
Që prej vitit 1648, kur u fimos Traktati i Uestfalisë, sovraniteti i një kombi dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të një shteti u bënë kolonat mbajtëse të së Drejtës Ndërkombëtare. Nocioni perëndimor i shtetit-komb në fakt i ka themelet në të ashtuquajturin Sistemi Uestfalian që u bë baza rregulluese e marrëdhënieve midis shteteve në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tyre. Më tej në histori u aplikua në Ligën e Kombëve dhe u ‘legalizua’ me Statutin e OKB-së. Traktati i Uestfalisë në parim siguron se të gjitha shtetet, pavarësisht diferencave bazuar në territor, fuqi, popullsi. etj., janë barazisht sovrane. Me pak fjalë, një shtet do të vendosë vetë çfarë është më e mira për popullin e tij pa presion të jashtëm!
Sidoqoftë, zbatimi i tij varet tërësisht nga përcaktimi i situatave të ndryshme ndërkombëtare, në përputhje me rrethanat në një moment të caktuar. Në fakt, pjesa tjetër e botës, me ose pa dëshirë, e asimiloi këtë linjë Evropiane të konceptit të shtetit/shteteve dhe marrëdhënieve midis tyre. Por, vetë krijuesit, aplikuesit dhe mbështetësit e këtij sistemi, u bënë të parët që e thyen. Shpesh herë ndërhyrja në çështje të një shteti të caktuar është justifikuar me rrezikun e një lideri ose sistemi, potencialeve të një vendi për konflikt, shkelje e të drejtave të njeriut, etj.
Moralizmat me standarde të ndryshme për shtete të ndryshme, i kanë lejuar vendeve perëndimore që të “legjitimojnë” ndërhyrje flagrante me pasoja katastrofike humanitare në vende zakonisht me zhvillim të ulët ekomomik, fillohet më sanksione dhe përshkallëzohet me konflikte të hapura dhe masive.

Një shembull i dekadave të fundit është ndërhyrja ushtarake në Irak, 20 Mars 2003, me pretendimin e rremë se udhëheqësi i atëhershëm irakian Saddam Hussein kishte “armë të shkatërrimit në masë”, që natyrisht doli të ishte një trillim. Akuzat nuk u provuan dhe armët nuk u gjetën kurrë, por u arrit të zhvendosej me sukses opinioni publik në favor të luftës në shumë vende, përfshirë vende në BE. Që prej atij viti e deri sot, si pasojë e asaj lufte llogariten afro 1 milion irakianë të vrarë.
Në 19 Mars 2011, e njëjta praktikë u përdor në Libi, deri sa Muammar Gaddafi u vra, nuk u ndal askush duke trumbetuar histori terrori. Më vonë u zbulua se u zhvilluan negociata të fshehta që do të kishin parë një tranzicion paqësor të pushtetit në Libi, por nuk ishte mjaftueshëm për Perëndimin.
Mësuar tashmë gjatë me këto praktika ndërhyrjeje, shpesh bëhet e pranueshme se është e udhës dhe e vetmja zgjidhje ndërhyrja për hir të “parimeve”. Po cilat parime? A ka baza parimore Evropa të flasë nga një piedestal moraliteti të cilin e ka ndërtuar vetë dhe për veten? – Për të mos përmendur “karrotat dhe shkopinjtë” një metodë e përdorur nga BE, e karakterizuar nga oferta e shpërblimit dhe kërcënimi i dënimit. Në praktikën e punës së Bashkimit Evropian, sidomos me Ballkanin Perëndimor, Brukseli e përdor shpësh këtë taktikë, por asnjë nga sa më sipër nuk mund të funksionojë me Kinën.
Sanksionet ndaj Kinës

Ndoshta, rënë nën forcën e zakonit të muajit Mars në të kaluarën, këtë vit po në muajin Mars BE, ShBA, Britania dhe Kanadaja fillojnë një “ofensivë” tjetër. I imponojnë sanksione Kinës, ose më thejshtë largojnë 4 qytatarë dhe 1 kompani kineze. Kësaj radhe justifikimi është situata e Uigurëve në Xingjian. Thuhet se ka prova për shkeljen e të drejtave të njeriut, pala kinze refuzon kategorikisht! Si kundërpërgjigje, Kina shpalli të papranueshëm 10 qytetarë (5 anëtarë të Parlamentit Evropian) dhe 4 kompani/institucione.
Kina dënon me forcë sanksionet në lidhje me Xinjiang, tha të martën Ministria e Jashtme kineze, duke shtuar se sanksionet bazohen në gënjeshtra dhe informacione të rreme. Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë akuzoi për ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës, duke përdorur të drejtat e njeriut si një justifikim. Akuzat ndaj Kinës bazohen në skedarë të rremë, fjalë nga burime të paidentifikuara dhe madje edhe shtrembërime të dokumenteve dhe statistikave zyrtare të Kinës; historia dhe faktet kanë treguar që disa vende perëndimore nuk janë të kualifikuar t'u predikojnë të tjerëve për të drejtat e njeriut vazhdoi Hua.
"Ne u bëjmë thirrje të tjerëve të mos nënvlerësojnë vullnetin e vendosur të popullit kinez për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare dhe dinjitetin kombëtar," tha ajo, duke shtuar se ata që e bëjnë "përfundimisht do të paguajnë për arrogancën e tyre".

Nëpërmjet deklaratës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pala kineze i kërkon palës së BE të reflektojë në vetvete, të përballet me ashpërsinë e gabimit të saj dhe ta ndreqë atë...BE duhet t'i japë fund praktikës hipokrite të standardeve të dyfishta dhe të ndalojë së shkuari më tej në rrugën e gabuar. Përndryshe, Kina do të bëjë me vendosmëri reagime të mëtejshme – përfundon deklarata.
Përshkallëzimi vazhdon dhe mund të vazhdojë më tej, dhe në Evropë çuditen me kundërpërgjigjen e Kinës. Problemi qëndron se sensi i epërsisë dhe vetëadmirimit kësaj radhe nuk ndeshet me fuqi mesatare dhe shoqëri të nën-zhvilluara, kësaj radhe po i drejtohen fuqisë së dytë ekonomike në botë.
Përse çuditen Evropianët?
Është ndërtuar një mendim i gjerë perëndimor se Kina mund të “futet në një kuti” dhe të diktohet, të përmbahet nga jashtë (containment policy). Përgjigjja kineze kundër sanksioneve të 22 Marsit shkatërron etosin e kësaj teorie në rrënjë dhe iu tregon aktorëve të tjerë se ku qëndron realisht e vërteta.

Në shumë sfera, Perëndimi beson se mund t'i imponojnë vullnetin e vet Kinës, ta provokojnë atë dhe nga ana tjetër nuk presin fare që të ketë reagim. Në çdo rast, Kina përshkruhet negativisht vetëm e vetëm se përgjigjet. Për shembull, shkruan Tom Fowdy - një analist britanik i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare - kur Kina i përgjigjet retorikës armiqësore, diskursi kinez etiketohet si “Diplomacia Luftëtare e Ujkut”. Kur Kina i përgjigjet sanksioneve portretizohet si “agresori”. Kur Kina hakmerret për arrestimin e Meng Wanzhou e Huawei, i thuhet se po përfshihet në paraburgime arbitrare. Kur Kina i përgjigjet armiqësisë së shfrenuar nga Australia, i thuhet se po përdor forcën ekonomike. Kur Kina i përgjigjet militarizimit në rritje të ShBA përreth periferisë së saj e quajnë ekspansionizëm dhe agresion territorial. Kur Kina iu përgjigjet kufizimeve të vendosura në median e saj, si rasti i medias kineze të larguar nga Londra CGTN, e quajnë minimi i lirisë së shtypit..... shumë klishe dhe etiketa, dhe shumë pak të vërteta.

Kur u nënshkrua marrëveshja e investimeve Kinë-BE (CAI), theksi i madh në Evropë u vendos mbi reciprocitetin. Kërkohej me ngulm për marrëdhenien dypalëshe, hapjen e tregjeve dhe aksioneve. Kur sanksionojnë nuk presin reciprocitet, përgjigjen e quajnë akt agresioni.
Së fundmi, se ku qëndron Kina kundrejt pjesës tjetër të botës e shprehu më së miri Drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme Yang Jiechi drejtuar ShBA, një javë para në Alaskë, ku u shpreh se nuk janë të kualifikuar të “flasin nga pozicioni i forcës” – e njëjta vlen edhe për BE-në. Evropa çuditet se nuk është mësuar të marrë atë që jep përgjatë historisë dhe aktualisht, por në fund të fundit në një konfrontim midis të barabartëve “ç’të mbjëllësh do të korrësh”.
Dr. Marsela Musabelliu







