Zyrtarë të lartë të Kinës takohen sot në Alaskë, takimi i parë i këtij niveli që kur në SHBA filloi era Biden. Me të drejtë vëmendja është përqëndruar aty, pasi raporti midis dy vendeve më të mëdha të botës, është me ndikim në të gjithë atmosferën politike dhe ekonomike globale. Kina në mënyrë koherente ka përsëritur kohët e fundit ftesën për bashkëpunim të hapur me SHBA, për të tejkaluar periudhën e vështirë të komunikimit midis dy vendeve në periudhën Trump. Mosmarrëveshjet midis dy palëve janë konsideruar nga sekretari i ri i shtetit, Antony Blinken si të “thella”, por diplomatët e dy palëve kanë dërguar sinjale pozitive për zhvillimin e dialogut. Pas një bisede telefonike të zhvilluar përpara disa javësh, Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai amerikan Joe Biden janë dakordësuar për të mbajtur të hapur kanalet e komunikimit, gjë që tregon se vullneti i palëve ekziston.

Kryeministri kinez Li Keqiang është shprehur në konferencën e shtypit të mbajtur pas përfundimit të Legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore se Kina dhe SHBA ndajnë interesa të përbashkëta dhe mund të zhvillojnë bashkëpunim në shumë fusha. Është një linjë koherente e theksuar kohët e fundit për t’i ridimensionuar marëdhëniet midis Kinës dhe SHBA, për t’i dhënë atyre një tjetër drejtim. Mjaft i zëshëm në artikulimin e një kthese në këtë marëdhënie ka qënë jo vetëm ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, por edhe ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara, Cui Tiankai, duke theksuar: “Ka një mijë arësye pse duhet të përmirësohen marëdhëniet Kina-SHBA dhe asnjë pse nuk duhet të përmirësohen”.

Marrëdhëniet Kinë-SHBA

Marrëdhëniet Kinë-SHBA

Takimi i Alaskës zhvillohet në sfondin e një marëdhënieje që i ngjet shumë Luftës së Ftohtë. Vitet e fundit përplasjet, veçanërisht për tregtine ishin mjaft të ashpra, të shoqëruara me masa drastike, të cilat në fakt kanë sjellë një faturë ekonomike të lartë. Po bëhen dy muaj që kur administrata Biden është instaluar në Shtëpinë e Bardhë dhe sinjalet e një afrimi të mundshëm ngjajnë mjaft të largëta.

Kina në rritjen e vet ekonomike, synimet e saj i ka të qarta : Fuqizim i saj, por edhe bashkëpunim i hapur pa ndërhyrë në çështjet e brendshme të secilit vend. Është e qartë që Kina do të ketë ekonominë më të madhe deri në fund të viteve 2030, dhe padyshim që një varg sfidash janë përpara. Zhvillimi i tregtisë globale, komunikimi politik dhe siguria në rajonin e Azi- Paqësorit kanë marrë në këtë kohë një vëmendje të madhe. Kina pavarësisht reagimeve jopropocionale të ndërmarra ndaj saj, ka zhvilluar ndjeshëm teknologjine, hapësirën kibernetike, i ka dhënë një impuls të fuqishëm marrëveshjes për klimën dhe këmbëngul për respektim rigoroz të marrëveshjes së çarmatimit bërthamor me Iranin. Konkurenca me Kinën duke aplikuar edhe masa drastike, apo bashkëpunimi me të mbeten dy rrugët në të cilat SHBA do projektojnë raportin me shtetin më të madh të botës. Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ishte ithtar i rrugës së parë, por pasojat nuk ishin të lehta për ekonominë e Shteteve te Bashkuara.

Zgjidhja përmes aleancash të ndryshme kundër Kinës, me gjasa nuk duket shumë efektive dhe e arsyeshme. Kina duke patur një fuqi ekonomike në rritje është bërë një portë e mundësi shumë atraktive jo vetëm për Rusinë, me të cilën bashkëpunimi është forcuar, por edhe me BE-në. Me 1 mars hyri ne fuqi marrëveshja e treguesve gjeografikë midis Kinës dhe BE-së, e cila ka një konotacion historik për të dy palët, sidomos në shtimin e bashkëpunimit ekonomik, në mbrojtjen e të drejtave të njohurisë intelektuale, por edhe në nxitien e tregtisë shumëpalëshe. Sigurisht që kjo marrëveshje, nënshkrimi i së cilës zgjati një dekadë ka patur pengesa të mëdha, por u gjetën koridoret dhe nuk u ndërtuan mure që të pengonin në mënyrë të prerë mundësitë e bashkëpunimit. Fuqizimi i kësaj marrëveshjeje është sigurisht në të mirë të Kinës dhe BE-së, por ka një ndikim të dukshëm pozitiv në konsolidimin e sistemit ndërkombëtar për tregëtinë shumëpalëshe.

Sekretari amerikan i shtetit Blinken

Sekretari amerikan i shtetit Blinken

SHBA, që ka një aleancë të dëshmuar me BE-në, ka rudhur buzët ndaj kësaj marrëveshjeje, pasi mundësitë e një aleance perëndimore ndaj Kinës nuk ngjajnë shumë të dakordësuara.

Përpjekjet për ta sulmuar Kinën, duke paraqitur si argument sistemin, nuk kanë dhënë rezultatin që pritej. Demokracia liberale dhe Socializmi me karakteristike kineze janë ndeshur deri në ashpërsi. Kinezët janë të qetë në rrugëtimin e tyre, pasi mirëqënia dhe zhdukja e varfërisë, sfida së fundi e pandemisë dhe rritja ekonomike vitin e kaluar, kur të gjitha ekonomitë më të mëdha të botës treguan rënie, tregon se standardet e jetesës rriten edhe në sisteme të tjera dhe ka nevojë për diversitet në një botë civilizimësh e kulturash të ndryshme. Ajo që parashihte Biden përpara ardhjes në pushtet në ndërtimin e “ Një fronti të bashkuar me miq e partnerë” për të frenuar Kinën, ngjan gjithnjë e më e vështire. Jo vetëm marrëveshja me BE-në, ajo e RCEP, kontaktet intensive me Gjermaninë, Francën dhe Italinë dhe rritja e shkëmbimeve tregtare, e pasuar kohët e fundit me intensifikimin e mbështetjes me vaksina jo vetëm ndaj vendeve të varfëra , por edhe ndaj shumë shteteve të BE-së, rrisin hezitimet për një front të tillë.

Arroganca për të imponuar sa vjen e dobësohet, aq më tepër ndaj fuqive të mëdha globale, kësisoj kërkesa për të gjetur sa më shumë rrugë bashkëpunimi, shtrohet si një imperativ i kohës. Takimi i Alaskës vjen në momentin e duhur. Marëdhënia midis Kinës dhe SHBA nuk sjell asnjë dobi nëse e nxeh edhe më shumë temperaturën, e cila pësoi një rritje të ndjeshme ditët e fundit kur administrata e Trump po largohej nga pushteti. Një sërë vendimesh që përshkallëzonin marëdhëniet kritike midis dy vendeve, u ndërmorrën në muajt nëntor e dhjetor, periudhë në të cilën Kina po afishonte para gjithë botës aftësitë dhe fuqinë e saj për mposhtjen e pandemisë e tejkalimin e krizës ekonomike.

Ekuilibri i marëdhënieve midis dy të mëdhenjve gjithnjë ka qënë shumë i rëndësishëm e përcaktues në zhvillimet e rrjedhave globale, por në këtë moment merr një vlerë të shtuar. Kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia dhe sfida e vaksinës zgjidhen përmes bashkëpunimesh të rakorduara mirë dhe larg tensioneve të panevojshme.

Reagimi i tepruar i muajve nëntor-dhjetor i vitit të kaluar është i nevojshëm të anashkalohet përmes një qasjeje të menduar nga ana diplomatike. Rritja e fuqisë ekonomike të Kinës nuk ka nevojë as të keqkuptohet, as të keqinterpretohet, por të shihet si një mundësi potenciale me efekte pozitive globale. Konkurenca e “ashpër” sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, nuk ka pse merr nota konflikti. Konkurenca është një pistë ku mund të zhvillohen përmes rregullash e marëdhëniesh të gjithëpranuara, të dy palët. SHBA duket se janë të kompleksuara nga zhvillimi i Kinës, gjë që i ka bërë të ndërmarrin masa që kanë dëmtuar ekonomitë e të dy vendeve, por sipas bilanceve më shumë është dëmtuar ekonomia e SHBA-së, që vetëm nga komunikimi i munguar tregtar ka humbur jo më pak se 250.000 vende pune.

Ndërmarrjet amerikane që kanë si destinacion investimi tregun kinez nuk i kanë mirëpritur zhvillimet e tensionet e periudhës së fundit. Në një raport të publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ka një parashikim të zymtë nëse SHBA do të pakësonte gjysmën e investimeve të drejtëpërdrejta në Kinë. Humbja e tyre do të ishte më shumë se 25 miliardë dollarë, ndërsa PBB -ja rreth 500 miliardë dollarë . Sigurisht që edhe Kina ka pësuar dëmtime në ekonominë e saj nga fërkimet e kësaj periudhe. Bilanci rëndon mbi të dy ekonomitë, por më i dukshëm sipas shifrave ai qëndron në SHBA. Bilanci mund të rëndohet nëse do të shkohet drejt një klime të ashpër marëdhëniesh e moskuptimesh. Arroganca, por edhe frika e tepruar, ka bërë që nga SHBA të ndërmerren sanksione e masa që i kanë radikalizuar raportet. Ndryshimet në historinë e të dy vendeve, në kulturë, në fazën e zhvillimit dhe sistemin shoqëror kanë sjellë në vijimësi mospajtime të shumta, por kur vullneti pozitiv ka ekzistuar, janë gjetur shtigjet e tejkalimit.

Kryeministri kinez Li Keqiang

Kryeministri kinez Li Keqiang

Është e rëndësishme të vlerësohet si bazë për t’i trajtuar me frymë mirëkuptuese dallimet ajo që tha në konferencën e shtypit pas mbylljes së sesionit të katërt të Legjislaturës së 13-të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, kryeministri Li Keqiang se “të dy palët do të zhvillojnë dialog, edhe nëse nuk arrijnë njëzëshmëri, dy palët mund të shkëmbjenë mendimet për të rritur besimin e ndërsjellë”. Këto do të jenë në favor të kontrollimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve” .

Alaska sot përbën një pedanë nga ku mund të zhvillohet e të ketë një frymë të re marëdhëniesh e komunikimi. Të shpresojmë !

Gëzim Podgorica