Europa është e zënë ngushtë mes presionit amerikan për të përshkallëzuar presionet ndaj Kinës, dhe nevojës së vet për të forcuar bashkëpunimin me të në shumë fusha me interes të përbashkët ku në lojë janë me qindra miliarda dollarë të ardhura për të dyja palët. Me ardhjen e presidentit Joe Biden në pushtet tensionet ndaj Kinës si duket do vazhdojnë, megjithëse me një nuancë të re, dhe me një farë kanali potencialisht të hapur për bashkëpunim.

Ajo që bie në sy në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Kinën janë disa dobësi strukturale të BE-së që e pengojnë atë të ndërtojë një politikë të jashtme koherente. Ka divergjenca të thella përsa i përket prioriteteve të politikës së jashtme mes vendeve të veriut të Europës dhe ato të Mesdheut, ndërkohë që prezenca ruse shpesh shqetëson disa nga vendet e Europës lindore për shkak të së kaluarës. Vendet e Europës lindore nga ana tjetër janë ato që më shumë bashkëpunim kanë ndërtuar me Kinën dhe më shumë përfitime kanë patur nga investimet e Kinës në kuadrin e Iniciativës Në Brez Një Rrugë dhe të bashkëpunimit 17+1. Kështu që ajo që duket më së shumti është se Europa lëviz më hapa të ndryshëm dhe në drejtime shpesh të kundërta. Për shembull, vetëm në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe pas thuajse një dekade negocimi, u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme për investime mes Bashkimit Europian dhe Kinës, por ratifikimi i saj nga ana e BE-së po vonohet për shkak të ndërhyrjeve nga disa anë brenda parlamentit Europian që duan ta lidhin këtë marrëveshje me çështjet e ngritura mbi të drejtat e njeriut në Kinë. Përtej këtij debati, disa aspekte të kësaj lëvizje të bëjnë të dyshosh se në fakt problemi është gjetkë dhe reflekton disa probleme të brendshme të Bashkimit Europian. Reflekton faktin se Europa nuk është plotësisht e qartë se çfarë linjë do të ndjekë në lidhje me Kinën, por edhe se a do të krijoje apo jo një farë autonomie nga ShBA-të në lidhje me këtë çështje.

Megjithëse presidenti amerikan Joe Biden ka ndërmarrë një fushatë diplomatike për të krijuar një koalicion vendesh me qëllimin për të përmbajtur Kinën pozicioni i Europës nuk është akoma plotësisht i qartë. Pra megjithëse nuk ka dyshim se marrëdhëniet BE-ShBA janë strategjike për shkak të ndarjes së historisë dhe vlerave të përbashkëta, marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Amerikën jo gjithnjë kanë qënë idilike. Rastet e kundërshtive dhe mosbesimit reciprok janë të shumta që nga koha e Luftës së Ftohtë. Në shekullin e ri vlen të përmendet se si Franca dhe Gjermania, që janë zemra e BE-së, ato në 2003 kundërshtuan veprimet e administratës së presidentit të atëhershëm amerikan George Jr. Bush për të pushtuar Irakun dhe vunë në dyshim arsyet e dhëna nga Washingtoni për një fushatë tillë. Më vonë, pakënaqësi të mëdha lindën në të gjithë Bashkimin Europian me krizën financiare dhe ekonomike të vitit 2008 e cila për shumë kancelari Europiane erdhi nga Amerika dhe u shkaktua nga sistemi financiar amerikan i cili ishte i parregulluar dhe vepronte me praktika gjerësisht të këqija dhe spekulative. Më e fundit divergjence mes BE-së dhe ShBA-së është pakti atomik që u nënshkrua me Iranin dhe që ish presidenti amerikan Donald Trump vendosi ta zhbënte. Për pasojë BE-ja doli hapur kundër këtij vendimi.

Pozicioni i Europës bëhet edhe më i vështirë kur shikon hartën dhe vë rë se në fakt Europa është një cep, një shtrirje e platformës kontinentale Euro-aziatike. Në këtë prizëm, edhe nga ana e sigurisë dhe nga ana strategjike, marrëdhëniet e bashkëpunimit BE-Kinë sjellin më shumë përfitime sesa ato të konfrontimit. Për me tepër që interesat kryesorë të Kinës në Europë, që konsistojnë më së shumti në lëmin ekonomik, vështirë të rrezikojnë procesin e integrimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian, dhe as sigurinë e kontinentit. Madje ministri i jashtëm kinez në vizitën e fundit në BE u shpreh qartë se Kina e mbështet procesin e integrimit Europian.

Historikisht Kina dhe Europa kanë pasur kontakte me njëra tjetrën. Mallra nga të dyja palët vinin e shkonin që në kohën e perandorisë Romake dhe kanë vazhduar për shekuj me radhë, dhe udhëtimet nga njëra anë në tjetrën kanë ngjallur gjithmonë një interes të madh si në lëmin ekonomik, edhe në atë kulturor, të simbolizuar nga një nga udhëtarët më të famshëm perëndimorë, italianin Marco Polo i cili vizitoi Kinën shumë shekuj më parë. Pra njëkohësisht si Kina dhe Europa ishin qendra të qytetërimeve shumë të lashta dhe me një shenjë të dukshme në historinë e njerëzimit. Në këtë kuptim ekziston edhe një bazë historike e shkëmbimeve mes këtyre qytetërimeve. Sot baza e bashkëpunimit mund të gjendet, dhe në fakt po të shikohet me vëmendje gjendet, në nevojën për të ndërtuar një ekonomi të gjelbër, fushë në të cilën si BE-ja dhe Kina janë thuajse në harmoni të plotë. Por gjithashtu edhe në bashkëpunimin për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia, ashtu sikurse edhe në fusha të tjera.

Por në mënyrë që Europa të gjejë mënyra për të bashkëpunuar me Kinën do duhet të transformojë qasjen politike në marrëdhëniet ndërkombëtare. I gjithë sistemi i marrëdhënieve të sotme mes shteteve është ndërtuat mbi institucione dhe platforma të ndërtuara nga perëndimi në një kohë kur perëndimi dominonte një pjesë të mirë të botës. Këto institucione mes të tjerash kanë shërbyer për zgjerimin e modelit dhe të influencës perëndimore në vendet e tjera. Kina, megjithatë, me ngritjen e vet po ofron modelin e vet të zhvillimit që sipas autoriteteve konsiston në ndërtimin e marrëdhënieve me përfitime reciproke mes vendeve të barabarta dhe që bazohen mbi parimin e mos ndërhyrjes në punët e brendshme.

Investimet Kineze kanë hapur mundësi zhvillimi dhe stabiliteti në Mesdheun jugor, sikurse në vendet e Lindjes së Mesme, dhe po ashtu me shumë projekte në Europën Lindore. Në këto rajone, pavarësisht disa gazetave në Europë që përdorin termin pushtues, Kina në fakt po sjell investues. Të gjitha këto zona janë të një rëndësie strategjike për Europën për shkak të pozitës gjeografike të afërt me të. Ndërkohë që për Amerikën këto rajone kanë më shumë vlerë në kontekstin e një rivaliteti Kinë-ShBA. Nga kjo pikëpamje vendimet e Europës kundrejt Kinës bëhen të vështira. Dëshiron BE-ja të ndërtojë një partneritet me Kinën në fusha të interesit të përbashkët, apo rivalitet për shkak të aleancës BE-ShBA që ekziston në kuadrin e NATO-s? Apo dëshiron, sikurse edhe gjasat janë, që në tema të caktuara të ketë bashkëpunim, duke ruajtur në tema të tjera një qasje konkurruese dhe rivaliteti. Zgjedhjet e BE-së bëhen edhe më të vështira kur mendon se në fakt kur flasim për Bashkimin Europian nuk po flasim për një entitet shtetëror të formuar, por për një bashkësi shtetesh sovrane, shpesh me interesa jo konvergjente. Politika e jashtme e BE-së është më shumë një politikë koordinimi e politikës së shteteve anëtare në tërësinë e tyre. Në këtë situatë edhe Pekini ka zgjedhur të komunikojë sa me institucionet e BE-së, po aq, dhe madje edhe më shumë, me secilin shtet më vete.

Në gjithë këtë panoramë, një gjë është e qartë. Nëse politikat e konfrontimit dhe ngritjes së barrierave me Kinën do marrin formën e atyre mbi bazën e të cilave u ngrit i gjithë sistemi i Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Washington-Moske, atëherë këto barriera do ndërtoheshin mbi një përllogaritje të gabuar sepse as bota sot nuk është njësoj, dhe aq më pak Kina i ngjason asaj se çfarë ishte Bashkimi Sovjetik dje. Nëse ekziston vullneti, modele të reja bashkëjetese që bazohen mbi interesa reciproke, dhe politika bashkëpunimi në fusha të shumta janë më të mundura sesa ishin në të kaluarën, sepse interesat ekonomike të të gjithë vendeve sot janë të ndërthurura së bashku në rrjetin e koklavitur të ndërtuar nga globalizimi ekonomik i cili vetiu i bën diferencat politike më të lehta për tu pranuar.

Ylber Marku