Pandemia aktuale globale ka ndryshuar shumë rrethana dhe pothuajse krejt aktualitetin global. Efekti dhe ndikimet shumëplanëshe të saj mbi realitetin shëndetësor, ekonomik dhe pashmangshmërisht edhe diplomatik në gjithë Botën është ende vijues. Qasjet janë të ndryshme, me diferenca të theksuara, në optika të ndryshme dhe interesa respektive dukshëm antagoniste, por shqetësimi njerëzor është i vetmi i njëjtë.

Në këtë klimë pandemie, së cilës ende nuk po i duket fundi në horizontin e kohës, vaksinat anti-COVID-19, vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Lufta e zgjatur, në sistemin shëndetësor global dhe në ankthin masiv njerëzor është akoma fokusi kryesor i të gjitha vendeve nëpër botë. Prodhimi dhe gjetja e vaksinave është kthyer në një garë të vërtetë, që ka evidentuar qasje të ndryshme sidomos nga fuqitë më të mëdha. Ndërkohë që shumë nga vendet e pasura kanë qenë të përfshira në sigurimin e dozave të mjaftueshme për të vaksinuar popullsinë e vet, një sjellje disi e ndryshme e Kinës ka bërë që ajo të spikasë në këto kohë.

Në fillim vaksinat kineze ishin të rrethuara nga një re mosbesimi dhe skepticizmi, por sot gjithmonë e më shumë vende, po i përqafojnë ato si një “armë” për të luftuar pandeminë.

Kina ka prodhuar mbi 230 milionë doza, më shumë se ҫdo vend tjetër. Në të paktën 70 shtete dhe territore, shifër kjo jo e vogël, vaksinat kineze janë aprovuar ose janë arritur marrëveshje për sigurimin e tyre. Në këtë listë shtetesh, një pjesë e mirë prej tyre, kanë qenë shtete në zhvillim që janë përballur me pamundësinë e gjetjes së vaksinave të tjera. Shtetet që kanë tejkaluar paragjykimet apo stereotipitë ideologjiko-diplomatike kanë siguruar një shërbim në kohë për shëndetin dhe mbrojtjen e shtetasve të tyre. Në këtë plan, janë thyer tabutë dhe është shembur shabllonizmi diplomatik apo ai gjeopolitik.

Gatishmëria e Kinës për të ndihmuar vende të tjera është dëshmuar edhe përpara shpërndarjeve të vaksinave. Më shumë se 100 vende kanë marrë përkrahje nga Kina për sa i përket furnizimit me maska, ndihmë nga stafet mjekësore ose ndihma të tjera të kësaj emergjence.

Kjo sjellje e Kinës i ka kapur të papërgatitura vendet perëndimore, të cilat janë treguar më “egoistë” në shpërndarjen e vaksinave. Këto vende rëndom e kanë cilësuar këtë, si një përpjekje të Kinës për t’u afruar me vendet e ndihmuara dhe për të rritur influencën e tyre nëpër botë. Duke e quajtur këtë mënyrë veprimi si një “diplomaci vaksinash”, ato kanë ritheksuar në mënyrë të përsëritur rrezikun e një varësie ndaj Kinës. Madje vetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehu skepticizmin për shpërndarjen e vaksinave nëpër botë dhe neglizhimin në njëfarë mënyre të popullatës kineze.

Këto hipoteza janë hedhur poshtë nga zyrtarët kinezë, të cilët që në ҫastet e para kanë bërë thirrje për një bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër pandemisë. Kjo është gjithashtu në vazhdën e politikave të tjera kineze që synojnë një bashkëveprim më të madh ndërkombëtar, ndërkohë që Kina përforcon pozitën e saj në arenën botërore.

Prej politikanëve kinezë është theksuar rëndësia për ta kthyer vaksinën në një produkt publik që duhet të jetë e arritshme për këdo. Nga ana e tyre ata kanë kërkuar distancimin nga “nacionalizimi i vaksinave” që është vërejtur në vendet e tjera. Ndihmën e ofruar deri tani, sidomos ndaj vendeve në zhvillim dhe të vendeve të varfëra, Kina e konsideron si përgjegjësinë e një vendi të madh.

Ndërkohë që Azia Juglindore është rajoni kryesor ku zhvillohet bashkëpunimi lidhur me vaksinat midis Kinës dhe vendeve të tjera, bashkëpunimi nuk ka patur kufij territorialë. Kina është ofruar e gatshme të ndihmojë këdo që e kërkon. Pavarësisht se vaksinat kineze nuk janë certifikuar nga organizata të rëndësishme botërore ose europiane si OBSH-ja ose Agjensia Europiane e Barnave, markat Sinovac dhe Sinopharm priten të verifikohen së shpejti nga OBSH-ja dhe përhapja e tyre nuk po ndalet.

BE-ja është një ndër aktorët kryesorë që ka hasur vështirësi të shumta për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave dhe është ndeshur me presionin e kohës. Në kushtet e një debati të ndezur, për sa i përket shpërndarjes së vaksinave, shumë shtete të BE-së dhe ato jashtë bashkësisë, i kanë hedhur sytë drejt Kinës. Hungaria ishte shteti i parë i BE-së që aprovoi dhe çertifikoi si të sigurt vaksinën kineze. Kjo mund të shtyjë shtete të vogla europiane për të kërkuar këto vaksina, ndërkohë që kontinenti ndeshet me vështirësitë e mospasjes dhe shpërndarjes së pabarabartë. Disa nga shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kërkuar gjithashtu vaksinat kineze.

Kësisoj, disa nga vendet që i kundërshtonin vaksinat kineze dhe akuzonin synimet e këtij vendi për interesa specifike diplomatike, po ndryshojnë tashmë qasje dhe po i konsiderojnë ato si një alternativë për nevojën jetësore të vaksinimit.

Konfirmimi i efikasitetit të lartë të vaksinave kineze do i japë një ngjyrim tjetër thirrjes së Kinës për një bashkëveprim të shtuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. Këto vaksina, edhe për shkak të numrit të lartë të tyre, do të jenë një resurs i rëndësishëm në luftën e përbashkët për të zhdukur “hendekun e imunitetit” si dhe për të rrënjosur në mendësinë e opinionit publik global se kemi të bëjmë me një produkt nevoje shëndetësore për publikun botëror.

Aleksandër Çipa