“Ishte më e mira e kohërave, ishte më e keqja e kohërave, ishte epoka e mençurisë, ishte epoka e marrëzisë, ishte sezoni i dritës, ishte sezoni i errësirës, ishte pranvera e shpresës, ishte dimri i dëshpërimit”. Një nga mesazhet themelore të këtij libri të shkruar në 1859 është se për shkak të dualitetit që ekziston në botë, e vërteta e vetme është se kush je dhe çfarë bën!... Le t’a politizojmë pak Charles Dickens, nën membranën e sistemit ndërkombëtar të shekullit të XXI-të.

Për t’a bërë këtë po mbështetemi tek ‘leva e Arkimedit’ të teoricienëve të demokracive liberale pas Luftës së Ftohtë, Francis Fukuyama. Në vitin 1992 Fukuyama shkroi një libër të titulluar “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”, që prej atij viti e më tej, çdo shkollë në botë që studion shkenca politke ose marrëdhënie ndërkombëtare e ka në program mësimor librin e Fukuyamës. Ky libër argumenton se me ngjitjen e demokracisë liberale perëndimore - e cila ndodhi pas Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik - njerëzimi ka arritur jo vetëm kalimin e një periudhe të veçantë të historisë së pasluftës, por fundin e historisë si të tillë. Kjo është, pika e fundit e evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimi i demokracive liberale perëndimore si forma përfundimtare e qeverisjes njerëzore...fitoi. – thotë Fukuyama. Por, kur po arrihej në fund të shekullit XX, duke menduar se fundi i Luftës së Ftohtë gjithashtu përfaqësonte fundin e konfliktit të madh global, euforizmi dhe optimizmi triumfator i botës Perëndimore, u fashit me naivitet shumë shpejt duke u ballafaquar me realitete të reja, si rast specifik ngjitja e Kinës në rang të një superfuqie ekonomike globale.

Zakonisht, fituesi i një lufte, merr bashkë me fitoren edhe superioritetin moral të epokës që përfaqëson; para 30 vitesh, këtë bëri Perëndimi dukë i atribuuar vetes cilësi dhe legjitimitet për të diktuar se si e gjithë bota duhet të funksionojë.

Sipas ithtarëve të Fukuyamës, herët ose vonë, demokracia zgjedhore do të jetë sistemi i vetëm politik për të gjitha vendet dhe të gjithë popujt, me një treg të lirë për t'i bërë të gjithë të pasur. Por, para se të arrijmë atje, ka një luftë midis së mirës dhe së keqes. E mira u përket atyre që janë demokraci dhe janë të ngarkuar me një mision për ta përhapur atë në të gjithë globin, ndonjëherë me forcë, kundër së keqes së atyre që nuk mbajnë zgjedhje. Freedom House raporton se numri i demokracive shkoi nga 45 në 1970, në 115 në 2010. Në 20 vitet e fundit, elitat perëndimore trokitën pa u lodhur në të gjithë globin duke shitur këtë prospekt: kur ka shumë Parti, ato luftojnë për pushtet politik dhe të gjithë që votojnë për ta është e vetmja rruga drejt shpëtimit, drejt botës në zhvillim. Ata që aplikojnë këtë rrugë janë të destinuar për sukses. Ata që nuk e bëjnë, janë të dënuar të dështojnë.

Kinezët nuk e pranuan këtë narrativë, dhe kundrejt çdo parashikimi teorik në vetëm 30 vjet, Kina kaloi nga një prej vendeve më të varfra bujqësore në botë, në ekonominë e dytë më të madhe. Çrrënjosi varfërine, 80% e zbutjes së varfërisë në të gjithë botën ndodhi në Kinë, biznesi rritet pa kufij, sipërmarrësit hapin kompani çdo ditë, klasa e mesme zgjerohet me shpejtësi dhe ritme të pashembullta në historinë njerëzore. Me fjalë të tjera, të gjitha demokracitë e reja dhe të vjetra të bëra së bashku arritën në një fraksion të thjeshtë të asaj që një shtet i vetëm, njëpartiak bëri. Megjithatë, sipas teorive liberale të pas-Luftës së Ftohtë, asgjë nga këto nuk duhet të ndodhte.

Përshtatshmëria, meritokracia dhe legjitimiteti

Kina është një shtet i drejtuar nga një Parti, Partia Komuniste Kineze. Për shkak të sistemit të Kinës, teoricienët perëndimorë, kanë bërë tre supozime të cilat koha dhe suksesi i Kinës i ka hedhur poshtë. Ata thonë se: Një sistem i tillë është operativisht i ngurtë, i mbyllur politikisht dhe moralisht i paligjshëm.” Thjeshtë, supozimet janë të gabuara.

Xun Li, një sipërmarrës nga Shanghai dhe njëkohësisht shkencëtar politik, shprehet se në vend të sa më sipër:“Përshtatshmëria, meritokracia dhe legjitimiteti janë tre karakteristikat përcaktuese të sistemit politik të Kinës.” Shumica e teoricienëve politikë na tregojnë se një sistem me një parti është në thelb i paaftë për vetë-korrigjim dhe nuk do të zgjasë shumë sepse nuk mund të përshtatet. Faktet flasin ndryshe. Që prej 1949, vit kur filloi drejtimi i vendit më të madh në botë nga një parti e vetme, diapazoni i politikave ka qenë më i gjerë se çdo vend tjetër, Partia vetë-korrigjohet në mënyrë disa herë mjaft dramatike.

Meritokracia: një supozim tjetër është se sundimi njëpartiak çon në një sistem të mbyllur politik në të cilin pushteti përqëndrohet në duart e pak vetave, duke çuar në qeverisje të keqe dhe korrupsion. Nuk është e vërtetë për Kinën. Si shembull, vetëm një e pesta e anëtarëve të Byrosë Politike vijnë nga shtresa me prejardhje të privilegjuar dhe në Komitetin Qendror prej më shumë se 300 veta, përqindja është edhe më e vogël. Kjo falë një organi pak të njohur për perëndimorët, që drejton kandidatët përmes gjurmëve të integruara të karrierës, rekrutimin e të diplomuarve në pozicione të nivelit të hyrjes dhe promovimin e tyre përmes gradave, duke përfshirë zyrtarin e lartë - një proces që kërkon deri në tre dekada.

Legjitimiteti: Perëndimorët supozojnë se zgjedhjet shumëpartiake me votim universal janë burimi i vetëm i legjitimitetit. Si e justifikon sitemi në Kinë legjitmitetin, thjeshtë ... me kompetencat. Kur sistemi u instalua, Kina ishte zhytur në luftë civile dhe agresion të huaj, dhe jetëgjatësia mesatare në popull ishte 41 vjeç. Sot, ajo është ekonomia e dytë më e madhe në botë, një qendër industriale globale dhe njerëzit e saj jetojnë shumë më mirë se paraardhësit e tyre. Një studim i Financial Times konstaton se 93% e gjeneratës së re në Kinë janë optimistë për të ardhmen e vendit të tyre. Kompania më e madhe e sondazhit të opinionit publik në Kinë, ka si klientin e saj më të madh Qeverinë e Kinës. Ata kryejnë sondazhe gjatë gjithë kohës dhe intensivisht. Pra, në Kinë ekziston një lloj mekanizmi tjetër për t'iu përgjigjur kërkesave dhe mendimeve të njerëzve sipas evoluimit të kohërave.

Përse anatemohet sistemi kinez nga bota Perëndimore?

Martin Jacque, një sinolog britanik, shprehet se një supozim i përhapur në Perëndim është ideja se: ndërsa vendet modernizohen, ato gjithashtu ‘perëndimizohen’. Ky është një iluzion. –thotë ai. Frazat më të përhapura nga politikanët perëndimorë për Kinën janë: "Reformat politike kanë mbetur shumë prapa reformave ekonomike" dhe "Kina ka nevojë të madhe për reforma politike".

Por ky pretendim është një kurth retorik i fshehur pas një paragjykimi politik. Perëndimorët apriori kanë vendosur se çfarë lloj ndryshimesh duan të shohin, dhe vetëm ndryshime të tilla mund të quhen reforma politike. Është një supozim i shtrëmbëruar se moderniteti është një produkt thjesht i konkurrencës, tregjeve dhe teknologjisë, por nuk është ashtu. Kina nuk është si Perëndimi dhe nuk ka pse të bëhet si Perëndimi. Tani pyetja e madhe këtu është padyshim, si ta kuptojmë Kinën? Si mund të përpiqemi të kuptojmë se çfarë është Kina? Dhe problemi që ka Perëndimi në këtë moment, në përgjithësi, është se qasja konvencionale është që ta kuptojmë atë me të vërtetë në terma perëndimorë, duke përdorur idetë perëndimore.

Marrëdhënia midis shtetit dhe shoqërisë në Kinë është shumë e ndryshme nga ajo në Perëndim. Shteti kinez gëzon më shumë legjitimitet dhe më shumë autoritet në mesin e kinezëve krahasuar me çdo shtet perëndimor. Dhe arsyeja për këtë është sepse shteti në Kinë gëzon një domethënie shumë të veçantë si përfaqësuesi, mishërimi dhe mbrojtësi i kombit.

Të kuptojmë Kinën duke përdorur thjesht përvojën perëndimore, duke e parë atë përmes syve perëndimor, duke përdorur konceptet perëndimore është sa e cunguar intelektualisht, aq edhe arrogante. Paul Cohen, një tjetër sinolog i famshëm argumenton se Perëndimi e mendon veten si ndoshta më kozmopolitin e të gjitha kulturave. Por nuk është kështu. Fakti është se përmes kolonizimit, zaptimit dhe pushtimit, Perëndimi iu imponua pjesës tjetër të botës dhe duke qenë se ka qenë aq dominues në botë, nuk e ka patur të nevojshme të kuptojë kulturat e tjera, civilizimet e tjera. Por kohërat janë shumë ndryshe tashmë.

Thelbi i “Problemit”

Në vitin 2003, një akademik tejet i njohur, Alastai Johnston, shkruan një tjetër ese që sërish do të lexohet gati në çdo shkollë të shkencave politike nëpër botë, me titull: A është Kina një Fuqi e Status Quo (apo revizioniste)? Me pak fjalë ai pyeste nëse me ngritjen në statusin e fuqisë se dytë ekonomike në botë, a do të luajë Kina sipas rregullave të lojës të krijuara nga Perëndimi (Status quo) apo do të bëjë fuqinë revizioniste të këtyre rregullave(d.m.th. do të fillojë të shkruajë rregullat e saj)?

Për Perëndimin nuk është e rendësishme se çfarë tipologjie është një sistem, deri në momentin që ky sistem sfidon supremacinë e tij. Dhe për të mbështetur këtë pozicion krijohen teori që legjitimojnë rrymën, si p.sh. vetëm demokracia funksionon edhe vetëm demokracia sjell mirëqënie. Problemi për Perëndimin tashmë është se Kina i tregoi botës se demokracia liberale nuk është parakusht për mirëqënie, është mirëqënia që u bë parakusht i “Socializmit me Karakteristika kineze”. Kjo sfidon themelet e vetë legjitimitetit dhe epërsië morale që janë trumbetuar deri më sot, prandaj Kina bëhet “e rrezikshme”, prandaj Kina sulmohet. Por, sado teori dhe etiketime të hidhen në tregun e fjalës, e vërteta e vetme është se kush je dhe çfarë bën!

Dr. Marsela Musabelliu