Menjëherë pas konfirmimit të fitores së zgjedhjeve nga Joe Biden, ish- sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger bëri thirrje për rivendosjen e një komunikimi të mirëkuptuar midis SHBA-së dhe Kinës, si një domosdoshmëri zhvillimi dhe shmangie nga konflikte me pasoja të paparashikueshme. Diplomati i shquar i cili pesë dekada më parë udhëhoqi një nga proceset me të vështira diplomatike, atë të normalizimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe SHBA-së, dhe që prej kohësh konsiderohet si një “mik i vjetër i Kinës” ka kritikuar në vijimësi metodën konfrontuese të negociatave të ndjekur nga ish- Presidenti Trump dhe në mënyrë më të drejtëpërdrejtë nga ish- sekretari i shtetit Mike Pompeo. Gjatë gjithë kohës, diplomati Kissinger nuk ka reshtur së theksuari se “dy vendet me kultura e histori të ndryshme, kanë pikëpamje të ndryshme të praktikave. Megjithatë, paqja dhe begatia e botës varen nga mirëkuptimi midis dy shoqërive”.

Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe temperaturën e marrëdhënieve midis dy vendeve, ai e ka gjetur të udhës ringritjen disa herë të shqetësimit për një marrëdhënie mirëkuptuese. Kohët e fundit Kina është vënë në qendër të kritikave perëndimore lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të nevojës së masave kufizuese të shkëmbimit tregtar. Fillimi i këtij shekulli e ka gjetur Kinën në një trajektore rritëse ekonomike, e cila ka suprizuar ndjeshëm të gjithë shtetet e mëdha dhe pamundësia për një sfidë të karakterit ekonomik ka bërë që të krijohen me ngut dhe në mënyrë imponuese aleanca të cilat të frenojnë e kufizojnë këtë ritëm dhe mundësi zhvillimi. Sipas parashikimeve viti 2030 e gjen Kinën në vendin e parë më të fuqishëm në botë, por e analizuar së fundi kjo mund të ndodhë edhe përpara vitit 2030. Meqenëse Kina ka ofruar standarde të larta jetese, rritje të fuqishme ekonomike, përballim të suksesshëm si asnjë vend tjetër i pandemisë dhe rikthim në normalitet, një rend shoqëror të ekuilibruar, i cili vendos në qendër njeriun dhe investohet dukshëm për të, shumë vende perëndimore janë përpjekur duke humbur primatin e referencës e të zhvillimit, frenimin e Kinës. Por një gjë e tillë nuk mund të rezultojë e suksesshme për një ekonomi të konsoliduar dhe për një rend shoqëror që përherë e më shumë afishon avantazhet e tij. Duke parë që Kina zhvillohet me ritme të shpejta dhe udhëheq botën në disa drejtime specifike të ekonomisë, si dhe duke parë që përmes sistemit të saj shoqëror ka avancuar në shmangien e plagëve sociale që janë prezente sot më shumë se asnjëherë tjetër në shunë vende perëndimore, adiministrata e kaluar e SHBA-së, por edhe administrata e re kërkojnë të gjejnë shtigje për të mbyllur hapësirat e ndikimit pozitiv global të Kinës, përmes artificesh të ndryshme, kryesisht ato që lidhen me të drejtat e njeriut.

Henry Kissinger dhe kryetari i shtetit i Kinës Mao Zedong

Kryetari i shtetit i Kinës Mao Zedong dhe Henry Kissinger

Ka disa muaj që janë intensifikuar kritikat dhe koordinimi i masave deri në sanksione ndaj Kinës për të ashtuquajturën shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiangut (Shingjiangut). Tani temë e ditës është bërë puna e detyruar në kultivimin e pambukut dhe kryesisht në vjeljen e tij. Pavarësisht se sa do funksionojë kjo linjë e fabrikimit të kritikave e akuzave, Kina që në fillim u ka ofruar gazetarëve, diplomatëve të akredituar në Pekin, observuesve të ndryshëm jo vetëm mundësinë për të vizituar e konstatuar nga afër realitetin në Xinjiang, por edhe një ballafaqim konkret midis asaj që thuhet dhe asaj që ofron terreni në të vërtetë.

Rajoni i Xinjiangut është rajoni me prodhimin më të madh të pambukut dhe që ka arritur në 70 % mekanizimin e këtij procesi në korrjen e kësaj bime, process ky nga ku zënë fill akuzat. Një shkrim i Adrian Zenz i publikuar me jehonë nga disa media, ku akuzohen autoritetet kineze se detyrojnë qindra mijëra ujgurë të mbledhin pambuk, ka shërbyer si argument që disa firma të njohura të ndërpresin importimin e pambukut nga ky rajon.

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe Henry Kissinger

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe Henry Kissinger

Dëmi që i shkaktohet kësaj krahine normalisht që është i lartë dhe ky dëm kalon nëpërmjet shinave ekonomike, por që ka si qëllim që të vendosë në vështirësi dhe të justifikojë edhe masat që sugjerohen për t’iu kundërvënë Kinës.

A ka nevojë në këtë moment bota ta nxisë një konflikt me Kinën mbështetur mbi akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiangut? Mbrojtja e të drejtave të njeriut është në fakt një mision human dhe angazhimi në këtë drejtim sigurisht që ka sensibilitetin pozitiv. Por ama pas kësaj teze dhe sinqeritetit të vërtetë të kësaj mbrojtjeje, qëndrojnë sfidat për të ruajtur pozitat dominuese në politikën globale.

Shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut në kohën kur Kina vijon të bëjë thirrje të vazhdueshme për t’i parë nga afër këto janë një argument i pamfjatueshëm për të krijuar aleanca që kufizojnë Kinën në zhvillimin e saj ekonomik. Çështja e mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore të njeriut ka shembuj të mjaftueshëm në Amerikën Latine, në Afrikë, Azi e të tjerë, po edhe vetë në SHBA ku ndërhyrja nevojitet të jetë intensive, e koordinuar dhe menjëherëshme. Në momentin kur Kina ofron mundësi e fakte, ballafaqim e tregues ekonomikë e financiarë, jo vetëm nga Xinjiangu, por edhe nga zonat e tjera, nxjerr zbuluar faktin se shqetësim përbën mbrojtja e lirive dhe e të drejtave të njeriut. Shqetësimi dhe sfida e vërtetë mbetet në realitet zhvillimi e konkurenca e papërballueshme e ekonomisë kineze dhe e rendit shoqëror. Zhdukja e varfërisë, që dëshmon në fakt një mrekulli globale dhe me ndikim të gjithanshëm është argument bazik referencial se si një vend kërkon një zhvillim të balancuar në përmisimin e kushteve të jetesës për të gjithë banorët.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Henry Kissinger

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Henry Kissinger

A nuk është mbrojtje konkrete e të drejtave të njeriut çlirimi i qindra milionë njerëzve në pak vite nga varfëria ekstreme dhe integrimi me dinjitet në jetë normale?

Jeta e re dinjitoze e qytetarëve, rritja e të ardhurave, arsimi dhe krijimi i kushteve për trainime profesionale kanë ndodhur edhe në skajet më të largëta të Kinës dhe janë dëshmi e vëmendjes së shtetit për jetën e qytetarëve dhe e respektimit të të drejtave të tyre. Kjo ka ndodhur edhe në Xinjijang.

Ballafaqimi me sfidat e zhvillimit kërkon një qasje tjetër nga ajo e interpretimit të njëanshëm që lidhet me liritë e të drejtat e njeriut. Gjetja nga të gjithë e rrugëve të bashkëpunimit dhe zbatimi i parimeve të konkurencës në zhvillim ekonomik janë shinat efikase nga ku mund të ecë me shpejtësinë e duhur treni i dy ekonomive më të mëdha të botës. Jo rastësisht diplomati i spikatur Kissinger gjeti rastin edhe në fillim të muajit të kaluar ta ritheksojë këtë gjatë një konference virtuale në Londër. Thirrja e tij për një gjuhë mirëkuptuese midis dy shoqërive që janë në vëmendjen dhe sytë e gjithë botës, tregon se disa qasje kanë nevojë të ndryshohen.

Aleancat e sforcuara për të penguar Kinën në hopin e vet zhvillimor, japin ndikime me efekte globale dhe bëjnë që shumë shtete të mëdha t’i shikojnë me rezerva hapat për sanksione ndaj Kinës. Duke qënë një shtet i hapur e bashkëpunues, me potenciale ekonomike në rritje, me nisma të fuqishme që rezonojnë globalisht, adresa e Kinës bëhet gjithnjë e më e kërkuar. Prandaj qasja për të frenuar apo për të ndërtuar marrëdhëniet me Kinën përmes optikës së interesave të një fuqie të madhe nuk duket se funksionon.

Henry Kissinger dhe Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi

Henry Kissinger dhe Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi

Në samitin e BE-së të zhvilluar para disa ditësh ku mori pjesë edhe presidenti i SHBA-ve Joe Biden, nuk u pa një reagim aktiv nga ana e disa shteteve të BE-së lidhur me veprimet që kufizojnë zhvillimin e Kinës. Kina dhe Europa po i afishojnë çdo ditë e më shumë interesat e përbashkëta dhe marrëdhëniet me dobi reciproke në planin e zhvillimit ekonomik tregëtar. Viti 2020 shënoi kalimin e Kinës si partnerja e parë tregtare me Evropën, duke zbritur në vend të dytë SHBA.

Më shumë se 60 % e kompanive të BE-së kanë shfaqur interes dhe gatishmëri për të shtuar investimet e tyre në Kinë. Ky është thjesht një tregues, pasi BE po kërkon të ketë vendimarrjen e vet strategjike të pavaruar në marëdhënie me Kinën.

Interferencat përmes gjetjes së shtigjeve e interpretimeve të shkeljes së të drejtave të njeriut, si një argument në kufizimin e marëdhënieve apo kushtëzimin e tyre me Kinën, janë ta sforcuara dhe vetëm sjellin efekte në komunikimin global. Diplomati i sprovuar Henry Kissinger e ndjen këtë ndaj këmbëngul për të aktualizuar nismën e tij të gjysëm shekulli më parë që ndërtoi ura që kanë nëvojë të forcohen e të shtojnë trafikun e komunikimit.

Gëzim Podgorica