Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) me seli në Gjenevë, është një institucion ndërkombëtar, misioni i të cilit është të promovojë dhe mbrojë të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Në mars të këtij viti, Sesioni i 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, miratoi një rezolutë të sponsorizuar nga Kina, duke u bërë thirrje palëve të interesuara të angazhohen në dialog dhe në bashkëpunim konstruktiv e të mirëfilltë.

Ambasadori i Kinës Chen Xu mbajti një deklaratë në ditën e fundit të këtij sesioni për të prezantuar Projekt-Rezolutën “Promovimi i Bashkëpunimit të Përfitimit të Ndërsjelltë në Fushën e të Drejtave të Njeriut”. Fokusuar në vështirësitë e kohëve që po jetojmë, z. Chen tha se pandemia tregon edhe një herë se vendet duhet të shtojnë konsultimet dhe bashkëpunimin, të mbështesin dhe praktikojnë multilateralizmin, që të adresojnë në mënyrë efektive sfidat globale dhe të realizojnë qëllimin e gëzimit të plotë të të drejtave të njeriut nga të gjithë.

Kur nisi Sesioni i 46-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Pekin përmes një lidhjeje me video Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi mbajti një fjalim të fokusuar në katër pika: së pari, nevoja e adaptimit të një filozofie të të drejtave të njeriut që përqëndrohet te njerëzit, pasi interesat e njerëzve janë aty ku fillon dhe mbaron kauza e të drejtave të njeriut. Së dyti, vendet duhet të promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut nën dritën e realiteteve të tyre kombëtare dhe nevojave të njerëzve të tyre. Së treti, duhet të përparohet në mënyrë sistematike në të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut. Së katërti, qeverisja globale e të drejtave të njeriut duhet të përparohet përmes konsultimeve ndërmjet të gjitha vendeve.

Çështja e Xinjiang

Wang Yi, po në këtë mbledhje tha se Kina është në një moment historik në arritjet e saj të të drejtave të njeriut duke filluar nga çrrënjosja e varfërisë në Kinë e cila nuk ka të bëjë vetëm me të ardhura më të larta dhe standarde jetese, por më e rëndësishmja, ka të bëjë me sigurimin e të drejtave të çdo individi për arsimim, kujdes shëndetësor dhe strehim. Kina ka vendosur sistemin më të madh në botë të sigurimeve shoqërore. Me stabilitetin e saj social afatgjatë, dhe duke bërë këtë ka hedhur një themel të fortë për avancimin e kauzës së saj për të drejtat e njeriut.

Por – tha z. Wang - ne kundërshtojmë përdorimin e standardeve të dyfishta për të bërë sulme shpifëse ndaj vendeve të tjera dhe gjithashtu ne kundërshtojmë përdorimin e të drejtave të njeriut si një justifikim për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Çështjet e lidhura me Xinjiang janë në thelb për t'iu kundërvënë terrorizmit të dhunshëm dhe separatizmit. Rajoni Xinjiang i Kinës po merr masa de-radikalizuese në përputhje me ligjin, i cili është në përputhje me kërkesat e ngritura nga Kombet e Bashkuara. Punëtorët e të gjitha grupeve etnike në Xinjiang mund të zgjedhin profesione bazuar në vullnetin e tyre dhe të gëzojnë të drejtat dhe interesat e punës. Liria e besimit fetar për të gjitha grupet etnike mbrohet gjithashtu në përputhje me ligjin. Asnjëherë nuk ka pasur të ashtuquajtur "genocid", "punë të detyruar" ose "shtypje fetare" në Xinjiang – tha Ministri i Punëve të jashtme të Kinës.

Nga ana tjetër, raportet që po qarkullojnë në Evropë, në fakt janë shkruar dhe përpiluar nga njerëz që as nuk kanë shkelur ndonjëherë në Xinjiang. Çfarë dihet saktësisht është se nga 2010 në 2018, popullsia Ujgure në Xinjiang u rrit me më shumë se 2.5 milion, ose 25%. Shkalla e rritjes së popullsisë Ujgure ishte gjithashtu më e lartë se shkalla e rritjes së të gjitha grupeve të pakicave së bashku, e cila ishte 22.14 %. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në dekadën e fundit u rrit nga 82 miliard, në 212 miliard dollarë duke shënuar një rritje prej 160%. Papunësia urbane është ulur në 3.2%, ku në krahasim mund të shënojmë mesataren e Bashkimit Evropian e cila është 7.4%. Shkollimi u intesifikua; në vitin 1982, popullsia me një nivel arsimor të mesëm ishte 58%, në vitin 2010 ishte 89% e popullsisë së përgjithshme.

Në fund të muajit mars, Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës, nxori për publikun një video të një referati të mbajtur nga një ish zyrtar i Departamentit të Shtetit në 2018, Lawrence Wilkerson, shefi i stafit të ish Sekretarit të Shtetit të ShBA Colin Powell, i cili thotë se nëse ShBA do të dëshironte të destabilizonte ndonjëherë Kinën, mënyra më e mirë për ta bërë atë është të shkaktojë trazira sociale dhe të dobësojë Kinën nga brenda. Ai vazhdoi duke thënë se nëse shërbimet do të instalojnë ndonjëherë një operacion për destabilizim, mënyra më e mirë për ta bërë atë do të ishte formimi i trazirave duke u bashkuar me Ujgurët. Po i njëjti person tha se dy nga objektivat për të cilat trupat amerikane kanë një prani në Afganistan ështe për për të ndaluar iniciativën “Një Brez, Një Rrugë” dhe për të kapërcyer dhe stabilizuar rezervat bërthamore të Pakistanit dhe sipas Wilkerson. “Dhe do të rrimë atje edhe për 50 vitet e ardhshëm nëse është e nevojshme.”

Përse këto sulme “sektoriale” ndaj Kinës?

Synimet e forcave anti-kineze në disa vende perëndimore për të njollosur Kinën dhe për të shtypur industrinë kineze, janë e vetmja mënyrë për të tkurrur rritjen e mëtejshme të Kinës, por qeveria dhe populli kinez po i kundërshtojnë me vendosmëri dhe me këmbëngulje.

Sulmet dhe ballafaqimet frontale nuk mund të bëhen në kohët që jetojmë, dhe kështu vazhdohet me sulme “sektoriale” – kësaj radhe në shënjestër është Xinjiang.

Dobësimi i eksporteve të rajonit të Xinjiang, do tu hapte rrugë të tjera tregtie eksportuesve të tjerë në botë të pambukut (ku vendin e parë e zë ShBA). Kina është prodhuesi i dytë më i madh në botë i pambukut dhe Xinjiang është rajoni më i rëndësishëm i prodhimit të tij, duke zënë gati 90 përqind të prodhimit të pambukut të Kinës. Rritjet e vazhdueshme të prodhimit të pambukut dhe industria e tekstileve në Kinë po bëjnë që balancat tregtare botërore të vazhdojnë të çekuilibrohen në favor të Kinës.

Dr. Marsela Musabelliu