
Mbledhja më e rëndësishme politike e Kinës u mbyll në 11 Mars, dhe po atë ditë kryeministri Li Keqiang mbajti një konferencë shtypi për të adresuar çështjet madhore dhe sfidat në vazhdim, por mbi të gjitha fokusi ishte mbi ekonominë. Kina po fillon një udhëtim të ri në 2021, pasi kërkon të ndërtojë atë që quhet "një shoqëri socialiste moderne ".
Për Kinën punësimi është themeli i mirëqënies dhe zhvillimit të njerëzve dhe fuqia punëtore mbetet burimi më i bollshëm .Unë besoj se me punën e palodhur të njerëzve tanë, ne do të jemi në gjendje të arrijmë prosperitet të përbashkët me kalimin e kohës - tha z. Li. Qëllimi themelor i zhvillimit të Kinës është t'u japë mundësi kinezëve të bëjnë një jetë më të mirë. Kina do të rritet me mbi 6% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe kjo shifër vjen si pasojë e një analize të thelluar mbi faktorë të brendshëm e të jashtëm, pasi ekziston gjithashtu një pasiguri e madhe në rimëkëmbjen ekonomike globale.
Gjatë muajve të fundit, terma të tillë si "konsumi i brendshëm" dhe "qarkullimi i dyfishtë" janë bërë terma të shumëpërdorur ndër ekonomistë kinezë dhe botërorë. Kur u pyet për të dyja, Li tha se Kina do të zbatojë filozofinë e re të zhvillimit dhe të ecë më shpejt për të nxitur një paradigmë të re zhvillimi me qarkullimin e brendshëm si shtyllë kryesore. Kjo është për të rritur tregun tonë të brendshëm dhe për të hapur Kinën më gjerë në botë – tha ai. Ekonomia kineze është integruar thellë në ekonominë globale. Mbyllja e derës së saj në botë nuk do të çojë askund ndërsa rritja e kërkesës së brendshme në Kinë do të drejtojë zhvillimin e vet dhe do të paraqesë mundësi të shkëlqyera për investime të huaja, produkte dhe shërbime.

Pyetur mbi politikat fiskale, Kryeministri u shpreh se shuma e fondeve fiskale ka rëndësi, por ajo që ka më shumë rëndësi është se si përdoren paratë. Për sa i përket mbështetjes fiskale, parashikohen ulje të mëtejshme të shpenzimeve të qeverisë qendrore. Qeveritë në të gjitha nivelet duhet të jetojnë me një buxhet më të ngushtë dhe rritja e fondeve fiskale të alokuara drejtpërdrejt do të jenë në shërbim dhe në ndihmë të njësive të tregut dhe njerëzve në nevojë. Mbi të gjitha, Li vuri theksin në Planin Pesë-Vjeçar i cili përcakton qëllime afatgjata për zhvillimin social dhe ekonomik të Kinës dhe është barometri kundrejt të cilit matet progresi.
Duke përsëritur "pozicionin kryesor" të inovacionit në marshimin e vendit drejt modernizimit, u vu në pah se Kina do të bëjë mbështetjen strategjike të vetë-mjaftueshmërisë teknologjike për zhvillimin kombëtar. Shpenzimet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit (R&D) do të rriten me më shumë se 7% gjatë pesë viteve të ardhshme.
Kina si “Makinë” modernizimi - Në tetor 2017, Partia Komuniste e Kinës zbuloi një plan me dy faza për të ndërtuar kombin më të populluar në botë në një "vend të madh modern socialist" që është "i begatë, i fortë, demokratik, i përparuar kulturalisht dhe harmonik” deri në mesin i shekullit XXI. Sipas planit, Kina në thelb do të realizojë modernizimin socialist në fazën e parë nga 2020 në 2035. Në këto qasje të saj graduale dhe konkrete për modernizimin, Kina pritet të ndajë vazhdimisht me botën mundësitë e saj të zhvillimit për të nxitur rritjen globale të penguar nga pandemia COVID-19 dhe ndjenjat në rritje të proteksionizmit dhe unilateralizmit. Rritja e të ardhurave dhe nevojat më komplekse të popullit kinez do të transformojë dhe zgjerojë tregje të shumta globale të shoqëruara me standarde të larta jetese - kulturën, arsimin, argëtimin, udhëtimet, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kina ka një popullsi prej 1.4 miliardë dhe një grup me të ardhura të mesme që tejkalon 400 milion. "Bota duhet të përfitojë nga tregu jashtëzakonisht i madh pasi Kina do të rritë përpjekjet e hapjes dhe do të vazhdojë të mbështesë globalizimin ekonomik", shprehet Zhang Shuibo, një këshilltar politik kombëtar dhe profesor në Universitetin Tianjin. Një Kinë më e begatë dhe e fortë jo vetëm që do të çlirojë më tej potencialin e tregut, por gjithashtu do të jetë më e aftë të ndihmojë vendet e tjera dhe të marrë përsipër përgjegjësinë ndërkombëtare. Kina ka një proces shumë të zhvilluar planifikimi: gjithçka verifikohet nga një ide që del nga qeveria, së pari sigurohen, nëse përshtatet me planet afatgjatë nga 5, 15 deri në 50 vjet dhe deri në njësitë më te vogla të punës.
Së fundmi, theksi i fjalëve të Kryeministrit Li ishte mbi punësimin dhe mirëqënien e njerëzve. Nuk kishte theks në tregun e aksioneve ose tregun financiar, ishte e gjitha mbi PBB, vendet e punës dhe njerëzit. Duket qartë se i gjithë fokusi i ekonomisë kineze për të ardhmen është ndërtimi i një ekonomie të substancës, me një rritje të qëndrueshme dhe përmirësim i niveleve të jetesës. Ndërtimi i një klase të mesme, adresimi i çështjeve si kujdesi shëndetësor dhe bërja e tij në një mënyrë shumë të qëndrueshme. Qeveria kineze në vitin 2020 ishte shumë më e kujdesshme në lidhje me stimulin fiskal dhe monetar kështu që nuk ka asnjë pritje që Kina të përballet me një lloj paqëndrueshmërie financiare dhe krize që ka të ngjarë ta shohim në pjesën tjetër të botës
Li i referohet shumë specifikisht, lehtësimit jo sasior, që do të thotë se me këtë Kina po ndjek një qasje ndaj politikave të saj monetare dhe fiskale shumë ndryshe nga SHBA dhe BE. Modeli perëndimor, sidomos pas krizës financiare të vitit 2008 ka qenë blerja e borxhit të tyre dhe më tej emetimi i likuiditeteve ndaj borxhit, e si përfundim rihedhja e atyre parave sërish në tregun e kapitalit, që është jo vetëm një bumerang ekonomik por një labirint financiar i pafund. Sa më sipër ndikuan drejtpërdrejtë në krijimin e një elite ultra të pasur, ku një përqind e popullsisë po kontrollon 90 përqind të aseteve, me pak fjalë ajo që ka bërë kjo në thelb është shkatërrimi i shtresës së mesme të një vendi, që si rrjedhojë i dha terren populizmit, protestave etj.

Nga ana tjetër mesazhi nga Kryeministri Li ishte se Kina do të ndërtojë një shtresë të mesme dhe do të vazhdojë ti japë prioritet, mobilitet social nga shtresa në shtresë. Mesazhi i Kinës është i qartë, nuk do të lejohet krijimi i një ekonomie artificiale, sepse në fund të fundit bursa nuk është ekonomia, ekonomia janë njerëzit, tregtia dhe shërbimet.
Dr. Marsela Musabelliu







