Më 30 dhjetor të vitit të shkuar, vetëm një ditë ende pa përfunduar mandati gjerman i BE-së, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të këtij unioni ranë dakord që të miratonin Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Investimeve midis Bashkimit Europian dhe Republikës Popullore të Kinës. Por pavarësisht dakordësisë së 27 vendeve europiane për këtë marrëveshje, ajo do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet në Parlamentin Europian dhe në Kongresin e Popullit kinez.

Në fakt historia marrëveshjeve dhe bashkëpunimit ekonomik midis dy palëve ka filluar herët, që në vitin 1975. Prej asaj kohe është rrit interesimi i ndërsjellë për të rritur mundësitë e tregtisë dhe lidhjeve midis tyre. Por është rrit gjithashtu eksperienca si dhe janë testuar dobitë e jo dobitë e një bashkëpunimi të tillë. Në vitin 1978 u nënshkrua marrëveshja e parë e bashkëpunimit në tregti. Ndërsa në vitin 1985 u nënshkrua marrëveshja tregtare dhe e bashkëpunimit ekonomik, e cila jo vetëm e zëvendësoi atë të para shtatë viteve, por u zgjerua më tej në aspektin e lidhjeve dypalëshe EU-Kinë.

Kjo përvojë e mëparshme çoi në nënshkrimin e një koncepti "EU-Kina 2020", i cili konkretizoi më tej lidhjet ekonomike e të investimeve midis Brukselit dhe Pekinit. Këtë pakt e lehtësonte fakti që tashmë Republika Popullore e Kinës ishte prej vitit 2001 anëtare e ËTO-së. Megjithatë shumë vende në Bashkimin Europian ndoqën një lloj politike kritike për zhvillime të veçanta në Kinë. Kjo pasqyrohet sidomos në një dokument të vitit 2018, kur Brukseli dhe Pekini ishin angazhuar në arritjen e një marrëveshje përfundimtare e gjithëpërfshirëse ekonomike e të investimeve të përbashkëta. Sipas Policy Paper të vitit 2018 marrëdhënia ekonomike midis Kinës dhe BE-së ishte jokoherente sa kohë që ajo kushtëzohej nga interesat e veçanta të shteteve të ndryshme. Ndaj në atë dokument kërkohej që të zgjerohej hapësira e këtyre marrëdhënieve duke unifikuar qëndrimin e shteteve të BE-së.

Angela Merkel u përkushtua për shtatë vite radhazi që ta realizonte një të tillë marrëveshje me dobi për Europën dhe sidomos për Gjermaninë, Francën dhe Italinë sa i përket shtrirjes së kapitalit europian në tregun kinez dhe anasjelltas. Europa dhe Kina janë tashmë ekonomitë më të fuqishme të botës dhe për pasojë Brukseli dhe Pekini shohin një perspektivë të re në zhvillimin ekonomik të tyre përmes bashkëpunimit dhe investimeve të ndërsjella.

Megjithatë duket se Parlamenti Europian është i përçarë. Pengesa e parë dhe ndoshta më e madhja është kapërcyer në 30 dhjetorin e shkuar, sepse atë ditë u arrit konsensusi i nevojshëm për këtë marrëveshje unikale në marrëdhëniet midis dy Fuqive të Mëdha. Por a do ta votojë shumica e parlamentarëve europianë ta votojnë këtë marrëveshje?

Derisa është kapërcyer muri i vetos së shteteve anëtare, është për të besuar se nuk do të jetë aq vështirë për ta kapërcyer edhe murin e refuzimit në Parlamentin Europian. Gjilpëra e nxehtë që qepi marrëveshjen e 30 dhjetorit të vitit të kaluar ftohet gradualisht, me qëllim që të hapet rruga për një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike midis dy fuqive të mëdha ekonomike. E ndërkohë nuk duket të jetë dhe aq lehtë.

Jo pak parlamentarë të BE-së vijojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje dhe ta kushtëzojnë atë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Organizata për Çështjet Ndërkombëtare e Polonisë ka realizuar një studim, me të cilin paraqet disa pika kundërshtuese për finalizimin e marrëveshjes në fjalë. Ndërsa deputeti europian, Reinhard Buetikofer, edhe në cilësinë e kryetarit të Grupit të Punës me Kinën në Parlamentin Europian, i ka transmetuar kundërshtitë e organizatës polake në këtë parlament. Por ka jo pak deputetë europianë, të cilët kërkojnë që ta ndajnë principin e respektimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut nga marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Pavarësisht kësaj duket të jetë një moment delikat, kur Pekini dhe Brukseli kanë shkëmbyer masa sanksionesh midis tyre dhe Buetikofer do të duhet të angazhohet edhe si ekspert për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ajo që dihet, ka të bëjë me faktin se ky dhe të tjerë deputetë të parlamentit europian duan që Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Investimeve midis R.P të Kinës dhe Bashkimit Europian të konkretizojë më mirë çështje të tilla që kanë të bëjnë me zbatimin e Konventës Ndërkombëtare të Punës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu ata kërkojnë garanci se kompanitë kineze me kapital shtetëror nuk do të bëhen pjesë e investimeve të tyre në Europë.

Ndërkaq bie në sy fakti se pakënaqësia adresohet sidomos të vendet e vogla të BE-së. Organizata e Çështjeve Ndërkombëtare e Polonisë shpreh pakënaqësi ndaj Gjermanisë, Francës dhe Italisë, për të cilat thotë se ata "kanë interesa specifike" nga marrëveshja midis Brukselit dhe Pekinit. Por edhe pse në studimin e kësaj organizate shprehet hapur pakënaqësia e vendeve më të vogla, ose të vogla, të cilat nuk kanë përfitime të dukshme nga marrëveshja në fjalë, kjo nuk lidhet me përmbajtjen e saj.

Këto dhe të tjera aspekte e vështirësojnë kalimin e marrëveshjes BE-Kinë në Parlamentin Europian. Ndërsa në instancë të fundit nuk duket se ajo do të bllokohet ose të mos votohet. Parlamenti Europian nuk merr vendime me konsensus, por me shumicë votash. Megjithatë një dakordësi sa më e madhe në parlament i jep legjitimitet edhe më të madh Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Investimeve të miratuar më 30 dhjetor të vitit të shkuar!(Foto:VCG)