Kohët e fundit vërehet se studiuesit u janë drejtuar krahasimeve midis vendeve dhe rajoneve. Kjo për shkak të interesave të tyre personale e të grupeve sociale, ekonomike e politike ku bëjnë pjesë apo përfaqësojnë. Në këtë aspekt, krahasimi i disa vendeve e rajoneve me të tjerat është bërë një dukuri e dukshme edhe për njerëzit e thjeshtë, që po u shtohet interesi për këto krahasime, që prekin fusha nga më të ndryshmet, por është e kuptueshme se në thelb krahasimi të çon në sistemet politike, ideologjitë dhe filozofitë prej të cilave rrjedhin këto ndryshime.

Ndryshimet janë pjesë e jetës sonë, dhe pa to s’do kishte zhvillim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Nëse s’do kishte ndryshime në politikë, ideologji dhe filozofi, do ishte vështirë për të bërë krahasime e nxjerrë mësime e vlera, e për t’i përdorur ato për procesin e përmirësimit të vazhdueshëm.

Vitet e fundit, me daljen e Kinës në tregun ndërkombëtar si një fuqi që po fiton terren nga dita në ditë, prirja për të bërë krahasime midis ekonomisë kineze me atë të vendeve dhe rajoneve të tjera, ka filluar të bëhet me natyrë akademike dhe kjo ka bërë që krahasimi të mos ngelet vetëm në aspektin e disa shifrave e statistikave, por të ngrihet në nivelin e krahasimit të sistemeve politike, ideologjive dhe filozofive, mbi të cilat ndërtohet vizioni i drejtimit të vendit.

Në rastin e përballjes së Kinës me Perëndimin, që është edhe debati më i zakonshëm në arenën ndërkombëtare, duket se studimi i ndryshimeve midis sistemit presidencial dhe atij parlamentar, studimi i ndryshimeve midis atyre që quhen diktatura dhe atyre që quhen demokraci, ndryshimet në një sistemet shumë partiake (Kanada), dy partiake (SHBA) dhe një partiake (Kina), etj, janë kryesoret dhe themeloret për të shpjeguar arritjet e sukseset dhe dështimet e gabimet.

Në thelb, pothuajse tërë autorët e nderuar të fushës së studimeve krahasuese theksojnë kulturën e popullit kinez përballë kulturës së popujve të tjerë, kulturë që vendos punën në themel të sistemit ekonomik, që ka sjellë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhdukjen e varfërisë absolute në Kinë, përballë ndarjes klasore që thellohet nga dita në ditë në vendet perëndimore, ku në themel të kulturës është paraja.

Një nga mendimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Monteskie (Montesquieu), thekson rëndësinë e frymës së ligjeve në përcaktimin e nivelit të demokracisë së sistemeve. Fryma demokratike e ligjeve bën që qytetarët ta ndiejnë veten mirë dhe një frymë diktature të bëjë që qytetarët të ndihen keq në një sistem të caktuar politik. Fryma e ligjeve ka të bëjë me ideologjinë dhe filozofinë e lidershipit dhe liderit, që në rastin e krahasimit të Kinës me vendet e tjera të çon në konkluzionin se fryma e ligjeve në Kinë po ecën me hapa të shpejta drejt demokratizimit të mëtejshëm të jetës politike, ekonomike dhe sociale, pa dëmtuar themelin e shoqërisë kineze, që është besimi te manaxhimi në nivelin e ulët, të mesëm dhe të lartë dhe bindja ndaj parimeve të drejtimit shkencor.

Manaxhimi dhe drejtimi shkencor, mbi të cilat mbështetet zhvillimi tërësor i Kinës kanë sjellë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike me shifra të larta në Kinë, përballë manaxhimit dhe drejtimit me karakter dhe synim fitimin maksimal, tipike kjo për ekonomitë perëndimore, që solli edhe krizën ekonomike e financiare të Perëndimit 2008 – 2012, nga e cila ende këto vende po vuajnë ende kaosin dhe anarkinë.

Barrington Moore, një nga studiuesit më në zë të politikave krahasuese thekson se “revolucionet e drejtuara nga masat shmangin përqendrimin e pasurisë në pak duar, revolucionet e drejtuara nga elitat sjellin regjime fashiste dhe revolucionet borgjeze sjellin qeverisje demokratike”. Momenti ku gabon Moor është fakti se koncepti i demokracisë s’ka të bëjë thjesht me lirinë ekonomike dhe lirinë e fjalës, por me lirinë për të punuar dhe në këtë aspekt, niveli i lartë i papunësisë në vendet perëndimore nuk mund të etiketohet si demokraci, por si diktaturë. Moore s’është në gjendje të shpjegojë se si është e mundur që populli kinez ka kulturë ekonomike shumë të zhvilluar në nivel familjar, ndërsa kultura ekonomike në nivel familjar në Perëndim është e ulët.

Marketingu i shfrenuar i viteve 1980 – 2000, sollën dëme shumë të mëdha në Perëndim në konceptin akademik për ekonominë e tregut, ndërsa furnizimi i natyrshëm i tregut me produkte dhe shërbime sipas mundësive, filozofia kineze e plotësimit të nevojave, kënaqësive dhe dëshirave të qytetarëve, kanë bërë që niveli akademik i trajtimit të aspekteve ekonomike në institucionet e arsimit të lartë në Kinë dhe në botimet shkencore dhe në shtypin e përditshëm të këtij vendi, të rritet në mënyrë spektakolare, duke dhënë edhe mundësinë e debateve dhe argumenteve për mënyrën se si do jetë politika, ekonomia, filozofia dhe ideologjia e së ardhmes së afërt dhe të largët e Kinës, krahasuar me vendet e tjera.

Janë sistemet dhe njerëzit themelore në atë se si ka qenë, është e do jetë politika dhe ekonomia. Seymour M Lipset, thekson: “baza sociale e politikës është njeriu politik”, që është qytetari që shqetësohet për jetën e përditshme. Në këtë pikë, duket se moskokëçarja që vihet re në Perëndim midis qytetarëve, që bën që mjaft prej tyre të mos e dinë se cilët janë udhëheqësit e vendit, të kontrastojë negativisht me interesin që kanë qytetarët në Kinë për mbarëvajtjen e punëve të qeverisë dhe shtetit dhe me njohuritë që kanë ata për drejtuesit e vendit, që në aspektin e politikave krahasuese është një element pozitiv i vlerësueshëm.

Robert Putnam, në shkrimet e tij thekson: “një nga arsyet kryesore se disa qeveri ecin mirë dhe disa prej tyre dështojnë, është ekzistenca e qytetarëve kritikë”. Dihet tashmë abstenimi në masë i qytetarëve perëndimorë për politikat e zhvillimit dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve kinezë në dhënien e mendimeve për përmirësimin e proceseve zhvillimore.

Proceset që kanë filluar në Kinë janë të pakthyeshme. Pozitiv është fakti se udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe klasa politike atje është koshiente për këtë, duke krijuar me anë të drejtimit shkencor dhe ligjeve racionale një hapësirë të gjerë, të orientuar, zhvillimi të shpejtë, të barazpeshuar në të tëra aspektet e jetës politike, ekonomike dhe sociale, duke bërë që rritja me ritme të jashtëzakonshme e Kinës të kthehet në avantazh krahasues të papërballueshëm për pjesën tjetër të botës.

Parë nga ky këndvështrim, ruajtja e balancës ekonomi demografi, e balancave urbane dhe rurale, e balancave shtresë e mesme shtresë e pasur, e të tjera si këto do tregojnë se Kina do jetë dragoi i shekullit 21.

Nga: Dr. Enriko Ceko