Duke qenë se aleanca me Rusinë e Kinës vjen duke u forcuar, kjo krijon një tjetër problem për SHBA-të dhe normal që trajtimi i kësaj teme ka një sensibilitet të ndjeshëm. As nuk mund të rrijë në prapavijë si temë, por edhe për t’u trajtuar kërkon një dakordësi nga palët dhe mbase kjo mund të jetë nga më të vështirat në trajtimin e saj, nga të dy presidentët.

Frenimi i Kinës sot është një mision i pamundur, por në takimin e mesit të qershorit, gjykoj se pala amerikane do të tentojë ta ndajë Rusinë nga Kina, njëlloj si në periudhën e viteve 70-të të shekullit të kaluar, kur SHBA u investua të dobësonte bllokun komunist. Por tani jemi gjysmë shekulli me vonë, politika kineze ka një elasticitet krejt tjetër dhe vizioni i saj shkon për shtat me politika e qëndrime globale, që kanë interesa e qëndrime të njëjta dhe marrëdhënia me Rusinë është krejt tjetër.

Unipolariteti në çështjet globale që kërkon të rivendosë SHBA është i vështirë për t’u arritur, ndërkohë që Kina dhe Rusia kanë rritur ndjeshëm ndikimin e tyre.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nisma si “Një brez, një rrugë” jo vetëm që ka ndikuar në një marrëdhënie të re më të relaksuar të Kinës me shtete të ndryshme, lindore e perëndimore, por po i jep një fuqi edhe zhvillimeve ekonomike, duke e bërë Kinën, një treg preferencial dhe të domosdoshëm. Në një moment kur është përshkallëzuar lufta verbale midis Uashingtonit e Pekinit rreth origjinës së koronavirusit, do të gjendet një derë për të hyrë në temën e Kinës. Rusët janë më të avantazhuar, pasi aleanca në rritje me Kinën, u jep më shumë kredenciale dhe argument për t’iu kundërvënë palës amerikane në këtë çështje.

Administrata amerikane do të provojë të luajë me shumë mundësi edhe me kartën e përdorur pesë dekada më parë nga Kisingeri, për një afrim me Rusinë që të vendosë sa më shumë në hije marrëdhëniet e Rusisë me Kinën. Është e vështirë të arrihet tek kjo dëshirë amerikane, pasi Kina dhe Rusia kanë një partneritet strategjik dhe nuk janë në konflikt për protagonizëm ideologjik.

Pavarësisht nëse do devijohet drejt kësaj strategjie, temat më të nxehta që theksuam do të jenë ato që do të dominojnë takimin e tyre në Gjenevë të Zvicrës. Takimi do të shërbejë për të riafirmuar vijat e kuqe, të cilat palët i kanë të njohura, por i shkelin herë pas here, si dhe për të vendosur një lloj disiplinimi, që administrata e re në Shtëpinë e Bardhë dëshiron të zhvillohet në bazë të disa rregullave, për të cilat palët do të bien dakord paraprakisht. Kjo do të mundësonte që të parandalohen krizat e mëdha, që mund të dalin nga kontrolli.

Krahas vullnetit deklarativ të shprehur për të vendosur parashikueshmërinë e sjelljes dhe të stabilitetit strategjik, të dy presidentët do të investohen të bien dakord në shmangien e krizave, që mund ta transformojnë luftën e ftohtë në një luftë të nxehtë. Megjithatë të dy palët, siç kanë nënvizuar në deklaratat e ditëve të fundit, pritshmëritë i kanë të ulta për të arritur drejt një mirëkuptimi bashkëpunues.

Presidenti rus Putin ka kërcënuar SHBA-të se do të përfundojnë si Bashkimi Sovjetik, nëse nuk heqin dorë nga kritikat kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Në një pronocim të fundit Putin tha se “Ne nuk kemi ndonjë mosmarrëveshje me SHBA. Ata kanë mosmarrëveshje me ne. Ne do të diskutojmë marrëdhëniet dypalëshe. Unë mendoj se duhet të përpiqemi të gjejmë mënyrën për t’i rritur këto marrëdhënie. Për momentin ato janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët”, tha ai.

Ky takim, i cili vjen gati tre vite pas takimit të Helsinkit midis Putinit dhe Donald Trump, pritet të jetë ndryshe dhe temat të cilat janë në fokus kanë një trajektore krejt tjetër nga ato të atij takimi. Vizita e parë e Biden-it jashtë vendit si President i SHBA-ve, krahas pjesëmarrjes në takimin e G7 dhe të bisedimeve me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s , potencohet se më të rëndësishmin në këtë tur, ka takimin që po përgatitet intensivisht në Gjenevë me homologun e tij rus.