Intensifikimi i dërgimit të trupave ruse në kufirin me Donbasin, rajonin lindor që seperatistët duan ta shkëputin nga Ukraina, po rritet dhe në të njëjtën kohë po shtohet edhe tensioni i një përplasjeje me përmasa të gjëra. Që nga janari kanë humbur jetën 28 ushtarë ukrainas, por edhe seperatistë. Një konflikt, i cili qëndron i hapur prej vitit 2014 tani po merr një vemendje të shtuar ndërkombëtare, përkundrejt faktit se lëvizja e trupave ushtarake ruse është e madhe, por edhe përqëndrimi mbrojtës i ushtrisë ukrainase është rritur ndjeshëm, të cilët pavarësisht se e shpresojnë një ndihmë nga jashtë, deklarojnë se mbeshteten tek forca e tyre dhe janë gati për ballafaqimin e armatosur. Moska vijon të akuzoje Kievin se ka planifikuar të sulmojë seperatistët, akt që do të legjitimonte sipas tyre përfshirjen e saj në konflikt, në mbrojtje të komunitetit të madh rus në rajonin e Donbasit.

Analistët ushtarakë konsiderojnë se pas kërcënimeve ruse, nuk qëndron rreziku i alarmit të kuq të përplasjes fatale midis dy vendeve, por diplomatët e vendeve të ndryshme e konsiderojnë situatën me rrezikshmëri të lartë dhe kanë intensifikuar kanalet e komunikimit të uljes në tryezën e bisedimeve. Deri tani nuk ka shenja që një gjë e tillë të ndodhë. Përpjekja e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për një takim me homologun e vet rus Putin dështoi dhe tani ai po përpiqet ta realizojë sensibilitetin e kësaj çështjeje përmes takimeve me liderë të fuqishëm evropianë.

Presidenti francez Emanuel Makron e konsideroi me rrezik të lartë sovranitetin e Ukrainës dhe ftoi në një bashkëbisedim të përbashkët edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Dy liderët francezë dhe gjermanë, të njohur për influencat e tyre dhe komunikimin me presidentin rus Putin, pritet të jenë faktorët më të fuqishëm ndikues diplomatikë në gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit 7 vjeçar, që megjithëse është trajtuar dhe ka marrë vëmendje intensivisht, ka mbetur konflikt me potenciale shpërthyese. Negociatat e Minskut, të cilat drejtohen nga OSBE kanë ngecur në mënyrë të përsëritur. Në të njëjtën kohë edhe për ato masa shtesë të armëpushimit, që u dakordësuan në vitin 2020, tani nuk flitet dhe po shkelen që nga korriku në mënyrë të vazhdueshme. Ai stabilitet ishte aq i brishtë sa nuk rezistoi vetëm disa muaj. Ukraina ka kërkuar në kuadër të Dokumentit të Vjenës disa herë sqarime mbi veprimet e palës ruse në kufirin midis dy vendeve, por pavarësisht kësaj nuk ka gjetur gatishmëri komunikimi.

Situata në terren përballë lëvizjes më të madhe të trupave që nga viti 2014 kur ndodhën ngjarjet e Krimesë, është një paralajmërim për një moment të paqartë. Analistët ushtarakë që dijnë më saktësisht të zbërthejnë kodet e luftës e shikojnë situatën e tanishme të tensionuar, por jo në kufijtë e alarmit ë kuq. Ata janë të mendimit se është më shumë një sinjal që Moska lëshon ndaj Ukrainës dhe Perëndimit për të respektuar forcën e saj ushtarake dhe potencialet në këtë drejtim. Edhe nëse ka ndërhyrje, ajo mund të jetë e kufizuar. Gjithsesi ajo është e pasigurt.

Dy anije luftarake ruse kanë kaluar në fundjavë ngushticën e Bosforit për të shkuar në Detin e Zi, ndërsa 15 anije më të vogla u vendosën në det. Përforcimet detare ruse ndodhin në të njëjtën kohë kur është shtuar prania e trupave të shumta përgjatë kufirit me Ukrainën. Moska vijon të pohojë që kjo është vetëm një stërvitje e përkohëshme mbrojtjeje.

Është një dëshirë pasqedashëse që gjërat vërtetë të shkojnë drejt çtensionimit, por këndvështrimet diplomatike me ato ushtarake shpesh përplasen dhe ulin optimizmin paqësor. Rusia dhe Ukraina dëbuan nga një diplomat respektiv nga vendet e tyre, duke rritur tensionin në mes tyre.

Deklaratat e nxehta të javëve të fundit, veçanërisht ato të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov se lufta e rifilluar në Ukrainë, do të nënkuptojë shkatërrimin e vetë Ukrainës, përcjellin tensione që dalin jashtë analizave dhe këndvështrimit të gjeneralëve të ndryshëm. Edhe prononcimi i nënkryetarit të administratës presidenciale të Rusisë, Dmitry Kozak, që përsëriti me shumë theks se nëse do të jetë e nevojëshme Moska do të ndërhyjë për të mbrojtur banorët e Donbasit, është në pistën e situatës së komplikuar dhe jo në atë që jep shenja optimiste. Pavarësisht nëse jemi në pragun e një përplasjeje, e cila mund të vijë edhe “aksidentalisht”, ekziston rreziku i një llogaritjeje të gabuar që sjellin pastaj reagimet ekstreme dhe përfshirjen edhe të palëve të tjera.

Përplasja e mundshme Rusi – Ukrainë, nëse ndodh do të përfshinte brenda vetes shumë aktorë dhe rrezja e konfliktit do t’i tejkalojë të dy vendet. Ajo që prej kohësh i ka dhënë baticat e veta në planin diplomatik dhe e ka shtrirë efektin e këtij konflikti në marëdhëniet midis shteteve të mëdha, marrëdhënie që kushtëzohen nga zhvillime rajonale apo më gjerë. Me interes është ndjekur pozicionimi i Turqisë, e cila në këtë periudhë të fundit, si në konfliktin azero-armen, ashtu edhe në këtë ruso-ukrainas ka treguar se nuk është në momentin më të mirë të marrëdhënies me Rusinë.

Pas takimit me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski në Ankara presidenti turk Recep Tayip Erdogan deklaroi se Ankaraja nuk e njeh “aneksimin rus të Krimesë” dhe lajmëroi se është rënë dakord për furnizimin e ushtrisë ukrainase me avionë pa pilot(dronë) të tipit Bayraktar. Ky ishte dukshëm momenti që pika e ujit derdhi gotën e durimit rus. Pas kësaj, duke iu drejtuar Turqisë dhe disa shteteve të tjera erdhi paralajmërimi i prerë i Sergei Lavrovit për të mos nxehur konfliktin në Ukrainë.

Përveç paralajmërimit politik ndaj Turqisë, nga Moska erdhi edhe reagimi në komunikimim praktik midis dy vendeve.

Kompanitë ajrore ruse ndërprenë të gjitha fluturimet me Turqinë dhe formalisht edhe me Tanzaninë, duke e argumentuar me faktin e rritjes së shpejtë të të sëmurëve me Covid-19. Kjo ndërprerje e menjëherëshme, bën që të anulohen më shumë se 6 milionë turistë rusë për në plazhet e Turqisë, një goditje e madhe për ekonominë problematike turke, që po pëson goditje nga shumë drejtime. Pas këtij veprimi, shefi i diplomacisë turke do të reagonte menjëherë në televizionin turk NTV, duke theksuar se “Në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mbështesim asnjeren palë”.

“Sinqerisht dhe në mënyrë të hapur ndajmë qëndrimet se me të dyja palët, kemi politikë konstruktive. Tani situata ka filluar të qetësohet, gjë që na bën të lumtur. Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë proces”, nënvizoi Çavushogllu. Në kushtet kur marrëdhëniet me SHBA-në janë pothuaj të ngrira, Turqisë nuk i intereson një marrëdhënie problematike me Rusinë, aq më shumë kur menjëherë pas një deklarate që nuk u shijoi rusëve, erdhi reagimi i fortë.

Mediat më të mëdha turke, duke analizuar konfliktin ruso-ukrainas dhe pasojat e tij përtej dy vendeve të përfshira direkt, komentojnë se: Në masën që kriza ukrainase është e orientuar që Rusinë ta vendosë në qoshen e ringut, po aq e keqe është edhe kundër Turqisë”. Duke parë rrjedhën e komplikuar të situatave ndaj saj, por edhe raportet që ka më SHBA-në dhe disa shtete perëndimore, Turqia nuk vonoi të shpallë neutralitetin në këtë konflikt gjeopolitik. Sepse Ukraina është një platformë ku synohen të zgjidhen çështje me karakter gjeopolitik global dhe në të cilën Uashtingtoni është në anën e Kievit.

Ngërçi i tensionuar në të cilin është mbyllur konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, jo vetëm ka shkaktuar bllokimin e rëndë midis dy vendeve, por siç e tregojnë marëdhëniet ruso-turke të kohëve të fundit, mund të prodhojë tensione përtej dy vendeve të përfshira direkt. Zgjidhja e tij, megjithëse është e vështirë në këtë moment, shtron nevojën e një angazhimi të gjërë, për të mos radikalizuar së pari përplasjen dhe për të relaksuar marëdhëniet në një plan global.

Gëzim Podgorica