
Republika Popullore e Kinës dhe Bashkimi Europian prej dekadash kanë vendosur urat e bashkëpunimit të tyre për çështjet e klimës dhe mjedisit. Ato hapën në vitin 2005 dialogun politik për këtë, me të cilin krijuan gjithashtu partneritetin midis palëve. Për të dy palët partneriteti dhe bashkëpunimi në këtë fushë merr përparësi për shkak të investimeve europiane në Kinë. Por edhe për shkak të rritjes së interesit në botë sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe klimës nga ndotjet e CO2. Ndaj dhe ky partneritet është zgjeruar dhe forcuar me takime dhe angazhime të tjera në vitin 2010, 2015, 2018 e në vazhdimësi.
Pakti bilateral midis BE-së dhe Republikës Popullore të Kinës në këtë fushë përfshin strategjinë afatgjatë të bashkëpunimit për pakësimin e gazrave në Kinë, për efiçencën energjetike, prodhimin e energjisë së pastër, kufizimin deri në eliminim të përdorimit të qymyrit në prodhimin e energjisë, përmirësimin e teknologjisë së klimës, investimet në projekte për mbrojtjen e mjedisit përmes energjisë së pastër, si dhe bashkëpunimin e të dy palëve me vendet në zhvillim. Të gjitha marrëveshjet dypalëshe kanë në thelb nxitjen e vullnetit dhe përkushtimit politik të shtetit kinez, dialogun politik midis Brukselit dhe Pekinit, kooperimin në projekte konkrete, zbatimin e projekteve në sistemin tregtar, në investime dhe teknologji dhe shkëmbimin e informacioneve për masën e ndotjes.

Vetë qeveria kineze ka vënë objektiva ambicioze me një objektiv të qartë të saj që deri në vitin 2060 vendi më i madh i botës të arrijë parametra neutralë të CO2, ndërkohë që nga viti 2030 do të reduktojë sasinë e gazrave serë në ambjent. Të tilla objektiva presidenti kinez, Xi Jinping i paraqiti gjithashtu në fjalën e tij në konferencën e fundit online me krerët e shteteve dhe kryetarët e qeverive më të industrializuara të botës. Por sa është imediate dhe a ka shanse që këto objektiva të realizohen?
Nis Gruenberg nga Gjermania është një studiues i pasionuar i politikave për mjedisin në Republikën Popullore të Kinës. Ai është optimist se shteti kinez do të investojë për pakësimin deri në normaliteti të ndotjes së mjedisit dhe të ajrit. Kjo është në dobi të zhvillimit, mirëqenies dhe të jetës së njerëzve. Pa një mjedis të pastër nga ndotja nuk mund të ketë cilësi të jetës së qytetarëve. Dhe është logjike që lidershipi i Kinës të vendosë në rend të parë jetën e qytetarëve të vendit të tij, duke i dhënë shanse të mira mbrojtjes së mjedisit në planet.

Por krahas kësaj, me pakësimin e ndotjeve të mjedisit, rriten mundësitë që të përmirësohet teknologjia. Është i njohur fakti se industria e rëndë e Republikës Popullore të Kinës është zhvilluar në të kaluarën në kushtet kur duhej shfrytëzuar qymyri për prodhim energjie. Janë ndërtuar gjithashtu qindra fabrika, të cilat prodhojnë çimento me një teknologji të vjetruar. Të gjitha këto çlirojnë gazra ndotëse në ambjent. Nis Gruenberg i thoshte gazetës gjermane "Die Zeit" se ambiciet e Kinës në këtë fushë nuk mund të arrihen brenda natës. Do të duhet kohë dhe durim. Porse ai beson se Kina është në rrugën e duhur për të arritur objektivat që ka shpallur.
Në fakt Kina e di se kriza e mjedisit është reale. Qeveria e presidenti i saj janë të vetëdijshëm se pasojat e kësaj krize janë katastrofale. Ndaj dhe arritja e neutralitetit, ose gjendjes normale në këtë fushë do të jetë historike për vendin, kontinentin aziatik dhe botën mbarë. Dhe gjithçka ka nis me optimizëm. Por a do të jetë kaq e lehtë të arrihet kjo?

Vështirësitë janë të panumërta. Për momentin Republika Popullore e Kinës dhe planeti vuajnë pandeminë e Covid-19. Në këto kushte kriza ekonomike e financiare rrit presionin që të pengohet kujdesi për mjedisin. Ndërkohë zëvendësimi i fabrikave, termocentraleve dhe uzinave të vjetra me ato me teknologji të re, kërkon investime shumë të mëdha dhe mund të çojë në rritjen e papunësisë. Papunësia mund të bëhet shkak për trazira dhe protesta. Të gjitha janë e duhet të jenë në peshoren e një qeverisje të përgjegjshme.
Megjithatë nëse dekziston vullneti politik dhe përkushtimi për zgjidhjen e kësaj dileme, atëherë është e mundur që të punohet çdo ditë, hapa pas hapi, vazhdimisht e pa ndërprerje për pakësimin e ndotjes së ambjentit. Dhe deri më sot, duket se edhe në kushte pandemie, qeveria dhe presidenti kinez e kanë shprehur qartë këtë vullnet. Duket qartë se ndër problemet e tjera si lufta kundër varfërisë, shtimi i vendeve të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, pra rritja e mirëqenies së qytetarëve, prioritet i Kinës është dhe mbetet mbrojtja e mjedisit dhe reduktimi i gazit CO2. Bashkëpunimi dhe partneriteti me Bashkimin Europian dhe vendet më të mëdha të tij si Gjermania, Franca e të tjera është shprehje e angazhimit dhe interesit të madh që shprehet në këtë drejtim.(Foto:VCG)







