Pas Vitit të Ri Kinez, dhe në ditët e para të pranverës, mblidhen në Pekin delegatët e Kongresit Kombëtar të Popullit (NPC) dhe Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez (CPPCC). Këto dy autoritete dhe specifikisht mbledhja e tyre çdo pranverë, vlerësohen si ngjarjet më të rëndësishme politike në historinë e kohëve të fundit në Kinë. Më shumë se 5000 ligjvënës dhe këshilltarë politikë kombëtarë mblidhen në Pekin për takimin e rëndësishëm që mbulon çdo aspekt të zhvillimit të Kinës dhe mirëqënien e njerëzve. Këtë vit, Kongresi Kombëtar i Popullit merr një rëndësi të veçantë pasi përkon me 100-Vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste. Fashitja e shpejtë e koronavirusit në të gjithë territorin dhe zyrtarizimi Kinës si e vetmja ekonomi e madhe botërore që u rrit gjatë pandemisë, janë ogur i mirë për një nisje të re me fitore të arritura dhe me plane ambicioze për të ardhmen. Dy Sesionet, janë një platformë kombëtare që kanalizon zërin bazë nga të gjitha grupet shoqërore dhe nga çdo cep i Kinës në Pekin. Në Kinë, Kongresi Popullor Kombëtar (NPC), gjysma e "Dy Sesioneve", është i vetmi organ që ushtron pushtetin legjislativ të shtetit. Konferenca Konsultative (CPPCC), gjysma tjetër, nuk ka fuqi ligjore të dhënë nga Kushtetuta por luan rolin e saj përmes konsultimit politik, mbikëqyrjes dhe pjesëmarrjes në shqyrtimin e çështjeve shtetërore. Të gjitha vendimet legjislative të Kinës merren pasi kalojnë procedurat dhe diskutimet për t'u siguruar që vendimmarrja është gjithëpërfshirëse.

Raporti i punës dhe vizioni 2035 – çfarë është bërë e ku po shkohet.

Dy sesione 2021, Pekin(Foto nga VCG)

Dy sesione 2021, Pekin(Foto nga VCG)

Në mëngjesin e së Premetes 5 Mars, Kryeministri i Kinës Li Keqiang, iu drejtua Kongresit Kombëtar të Popullit. Mbi një orë fjalim, rreth 35 faqe pasi u transkriptuan dhe u bënë të gatshme për publik, prekën çdo aspekt të rëndësishëm të Kinës së vitit 2021. Fjalimi i Kryeministrit mund të ishte lehtësisht egocentrik dhe paradë fitoresh, duke pasur parasysh sukseset veçanërisht në vitin që lamë pas, por nuk ishte kështu. Ai ekuilibroi realitetet dhe shpresat me shumë politika dhe qasje pragmatike.

Fjalimi nënvizoi një listë të fushave dhe veprimeve në të cilat qeveria do të përqëndrohet në Planin e saj të 14-të Pesë-vjeçar, por shkon edhe me tej duke ofruar një udhërrëfyes deri në vitin 2035, kur vendi synon të arrijë modernizimin e plotë dhe të dyfishojë madhësinë e ekonomisë, si dhe PBB-në për frymë, në thelb për herë të parë kemi një plan 15-vjeçar.

Qëllimet kryesore të pritshme të zhvillimit të Kinës në 2021 janë rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me më shumë se 6%; krijimi i mbi 11 milion vendeve të reja të punës në zonat urbane, rritja e Indeksit të Çmimit të Konsumatorit (CPI) me rreth 3%, etj. Një objektiv rritjeje, mbi 6% i lejon të gjithëve që t'i kushtojmë energji të plotë promovimit të reformave, inovacionit dhe zhvillimit me cilësi të lartë. Synimet e parashikuara për rritje, punësim dhe CPI funksionojnë si mbartës të performancës së ekonomisë në nivelin e duhur dhe të balancuar. Më tej, parashikohen lehtësime tatimore për investime në teknologji, programe të përmirësuara për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve strategjikë, politika bujqësore për rritjen e prodhimit, taksat, burokracia dhe programet për t'i inkurajuar ata që të dixhitalizohen, rritja e shpenzimeve dhe mbështetja e ekonomisë së gjelbër, karboni i ulët, energjia e rinovueshme e shumë të tjera. Në anën sociale janë të dukshme angazhimet për t'i mbajtur njerëzit që të mos bien përsëri në varfëri, mjedisi, të moshuarit, strehimi, arsim dhe trajnim, rigjallërimi rural, kujdesi shëndetësor, zgjerim i shërbimit social, siguri ushqimore dhe kulturë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG


Ekspozitë e automjeteve(Foto nga VCG)

Ekspozitë e automjeteve(Foto nga VCG)


Kina do të vazhdojë të hapet dhe të menaxhojë ekonominë e saj, me më pak burokraci, tarifa, taksa, më pak industri të kufizuara dhe menaxhim të qëndrueshëm ekonomik. Duke pasur parasysh kaosin dhe pasigurinë në tregjet e tjera në botë, kjo do të inkurajojë më tej investimet përbrenda vendit, të cilat tashmë janë në nivele rekord. Ndërsa pranoi se Kina ende përballet me shumë sfida, Li e bëri të qartë se Kina është e kënaqur me sistemin e qeverisur të tregut socialist të menaxhuar dhe aftësinë e saj për të përmbushur dhe kapërcyer sfidat. Në aspektin makro-ekonomik, Kryeministri Li e bëri të qartë se ndërsa efektet e krizës së COVID-19 do të zgjasin ende, të gjitha përpjekjet për stimulimin ekonomik do të kthehen pak a shumë në udhëzime qeveritare parapandemike.

Së fundmi, Kina paraqitet shpesh dhe dukshëm në mediat ndërkombëtare dhe duke u etiketuar "autoritare" – por para se të vihen emërtime, është e dobishme të kuptohet mirë se si funksionon në të vërtetë sistemi politik i Kinës dhe vendi për të filluar njohjen elementare të sistemit politik kinez janë ‘Dy Sesionet’. Ndërsa është e vërtetë që Partia përcakton vizionin kryesor dhe politikat udhëzuese dhe në të kaluarën NPC dhe CPPCC ishin etiketuar si formale, por të dyja sot po luajnë role qendrore në menaxhimin, monitorimin dhe reformimin e shoqërisë dhe ekonomisë super-komplekse të Kinës. Si shembull, Plani 5-Vjecar u vendos në Tetor 2020, po struktura zyrtare e planit dhe politikat specifike finalizohen në Mars gjatë Dy Sesioneve.

Basketbollisti Yao Ming në sesionin vjetor(Foto nga VCG)

Basketbollisti Yao Ming në sesionin vjetor(Foto nga VCG)


Dy sesione 2021, Pekin(Foto nga VCG)

Dy sesione 2021, Pekin(Foto nga VCG)

N.q.s. duam të shohim meritokracinë në aksion, mënyra më e mirë për të vlerësuar se si funksionon sistemi kinez është ajo që shihet në Konferencë Konsultative (CPPCC), që kryen konsultime politike, ushtron mbikëqyrje të politikave ligjore dhe punës së agjencive qeveritare dhe zyrtarëve (përfshirë kritikat) dhe merr pjesë në diskutimin dhe trajtimin e punëve të shtetit. Përpjekjet e saj janë një qasje e përqëndruar te njerëzit me një rezolutë për të shndërruar aspiratat e tyre në plane dhe veprime konkrete. Kjo dëshmon vendosmërinë e Kinës për të bashkuar mençurinë e zhvillimit të shëndoshë ekonomik dhe shoqëror dhe për të ushtruar qeverisjen në përgjigje të pritshmërive të njerëzve. Sot CPPCC ka fuqi publike në rritje sepse delegatët e saj janë ekspertë të niveleve më të larta në fushat e tyre respektive, dhe ndërsa ata nuk ushtrojnë asnjë autoritet zyrtar, zyrtarët e të gjitha niveleve duhet të marrin studimet që këta ekspertë kryejnë dhe propozimin që ata bëjnë shumë seriozisht – dhe në një vend ku ekspertët vlerësohen dhe dëgjohen, do të ketë vetëm arritje të mëdha.

Dr. Marsela Musabelliu