
Në Kinë po i kushtohet një rëndësi të veçantë ekonomisë së gjelbër, manaxhimit të mbetjeve dhe plastikës. Sipas qeverisë kineze dhe udhëheqësit të popullit kinez Xi Jinping: “mjediset natyrore janë pasuri e paçmuar. Ato pasqyrojnë ndryshim të thellë në konceptin dhe modelin e zhvillimit të Kinës dhe përfaqësojnë një përgjigje ndaj pritshmërive të njerëzve për një jetë sa më të mirë”. Presidenti Xi, në prill 2020 ka thënë: “kujdesi për mjedisin ofron përfitime të mëdha ekonomike, sepse mjedisi nënkupton ekonominë dhe nëse mbroni mjedisin, do merrni shpërblime nga ai”. Në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në 22 shtator 2020, ai deklaroi: “Synojmë asnjanësimin e emetimit të dioksidit të karbonit para vitit 2060. Kina do shtojë Kontributet e Përcaktuara Kombëtare për këtë, do miratojë politika dhe masa të fuqishme”.
Është e rëndësishme të theksohet se këto deklarata kanë gjetur edhe mirëkuptimin e Brukselit dhe pjesës tjetër të botës.

Në këtë aspekt, ekonomia e gjelbër, në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhdukjes së varfërisë, është një mjet i rëndësishëm për të arritur këtë zhvillim dhe për këtë arsye politikat për ekonominë e gjelbër udhëhiqen dhe janë në përputhje me Agjendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, dhe, këto politika janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare, mbështeten nga institucione me funksionim të mirë të tyre, promovojnë rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, nxitje të inovacionit dhe sigurimin e mundësive, përfitimeve dhe fuqizimin për të gjithë dhe respektimin e të gjitha të drejtave të njeriut, forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, kontribuojnë në zvogëlimin e boshllëqeve teknologjike midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, përmirësojnë mirëqenien e komuniteteve vendase dhe pakicave etnike, duke njohur dhe mbështetur identitetin, kulturën dhe interesat e tyre, përmirësojnë mirëqenien e grave, fëmijëve, të rinjve, personave me aftësi të kufizuara, pronarëve të fermave të vogla dhe fermave familjare, peshkatarëve dhe atyre që punojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, sigurojnë kontributin e barabartë të grave dhe burrave, nxitin konsumin e qëndrueshëm, etj.
Kjo bën që në Kinë të ketë përpjekje nga të tërë që të forcohen aftësitë për të menaxhuar burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme, me sa më pak ndikime në mjedis, duke rritur efikasitetin e burimeve dhe duke zvogëluar mbetjet.

Nga ana tjetër, mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta urbane janë një objektiv parësor i qeverisjes në Kinë. Në territorin e Kinës ka burime të rëndësishme natyrore të pamasa, që përbëjnë potenciale të rëndësishme për përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve. Zhvillimi ekonomik dhe industritë, zhvillimi rural dhe bujqësor, etj., realizohen duke ruajtur e konsoliduar burimet natyrore dhe duke patur si objektiv një mjedis më të pastër dhe shfrytëzim sa më racional të këtyre burimeve.
Menaxhimi i integruar i mbetjeve është një sfidë e madhe, por edhe kusht që duhet përmbushur për të patur mjedis të pastër dhe ekonomi të qëndrueshme. Për këtë arsye, me anë të planeve të menaxhimit të integruat të mbetjeve, pushteti vendor në Kinë synon grumbullimin e mbetjeve në tërë territorin e vendit dhe reduktimin e mbetjeve nëpërmjet riciklimit dhe kompostimit, duke bërë që edhe qytetarët të jenë pjesë e këtij përkushtimi.
Analiza serioze dhe e vëmendëshme e kryer disa vite më parë nga ana e qeverisë kineze tregoi se në vend kishte (1) nivel të ulët të grumbullimit të mbetjeve, (2) nivel të ulët riciklimi, (3) kosto të larta transporti, (4) niveli të ulët të mbulimit të kostos nga të ardhurat prej tarifës së shërbimit, (5) reduktim dhe ndërgjegjësim i pamjaftueshëm, (6) investime kapitale jo të plota, etj., por me anë të masave të shpejta të ndërmarra u arrit që këto aspekte të menaxhimit të mbetjeve urbane, rurale dhe industriale, të evitoheshin gradualisht dhe tashmë të kemi një përmirësim të (1) mbulimit të tërë territorit të vendit me grumbullimin e mbetjeve, (2) ofrim të shërbimit sipas hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, duke siguruar grumbullim, reduktim, ripërdorim dhe riciklim të tyre, (3) nxitjen e rolit të komuniteteve në sistemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, (4) zbatimin e parimit “ndotësi paguan”, etj.
Në Kinë, planet e menaxhimit të mbetjeve hartohen në përputhje me qëllimet dhe afatet që parashikohen nga ligjet sektoriale të vendit, përfshirë këtu edhe strategjitë kombëtaret të zhvillimit dhe planet kombëtare e rajonale të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Zbatimi i këtyre planeve dhe strategjive garanton zvogëlim të hedhjes së mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar në natyrë, rikuperim të burimeve të vlefshme nëpërmjet riciklimit dhe kompostimit, reduktim të mbetjeve që depozitohen në mënyrë përfundimtare në landfille, mbrojtje të vendbanimeve, zonave turistike dhe ekosistemeve nga depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve, etj dhe si rrjedhojë, kontrolli mbi grumbullimin, trajtimin dhe depozitimin përfundimtar të mbetjeve kontribuon në zvogëlimin e gazeve serë që gjenerohen nga to.

Në lidhje me plastikën, Kina në vitin 2017 ndaloi importin e shumicës së plastikës për riciklim dhe tashmë është njoftuar ndalimi i plastikës me një përdorim, duke ndaluar përdorimin e qeseve plastike shumë të holla, duke patur parasysh se zhvillimi socio-ekonomik në Kinë dhe shoqëria gjithnjë e më e pasur solli një rritje të konsumit të plastikës, shtuar këtu edhe tregtinë elektronike, që e nxit këtë.
Masat e marra kanë ndikuar gjithashtu përmirësimin e gjendjes së mjedisit edhe në brigjet e lumenjve, deteve dhe oqeaneve, pjesë e territorit të Kinës, duke përmirësuar dukshëm edhe shëndetin e ekosistemeve dhe biodiversitetit dhe padyshim edhe në përmirësimin dukshëm të shëndetit të qytetarëve.
Politika e plastikës tashmë ka filluar që të kombinohet me Programin e Qyteteve me Mbeturina Zero, duke patur parasysh se çdo vit në Kinë gjenerohen rreth 200 milion tonë mbetje kryesisht plastike. Qeveria kineze po promovon përdorimin e qeseve plastike dhe mjeteve të tjera magazinuese të mbetjeve të biodegradueshëm. Edhe kalimi në mjete magazinuese me shumë përdorime është një zgjidhje jo vetëm për Kinën, por për mbarë botën, duke e rikthyer vëmendjen te qelqi.
Kina e konsideron mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin global për eliminimin e problemeve që vijnë nga mbetjet plastike, sepse ato shihen si kërcënim për të mirën globale të përbashkët dhe ndikimin që kanë në dukurinë e ngohjes globale. Kina mendon se globalisht në lidhje me ekonominë e gjelbër, menaxhimin e mbetjeve urbane dhe plastikën mund të kemi zgjidhje inovative dhe politika të përshtatshme.
Nga: Dr. Enriko Ceko








