Ditët e fundit nga disa vende Europiane dhe sidomos nga Amerika është ngritur me forcë në perëndim tema e të drejtave të njeriut në Kinë, veçanërisht në provincën Xinjiang me fokus të veçantë disa shkelje që disa vende perëndimore pretendojnë se po ndodhin në fushatën që Pekini ka ndërmarrë për të luftuar ekstremizmin fetar islamik. Ky debat është shtrirë edhe në lëmin ekonomik me disa kompani të fushës së modës dhe veshmbathjeve që kanë dalë hapur me pozicione kundër Kinës duke thënë se nuk do të përdorin pambukun e prodhuar në Xinjiang me pretendimin se vjen nga puna e detyruar, megjithëse pambuku është një nga produktet kryesore të zonës që i jep pune dhe siguron të ardhura për miliona qytetarë të provincës. Kina thekson me forcë se në Xinjiang është duke u luftuar ekstremizmi islamik dhe se pjesa dërrmuese e qytetarëve jeton në paqe dhe harmoni. Zyrtarët lokalë gjithashtu pohojnë se në Xinjiang janë hapur disa qendra të formimit profesional për të aftësuar sa më shumë njerëz për të patur më shumë mundësi punësimi. Statistikat zyrtare gjithashtu pohojnë se popullsia lokale e etnisë ujgure në dekadën e fundit atje është rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe se janë rritur të ardhurat për fryme së bashku me mundësitë për një edukim më të mirë, qasje në shërbime mjekësore cilësore, dhe ulje të papunësisë. Autoritet kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për të pritur gazetarë nga jashtë nëse duan të vizitojnë provincën.

Debati mbi temën mes palëve është aq i ndezur sa Bashkimi Europian ka ndërmarrë disa hapa simbolikë duke vënë sanksione ndaj disa zyrtarëve kinezë. Vendimi i Europës ndjek atë të administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden, së cilës i janë bashkuar vende si Britania e Madhe, Kandaja dhe Australia, dhe pothuajse në sinkron kanë sulmuar Kinën mbi këtë çështje. Megjithëse presidenti Biden ka gjasa që të gjejë më shumë një gjuhë bashkëpunimi me Kinën dhe disa prej retorikave publike sulmuese ndaj Kinës të jenë për konsum të brendshëm, përsëri sulme të tilla vënë në rrezik besimin reciprok mes dy fuqive kryesore politike dhe ekonomike në skenën ndërkombëtare.

Vendet perëndimore historikisht kanë bashkëpunuar me lloj lloj diktaturash në botë dhe me regjime të drejtuara nga figura qartësisht kriminale – një politikë që vazhdon edhe sot. Në raste të tilla çështjet e të drejtave të njeriut dhe shtypja e popujve nga këta drejtues nuk ka qënë dhe nuk është shqetësimi i perëndimit. Për kujtesë vlen të përmendet këtu në veçanti vrasjet e dhjetëra e mijëra të rinjve të ndodhura në Amerikën Latine apo ne Azinë Juglindore dhe Afrikë gjatë Luftës së Ftohtë kur Washingtoni, duke u munduar të parandalonte përhapjen e komunizmit, mbështeste me forcë regjime ushtarake e fashiste të djathta. Sot e njëjta politikë, megjithëse për arsye të tjera, ndiqet me disa vende të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme. E gjithë retorika ndaj të drejtave të njeriut atëherë, sikurse edhe sot me vendet mike të perëndimit, mbahej me ton të ulët ose nuk ngrihet fare. Atëherë përse gjithë kjo zhurmë sot ndaj Kinës?

Sepse Kina nuk është e krahasueshme me asnjë nga vendet e përmendura këtu më lart me të cilët perëndimi ka bashkëpunuar, dhe se me suksesin e saj ekonomik, ajo ka siguruar gëzimin e aq shumë të drejtave nga ana e qytetarëve të saj sa kurrë më parë në historinë e vet. Por modeli i saj i zhvillimit dhe fuqia e saj ekonomike shikohen si një rrezik sistemik për demokracitë perëndimore të cilat vërejnë sesi shekulli i sundimit të perëndimit po perëndon dhe se vendet e reja në zhvillim e sipër po ngrihen dita ditës dhe po zënë rol qëndror në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për më tepër, ndryshe nga shumë vende që kanë përfunduar në orbitën e kontrollit të fuqisë amerikane apo perëndimore, Kina është jashtë këtij kontrolli dhe ka krijuar hapësira autonome zhvillimi dhe ka një sistem politik të brendshëm që i ka rezistuar kohës dhe është treguar solid. Prova e fundit ishte përballimi me sukses i pandemisë së krijuar nga Covid-19. Presidenti Biden u shpreh se nën shikimin e tij nuk ka për të ndodhur që Kina të bëhet një vend më i fuqishëm se SHBA-të. Që në fakt nuk është ndonjë lajm sepse ekonomistët parashikojnë që kjo të ndodhë nga 2028 e tutje, domethënë pas mandatit të parë dhe ndoshta edhe të dytë të presidentit Joe Biden. Por pohimi i presidentit amerikan nxjerr në pah nervozizmin e perëndimit ndaj ngritjes së pandalshme të Kinës dhe suksesit të saj ekonomik. Vizionet e politikave perëndimore janë të kufizuara në kohë dhe të diktuara nga zgjedhjet politike dhe ndryshimet që sjellin në qeverisje. Kina nga ana tjetër, duke mos e patur këtë problem, ka një vizion që i tejkalon dekadat dhe është me shtrirje kohore afatgjatë. Politikanët që sot sulmojnë Kinën këtë çështje e kanë të qartë.

Analiza nga disa shtrihet edhe në aspekte më specifike të natyrës gjeostrategjike sikurse janë rrugët dhe korridoret ekonomike. Pra çështjet e të drejtave të njeriut ngrihen nga vende si Britania apo Amerika në këtë prizëm – atë të minimit të imazhit të Kinës dhe fuqisë së saj. Për shembull një argument është se e gjithë hapësira e detit lindor të Kinës nga veri lindja në brigjet e Japonisë e deri në Malajzi e Tajlandë në Azinë Juglindore, është e rrethuar nga baza ushtarake amerikane ose nga vende që bashkëpunojnë ushtarakisht me Amerikën. Kështu korridori detar ekonomik i Kinës është nën shikimin – e për pasojë potencialisht nën kërcënimin – e armëve amerikane. Në këtë mënyrë iniciativa Një Brez Një Rrugë ka hapur rrugë të reja komunikimi sikurse është korridori Kinë-Pakistan apo lidhja me Europën nëpërmjet korridorit Kinë-Kazakistan që kalon pikërisht përmes provincës së Xinjiangut. Ky korridor e anashkalon rrethin e aleancave dhe bashkëpunimeve të ndërtuar nga Amerika për të përmbajtur Kinën.

Çështja është se Kina është pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e rendit botëror, dhe vende të caktuara do dëshironin që Kina të mbetej një fuqi e mesme ekonomike e ushtarake e kështu të mos vinte në rrezik pozitat e tyre. Por që nga themelimi i Republikës Popullore në vitin 1949 pavarësisht retorikës ideologjike revolucionare gjatë dy dekadave të para të luftës së ftohtë, Pekini zyrtar gjithnjë ka kërkuar dy gjëra sa themelore aq edhe bazike: integrimin dhe kontributin në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në atë rend botëror të ndërtuar nga vetë perëndimorët dhe që përfshin Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe disa agjenci të tjera ndërkombëtare me të të lidhura e që bëjnë të mundur një rrjet multilateral marrëdhëniesh, dhe e dyta pranimin e sistemit të vet politik nga partnerët ndërkombëtarë pa e vënë në diskutim legjitimitetin politik të tij. Në vitet 1970-të u gjet një gjuhë bashkëpunimi mes Pekinit dhe Washingtonit që solli normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke mes dy vendeve. Sot Kina vetë e gjen veten nëm sulm të vazhdueshëm jo aq për çështje si ajo e të drejtave të njeriut, por sepse ngritja e saj në nivelin e një superfuqie botërore për disa do të thotë domosdoshmërisht humbje e privilegjeve të perëndimit. Në këtë pjesë ata janë saktë, sepse nuk ka dyshim se ngritja e Kinës është e pandalshme dhe disa prej këtyre privilegjeve që perëndimi ka pasur nuk do të mund të qëndrojnë për shumë gjatë. Perëndimi asnjëherë nuk ka qënë i interesuar të eksportojë të drejta, përveç atëherë kur këto të drejta sillnin pozita dominimi për të. Sa më parë disa vende në perëndim ta pranojnë dhe të bëjnë paqe me idenë se nuk janë dominatorët e një kohe, aq më shpejt do ta kuptojnë se koha e tyre për t'u diktuar të tjerëve të drejta dhe detyrime ka përfunduar.

Ylber Marku