Republika Popullore e Kinës është tashmë një Fuqi e Madhe e planetit tonë. Ajo zë vendin e dytë në botë sa i përket prodhimit të Përgjithshëm shoqëror (GDP). Është vendi me popullsinë më të madhe në botë prej 1.4 miliard banorë. Ka një sipërfaqe toke thuajse të barabartë me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ndërkohë ka shënuar disa standarde ndërkombëtare që e bëjnë një vend të fuqishëm në Azi e në të gjithë botën.

Tashmë askush nuk e konteston faktin se Kina është faktor ndërkombëtar, pa të cilën nuk mund të realizohet vendimmarrja globale, si dhe nuk mund të ruhet rendi i ri botëror. Ndaj dhe politika e jashtme e saj merr vëmendje të vazhdueshme. Si vendi me popullsinë më të madhe e më të dendur për km katror, Republika Popullore e Kinës është prej dekadash anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo ka tashmë statusin e një prej katër fuqive më të mëdha bërthamore. Është anëtare e G20-ës dhe pjesë e Bashkimit Ekonomik të shteteve të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut (BRICS), një mekanizëm ky i krijuar në vitin 2001.

Në politikën e jashtme Republika Popullore e Kinës ndjek parimet e rregullit ndërkombëtar të sanksionuar në Kartën dhe dokumentet e tjera të OKB-së, por marrëdhëniet e saj diplomatike dhe tregtare i kushtëzon me njohjen ose jo të Tajvanit. Një vend që vendos marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me Tajvanin nuk mundet që njëkohësisht të ketë marrëdhënie të tilla edhe me Pekinin. Prej dekadash Raportet e Kinës me Tajvanin mbeten si pika më e nxehtë në marrëdhëniet e politikës së jashtme kineze.

Partnerët e Pekinit në politikën e jashtme janë të shumtë, por kryesorë konsiderohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës e RF e Gjermanisë, si dhe vendet e BRICS. Rajonet në të cilat është fokusuar bashkëpunimi dhe rritja e ndikimit kinez në politikën e Jashtme janë ato të Afrikës, sidomos Afrikës Perëndimore, Lindjes së Mesme, të Azisë Juglindore e qendrore, të Amerikës Latine si dhe të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore. Iniciativat kineze të bashkëpunimit janë të shumta dhe të ndryshme dhe duket se asgjë në këto inciativa nuk i lihet spontaneitetit.

Një ndër inciativat më të njohura është ajo "Një brez, një rrugë"! Ky projekt i vitit 2013 synon ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës në linjën e rrugëve të vjetra për të lidhur Kinën me Europën Lindore. Një iniciativë si kjo, dëshmon për dy atribute të politikës së jashtme kineze: Së pari se kjo politikë ka përparësi integrimin dhe zhvillimin ekonomik të saj dhe së dyti, sepse Pekini, ndryshe nga vendet e tjera, punon me projekte konkrete e madhore. Linja "Një brez, një rrugë" është një nga projektet madhore të Kinës. Kjo linjë rrugore dhe hekurudhore do të lidhte në një zonë ekonomike dy kontinentet Europën dhe Azinë. Projekti i përkushtohet gjithashtu iniciativës 17+1 në Europën Lindore, por edhe lidhjes së porteve me këtë zonë. Porti i Pireut në Greqi, është p.sh një nga pikat kyçe të pjesëmarrjes dhe rolit të Kinës në këtë rajon.

Por nuk është vetëm kjo. Në vitin 2016 Republika Popullore e Kinës themeloi Bankën Aziatike të Investimeve dhe Infrastrukturës me potencial dhe synim që investimet kineze të shtrihen në vendet e këtij kontinenti. Sigurisht që një pjesë e këtyre investimeve orientohen te projekti "Një brez një rrugë", sepse ky projekt përfshin disa vende të kontinentit aziatik. Ndërkohë që në Afrikë investimet dhe tregtia kineze tashmë prej vitit 2011 zënë vendin e parë, duke lënë prapa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është karakteristikë interesante se Kina në politikën e jashtme është e fokusuar te çështjet e ekonomisë dhe të tregtisë, pa i dhënë prioritet ndikimit politik dhe ushtarak. Por bota e sotme, e mësuar që në krye të agjendës së saj të mbajë çështjet e politikës dhe militarizimit si prioritare, nuk beson në një strategji të tillë. Për këtë arsye edhe konflikti më i madh kinez me partnerët shfaqet në çështjet e tregtisë dhe investimeve. P.sh konflikti amerikano-kinez në periudhën e administratës Trump pati karakteristikë themelore luftën tregtare. Por e njëjta sindromë shihet edhe në marrëdhëniet me disa vende të Europës. P.sh me Gjermaninë Pekini ka vendosur marrëdhënie të ngushta në fushën e investimeve dhe tregtisë. E ndërkohë mban hapur një dialog të vazhdueshëm për afrimin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve sa i përket shtetit të së drejtës. Dialogu shërben që të ketë një ekuilibër dhe harmoni sa më të plotë midis zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe realizimit të parimeve liberale në raportet e shtetit me ekonominë.

Megjithatë duhet thënë se Republika Popullore e Kinës bën shumë kujdes në këtë drejtim. Ajo hedh hapa të ngadalshëm, por të vazhdueshëm në krijimin e një modeli shoqëror liberal në marrëdhëniet e politikës me ekonominë e tregut dhe kufizimin e kontrollit shtetëror në të. Ndërkohë ajo ka dhënë sinjale të rëndësishme se i përmbahet rigorozisht parimit të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë. Edhe pse p.sh prej vitit 2013 e këtej janë acaruar marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, edhe pse Pekini njihet si partner i rëndësishëm i Phenianit, Kina votoi në vitin 2016 një rezolutë të KS të OKB-së për sanksione kundër Koresë së Veriut. E gjitha ndodhi në dobi të paqes dhe stabilitetit në rajon e në vendet fqinjë të saj.

kjo dëshmon se treguesi kryesor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit janë kryesisht marrëdhëniet me fqinjët. Edhe pse midis Kinës dhe Rusisë ka patur historikisht konflikte, prej dy dekadave këto konflikte janë lënë prapa. Pakistani shihet si partner dhe aleat i Kinës në Azi dhe kjo shpesh herë ka krijuar probleme me Indinë, deri te përplasjet dhe incidentet ushtarake për shkak të konflikteve kufitare. Por edhe në rastin e Indisë është ruajtur ekuilibri dhe harmonia e paqes dhe stabilitetit. Integrimi i Dehl-it në iniciativën kineze të BRICS e dëshmon këtë lloj ekuilibri.

Kësisoj mund të thuhet se Republika Popullore e Kinës në politikën e jashtme ka synimet e veta prej Fuqie të Madhe Botërore. Ajo ka një ambicje, e cila buron jo vetëm nga fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake, por edhe nga ajo demografike. Megjithatë, orientimi drejt bashkëpunimit dhe integrimeve është dhe mbetet rruga më e mirë për partneritet ndërkombëtar të besueshëm dhe të pranueshëm. Asnjanësia në qëndrimet kineze mbetet ende si një nga parimet bazë të kësaj politike dhe sa më mirë që kjo të respektohet kjo, aq më shumë paqe, stabilitet, siguri dhe përparim do të ketë jo vetëm Republika Popullore e Kinës, por edhe kontinenti aziatik dhe bota mbarë!

Enver Bytyçi