Në shkëmbimin e sanksioneve dhe kundërsanksioneve të vërejtura gjatë fundit të Marsit 2021 midis Kinës dhe disa vendeve perëndimore, u përfshinë edhe disa korporata ndërkombëtare ndër më të njohurat në botë. Dy të parat ishin suedezja H&M dhe amerikanja Nike (më pas Adidas, Burbery, Fila etj). Në terma pothuajse të njëjtë të dy kompanitë kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi disa pretendime nga grupe të caktuara mbi rajonin Xinjiang.

H&M u përball me një breshëri kritikash nga përdoruesit kinezë të mediave sociale, ndërsa postimet në Weibo, rrjeti social më i përdorur në Kinë që përmbajnë hashtagun (#) "Unë mbështes pambukun e Xinjiang" numëroi më shumë se 7 miliardë shikime sipas Xinhua. Ndërkohë që gjigandët kinezë të tregtisë online Taobao (platforme e Alibaba) dhe JD larguan të gjitha produktet H&M nga shitja në platformat e tyre pas reagimit të ashpër.

Kjo fushatë bojkoti në Kinë mori përmasa të paparashikuara dhe të paprecedenta. Si rrjedhojë, aksionet e H&M ranë deri në 4.4% në Stokholm ndërsa aksionet e Nike ranë deri në 5.4% në New York dhe Adidas ra me 6% në Londër, vetëm një ditë pas bojkotit në Kinë.

E kaluara jo shumë e kthjellët e H&M dhe Nike

Në një deklaratë të postuar po në të njëjtën ditë kur filloi bojkoti, H&M u shpreh se kompania gjithmonë ka mbajtur standarde të larta dhe transparencë në zinxhirin e saj global të furnizimit. Por, a është vërtetë kështu?

Dyqan H&M në Kinë(Foto nga VCG)

Dyqan H&M në Kinë(Foto nga VCG)

Në vitin 2013 në Bangladesh, një ndërtesë tregtare tetëkatëshe e quajtur Rana Plaza u shemb për shkak të një kolapsi të strukturës. Përfundimi ishte 1134 të vdekur dhe 2500 të plagosur. Ata punëtorë paguheshin me më pak se 45 dollarë në muaj nga gjigandët e botës së modës. Pas katastrofës, disa prodhues perëndimorë zbuluan se disa nga produktet e tyre e kishin origjinën në atë fabrikë, H&M ishte një nga ata. Reagimet ishin të menjëhershme. Michael Connarty, një politikan britanik, i bëri thirrje Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të aprovojë një legjislacion të ri për t'i dhënë fund “skllavërisë moderne” duke detyruar kompanitë kryesore britanike të kontrollojnë zinxhirin e tyre të furnizimit. Karel De Gucht, Komisioneri i atëhershëm Evropian për Tregtinë, paralajmëroi se shitësit me pakicë dhe qeveria e Bangladeshit mund të përballen me veprim nga BE nëse nuk bëhet asgjë për të përmirësuar kushtet e punëtorëve - duke shtuar se blerësit duhet të marrin në konsideratë mirë se ku po i shpenzojnë paratë e tyre.

Direkt pas kësaj tragjedie, politikanët evropianë folën, por nuk vepruan! Nuk u pa ndonjë sanksion kunder këtyre kompanive që me pak fjalë lanë 1134 njerëz të vobektë nën rrënoja. Madje nga 29 kompani që ishin prezente në atë fabrikë në Bangladesh, vetëm 9 prej tyre kanë dhënë kompensime për familjarët e viktimave, dhe H&M nuk është një prej tyre.

Në 2019, H&M Group u përfshi sërish në skandale, po në Bangladesh, pasi u kritikua për punën më të vështirë në fabrikat e veshjeve, ku mijëra punëtorë bënë një grevë tetë ditore, duke bërë thirrje për paga të drejta dhe kushte të sigurta të punës. Ata kërkonin vëtëm rritjen e pagës minimale shtetërore, nga 63 dollarë në 95 dollarë në muaj!

Dyqan Nike në Kinë(Foto nga VCG)

Dyqan Nike në Kinë(Foto nga VCG)

Që nga vitet 1970, Nike, është akuzuar për përdorimin e “dyqaneve të djersës” për të prodhuar këpucë dhe veshje. Ajo u ndërtua në modelin e biznesit të gjetjes së kostos më të ulët të mundshme të punës që çoi në punën e fëmijëve dhe shfrytëzimin e tyre. Kjo punë e detyruar ka ndryshuar padyshim perceptimin e publikut/konsumatorit për markën, me efektin që rezultoi në uljen dramatike të shitjeve.

Indonezia e njeh mirë këtë praktikë të Nike, pasi fabrikat e tyre janë më famëkeqe në të gjithë Azinë. Në vitin 2010, për rreth 4500 punëtorë në një fabrikë në Banten kishin dy vjet pa marrë rrogat e tyre prej 40 dollarësh në muaj, kur mjafton të mendojmë se po atë vit, imazhi i kompanisë Tiger Woods mori për reklamë 20 milion dollarë. Praktikisht, vetëm dukë luajtur golf e duke veshur Nike, Woods paguhej sa 25 mijë punëtorë fabrike, dhe ndryshimi është se golfisti e merrte honorarin e tij, kurse punëtorët indonezianë jo.

Gjithçka për marzhet e fitimit

Në botën e biznesit, pas tragjedisë se Bangladeshit, u bë e modës që të aplikohej “Përgjegjësia Shoqërore e Korporatave” ose CSR (Corporate Socail Responsability). Aq u rrit trendi sa u hapën edhe klasa të posaçme në fakultetet e ekonomisë nëpër botë. Por, sa më shumë dalin në pah lajme për kompanitë multimilionshe, aq më shumë kuptohet se ky trend është më shumë fasadë se substancë.

Ishte një logjikë e thjeshtë e kërkesës dhe ofertës. Rinia nëpër botë, e “indinjuar” me pamjet e fabrikave të prodhimit në Azi filloi të shprehet kundër gjigandëvë botërorë të veshjeve, dhe u bë e modës ajo që u quajt ‘klient i vetëdijshëm’ (woke customer), klient që me mediat sociale rriti edhe më tepër impaktin e tij. Sipas një sondazhi zhvilluar në BE dhe ShBA 92% e konsumatorëve thonë se kanë një imazh më pozitiv për një kompani kur ajo mbështet një çështje sociale ose mjedisore. Dhe për konsumatorët e lindur pas 1990, kuletat e tyre janë mënyra kryesore për t'u angazhuar në kauzat e drejtësisë sociale. Me pak fjalë, n.q.s. gjigandët e veshmbathjeve nuk i përgjigjen kërkesave të rinisë, që për firma si H&M dhe Nike, përbëjnë pjesën dërrmuese të klientelës, atëherë humbjet në shitje do të jenë katastrofike.

Pambuku korret me makina, Xinjiang(Foto nga Xinhua)

Pambuku korret me makina, Xinjiang(Foto nga Xinhua)

Në fakt, bordit të drejtorëve dhe aksionerëve të H&M dhe Nike, nuk ju intereson shumë për kushtet e punëtorëve që qepin bluzat dhe atletet e tyre, as për të drejtat e njeriut në Xinjiang, e vetmja gjë që iu intereson është mos humbja e klientit, dhe si pasojë fitimeve.

Rinia kineze dhe koncepti i “konsumatorit patriot”

Ideja për të bojkotuar këto marka në Kinë ka tipare të tjera dhe lindi nga Lidhja e Rinisë Komuniste më 24 Mars, pasi përdoruesit e mediave sociale gjetën një deklaratë të kompanisë H&M në lidhje me të ashtuquajturat ‘akuzat e punës së detyruar’ në Xinjiang. Thirrjet për të bojkotuar shitësin suedez, i cili merr 5.2% të të ardhurave globale në Kinë, u përhapën shpejt duke përfshirë edhe Nike, e cila më parë ka thënë se nuk do të marrë produkte nga rajoni për shkak të shqetësimeve të etikës së punës. Influencer-at kinezë e të dyja markave ndërprenë lidhjet me kompanitë ditët e fundit, promotorët e tyre onlinë nuk dalin më.

Kompanitë e kapura në këtë revansh mund të penalizohen rëndë, pasi ato mund të përfundojnë në anën e gabuar të preferencave të konsumatorëve, komenteve të mediave sociale dhe platformave të tregtisë elektronike. Shitësit evropianë të modës janë të përçarë, disa janë shprehur e disa jo!

Konsumatorët kinezë, si çdo konsumator në botë, në momentin që paguajnë për një produkt, kanë të drejtë të shprehin ndjenjat e tyre. Në kulturën kineze mijëravjeçare nderi dhe dinjiteti i vendit janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, kjo traditë po përtërihet gjithnjë e më shumë me rritjen e nivelit të jetesës. Të rinjtë kinezë, nuk janë vetëm në gjendje të mirë ekonomike, por janë edhe shumë aktivë në jetën e komunitetit të tyre, dhe mbi të gjitha kanë një krenari kombëtare që rrallë herë vërehet nëper botë në moshat e reja. Ky nuk është nacionalizëm, është thjeshtë patriotizëm. Me pak fjalë, kinezët e zakonshëm ndihen të fyer nga këto korporata, pasi un-i i tyre është shumë i lidhur me kombin dhe atdheun.

Ku qëndron Pekini zyrtar në këtë valë bojkoti?

Pambuk paketohet me makina, Xinjiang(Foto nga Xinhua)

Pambuk paketohet me makina, Xinjiang(Foto nga Xinhua)

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, kur u pyet mbi bojkotin vuri theksin në kontradiktat e diskursit të të huajve për Kinën - ai tha se vendet perëndimore gjithmonë i kanë inkurajuar kinezët të gëzojnë lirinë e fjalës, por ndihen të mërzitur, nervozë dhe të shqetësuar kur njerëzit e zakonshëm kinezë, duke përfshirë përdoruesit e internetit kinez, flasin sinqerisht për çfarë mendojnë dhe si ndihen.

Më tej po në të njëjtën konferencë ai u shpreh se duke pasur parasysh madhësinë e tregut kinez, Kina nuk ka nevojë të detyrojë askënd, por një gjë është e sigurt: populli kinez nuk do të lejojë që të huajt të marrin përfitime në Kinë nga njëra anë dhe të njollosin Kinën nga ana tjetër. Kina është e hapur dhe ne i mirëpresim ndërmarrjet dhe njerëzit e huaj për të bërë biznes, të jetojnë dhe të punojnë në Kinë, dhe ne hedhim poshtë çdo sulm dashakeqës ndaj Kinës dhe madje përpjekjet për të minuar interesat e Kinës në bazë të thashethemeve dhe gënjeshtrave – tha Zhao.

Kina nxit ndërmarrjet e huaja të veprojnë në vend, në përputhje me ligjet dhe rregulloret e shtetit kinez dhe të mos bëhen argatë të forcave të caktuara politike ose të sfidojnë opinionin publik të Kinës.

Së fundmi, koncepti i bojkotit kinez është sa çështje parimi, aq edhe drejtësie sociale dhe kombëtare; thënë shumë qartë në fjalët e një zyrtareje kineze të Ministrisë se Jashtme, firmat e huaja “nuk mund të hanë orizin e Kinës, ndërsa thyejnë taset e tij”....

Dr. Marsela Musabelliu