
Kur avioni ulet në Xiamen, duket sikur një kopsht botanik gjigand përqafon detin. Në mes të atij gjelbërimi qëndrojnë krenare majat e qiellgërvishtëseve moderne. Në rrugët e këtij qyteti shfaqen të ndërthurura palmat dhe tempujt, flora subtropikale gjallon edhe nëpër shkëmbinj, ndërtesat antike kineze bashkëjetojnë me arkitekturën koloniale në një terren kodrinor dhe lulet - ato janë kudo. Në Xiamen e reja me të vjetrën krijojnë një marrëdhënie gati simbiotike në një ishull plot histori, kulturë dhe traditë. Atje shpaloset një vend me mikpritje të thellë, me bujari të çiltër, me kuriozitet për risitë, me inciativë të fortë dhe me gatishmëri për sfida të mëdha.
Në Xiamen vendasit buzëqeshin kur të shohin në sy!
Për shekuj ky qytet bregdetar është quajtur një nga portat më të mëdha të jugut të Kinës. Në fakt vetë emri Xiamen do të thotë Porta e Rezidencës së Madhe. Legjendat thonë se emri ishte simbolika e derës pas së cilës ndodheshin pasuri dhe bollëk, d.m.th Kina kontinentale.
Dera e Xiamenit ka qenë e hapur gjithmonë për botën dhe ka qënë pika e nisjes së Rrugës së Mëndafshit Detare. Një qytet me mendje shumë të hapur, me histori të gjatë të bashkëpunimit me të huajt. Xiamen ka qenë epiqendra e tregtisë se çajit të Kinës dhe Marko Polo e ka quajtur një nga parajsat më të mëdha në botë për tregti.
Indeksi më lartë i lumturisë në rang vendi.

Sipas një sondazhi që zhvillohet çdo vit anë e mbanë Kinës, në bazë të zhvillimit ekonomik, kënaqësisë personale, konsumit të brendshëm, prirjeve të investimeve, sfidave të jetesës dhe vlerësimeve të vetë-raportuara të lumturisë së banorëve – Xiamen u shpall qyteti më i lumtur në vend.
Arritja e këtij indeksi nuk është rastësi, puna a palodhur e vendasve dhe fokusi në zhvillimet cilësore kanë bërë që bashkë me natyrën magjepsëse të ketë edhe arritje të mëdha në cilësinë e jetës.
Xiamen po përjeton një rritje që është formuar falë reformave strukturore dhe politikave të fokusuara në promovimin e zhvillimit ekonomik. Qeveria lokale e ka bërë transformimin industrial të drejtuar nga teknologjia si përparësi kryesore dhe ka shfrytëzuar politikat e tregtisë së lirë të Kinës për t'u futur në tregjet globale.
Industria e shërbimeve njeh vetëm rritje. Shërbimet financiare, turizmi, transporti, logjistika, softueri dhe teknologjia e informacionit po bëhen fjalë kyçe të zhvillimit. Qyteti e sheh integrimin e sektorit të informacionit në industri si një mjet për të siguruar që bizneset e qytetit të jenë në hap me kohën. Xiamen është baza e një numri të madh të kompanive tejet konkurruese të specializuara në automatizëm, robotikë dhe IoT (Internet of Things).

Zonë ekonomike pilot.
Katër dekada më parë, katër zona të veçanta ekonomike u krijuan në Kinën jugore. Sot, Shenzhen, Zhuhai, Shantou dhe Xiamen janë bërë një pjesë e rëndësishme e reformës dhe hapjes së Kinës.
Vendosur si një Zonë Ekonomike e Veçantë në 1980, Xiamen gëzoi qasje të hershme në tregjet ndërkombëtare dhe si i tillë ka krijuar një klimë biznesi të favorshëm. Në vitet e fundit, Xiamen është shfaqur si një nga tregjet më konkurruese në Kinë, renditur i teti në rang kombëtar për sa i përket kapitalit intelektual dhe inovacionit në 2018 nga Fondacioni i Kërkimit për Zhvillimin e Kinës, në vitin 2019, u rendit si një nga dhjetë qytetet me performancën më të mirë në Kinë nga Instituti Milken. Urbanizimi në Xiamen jo vetëm që ka kontribuar në një popullsi më të madhe dhe rritje më të lartë ekonomike, por gjithashtu ka ndihmuar qytetin të specializojë më tej tregjet e tij.
E ashtuquajtura “Ekonomia e Urbanizimit” ose ndërtimin e autostradave të shumta dhe linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë në mënyrë që ndërlidhja më qytetet e tjera të mëdha të lehtësohet, industria e aviacionit dhe turizmi në Xiamen kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e qytetit.
Industria e Aviacionit në Xiamen e shoqëruar me industrinë e logjistikës po ushqejnë rritjen e njëri-tjetrit. Promovuar nga qeveria qendrore në Pekin, industria e logjistikës e Xiamenit është një nga nëntë qendrat e rëndësishme të logjistikës në Kinë. Si i tillë, qyteti gëzon mbështetje të shtuar për zhvillim të mëtejshëm në këtë sektor.
Aftësitë ripërtëritëse të ekonomisë së Xiamenit u vunë re edhe pas pandemisë. Byroja Kombëtare e Statistikave njoftoi në fund të prillit se të ardhurat e disponueshme urbane për frymë në Xiamen në tremujorin e parë të vitit 2021 patën rritje me 14.7%. Zyrtarët e tregtisë rajonale njoftuan se rezultatet e tregtisë së Xiamenit në tremujorin e parë të vitit e vendosën qytetin në pararojë të provincës Fujian. Xiamen u rendit i pari në tre kategori: shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit, shitjet online dhe sektorin e hotelerisë.

Lidhja e fortë me diasporën dhe dijen.
Përfaqësuesit e Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar të Xiamenit kohët e fundit njoftuan gjetjet kryesore të një raporti që detajon natyrën dhe llojin e dhurimeve për mirëqenien publike të bëra nga qytetarë kinezë që banojnë jashtë shtetit.
Në tre vitet e fundit Xiamen mori një total prej më shumë se 179 milion Yuan nga 572 donatorë që mbulojnë 402 projekte midis 2017 dhe 2020. Sektori i arsimit përbënte shumicën e dhurimeve, duke mbledhur më shumë se 142 milion Juanë, afërsisht 80 përqind të shumës së përgjithshme.
Sikurse sot, edhe 100 vite më parë ata që largohen nga Xiamen nuk e harrojnë vendlindjen. I rankuar si një nga universitetet më të mira, jo vetëm në Kinë por në rang botëror Universiteti i Xiamenit (XMU) është një tjetër thesar i qytetit. I krijuar në 1921 nga një eksponent i diasporës kineze Tan Kah Kee, universiteti është renditur përherë si një nga institucionet kryesore akademike në Kinë. XMU është një institucion i klasit A dhe ka në regjistrin e tij afro 40,000 studentë me kohë të plotë (përfshirë 1,208 studentë të huaj, ndër të cilët edhe shqiptarë) d.m.th. 20,651 studentë bachelor, 16,712 studentë master, 4,737 kandidatë për doktoraturë. Vendosur ngushtë midis kodrave të gjelbërta dhe detit, XMU është i njohur si kampusi universitar më i bukur i Kinës për mjediset e tij të shkëlqyera arsimore.
Histori qeverisjeje elitare.
Presidenti i Kinës Xi Jinping e ka quajtur provincën Fujian shtëpinë e tij të dytë. Ai ka punuar si nënkryetar i Bashkisë Xiamen nga viti 1985 në 1988, kur i ashtuquajturi qyteti-port sapo ishte caktuar një zonë e veçantë ekonomike. Xi udhëhoqi një seri reformash në Xiamen, të cilat hodhën një themel të fortë për zhvillimin e qytetit. Ai mbikëqyri formulimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Xiamenit (1985-2000), duke hartuar reformën dhe hapjen e qytetit. Përveç kësaj, mbrojtja e mjedisit ishte një tjetër nga qëllimet e tij parësore. Xi gjithashtu promovoi zhvillimin e kompanive lokale të linjës ajrore XiamenAir dhe Portit Xiamen, të cilat sot janë bërë emblema të qytetit. Sipas prestigjiozes Bejing Review në Xiamen, Xi tregoi se fryma e reformës duhet të përputhet me guximin për të provuar gjëra të reja.
Në vitin 2017, në Xiamen gjatë Forumit të Biznesit të BRICS, Presidenti Xi tha se Xiameni është një qytet i bukur, me harmoni të përsosur midis njeriut dhe natyrës.

Me sytë nga e ardhmja: Gjashtë fjalët kyçe të vizionit Xiamen 2035
Qeverisja lokale e Xiamenit njoftoi një plan strategjik zhvillimi më 25 dhjetor 2020. Plani ka për qëllim kthimin e qytetit në një metropol modern dhe ndërkombëtar deri në 2035. Plani përbëhet nga gjashtë fjalë kyçe:
Risi: inovacioni do të jetë një drejtues kryesor i zhvillimit, duke shtyrë përpara të gjitha aspektet e inovacionit dhe teknologjisë shkencore. Qyteti do të optimizojë mjedisin e tij për të tërhequr më shumë talente dhe sipërmarrës ndërkombëtarë.
E gjelbër: Xiamen do të zbatojë konceptin e "ujit të pastër dhe maleve të harlisur janë pasuri të paçmueshme" për të përmirësuar mjedisin e tij natyror. Do të zhvillojë industri miqësore me mjedisin, do të promovojë mënyra jetese miqësore me mjedisin dhe do të thellojë reformën në mbrojtjen e mjedisit për t'u bërë një model kombëtar në këtë fushë.
Kulturë: do të forcojë mbrojtjen e vendeve të saj historike dhe relikteve kulturore dhe do të promovojë integrimin e kulturës, turizmit dhe industrive të ekspozitave, me qëllim që të bëhet një destinacion i klasit botëror për udhëtime dhe ekspozita.
Ndërkombëtarizim: do të hapet më tej për t'u bërë një qendër strategjike përgjatë Nismës “Një Brez, Një Rrugë” dhe në Paqësorin Perëndimor. Ai do të shërbejë si një qendër ndërkombëtare për transportin detar, tregtinë, turizmin dhe ekspozitën, inovacionin rajonal dhe financimin rajonal.
Modernizimi: do të drejtojë vendin në modernizimin e qeverisjes së qytetit. Do të ndërtojë një qytet gjithëpërfshirës, ndjenja e sigurisë do të rritet, standardet e jetesës do të përmirësohen dhe mjedisi i biznesit do të optimizohet.

Koordinimi: Xiamen do të përshpejtojë zhvillimin e integruar rajonal duke lidhur rrethet brenda dhe jashtë ishullit më ngushtë, duke hapur rrugën për ndërtimin e një zone metropolitane dhe do të forcojë lidhjet me rajonin Delta të lumit Yangtze dhe zonën e Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Macao.
Xiameni edhe pse në majat e lumturisë kombëtare, ka ende ambicje për zhvillim të mëtejshëm, për një qytet akoma më të arrirë.
Në Xiamen njërëzit buzëqeshin...sepse ndër vite kanë parë vetëm zhvillim, sepse kanë një jetë cilësore dhe kanë prirje dhe bindje se në të ardhmën do të jetojnë edhe më mirë!
Dr. Marsela Musabelliu







