
Zëvëndësdrejtori i Byrosë Rajonale të Programit të zhvillimit të OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, Lenni Montiel, i impresionuar nga arritja e Kinës në zbutjen e varfërisë dhe realizimi i objektivave që vite më parë konsideroheshin një ëndërr e largët, theksoi me optimizëm se : “Kina ka bërë përpjekjen më domethënëse dhe thelbësore për uljen e varfërisë në të gjithë historinë e planetit, duke krijuar një kontribut themelor në zbutjen globale të varfërisë”
Është ky njeri nga vlerësimet e shumta që janë potencuar veçanërisht kohët e fundit, kur Presidenti Xi Jinping kumtoi solemnisht arritjen më të madhe në historinë e re të Kinës: Atë të zhdukjes së varfërisë absolute në shtetin më të madh të botës.
40 e ca vjet më parë, kur filloi implementimi i Reformës së hapjes së Kinës dhe ritmet e zhvillimit morën një përmasë krejt të ndryshme nga ai që shoqëronte Kinën për disa dekada, objektivi për zbutjen e varfërisë ishte ai ku u drejtua investimi dhe angazhimi serioz dhe i gjithanshëm. Politika e Reformës së Hapjes në katër dekadat e fundit e përfshiu Kinën në procesin e globalizimit në mënyrë praktike, duke e kthyer edhe në një metodë efektive të daljes së vendit nga varfëria. Nuk ka qënë një process i lehtë, aq më shumë që kërkohej të evuloheshin një sërë konceptesh dhe praktikash, që më parë konsideroheshin tabu. Lejimi i investimeve të huaja, zhvillimi i kapitaleve, inkurajimi i tregtisë ndërkombëtare, krijimi i hapësirave ligjore për pronësinë intelektuale dhe kapacitetet e pavarura të brendshme, ishin disa pista që ndihmuan në një suport të fuqishëm zhvillimor të ekonomisë.

Sigurisht që brenda Kinës sot ka entusiazëm dhe krenari legjitime për këtë objektiv madhor të arritur, por edhe jashtë saj nuk mungon nga vendet dashamirëse vlerësimi për këtë sukses, impakti i të cilit është global, por edhe një përvojë për botën që të shpejtojë ritmet e të intensifikojë strategjitë në këtë drejtim shumë humanitar, por edhe të domosdoshëm për një zhvillim të balancuar. Vendet e ndryshme që kanë problematikë të ngjashme me Kinën në këtë drejtim mund të përvetësojnë në dinamikë pozitive drejtime të tilla si: saktësia e përpjekjeve të politikave, sistemet kombëtare të informacionit dhe përpjekjet e synuara.
770 milionë banorë të fshatit janë ngritur mbi kufirin aktual të varfërisë, gjë që shënon jo vetëm një shifër impresionuese dhe me efekte të jashtëzakonëshme për vendin më të madh në botë, por siç pohojnë analistë të ndryshëm dhe siç tregojnë të dhënat e shifrave që lidhen me këtë problem, është një kontribut prej 70 % në zvogëlimin e varfërisë globale për periudhën të cilës i referohemi. Jo rastësisht deklarata e Montiel përshëndet këtë arritje të Kinës, por edhe evidenton një përvojë ndaj së cilës referohen sot liderë dhe drejtues të shteteve dhe organizatave serioze ndërkombëtare.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së (FAO), Qu Dongyu (Qy Dongy) me një entusiazëm të legjitimuar u shpreh pas lajmit të shumëpritur se “Mrekullia e pakësimit të varfërisë është krijuar nga populli kinez. Ajo ka përmasa më të mëdha dhe ka favorizuar numrin më të madh të njerëzve, ka dhënë kontribut të madh në pakësimin e varfërisë në mbarë botën dhe ka sjellë frymëzim të rëndësishëm, duke krijuar një shembull për shumicën e vendeve në zhvillim”.
I nxitur nga ky realitet pozitiv me të drejtë Dongyu, e shikon bashkëpunimin me Kinën si rrugën më efikase për të realizuar me përpjekje të përbashkëta objektivat e OKB-së për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030. Ajo që mendohej se ishte utopi disa vite më parë është realitet, por që ka kaluar kufijtë e Kinës. Pasi rezonanca e suksesit është globale. Ndërkohë që në njërin front punohej e luftohej për të zhdukur varfërinë brenda vendit, Kina ofronte ndihma e programe zhvillimi për rajone dhe vende të tjera të varfëra të botës. 159 programe trainimi me mbi 4000 zyrtarë të 130 vendeve të botës kanë marrë përvojën e çmuar kineze të luftës kundër varfërisë. Ky është vetëm një drejtim, pasi edhe Nisma “Një brez, një rrugë” me një impakt të ndjeshëm global ka përfshirë në programet e saj 76 milionë banorë të vendeve të varfëra të dalin nga varfëria ekstreme.
Përvoja kineze në kultvimin e bimëve të ndryshme bujqësore, të cilat përbëjnë bazën ekonomike në fshat, ka qënë një mundësi e vlefshme për bujqit e varfër të Tanzanisë, Madagaskarit, Guinesë së Re Papua, Laosit, Kamboxhias e të tjerë për të rritur prodhimin dhe eksperimentuar teknika dhe farëra që kanë realizuar një hop cilësor. 166 vende e organizata ndërkombëtare kanë marrë për një periudhë prej 6 dekadash një ndihmë nga Kina që llogaritet në më shumë se 60 miliardë dollarë. Por ka edhe një ndihmë tjetër, e cila vërtet nuk ka shifra, por që është e përmasave surprizuese, pasi Kina ka anuluar 7 herë borxhet e vendeve të varfëra ndaj saj, gjë që rrëzon në mënyrë të dokumentuar spekulimet se projektet e Nismave kineze krijojnë varësi ekonomike. E kundërta është e vërtetë, ato projekte kanë mundësuar frymëmarrje ekonomike dhe i kanë dhënë oksigjen vendeve të varfëra.
Shteti që nxit në mënyrë konstruktive bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe inkurajon në forma efektive ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, do të vijë duke e rritur gjithnjë e më tepër rolin e vet në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe më të drejtë Kina ndjehet me integritet të afirmuar e me kredenciale të larta në këtë rol.

Shumë elementë që kanë marrë sot vëmendje ndërkombëtare po studiohen me hollësi, si një përvojë e vyer në të cilën duhet ecur e përfituar nga ky sukses i arritur. Udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës me një këmbëngulje të posaçme ka fokusuar platformën e saj të punës drejt këtij objektivi, duke e vendosur popullin në qendër dhe duke demonstruar efektet mbështetëse të sistemit socialist. E gjitha kjo ka marrë e po merr vëmendje të veçantë të botës për të deshifruar kodin e kësaj përvoje. Mrekullia e zbutjes së varfërisë, aq më shumë për një kohë rekord duke patur parasysh numrin e madh të popullsisë, është një hapsire e re studimi e përvoje në këtë luftë e përpjekje globale.
Më të drejtë Presidenti Xi me rastin e fitores së luftës kundër varfërisë nënvizoi se : “Me arritje të tilla, Kina ka krijuar një tjetër “mrekulli” që do të hyjë në histori”. Ka qënë një punë kolosale, përmes një vizioni të përcaktuar qartë dhe një strategjie të mirëmenduar një arritje e tillë, por edhe përmes një investimi shumëplanësh. Vetëm gjatë tetë viteve të fundit janë investuar mbi 246 miliardë dollar fonde fiskale për zbutjen e varfërisë. Sigurisht që këto investime janë produkt i një ekonomie të stabilizuar e me tregues në rritje, pasi siç e dimë, performanca e ekonomisë së Kinës në dy dekadat e fundit ka qënë me një trend rritës, shpesh herë edhe dy shifror përsa i takon rritjes ekonomike.
Kam vizituar disa herë Kinën dhe gjithnjë kam gjetur një transformim impresionues. Ajo që thonë shifrat shpesh herë të ngurta bëhet e prekshme kur realitetin e takon nga afër. Vite më parë, ndërsa vizitoja një fshat shumë të varfër në Gansu, disa kilometra më tutje ndërtohej nga themelet një qytet i ri, me te gjithë infrastrukturën moderne të nevojshme, ku banorë të fshatrave të varfra do të vinin të jetonin aty. Në kushte shumë të mira, të një pune në fabrikë ose artizanale, por që u siguronte një jetesë normale e me integritet.

Arsimi i detyrueshëm 9 vjeçar për fëmijët e familjeve të varfëra, sigurimi dhe përballimi i realizimit të nevojave themelore mjekësore dhe garancia e ushqimit dhe veshmbathjes ishin parë si parësore dhe bënë të mundur jo vetëm në fshatrat e varfër të Gansusë, por në të gjithë Kinën, të plotësohen për të gjithë ata që vlerësoheshin si pjesë e popullsisë së varfër.
Ulja varfërisë, sidomos në vitet e fundit, pasi ritmet ishin shumë të larta, më shumë se 10 milionë në vit që nxirreshin nga situata e rëndë ekonomike e sociale, u bë e mundur edhe në sajë të një fokusimi shumë të drejtpërdrejtë tek ky fenomen dhe vendosja e këtij objektivi në një vend të veçantë në politikat qeverisëse. Ka patur një harmonizim dhe organizim për angazhim total në të gjitha nivelet qeverisëse, nga ato qëndrore deri tek niveli lokal në bazë fshati. Më shumë se 255000 ekipe u dërguan në terren si dhe mbi 3 milionë zyrtarë shkuan në fshatra të ndryshëm, për të ndjekur gjithë këtë operacion gjigant transformimi rrënjësor. Nuk ishte kjo vetëm një çështje fondesh, kërkohej edhe angazhim njerëzor për të realizuar objektivin e vënë.
Shifra surprizuese mund të sjellim disa, por ka rëndësi të nënvizohet fakti se Reforma e Hapjes, iniciuar 40 e ca vite më parë garantoi suksesin, mbështetur mbi një platformë qeverisëse që vuri në qendër popullin dhe suportoi epërsitë e sistemit socialist, duke i sjellë në vëmendje e përpara botës me rezultate konkrete e surprizuese.
Gëzim Podgorica







