
Ballkani gjithnjë vlerësohet me kujdes e diplomaci fine kur është fjala për këtë zone, e cila ka prodhuar më shumë tension se sa paqe. Është një periudhë qetësie kjo e dy dekadave të fundit, e cila i ka krijuar mundësinë këtij rajoni të shikojë e të investohet tek komunikimi i ndërsjellë dhe tek projektet gjithëpërfshirëse, të cilat realizojnë një ngritje të shpejtë edhe ekonomike. Një sërë projektesh ambicioze te BE-së, por edhe ato të Nismës 17 + 1 i kanë krijuar mundësinë që të administrohet praktikisht më shumë dhe më pozitivisht energjia në drejtim efektiv, se sa deri tani tek konflikte që kanë prodhuar vetëm pasiguri e prapambetje ekonomike. Probleme të trashëguara të së kaluarës, veçanërisht etnike Ballkani Perëndimor vijon t’i ketë, ashtu si edhe rajone të tjera në Evropë, por aftësia për të vlerësuar prioritetet e bashkëjetesën në diversitet, rezulton se jep shanse për një ringritje të shpejtë. Por zjarri në rajonin me “ eksploziv të gatshëm” mund të ndizet shpejt. Një letër e kryministrit slloven Janez Jansha me titull “ Ballkani Perendimor-rruga përpara”, dërguar në Bruksel dhe në disa destinacione të tjera i ka trazuar ujërat e politikës me një reagim që ka qënë i menjëhershëm. Një letër e cila mori mbi vete shumë pikëpyetje, ndezi fitilin e një diskutimi e debate që i kaloi kufijtë e Ballkanit dhe që po komentohet me shqetësim.
Çështja e letrës mbase mund të mbetej periferike, nëse ajo nuk do të kishte marrë vëmendje prej kohësh nga disa liderë të këtij rajoni dhe të ishte bërë pjesë e diskutimeve, pse jo edhe e axhendave politike. Kryeministri shqiptar Edi Rama në një prononcim të kohëve të fundit pranon se e ka parë hartën më kufij të ndryshuar, si një propozim për të ardhmen e rajonit. Ai nuk ka komentuar më shumë për një operacion që prek në thellësi territorin e kombit shqiptar.

Harta e Ballkanit Perëndimor
Por harta e ndryshimit të kufijve nuk prek vetëm territoret shqiptare. Ajo prek rëndë edhe Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në “Non paper” -in e Janez Janshës ka vetëm katër rreshta për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, vetëm tre rreshta në pjesën ku flitet për bashkimin e pjesës më të madhe te Republikës Srpska me Serbinë, ndërsa ka një shënim pak më të zgjeruar se si çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet ose duke bashkuar kantonet kroate në Bosnje - Hercegovinë me Kroacinë, ose duke i dhënë pjesës kroate të vendit një status të veçantë, bazuar në modelin e Tirolit të Jugut.
Për boshnjakët plani është edhe më gri se për pjesët e tjera, pasi sipas planit të kryeministrit slloven u krijohet mundësia që të krijojnë një shtet të tyrin, duke u kufizuar edhe mundësinë e aderimit për në Evropë. Një plan i tillë ka krijuar normalisht tensione, sidomos në Bosnje, pavarësisht se mediatikisht kjo ide është sulmuar shumë rëndë që në fillim, ndërsa diplomacia nuk e ka marrë seriozisht një gjë të tillë. Përballë temperaturës së rritur diplomatike që shkaktoi propozimi i kryeministrit slloven, Borrell dhe Lajçak, por edhe përfaqësues të tjerë të lartë të Brukselit ngrenë supet kur përballen në publik me një temë të tillë, por ata janë prej kohësh në dijeni të kësaj harte dhe dokumentit shoqërues, i cili është në tryezat e tyre prej kohësh.
Duke qënë se Sllovenia në mesin e korrikut të këtij viti merr kryesimin gjashtëmujor të BE-së, rasti nuk mundet të kalojë si një ide pa komplikacione serioze. Furnizimi me oksigjen diplomatik dhe institucional i kësaj ideje, do të krijonte situata që do jenë të vështira për t’u menaxhuar në se ato nuk ndalen përpara se të jenë pjesë e një debati të madh. Media të ndryshme kanë pohuar se dokumenti për të cilin po flasim, do të jetë pjesë e prioriteteve që Sllovenia pritet të ketë me marrjen e Presidencës së BE-së.
Megjithëse tezat e letrës janë kundërshtuar në publik nga presidenti slloven Borut Pahor, në një takim me anëtarin kroat të kryesisë së BeH Zheljko Komshiq, ai e ka pyetur bashkëbiseduesin nëse Bosnja është e gatshme të shpërbëhet në mënyrë paqësore.

Bashkimi Evropian
A është ky momenti, apo teza që duhet meriton vëmendjen e shtruar në tryezat e bisedimeve. Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon e ka cilësuar këtë ide si nxitëse të një lufte të re në Ballkan. Brenda Sllovenisë, pastaj sigurisht edhe jashtë saj në të gjitha vendet dominojnë personalitetet me mendje të ftohtë e racionale që e kundërshtojnë fuqishëm një tezë të tillë, e cila as ka gjetur kohën, por që në kontekstin historik nuk ka për të patur për dekada kohën e vet për t’u shtruar e diskutuar.
Ministri i Çështjeve Europiane në Qeverinë gjermane, Michael Roth ka thënë se “Rivizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjoze. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi drejt paqes, demokracisë dhe prosperitetit “
Që pas shpërbërjes së Jugosllavisë, çështja e rivizatimit të kufijve nuk ka qënë një temë e padiskutuar, por gjithnjë ajo në analizë është konsideruar tabu, duke marrë në konsideratë pasojat e rënda të cilat i prodhon. Ballfaqimi i dy koncepteve : Atij që nënvizon idenë se kufijtë nuk duhen prekur dhe sejcili vend duhet zhvilluar në harmoni etnike dhe konceptit të një ndarje përfundimtare mbi baza etnike për të krijuar një paqe afatgjatë, ka evidentuar si më të përshtatshmin konceptin dhe idenë e parë, atë të ruajtjes së statukuosë gjeografike.
Megjithë mbështetjen e qarqeve ekstreme nacionaliste, propozimi dhe idetë e kryministrit slloven vështirë të gjejnë koridore të hapura për ide të tilla radikale, që do cënonin rëndë stabilitetin e Ballkanit.

Kryeministri slloven Janez Jansha
Pavarësisht se Sllovenia përgatitet të marrë kryesimin e BE-së dhe Jansha ka mbështetjen e Orban-it në këtë pikë, e gjitha do të përfundojë si një zhurmë pa fuqi për t’u bërë temë serioze dhe për të shkaktuar probleme që prodhojnë pasoja. Konflikti i nyjeve etnike nuk mund të zgjidhet as me sopatën e Janshas, as atë të Vuçiçit, i cili pavarësisht se është një ithtar i flaktë i ndarjeve etnike, për të ruajtur raportet e brishta që ka me Brukselin e ka gjetur më të udhës të mos prononcohet publikisht.
Ndryshe nga homologu i tij serb, presidenti maqedonas Pendarovski shprehet kategorik ndaj kësaj çështjeje, duke e ritheksuar mediatikisht disa herë një gjë të tillë. Për televizionin TV 24, shefi i shtetit maqedonas shprehet se “ Ndryshimi i kufijve të Ballkanit nuk do të kontribuojë për stabilizimin e rajonit. Rruga e vetme e cila çon përpara drejt jetës më të mirë dhe mirëqënies së qytetarëve dhe shtetit është përmes plotësimit të reformave të domosdoshme, kyçe për inkuadrimin tonë në familjen evropiane”
Pavarësisht se jo si një përgjigje zyrtare ndaj letrës e cila ka mbetur sa hipotetike, aq edhe brenda sirtareve të BE-së, zëdhënësi Peter Stano do ta gjykonte të nevojshëm një prononcim indirekt duke theksuar se “Duhet të punohet në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, që është edhe logjika e procesit të integrimit evropian. Të gjitha çështjet e hapura midis shteteve, duhet të zgjidhen në një process që nuk hyn në territore të rrezikshme dhe që mbështetet në ligjet e parimet e BE-së”. Edhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilcik, nënvizoi se “ndryshimi i kufijve dhe i territorit janë një rrugë e rrezikshme në të kaluarën shpërthyese të rajonit”.
Reagimet kundër projekteve të tilla, sigurisht që bëhen pengesë në realizimin e tyre, por jo domosdoshmërisht arrijnë t’i përjashtojnë ato si një mundësi zgjidhjeje për problemet me të cilat ballafaqohet sot Ballkani Perëndimor. Shkëmbimi i territoreve midis Serbisë e Kosovës nuk ishte një fantazi mediatike, por një ide që po mbruhej prej kohësh dhe që u pengua nga ndërhyrjet e fuqishme diplomatike gjermane e franceze. Ide të tilla që shfaqen herë pas here janë edhe një provë e matje pulsi se sa mund të avancohet në këtë drejtim dhe deri në çfarë mase mund të jetë reagimi.
Ballkani Perëndimor nuk mundet që përmes operacionesh të tilla radikale të investohet për një paqe afatgjatë, aq më shumë në këtë moment të tijin kur vëmendja është përqëndruar tek ky rajon nga disa drejtime dhe integrimi rajonal çdo ditë e më shumë po implementohet, i suportuar nga nisma e fuqi ekonomike që po e asistojnë e mbështesin në vijimësi e me projekte e ndihma konkrete.
Gëzim Podgorica







