Euroazia, masa tokësore më e madhe në planet, djepi i shumë qytetërimeve dhe fushëbetejave, e popujve dhe ideve. Ndarja midis Evropës dhe Azisë si dy kontinente është një konstrukt historik shoqëror, pasi ato nuk kanë asnjë ndarje të qartë fizike midis tyre. Por, që Euroazia të funksionojë si një objekt kuptimplotë, kërkohet një nivel i caktuar i kohezionit gjeopolitik. Bashkëpunimi i rëndësishëm rajonal kërkon një hapje relative të vetë kufijve të brendshëm të Euroazisë, dhe më e rëndësishmja, kërkon një hapje të mendësisë së vendeve përkatëse për bashkëpunim!

Termi Euroazi u bë i njohur para një shekulli në Rusi, dhe shumë shpejt u etiketua sidomos nga Evropa, si ide bolshevike, dhe thjesht u mënjanua nga bota akademike dhe letrare për shumë dekada. Rëndësia e Euroazisë si objekt studimi në gjeopolitikë, ekonomi ose sociologji është diskutuar gjerësisht në literaturën akademike kohët e fundit si ‘një ide e madhe’. Të kalohet nga ideja në veprim do të thotë që ato kontradikta të mëdha mund të kapërcehen disi, dhe se rajoni sidoqoftë i përcaktuar, bën sens politikisht, pasi është i mbushur me një trashëgimi të përbashkët ekonomike, kulturore, sociale, etj.

Nga teoria në praktrikë

Përpjekja më domethënëse për të siguruar një lloj kohezioni në Euroazi është projekti i Kinës "Një Brez, Një Rrugë". Kjo iniciativë është konceptuar në terma të lidhjes infrastrukturore dhe integrimit, dhe është portretizuar në mënyrë të qartë se nuk paraqet asnjë kërcënim ndaj sovranitetit kombëtar të asnjërёs prej vendeve anëtare. Nga ana tjetër pengesat që karakterizojnë përpjekjet e integrimit të vendeve në vetvete janë të ngarkuara me konotacione politike.

Një plan i përbashkët veprimi u shpalos në mars 2015 nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës së Kinës (NDRC), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Tregtisë së Kinës, të cilët siguruan hartën zhvillimore të kësaj “Rruge të Re, të Mëndafshit”, e cila sillet rreth pesë ideve kryesore të ndërlidhjes, koordinimit të politikave, lehtësimit të investimeve, integrimit financiar dhe shkëmbimeve njerëzore.

Në kontekstin e globalizimit të kohëve në të cilat jetojmë, lidhjet dhe ndërvarësia midis vendeve janë bërë më të theksuara, dhe asnjë vend nuk mund të izolohet nga bashkësia ndërkombëtare. Çështjet globale si reagimi ndaj krizave financiare, rregullimet e sistemit ndërkombëtar të tregtisë, ndryshimi global i klimës, mbrojtja e mjedisit, siguria e shëndetit publik, siguria e energjisë dhe burimeve, siguria ushqimore etj, e kanë tejkaluar fuqinë e shtetit-komb dhe kufijtë gjeografikë. Prandaj, forcimi i bashkëpunimit në qeverisjen globale është bërë konsensusi i të gjitha vendeve në botë. Aktualisht, qeverisja globale ka probleme të tilla si nën-përfaqësimi, çekuilibri i institucioneve të qeverisjes dhe efikasiteti i ulët i organizatave të qeverisjes, etj.

Li Gang, një studiues i qeverisjes, shprehet se si Bashkimi Evropian ashtu edhe Kina janë mbrojtëse aktive të reformave të qeverisjes globale dhe kanë shumë pozicione të përbashkëta mbi shumë çёshtje. BE-ja luan një rol jetësor në formulimin e rregullave në fushat e ndryshimit global të klimës, mekanizmat ndërkombëtarë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, mbrojtjen e mjedisit, standardet e produkteve etj, Kina dhe BE mund dhe duhet të bashkojnë kontributet për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe të promovojnë zgjidhje politike për çështjet e pikave të nxehta ndërkombëtare dhe rajonale.

Sfidat aktuale të bashkëpunimit Kinë-BE

Viti 2021 ka qenë i ngjeshur me ngjarje dhe shkëmbime midis Kinës dhe BE-së, por nga ana tjetër e Atlantikut nuk kanë munguar komentet, sugjerimet, pse jo edhe kushtëzimet drejtuar kësaj marrëdhёnieje. Me adminstratën e re të Biden, fokusi u kthye nga aleatët tradicionalë, d.m.th. Evropa Perëndimore. Diskursi i administratës së mëparshme Trump, nuk u prit asnjëherë mirë nga qeveritë evropiane, dhe për 4 vite me radhë kjo ishtë e dukshme. Afrimi i ShBA-ve në Evropë, është bërë dukshëm më intensiv pas dialogut të nivelit të lartë Kinë-ShBA zhvilluar në Alaskë në 18-19 mars te kёtij viti. Disa ditë pas atij takimi, më 23 mars, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, vizitoi selinë e NATO-s dhe duke folur me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg tha se vendosmëria e Shteteve të Bashkuara për të forcuar dhe ringjallur lidhjet me Aleatët e NATO-s është në krye të axhendës amerikane.

Më 26 mars Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai i sugjeroi kryeministrit britanik Boris Johnson në një telefonatë se: “[..] vendet demokratike duhet të kenë një plan infrastrukture për të rivalizuar iniciativën e Kinës “Një Brez, Një Rrugë”. Vërejtjet e Biden erdhën pasi ai tha pak ditë më parë se do të parandalonte Kinën që të kalonte ShBA për t'u bërë vendi më i fuqishëm në botë, duke u zotuar të investonte shumë për të siguruar që Amerika të mbizotërojë në rivalitetin gjithnjë në rritje midis dy ekonomive më të mëdha të botës. Është e qartë se u dhanë dy sinjale të qarta nga Washingtoni për Evropën, dhe me sa duket Evropa mori shënim.

Shembulli i bllokimit të Kanalit të Suezit dhe mësimet për Euroazinë

Më 23 Mars 2021, anija Ever Given me gjatësi 400 metra (në pronësi japoneze dhe menaxhim nga kompania me seli në Taivan, Evergreen) u bllokua në Kanalin e Suezit, goditur nga një stuhi rëre duke penguar për ditë me radhë anijet e tjera. Në atë kanal kalon 12% e volumit tregtar botëror dhe 50% e volumit tregtar detar.

Ekspertët detarë dhe logjistikë paralajmëruan se incidenti do të rezultojë në vonesa të transportit të artikujve të përditshëm për konsumatorët në të gjithë botën. Vlerësohet se vlera e mallrave të vonuar çdo orë shkon 400 milion dollarë. Ndihmuar nga hëna dhe baticat, anija gjigande me kontenierë e mbërthyer në Kanalin e Suezit u zhvendos nga bregu gjashtë ditë pasi bllokoi rrugën më jetike detare të tregtisë.

Sidoqoftë, edhe një ndërprerje afatshkurtër në Kanalin e Suezit do të ketë një efekt domino për disa muaj përgjatë zinxhirit të furnizimit global. Disa transportues mallrash vunë në dukje menjëherë se kërkesa për mjete alternative transporti pritet të rritet sidomos në rrugët e Evropës për në Azi dhe e anasjellta.

Kina, kishte menduar për rrugë alternative që prej 2013, dhe nisma “Një Brez, Një Rrugë” bën këtë edhe më shumë. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të ndërvarur, shtimi i opsioneve infrastrukturore sjell vetëm përfitime të ndërsjellta. Shkëputja e zinxhirëve global të furnizimit si pasojë e bllokimit të Kanalit të Suezit, ka pasoja të rënda për Evropën dhe Azinë, mjafton të mendojmë së çmimi i naftës u rrit po atë ditë dhe do të ketë vonesa dërgesash në medikamente, që në kohë pandemi behen fatale.

Në momentin e rihapjes se kanalit ishin 450 anije në pritje për të kaluar (minimalisht 450 mijë kontenierë me mallra) dhe pasojat do vijnë me radhё sipas porteve të destinacioneve përfundimtare. Kjo katastrofë logjistike duhet të shërbejë si paralajmërim për të ardhmen dhe për reflektim.

Një alternativë e rrugëve detare është hekurudha e trenave të mallrave Kinë-Evropë, të cilat treguan gjatë pandemisë së janë mëse praktike dhe ekonomike. Si shembull, mallrat nga Kina në Gjermani në rrugё detare duan 35 ditë të mbёrrijnë në destinacion, kurse me anë te hekurudhave duan vetëm 18 ditё. Në vitin 2020, u realizua një rekord 12,406 udhëtime me trena mallrash Kinë-Evropë, 50 % më shumë se një vit më parë. Kurse në periudhën Janar-Shkurt 2021 trenat e mallrave Kinë-Evropë patën rritje me 96%, duke u bërë kështu një kolonë e qëndrueshme për tregtinë në kohë të vështira.

Së fundmi, Amel Kovacevic, një ish-ambasador i Bosnje-Hercegovinës në Kinë, në Dhjetor të vitit 2017, në një konferencë të mbajtur në Pekin do të shprehej: Patjetër që duhet të bashkëpunojmë për të promovuar bashkë nismën “Një Brez, Një Rrugë” pasi ajo përfaqёson rrugën e lashtë të mёndafshit, ajo që lidhi Lindjen dhe Perëndimin, Evropën dhe Azinë. Dhe, ne e kemi në gjak të bashkëpunojmë pasi vetë ADN-ja jonë është ADN e Rrugës së Mëndafshit, me anë të saj kombet u bashkuan në nivel qelizor....dhe Euroazia mund të bëhet një vatër gjeografike e rëndësishme për ndërtimin e komunitetit me të ardhme të përbashkët për gjithë njerëzimin.

Dr. Marsela Musabelliu