Në korrik 2021, partia politike më e madhe në botë mbush një shekull jetë. Gjithçka nisi me vetëm 50 anëtarë të bashkuar në një shtëpi në lagjen franceze të Shanghait, ku më 23 Korrik të vitit 1921 u mblodh Kongresi i Parë Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze (PKK). Policia franceze ndërpreu takimin më 30 korrik dhe kongresi u zhvendos në një varkë e cila lundroi drejt një liqeni në Jiaxing. Që nga ajo ditë e më pas, fizionomia e kombit kinez do të ndryshonte përgjithmonë.

Nga ai rreth i vogël me 50 veta, në pak vite ndjekësit u bënë miliona dhe tre dekada më vonë, më 1 tetor 1949 u bashkuan për të themeluar Republikën Popullorë të Kinës, duke i dhënë fund një shekulli poshtërim dhe duke mposhtur armiq të jashtëm e të brendshëm.

Ata njerëz që themeluan PKK dhe luftuan për ta bërë atë partinë që do të qeveriste të gjithë kinezët, ishin të lodhur nga pushtuesit, nga padrejtësitë, nga kaosi social, nga skamja dhe u bashkuan nën idealin që po i udhëheq edhe sot.

Socializmi me karakteristika Kineze.

Të gjitha arritjet e Kinës, si në rrafshin ekonomik, social, politik dhe ato që prekin aspektet më të imta të kombit më të populluar në botë janë të pandashme nga lidershipi i Kinës. Nën udhëheqjen e PK, Kina ka krijuar një sistem ekonomik të tregut socialist dhe ka parë arritje të jashtëzakonshme. Çelësi i suksesit të Kinës është se udhëheqësit kinezë e kanë përshtatur marksizmin me realitetin e vendit të tyre. Dëshira për nisma të mëdha ka qenë përherë në djepin e qytetërimit kinez, por dëshira për nisma të mëdha mund të mos vlejë n.q.s në krye të punëve të shtetit nuk ka zell për ti përmbushur ato.

Është e pamohueshme tashmë, pas dekadash rritje e mirëqënieje se PKK i ka dhënë popullit një rrugë të pakthyeshme dhe të pathyeshme drejt prosperitetit, e tashmë po marshon drejt ndërtimit të plotë të një shoqërie të begatë. Zhvillimi marramendës i Kinës ka si emërues të përbashkët planifikimet afatgjata dhe strategjike, dhe vazhdimësia e pushtetit ka siguruar që këto politika të ndiqen, të aplikohen dhe të japin fryte për të gjithë, pa përjashtim. Krijimi i politikave pragmatike të orientuara drejt rritjes ekonomike janë bërë burim sigurie për të gjithë, e cila më tej ka çuar në forcimin e untitetit dhe optimizmit.Këta elementë kanë bërë të mundur që nga Pekini mund të mobilizohet çdo cep i Kinës, qoftë edhe për një qëllim të vetëm.

Ideali dhe uniteti.

Suksesi i jashtëzakonshëm i Kinës mund të arrihet vetëm nga një parti që mban lidhjet e saj të ngushta me njerëzit. PKK është një parti e popullit dhe ka qenë shumë fleksibël në taktikat dhe strategjitë e saj, por edhe e vendosur në parimet e saj. Është një parti e fuqishme dhe popullore që ka arritur të mishërojë të gjitha aspiratat e njerëzve dhe kombit të saj për prosperitet dhe përparim.

Në shkurt të këtij viti, Presidenti Xi u shpreh në lidhje me Partinë që ai drejton se përgjatë historisë së saj 100-vjeçare, PKK ka qenë në një mendje me njerëzit, ka marrë frymë në të njëjtën frymë si njerëzit dhe ka ndjerë vuajtjen dhe mjerimin me njerëzit. Më tej ai vazhdoi duke shtuar se është detyrë e PKK të çimentojë unitetin e 1.4 miliardë njerëzve për të krijuar një forcë të pandalshme për të shtyrë përpara një përtëritje të madhe të kombi kinez.

Ëndrra 100 vjeçare.

Duke filluar nga viti 2021 Kina hyn në një fazë të re të transformimit të saj. Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping, menjëherë pasi u bë sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në fund të 2012, shprehu atë që mund të shndërrohej në lajtmotivin e administratës së tij “Endrra Kineze - përtëritja e madhe e kombit kinez.” Ky transformim kishte në qendër një piksynim të madh, krijimi i një shoqërie "mesatarisht e begatë " deri në 2021. Edhe pse nën kthetrat e pandemisë, ky qëllim u arrit. Me çrrënjosjën e varfërisë kjo ëndërr u bë realitet. Udhëheqësit kinezë kanë një ndjenjë misioni i cili është i dukshëm në angazhimet dhe premtimet e mbajtura.

Udhëheqësit e Kinës, dhe PKK specifikisht, e dinë dhe vlerësojnë se ligjshmëria e së drejtës së tyre për të sunduar, lidhet drejtpërdrejt me se sa mirë ata përmbushin aspiratën kombëtare për rritjen e mirëqenies, standardeve të jetesës dhe kënaqësisë nga jeta të shumicës dërrmuese të kinezëve.

Meritokracia.

Ka më shumë se 91 milion anëtarë në Partinë Komuniste Kineze dhe në mënyrë që të kualifikohen për poste të larta, iu duhet të kalojnë nëpër dekada sprovash të cilat forcojnë aftësitë drejtuese dhe personale.

Presidenti aktual i Kinës filloi të punonte në një zyrë të nivelit primar, një post i ngjashëm me këshillat bashkiak në Perëndim, më vonë ai u rrit në detyrë dhe filloi të drejtojë një qark, pastaj një qytet, dhe pastaj provinca të ndryshme si Fujian, Zhejiang dhe Shangai. Ai vazhdoi të bëhet Zëvendës President dhe së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë dhe President.

Gjatë jetës së tij Xi Jinping ka kalur në 16 transferime kryesore të vendeve të punës, dhe derisa u bë lideri i gjithë Kinës ka menaxhuar mbi 150 milion njerëz në afro 40 vjet.

Presidenti Xi ishte një nga ata 90 milionë anëtarë partie, dhe sërish deri sa mori në dorë drejtimin e Kinës i tregoi aftësitë nga provinca e largët deri në Pekin.

Si u mobilizua një popull i tërë rreth PKK?

Në memorien kombëtare kineze nga Lufta e Parë e Opiumit deri në krijimin e Republikës Popullore në 1949, vuajtjet e popullit janë titanike. Emërtimi historik është “Shekulli i Poshtërimit” sepse Britanikët, Francezët, Portugezët, Rusët, Japonezët, etj., për mëse një shekull përçanë e sunduan Kinën me çfarë mundën e si mundën. Grabitën e vranë, shfrytëzuan dhe vodhën, dhe kur PKK hodhi themelet e shtetit të ri, jetëgjatësia mesatare ishte 36 vjeç, shkalla e shkrim-leximit ishte 15%, mjerimi ekomomik ishte në 95% të popullsisë.

Në momentin që kinezët e morën fatin në duart e tyre, uniteti ishte e vetmja rrugë përpara. Dhe rruga nuk ishte e lehtë.

Në 1 janar të këtij viti, Presidenti Xi do i drejtohej popullit duke thënë se ajo anija e vogël e kuqe, që lundroi 100 vite më parë në Shanghai mbarti besimin e madh të njerëzve dhe shpresën e kombit. Anija ka lundruar nëpër lumenj të trazuar dhe brigje pabesie dhe ka udhëtuar nëpër valë të dhunshme baticash, duke u bërë një anije e shkëlqyeshme që lundron në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të Kinës – tha ai.

Nga anija e vogel e kuqe deri në anijen kozmike Chang’e 5, që nën flamurin kinez solli disa copëza hëne në Pekin, Kina ka përjetuar sfida dhe arritje nga më të ndryshmet, të gjitha nën të njëjtën linjë drejtimi.

Së fundmi, që prej rënies së Murit të Berlinit, shtetet njëpartiake dhe sidomos vetë doktrina komuniste janë anashkaluar dhe trajtuar si sisteme që nuk prodhojnë mirëqenie nga pjesa tjetër e botës.

Por, i përshtatet ose jo retorikës së tyre, suksesi socio-ekonomik i Kinës moderne ka një emër dhe menaxhimi kompleks i një vendi gjigand si Kina, ka në qendër Partinë Komuniste Kineze.

Dr. Marsela Musabelliu