
Gjatë punimeve të sesionit të Kongresit të Popullit që po mbahet në Pekin këto ditë, dhe Konferencës Politike Konsultative Kombëtare (të dyja së bashku të njohura si Dy Sesionet) udhëheqësit më të lartë të vendit po marrin pjesë dhe po shpalosin planet dhe direktivat ekonomike e politike për zhvillimin e vendit ne vitet në vazhdim.
Kryeministri Li Keqiang ka paraqitur raportin e qeverise për zhvillimin e gjithanshëm të vendit gjatë këtij viti, por edhe planin e 14-të pesëvjeçar për 5 vitet e ardhshme. Raporti së pari nënvizoi disa nga karakteristikat e ecurisë ekonomike e sociale gjatë vitit 2020 dhe arritjet e vendit në lëmin ekonomik e social. Kështu, edhe pse në një ambient kombëtar e ndërkombëtar të vështirë si për zhvillimin e brendshëm ekonomik, ashtu edhe për tregtinë botërore, të shkaktuar nga pandemia Covid-19, në vitin 2020 Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që kishte rritje ekonomike. Raporti reflekton faktin se Kina mundi të mobilizonte burime të jashtëzakonshme njerëzore dhe financiare për të përballuar me sukses dëmet e shkaktuara nga vala pandemike që pati goditur vendin në fillim të vitit 2020. Megjithëse sot shumë vende janë akoma nën sundimin e pandemisë, Kina ja doli që në një kohë të shkurtër dhe me një mobilizim të gjerë të të gjithë shoqërisë, arriti jo vetëm të vinte nën kontroll situatën alarmante shëndetësore të krijuar fillimisht, por edhe të arrinte disa nga objektivat e planifikuar qysh para krizës së pandemisë, siç ishte suksesi në zhdukjen e varfërisë absolute.

Nëse gjatë vitit të kaluar ekonomia kineze pati një rritje ekonomike modeste, dhe gjithsesi jo me shifrat që bota tashmë ishte mësuar të shikonte, situata pritet të ndryshojë këtë vit. Pandemia është vënë komplet nën kontroll dhe ekonomia është përsëri në marshim. Për pasojë kryeministri i vendit raportoi se qeveria pret një rritje prej më shumë se 6 për qind. Kështu vetëm gjatë vitit 2021 parashikohet krijimi i të paktën 11 milionë vendeve të reja të punës, dhe papunësia do të jetë poshtë 5,5 për qind, dhe inflacioni po ashtu do vazhdojë të mbahet nën kontroll. Analistë të ndryshëm ekonomikë shprehen se ky është një vit tranzicioni për ekonominë kineze për shkak te vështirësive të krijuara vitin e kaluar nga pandemia. Por shumë analistë shprehen gjithashtu se rritja ekonomike e parashikuar në raportin e kryeministrit Li Keqiang është në fakt modeste dhe se në realitet do të jetë edhe më e madhe. Në fakt gjasat janë që ekonomia e vendit të rritet edhe më shumë se 8 për qind – të paktën ky është parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Nga raporti i kryeministrit Li mund të shihet se jo vetëm rritja numerike është e konsiderueshme, por më e rëndësishmja është fakti se si ekonomia kineze ka hyrë në një cikël zhvillimi që ka prioritet rritjen cilësore të bazuar mbi investimet në teknologjitë e reja me një rritje të investimeve në këtë fushë prej më shumë se 7 për qind, dhe rivitalizimin rural për konsolidimin e rezultateve të çrrënjosjes së varfërisë – një arritje kjo e vitit 2020. Gjithashtu, Kina do të vazhdojë ti kushtojë rëndësi të madhe edhe investimeve ne fusha si kërkimet hapësinore, dhe zhvillimi i 5G-së. E gjitha kjo nën ombrellën e modelit të ri të zhvillimit me dy qarkullime (dual circulation), që do të thotë se do të ketë një fokus në rritje drejt krijimit të një tregu të brendshëm të konsoliduar nga soliditeti i rritjes cilësore që e bën të mundur rritjen e konsumit të brendshëm, dhe në të njëjtën kohë zgjerimi i shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike me botën. Ndërkohë, duke takuar këshilltarët politikë kombëtar nga sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit, presidenti kinez Xi Jinping vuri theksin në nevojën e dhënies së një prioriteti strategjik ndërtimit të një sistemi shëndetësor dhe arsimor cilësor.

Megjithëse kjo mbledhje vjetore e legjislativit Kinez është një ngjarje e madhe kombëtare e politikës së brendshme kineze, ajo ka marrë vitet e fundit vëmendje të shtuar në arenën ndërkombëtare për shkak se disa prej vendimeve të marra në Kinë, sidomos ato me karakter ekonomik, kanë rezonancë edhe në zhvillimet ekonomike e sociale të vendeve me të cilat Kina ka lidhje të forta ekonomike e industriale. Në këtë aspekt, vëmendje të veçantë këtij sesioni i kushtohet sidomos në Europë, e cila shikon me shumë kujdes zhvillimet në Kinë. Kjo sepse Kina është partneri i parë tregtari i Bashkimit Europian duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin që kaloi me një volum shkëmbimesh më shumë se 700 miliardë dollarë. Shifrat e rritjes ekonomike të Kinës janë një lajm i mirë sidomos për bizneset evropiane që tregtojnë me Kinën, por edhe për shkak se Bashkimi Europian dhe Kina së fundmi nënshkruan Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Investimeve. Kështu rritja ekonomike kineze do të tërheqë pas vetes dhe të shtyjë në binaret e rritjes sektorë të rëndësishëm të ekonomisë europiane. Dhe në fakt po gjatë këtyre punimeve erdhi lajmi se në dy muajt e parë të vitit 2021 shkëmbimet tregtare të Kinës (eksportet dhe importet) u rritën me 41 për qind duke kapur shifrën e 834 miliardë dollarësh amerikanë.

Gjatë këtij sesioni autoritetet kineze kanë shprehur edhe një herë angazhimin e tyre për të vazhduar investimet në kuadrin e iniciativës Një Brez Një Rrugë, e cila shihet si një mundësi për ti dhënë shtysë rekuperimit ekonomik global pas pandemik. Në këtë pikë ministri i jashtëm Wang Yi u shpreh se shikon tashmë dritë në fund të tunelit, dhe se Kina do të jetë e angazhuar për të ndihmuar vendet në nevojë në luftën kundër pandemisë. Ndihma më e madhe mesa duket do të jetë pikërisht zhvillimi i mëtejshëm i tregut të brendshëm dhe zgjerimi i tregtisë me botën në një klimë kooperimi me përfitime të ndërsjella. Shpesh dëgjohet të thuhet se bota nuk do të jetë më e njëjta pas mundjes së virusit covid-19. Kina projekton tashmë qysh tani ndryshimet pas pandemike.
Ylber Marku








