
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në shifra ishte se Partia Socialiste (PS( në pushtet i fitoi ato me 49% të votave. Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS ka siguruar mandatin e tretë radhazi në detyrë me 74 vende nga 140 të Kuvendit. Partia Demokratike (PD) e opozitës fitoi 39% të votave dhe 59 vende, ndërsa aleati i saj, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 7% të votave dhe katër vende.
Analisti Gëzim Podgorica në Radio Ejani analizon zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, standardin, mangësitë dhe të rejat e tyre
CMG: Zgjedhjet e 25 prillit të zhvilluara me pjesmarrje të mirë, pa incidente të mëdha dhe të cilësuara nga autoritetet zgjedhore vendase dje monitoruesit e huaj si të rregullta dhe të qeta, si vlerësohen nga ju?
Gëzim Podgorica:Kemi një distancë kohore prej 10 ditësh që kur kanë mbaruar zgjedhjet e 25 prillit, të cilat ishin shumë të rëndësishme për vendin pasi pritet që të zgjidhin një sërë ngërçesh, me të cilat Shqipëria u ballafaqua gjatë kësaj periudhe. Realisht ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Zgjedhjet përgjithësisht, ashtu siç e theksuat, ishin të qeta, por ato u paraprinë nga një situatë e tensionuar zgjedhore. Pati akuza të rënda për shitblerjen e votës, intimidim të votuesve, për pjesmarrje të administratës në zgjedhje dhe ndërhyrje të tjera, të cilat u theksuan dhe në raportin paraprak të OSBE-ODHIR-it.
Të shohim si do të jetë raporti përfundimtar, por unë nuk mendoj se do të kemi një raport të ndritshëm, madje do të kemi një raport gri, jo thjesht për faktin se PD dhe LSI që nuk arritën të fitonin në këto zgjedhje, do t’i kontestojnë ato, duke ruajtur traditën jopozitive të mospranimit të qetë të rezultatit, por dhe për faktin se këto dy parti po dokumentojnë çdo ditë shkelje të rënda që janë vërejtur.
CMG: Kjo është hera e parë që votuesit shqiptarë zgjodhën kandidatë individualë, përveç partive politike. Vëzhguesit ndërkombëtarë përshëndetën teknologjinë e votimit elektronik, si një projekt pilot në njësinë 10 në kryeqytet. Por situata paszgjedhore ka evidentuar rreth 80 mijë vota të pavlefshme dhe kontestime nga partitë opozitare, që shprehen për parregullsi të rënda. Si e gjykoni modelin e ri të votimit?
Gëzim Podgorica: Modeli i ri i votimit, për hir të së vërtetës, nuk pati kohë të mjaftueshme që të përditësohej me të gjithë votuesit. Kjo për vetë faktin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në limitet kohore miratoi fletën e votimit, gjë që nuk i la shumë kohë votuesve që të ishin të mirëinformuar, meqënëse ishte një praktikë e re zgjedhore.
Kjo praktikë e re zgjedhore solli dhe problemet e veta, me 80 mijë fletë votimi të pavlefshme, që përbëjnë 5% të numrit, i cili ndikon dhe në balancën elektorale. Duke patur parasysh që rezultati nuk është shumë i thellë, këto 80 mijë fletë votimi të parregullta dhe që anojnë më shumë, siç thuhet nga opozita, tregojnë që modeli i ri i votimit ose duhet të kishte hyrë më parë, ose krijonte mundësi për manipulim. Kjo mbetet për t’u analizuar rast pas rasti, madje partitë e opozitës e kanë kërkuar një gjë të tillë. Besoj që me kalimin e ditëve, pasi të jetë certifikuar rezultati duhet të ketë rikthime për shumë kuti dhe fletë votimi, të cilat do të bëjnë që të lexojmë më mirë dhe më saktë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

CMG: Partia Socialiste e Shqipërisë ka siguruar mandatin e saj të tretë radhazi, duke fituar gati një në dy vota dhe vende të mjaftueshme në parlament për të qeverisur e vetme. Në shtator pritet krijimi i qeverisë së re dhe e presin detyra të mëdha, ndër të cilat reformat për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE. Komenti juaj për premtimin e kryeministrit Rama se mandati i tretë qeverisës do t’u kushtohet investimeve të mëdha, për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm dhe agroturizëm, në energji, në bujqësi dhe në shërbime cilësore, të shpejta dhe të pakorruptueshme digjitale.
Gëzim Podgorica: Sigurisht këto janë premtime dhe sfida shumë të mëdha dhe realizimi i tyre kërkon investime të fuqishme, para së gjithash intelektuale, një mbështetje dhe suport ekonomik, por dhe një bashkëveprim me të gjitha vendet me të cilat Shqipëria është e hapur dhe komunikon. Shqipëria ka patur gjatë gjithë kësaj periudhe mundësi për të rritur investimet sepse është pjesë e projekteve shumë të rendësishme, jo vetëm me Bashkimin Evropian, por edhe atyre që lidhen me nisma të mëdha siç janë “Nisma 17+1” dhe “Rruga e Mëndafshit”. Oferta që Shqipëria të jetë e përfshirë në të gjitha këto projekte i jep fuqi dhe frymëmarrje investimeve.
Shqipëria është një vend i vogël ndaj duhet që me të gjitha qendrat e mëdha dhe vendet e tjera të ketë një bashkëpunim të hapur dhe jashtë ngarkesave politike. Ruajtja e orientimit euroatlantik është pjesë integrale e politikës shqiptare prej vitesh dhe ajo nuk ndryshon, por kjo nuk kondicionon mundësitë që Shqipëria të jetë e hapur për të gjithë. Nuk është vetëm turizmi, që është njera pjesë e ekonomisë shqiptare, i cili ka nevojë për një concept tjetër dhe për një dinamikë të re jo të rastësishme. Ne deri tani kemi një turizëm të rastësishëm që nuk ofton kapacitete aq të mëdha për grupe apo kompani të fuqishme, por ka ngelur një turizëm i limituar. Turizmi nuk mund të marrë hopin e madh dhe të domosdoshëm nëse nuk do të kemi një infrastrukturë jo vetëm rrugore, por dhe ujore e energjitike, që t’i përgjigjet kërkesave të një turizmi elitar.
Premtimet e zotit Rama janë të guximshme dhe mendoj e uroj që të mos ngelen brenda këtij stadi por të gjejnë zbatim në praktikë, sepse nëse të gjitha këto do të realizoheshin në maksimumin e mundësive Shqipëria me të vërtetë do të ecte me një hap tjetër dhe do të rrezatonte një nivel të lartë jetese.
Intervistoi Eda Merepeza







