
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i jashtëm Kinez Wang Yi ka mbajtur një konferencë shtypi gjatë mbledhjes vjetore të Dy Sesioneve, pra gjatë mbledhjes së Kongresit të Popullit dhe punimeve të Konferencës Kombëtare Politike Konsultative. Në një stil të lirshëm dhe pa shumë dorashka, ministri i jashtëm ju përgjigj pyetjeve të shumta mbi qëndrimin e Kinës kundrejt ngjarjeve shqetësuese në botë, politikës së jashtme kineze, dhe gjithashtu ju përgjigj edhe disa pyetjeve mbi disa akuza në lidhje me të drejtat e njeriut të ardhura nga disa vende Europiane dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Një nga temat mbi të cilën ai u pyet ishte ajo që në shumë vende përceptohet si diplomaci e vaksinave. Për ministrin e jashtëm, Kina po vë në dispozicion të shumë vendeve vaksinat e saja sepse ato janë pjesërisht të disponueshme dhe sepse Kina kërkon të ndihmojë në kapërcimin e një situatë të vështirë shëndetësore me përmasa globale. Kjo ndihmë nga shumë qarqe përshkruhet si një diplomaci vaksinash, duke nënkuptuar se Kina nesër do kërkojë favore në këmbim të kësaj ndihme sot. Por një tjetër perspektivë më realiste për ta parë këtë situatë është fakti se Kina ka interes të madh ekonomik në kapërcimin e emergjencës dhe në rinisjen e jetës normale ekonomike në të gjithë botën. Sa më shpejt ekonomia e shumë vendeve me të cilat Kina ka shkëmbime të mëdha ekonomike, me Europën së pari, të rimëkëmbet, aq më solide do jetë edhe prodhimtaria e ekonomisë kineze, megjithëse Kina ka përgatitur edhe përforcimin e tregut të brendshëm pikërisht për ti bërë ballë rënies së shkëmbimeve ekonomike në shkallë ndërkombëtare. Megjithatë, duket se ndihma e Kinës për kapërcimin e emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19 është një ndihmë e sinqertë dhe bashkëpunimi i Kinës në këtë fushë është i shtrirë në shumë vende. Pa përmendur vendet e Afrikës dhe të Azisë, edhe në Europë së fundmi shumë shtete anëtare të Bashkimit Europian, dhe disa vende të Ballkanit kanë marrë doza të konsiderueshme të vaksinës kineze. Hungaria, Serbia, e Mali i Zi janë vetëm disa prej tyre.

Duke folur mbi një perspektive më të gjerë të politikës së jashtme kineze. Ministri Wang Yi, u ndal edhe në marrëdhëniet e Kinës me Bashkimin Europian. Është interesant fakti se Kina e mbështet integrimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, dhe hedh poshtë disa zëra në BE që e përshkruajnë Kinën si një rivale sistemike, megjithëse po në të njëjtin dokument ku Kina përshkruhet si rivale autoritetet e Brukselit shprehen se ka shumë hapësirë për bashkëpunim. Pikërisht këtu u ndal ministri i jashtëm, duke thënë se fushat e bashkëpunimit mes Kinës dhe Bashkimit Europian janë të shumta. Në fakt ka Kohë që Kina shikon me interes qasjen e ndryshme të Brukselit ndaj Kinës në krahasim me Washingtonin, politikat e të cilit ndaj Kinës janë bërë më të paparashikueshme, e për pasojë edhe më të rrezikshme nga perspektiva kineze. Për këtë arsye, mes të tjerash, ministri kinez u shpreh se Kina pret nga Bashkimi Europian një rol më të madh si një aktor global.
Një nga ato hapësira ku ka shumë interes për bashkëpunim të përbashkët janë ato ekonomike, dhe sidomos ato të lidhura me kooperimin ndërkombëtar për ti bërë ballë ndryshimeve klimatike. Me qasjen e Kinës ndaj këtyre çështjeve duke ndërmarrë reforma radikale që shtyjnë drejt një ekonomie sa më të gjelbër në një kohë sa më të shkurtër, në këtë fushë Kina është bërë gati një aleate e Bashkimit Europian. Për më tepër, vitin e kaluar Kina u bë partneri i parë tregtar i Bashkimit Europian, duke ja kaluar edhe Shteteve të Bashkuara. Edhe iniciativa Një Brez Një Rrugë nga perspektiva e Pekinit është në fakt një platformë e fuqishme që rrit edhe më tej mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe atyre vendeve të Bashkimit Europian që i janë bashkuar kësaj iniciative. Ministri Wang u shpreh se Kina do të vazhdojë projektet e kësaj iniciative pavarësisht goditjes së marrë nga pandemia. Së fundmi Kina dhe Bashkimi Europian kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme në fushën e investimeve, për të cilën ministri kinez u shpreh se Kina do ti përmbahet pjesës së vet të detyrimeve, dhe se pret të njëjtën gjë nga Bashkimi Europian. Pikat e takimit mes Kinës dhe BE-së janë edhe vendosja e paqes në Lindjen e Mesme, reformat në Organizatën Botërore të Tregtisë, apo çështje të tjera në interes të përbashkët.

Në përgjithësi në politikën e saj të jashtme, ministri Wang nënvizoi se Kina kërkon të jetë një lojtare e përgjegjshme, një mbrojtëse e rendit botëror që bazohet në qasjen multilaterale në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe gjithashtu një mbrojtëse e globalizimit, që shihet si një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në shkallë globale.
Por Kina ka edhe disa vija të kuqe në politikën e jashtme, të cilat ministri kinez i përsëriti gjatë punimeve të Dy Sesioneve në Pekin. Ndërhyrja në çështjet që kanë të bëjnë më qeverisjen e Hong Kongut, apo ato në lidhje me zërat për pavarësi të Tajvanit, janë vija të kuqe të pakapërcyeshme për Pekinin sepse shikohen si ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kinës, dhe çështje që cekin sigurinë kombëtare të vendit.
Në një plan më të gjerë, ajo çka vihet re në fjalën e ministrit të jashtëm kinez, është se Kina dëshiron të ndërtojë një partneritet të fuqishëm e solid me Bashkimin Europian, dhe kërkon që së bashku të jenë aktorë globalë lider në përballimin e disa sfidave specifike me të cilat bota po përballet. Është e qartë se Kina e shikon Europën me një sy ndryshe nga sa shikon Washingtonin, por është më pak e qartë se sa Brukseli do jetë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë me Kinën. Në shumë fusha Bashkimi Europian është treguar shumë më e gatshme se Shtetet e Bashkuara për të bashkëpunuar me Kinën, por në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian ka probleme të shumta përsa i përket ndërtimit të një politike koherente në shkallë ndërkombëtare për shkak të interesave dhe axhendave të ndryshme të shteteve anëtare. Sa më shpejt Bashkimi Europian të jetë në gjendje të shprehet me një zë të vetëm, aq më e lehtë është gjetja e një gjuhë të përbashkët mes Pekinit dhe Brukselit në zgjidhjen e disa prej problemeve më të mprehta që shqetësojnë njerëzimin, si ai i ndryshimeve klimatike, emergjencave shëndetësore, sigurisë ushqimore, apo i ndihmës për zhdukjen e varfërisë në vendet në zhvillim.
Ylber Marku







