Intervistë për seksionin shqip të Radios së Jashtme të Kinës (China Media Group) me drejtuesin e Zyrës për Shqipërinë të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, Kreshnik Loka

Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) me seli në Shqipëri ka një veprimtari 5 vjeçare në Ballkanin Perëndimor, por me punën e bërë ka mundësuar shkëmbimet mes të rinjve të të gjthë Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kreshnik Loka, përgjegjës i kësaj Zyre për Shqipërinë flet në Radio Ejani për këtë organizatë rinore.

CMG:Të rinjtë janë pjesa më vitale e një shoqërie. Ata janë objekt i medieve për arsimimin e tyre, punësimin, çështje të trafikimit apo të tjera si sfidar e integrimit të tyre. Si drejtues i Zyrës për Shqipërinë e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, mund të na flisni për veprimtarinë dhe misionin e saj?

Kreshnik Loka: Ju përmendët disa nga sfidat kryesore të rinisë që shohim në media dhe që ekzistojnë për të rinjtë shqiptarë dhe të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Duke parë këto sfida të përbashkëta të të rinjve, u mendua të ndërtohet një zyrë, e cila është rajonale. Ajo përfshin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tashmë është një bashkim gjeopolitik, i sjellë nga Bashkimi Evropian për integrimin e këtyre vendeve në BE.

Arsyeja e ndërtimit të kësaj zyre është që t’i sjellim të rinjtë më afër me njeri-tjetrin, duke u krijuar mundësi shkëmbimi. Është pikërisht mundësia për t’u dhënë të rinjve sa më shumë shkëmbime, qofshin këto bilaterale ose deri në gjashtëpalëshe, midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi ynë është të rrisim shkëmbimet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke promovuar tolerancën, diversitetin, duke punuar së bashku për të kujtuar të shkuarën dhe për të përballur të shkuarën. Doja të thoja se të gjashta vendet kanë një histori të vështirë, jo të lehtë..

CMG: Jo më kot Ballkani është quajtur “fuçi baruti”, për shkak të historisë që ka bartur shumë përplasje mes vendeve ballkanike. Kjo është një ide mjaft e mirë, se ndoshta është hera e parë që të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një përfaqësim.

Kreshnik Loka: Po. E the mirë dhe fatkeqësisht po ta kërkosh në fjalorin e gjuhës angleze, fjala “ballkanizim” nënkupton përçarjen e një rajoni të caktuar. Ne nuk duam që kjo të jetë kështu, por duam të ndryshojë dhe “ballkanizimi” të jetë për bashkim dhe për unitet. Prandaj u krijua Zyra që t’i bëjë të rinjtë bashkë. Ka tashmë një pik përfaqësimi, por nuk jemi të parët që po e bëjmë sepse shoqëria civile prej shumë vitesh ka punuar shumë, sidomos në vendet që kanë qenë pjesë e konflikteve të drejtpërdrejta si Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, duke qenë se ka një ndarje etnike të theksuar. Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor sjell një çati të përbashkët ku fokusi është vetëm krijimi i shkëmbimeve për të rinjtë.

CMG: Sa pjesmarrës janë të rinjtë shqiptarë në nismat dhe projektet e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor ?

Kreshnik Loka: Mënyra se si ne funksionojmë është se suportojmë financiarisht projektet, të cilat janë të implementuara ose nga organizata të shoqërisë civile, ose nga shkollat e mesme. Kjo e dyta është një sfidë e madhe, duke qenë se janë pak organizata që mbështesin drejtpërdrejt shkollat e mesme. Ne ofrojmë projekte ku marrin pjesë minimalisht dy vende të Ballkanit Perëndimor dhe deri në gjashtë vende, por nuk mundësojmë projekte vetëm për një vend. Në 4 korrik është 5 vjetori i krijimit të Zyrës sonë që ka mbi 4 vjet që funksionon, që pas lidhjes së marrëveshjes midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Deri tani kemi pasur dhe kemi financuar mbi 110 projekte rajonale, që përkthehen në mbi 350 partnershipe, pra bashkëpunime shkollash dhe organizatash. Nëse i referohemi aplikimeve të bëra, kemi mbi 2 mijë organizata dhe shkolla që janë ofruar për të bashkëpunuar, një shifër kjo shumë domethënëse. Janë mbi 5 mijë të rinj që kanë qenë pjesë e projekteve tona të shkëmbimit dhe pak më pak se 1/6 e tyre janë nga Shqipëria. Ne jemi krenarë që në thirrjet e fundit organizatat shqiptare dhe shkollat shqiptare kanë pasur numrin më të madh të aplikimeve, duke kaluar dhe Serbinë. Kjo e ka një arsye, sepse për Shqipërinë kanë munguar shumë projektet e shkëmbimit. Jemi të lumtur që sjellim këtë qasje të re tek të rinjtë shqiptarë, e cila është një qasje rajonale, por që të jesh mendjehapur dhe të punosh për të kuptuar kulturat e tjera, nuk është diçka që mund të përkthehet vetëm në nivel rajonal. Duhet të jemi sa më shumë mirëpranues, qoftë edhe ndaj personit afër nesh brenda vendit, vetëm kështu mund të kemi qasje rajonale dhe evropiane për të pranuar kulturat e tjera.

CMG: Cilat do të jenë hapat e mëtejmë të veprimtarisë suaj? Ka patur ndoshta dhe ndërprerje të saj për shkak të pandemisë Covid 19. Si vijon puna juaj?

Kreshnik Loka: Covid ndikoi jashtë mase tek ne sepse në thelb të punës është shkëmbimi, takimi fizik, “sy më sy” i të rinjve. Ne nuk i stopuam veprimtaritë tona por i rikthyem në versionin virtual. Ishte një sfidë e madhe por jemi të gëzuar sepse të rinjtë nuk u stepën. Ishte kënaqësi që ata prapë patën kontakte me të rinjtë e vendeve të tjera, megjithëse online.

Ne për këtë vit kemi 12 projekte rajonale, të financuara nga ne që po implementohen. Dy organizata nga Shqipëria janë duke implementuar dy projekte me partnerë nga vende të tjera. Këtë qershor do të hapen dy thirrje për të rinjtë për të marrë pjesë në programe exchange të dyja në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Bitola dhe Ohër. Nga ana tjetër, ne sivjet do të lançojmë një skemë vullnetarizmi rajonal, ku për herë të parë të rinjtë do të kenë mundësi që të zhvillojnë vullnetarizëm brenda Ballkanit Perëndimor. Kjo do të ndahet në tre mundësi të ndryshme: në version mini, ku është pjesëmarrja nëpër festivale; versioni mesatar apo midi, ku do të jenë të mirëpritura organizata të vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për të bërë praktikë dhe versioni maxi ku të rinjtë do të kenë mundësi të rrijnë deri në një muaj në një nga vendet e Rajonit.

Ne po punojmë dhe në fushën e sipërmarrjes sociale ku sivjet u kemi dhënë mundësi dymbëdhjetë ekipeve të Ballkanit Perëndimor, pra dy për secilin vend që të marrin një grant të vogël për të sjellë në jetë idetë e tyre. Këtë verë do të hapim thirrjen për grupet e tjera. Ne nuk japim vetëm grantin por i mbështesim për një vit për të krijuar idenë e biznesit me trajnime në fusha të ndryshme dhe për ta kthyer atë në realitet. Ne gjithashtu kemi një shkëmbim me Japoninë, ku ne dërgojmë të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor në një udhëtim dhjetëditor kulturor në Japoni, i cili sivjet do të bëhet në shtator. Këto janë disa nga iniciativat, por ne jemi prezent në nivel lokal, duke mbështetur debatin kombëtar në Shqipëri dhe tani jemi duke zhvilluar temën e pajtimit. Kemi bërë disa seminare në një universitet në Tiranë dhe e kemi prekur temën nga ana akademike.

Intervistoi Eda Merepeza