
Rrënjët e një konflikti historik kanë dalë në sipërfaqe dhe e gjithë bota i ka drejtuar sytë në Gaza, ku vriten gra e fëmijë, shkatërrohen ndërtesa dhe drita në fund të tunelit të kësaj përplasjeje nuk duket. Edhe nëse shfaqet e zbehtë, zhduket nga deklaratat esktreme, që tashmë vetëm rritin tonet. Mbrëmja e 3 majit, e paralajmëruar përmes provokimesh të shumta ndezi fitilin e një konflikti që pavarësisht ulje-ngritjeve, nuk u shua asnjëherë që kur lindi.
Përleshjet në Sheikh Jarrah, pranë Jeruzalemit lindor shënuan rinisjen e një beteje të përgjakëshme, nga më të rëndat e regjistruara deri tani. Pavarësisht asaj që u artikulua si nisje e kësaj përplasjeje, çështja e Jeruzalemit mbetet në themel të tensioneve e grindjeve midis Izraelit dhe Palestinës, duke ditur që shteti hebre e konsideron gjithë qytetin si kryeqytetin e tij, ndërsa palestinezët duan ta bëjnë Jeruzalemin lindor, kryeqytetin e shtetit për të cilin aspirojnë prej dekadash. Tensioni i frustracionit në radhët e palestinezëve është rritur ndjeshëm sidomos pas vendimit të administratës Trump për të imponuar Jeruzalemin, si kryeqytet të Izraelit.

Pavarësisht kësaj, SHBA, Guatemala dhe ndonjë shtet tjetër kanë bërë hapat konkretë në këtë drejtim, ndërkohë që shtetet e tjera nuk janë pajtuar me këtë vendim. Plani për “Paqe dhe prosperitet” i paraqitur nga ish adminstrata Trump ishte kompleks, por ai anashkalonte deri në mohim thelbin dhe krenarinë e ADN-së palestineze lidhur me Jeruzalemin. Pavarësisht se plani vinte si përparësi prosperitetin për një paketë ndihme 50-100 miliardë dollarë për zhvillimin e shtetit të ri palestinez, duke e vënë Jeruzalemin në qendër si kryeqytet i Izraelit, ai margjinalizonte historinë palestineze, gjë që këta të fundit nuk e pranojnë përballë asnjë çmimi.
Komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim prej kohësh situatën e rënduar dhe Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë e të heqë dorë nga dëbimet represive, duke e paralajmëruar se veprime të tilla mund të përbëjnë “krime lufte”. Diplomacia ndërkombëtare ka reaguar edhe së fundi, por qëndrimet janë të kundërta. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në komunikimin me Presidentin rus, Vladimir Putin ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet “t’i japë Izraelit një mësim të fortë parandalues “kundër sjelljes së tij ndaj palestinezëve. Erdogan u ka bërë presion Kombeve të Bashkuara të ndërhyjnë shpejt. Erdogan i ka thënë Putinit se duhet të merret në konsideratë edhe dërgimi i një force ndërkombëtare për të mbrojtur palestinezët. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar për të tretën herë më radhë një deklaratë në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ku theksohej nevoja për mbrojtjen e fëmijëve dhe civilëve të tjerë.

Izraeli e ka mirëpritur bllokimin e kësaj deklarate nga ana e SHBA-ve. Megjithëse presidenti Biden ka deklaruar disa herë ditët e fundit se i duhet dhënë fund konfliktit, bllokimi i deklaratës nga ana e SHBA-ve, shkon në krah të kundërt me përpjekjet diplomatike për një ndërprerje sa më të shpejtë të luftimeve, të cilat kanë dalë jashtë kontrollit.
Duke drejtuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për situatën në Lindjen e Mesme, kryediplomati kinez Wang Yi, vuri në dukje si urgjente nevojën e armëpushimit. Ai nenvizoi se “Kina dënon veprimet e dhunshme ndaj civilëve dhe nxit dy palët të ndalojnë operacionet ushtarake armiqësore. Veçanërisht Izraeli duhet të tregojë vetpërmbajtje”. Kryediplomati kinez ka ftuar përfaqësuesit palestinezë dhe ata izraelitë të zhvillojnë një dialog në Kinë. Tashmë, i gjithë komuniteti ndërkombëtar është vënë në lëvizje, pasi situata në terren është alarmante në këtë konflikt historikisht të vjetër .
Kancelarja Merkel dhe Presidenti francez Macron kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre dhe po mbështesin aksionet humanitare në Gaza. Menjëherë Gjermania dha si ndihmë të parë 40 milionë euro ndihma humanitare. Ndërkohë një deklaratë nga Pallati Elyse pas takimit të Presdientit Macron me homologun egjiptian, Abdul Fatah al Sisi, nënvizohej se dy presidentët po bashkërendojnë përpjekjet drejt ndërmjetësimit të një armëpushimi të shpejtë.

Shkaqet në themel të konfliktit janë të thella, por gjithnjë ato marrin zjarr nga shkatërrimi i shtëpive të palestinezëve dhe ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite, e në mënyrë të përsëritur nga konfliktet rreth Xhamisë Al Aksa. Këto dy elemente u bënë bashkë në konfliktin e ndezur së fundi.
Hyrja e skuadrave të policisë izraelite në Xhaminë Al Aksa në Jeruzalem ditën e 13 prillit, dita kur filloi muaji i Ramazanit, ishte paralajmërimi i një përmase konflikti që tashmë është ndezur dhe vetëm ndërhyrja shumë energjike e komunitetit ndërkombëtar, mundet ta frenojnë në mospërhapjen e tij. Sulmi i policisë në xhami, një nga vendet simbolike dhe më të shenjta në islam, dha sinjalin që lufta do të niste dhe trazita të rënda do kaplonin Izraelin midis arabëve dhe hebrenjve.
Përkeqësimi i situatës dhe radikalizimi deri në këtë pikë ishte më shkatërrues dhe me ritëm më të shpejtë se sa çfarë mund të mendohej. Momenti i krizës që ka shpërthyer edhe në sfondin politik i ka ndërlikuar së tepërmi situatat, pasi qeveria izraelite ishte në ditët e saj të mbijetesës politike, ndërkohë që Hamasi ka bërë të qartë strategjinë e tij dhe po lufton për të zgjeruar rolin e tij brenda Palestinës.
Netanyahu pak ditë përpara se të shpërthente konflikti ishte në prag të humbjes së pushtetit, ku dy parti arabe po mbështesnin koalicionin opozitar. Ishte një çast i rëndësishëm për qytetarët palestinezë në se ata do integroheshin në qeverinë e re.
Pas raketave që nuk vonuan shumë kohë, edhe ky moment duket i largët dhe i paarritshëm, megjithëse deklaratat optimiste nuk mungojnë për këtë çështje. Kriza e sapo nisur e nxorri në plan të dytë një aleancë të tillë dhe tashmë rrjedhën e ngjarjeve e përcaktojnë zgjidhje të tjera. Kërkohet “status quo” qeveritare, me të cilën izraelitët janë mësuar. Me raketat e lëshuara drejt Izraelit Hamasi kërkon të tregojë forcën e tij, por i dha edhe një mundësi mbijetese Netanyahut.

Përmasat e luftës vazhdojnë të jenë të rënda pasi edhe amët që po përdoren nuk janë ato të një dekade më parë. Hamasi e ka rritur potencialin e vet ushtarak, krahasuar me vitin 2014, që ishte konflikti i madh i fundit me përmasa të gjera. Nëse atëherë raketat kishin një largësi hedhjeje deri në 10 kilometra, tani është i furnizuar me armë serioze që shkojnë në largësinë e hedhjes mbi 200 kilometra dhe me dendësi të tillë zjarri që nuk u parandalua nga mbrojtja kundërajrore izraelite e quajtur Kupola e Hekurt. Pavarësisht kësaj, fuqia ushtarake e Izraelit është e tillë, që në një përballje në rritje të sulmeve ajrore, Gaza të jetë shpejt në kufijtë e të papërballueshmes dhe të mos ketë fuqi reaguese.
Gjetja e rrugëdaljes do të jetë shumë e vështirë. Edhë nëse tensioni e përplasjet mund të ndalojnë, konflikti është përsëri aty dhe i gatshëm të shpërthejë. Tensionet në mes palëve janë periodike, pavarësisht kurbës. Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor argumentojnë reagimet e qëndrimet e tyre me veprimet dhe pengesat e vazhdueshme që vijnë nga Izraeli dhe kufizimin deri në ekstrem të lirisë e të jetesës së tyre. Ndërkohë Tel Avivi gjithnjë i përligj veprimet e veta me vetmbrojtje. Hamasi, që është forcë dominuese ne Gaza kërkon të zëvendësojë edhe autoritetin palestinez në zonë e Uesbergut për të fituar avantazh dhe të bëhet pjesa me të cilën Perëndimi, Izraeli dhe gjitha fuqitë e tjera të negociojnë me të në të ardhmen.
Por duke ditur se cila ëshë në thelb veprimtaria e Hamasit, përplasja me të ka kaluar në një shkallë shumë ekstreme, gjë që ka çuar edhe në viktimizimin e civilëve të pafajshëm. Hamasi sigurisht që nuk është Palestina, Izraeli e di shumë mirë këtë gjë, prandaj edhe është e nevojëshme që konflikti të ndalet dhe shënjestrat të korrigjohen me shpejtësi.
Ajo që nënvizon me të drejtë ministri i jashtëm kinez Wang Yi, se Këshilli i Sigurimit duhet të ndërmarrë veprime efektive mbi konfliktin palestinezo-izraelit dhe të qetësojë tensionet, lidhet në themel me një çështje për të cilën komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë e tij, pasi aleanca të ndryshme në periudha të caktuara, kanë dëmtuar zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. Duke mos qënë në unison në qëndrimin ndaj kësaj situate e problemi, involvimet e Hamasit, apo edhe të tjerëve, e kanë kompleksuar zgjidhjen e shpejtë. Mbështetja për “zgjidhjen e dy shteveve” qetëson situatën.
Izraeli dhe Palestina, pa u futur në rrënjët historike të konfliktit, pasi tashmë ato janë të njohura, vijojnë përplasjet dhe tensionin në mes tyre që lidhen me ardhjen e refugjatëve palestinezë, qëndrimin apo largimin e hebrenjve të vendosur ne Bregun Perëndimor e deri tek çështja mjaft sensitive e delikate që lidhet me ndarjen e Jeruzalemit. Në mënyrë të vijueshme, konflikti midis Palestinës dhe Izraelit riciklohet shpesh dhe është gjithnjë i gatshëm potencialisht të ndizet. Janë të shumta shkaqet, por në thelb mbetet e njëjta: Nuk është arritur të gjendet vija e mesme për të realizuar një paqe të qëndrueshme, për të zgjidhur pozicionet e palëve.

Kësaj radhe përplasja ka dalë nga shinat e saj të zakonëshme. Ndryshe nga luftimet e mëparshme ku Izraeli e kishte shënjestrën kryesisht tek territoret e okupuara, problemi është edhe vetë brenda tij. Qytetarët hebre dhe ata arabë, të cilët shpesh i ndajnë vetëm disa rrugica të ngushta, ose brenda rrugëve ku kanë jetuar me vite të tëra sëbashku, tani po konfrontohen me njeri-tjetrin.
Kjo i ka dhënë edhe një pamje tjetër edhe më dramatike këtij konflikti. Palestinezët në Izrael përbëjnë 20 % të popullsisë. Pesha politike e partive që i përfaqësojnë palestinezët u rrit vetëm së fundi, kur opozita po kërkon mbështetjen e tyre. Pikërisht në këtë moment që mund të ndryshonte shumë rrjedha konflikti erdhi edhe në mes bashkëjetuesve për një kohë të gjatë, që mund të ishin sëbashku edhe në qeveri, gjë që konsiderohej e pamundur. Liderit të opozitës, Jair Lapiti për të mposhtur Netanyahun që ka 12 vite në pushtet i duhej kjo aleancë hebraiko- arabe. Bisedimet për koalicionin ishin në vijim e sipër kur shpërtheu konflikti.
Lideri Mansur Abas deklaroi së fundi se “Do të kthehemi patjetër në tryezën e bisedimeve politike mbi formimin e qeverisë, kur të shuhet zjarri. Kemi një rast real për të luajtur rol me rëndësi edhe në politikën izraelite edhe për të mirën e shoqërisë sonë” – theksoi ai.

Pavarësisht situatës së rëndë të luftimeve dhe asaj politike, mendimi mbizotërues është se konfrontimi i tanishëm i shkon për shtat Netanyahut, pasi është një mundësi shumë e argumentuar për të penguar arritjen e marrëveshjes së koalicionit. Ish kryetari i Kneset-it izraelit shprehet se si Hamasi, ashtu edhe qeveria e tanishme izraelite nuk kanë legjitimitet. Ata, pra Hamasi dhe qeveria aktuale, pavarësisht pistave të kundërta bashkohen në pikën që nuk duan t’ia japin pushtetin administratës palestineze dhe të lidhin paqen.
Në të tilla kushte, paqja vjen e vështirësohet, pasi edhe interesat dhe piksynimet janë gjithnjë e më shumë të komplikuara. Ama edhe çmimi i paqes rritet, ndaj ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të jetë e vonuar, pasi kostoja e luftës së vitit 2014, ishte shumë e lartë dhe plagët janë ende të hapura e kullojnë ende gjak .
Gëzim Podgorica







