Në fund të vitit 2020, të 15 vende të Azisë Lindore shpallën krijimin e zonës së lirë tregtare dhe ekonomike të tyre. Ndër këto vende bëjnë pjesë edhe Japonia dhe Australia, çka flet për një iniciativë pa paragjykime dhe të dobishme. Këto vende përbëjnë nga pikëpamja demografike 30 përqind të popullsisë së botës, më shumë se sa popullsia e tri kontinenteve, Europës, Afrikës dhe Amerikës së Veriut! Po ashtu GDP-a e këtyre vendeve është sa 30 përqind e GDP-së së globit tokësor!

E përmenda këtë fakt për të renditur disa indikatorë të rëndësishëm në principet mbi të cilat udhëhiqet Azia Lindore në përparimin dhe prosperitetin e shteteve të këtij rajoni. Në këto shtete bën pjesë gjithashtu republika Popullore e Kinës, por edhe Koreja dhe vende të tjera si Vietnami, Laosi etj.

Së pari, në këtë grupim kaq të madh shtetesh duket sikur Pekini do të diktojë rregullat e lojës, nëse nisemi nga perceptime të caktuara. Dhe ky perceptim vjen nga fakti që Kina prodhon afro 17 përqind të GDP-së së planetit, shifër që përbën afro 2/3 e GDP-së së këtyre 15 vendeve, përfshirë Japoninë dhe Australinë. Por a mund të hyjnë në një iniciativë ekonomike e tregtare p.sh Japonia dhe Australia, të cilën e "dikton" Republika Popullore e Kinës?!

Jo vetëm e pamundur, por as e pamendueshme. Atëherë si u bënë bashkë që në fillimin e kësaj iniciative të 15 vendet përkatëse? Bazuar në besimin midis tyre. Bazuar në interesat e përbashkëta. Bazuar në nevojën për njëri-tjetrin. Mundësia që një ose dy shtete të diktojnë rregullat e lojës duket se është zero. Kjo do të thotë se kjo bashkësi shtetesh do të bashkëpunojë me rregulla të qarta, demokratike, me të cilat respektohet vullneti i "të fortit" po aq sa edhe i të "dobëtit", pra të "madhit" dhe "të voglit" njësoj! Pikërisht ky parim garanton suksesin e iniciativës në fjalë!

Së dyti, bashkësia e shteteve me tregti të lirë në Azinë Lindore nuk niset nga principi i rritjes së peshës politike dhe ushtarake, por nga principi i zhvillimit të ekonomisë. Ky parim bazë u kultivua në Kinë nga Deng Xiaoping dhe vazhdon ende sot si një vazhdimësi e politikave të viteve 1980-1990. Kjo do të thotë se nuk ka ndryshime thelbësore në politikat kineze të zhvillimit të brendshëm dhe për pasojë edhe të bashkëpunimit me vendet e tjera. Premisa e bashkëpunimit ekonomik rrit më shumë besimin midis vendeve, sepse në raste të tilla parandalohet diskriminimi. Rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe derisa ato pranohen presupozohet se nuk diktohen nga një ose disa vende të fuqishme të rajonit.

Ndërtimi i marrëdhënieve midis shteteve nisur nga premisat ekonomike i bën ato gjithashtu më të suksesshme, më atraktive, më pragmatike. Ky është mësimi që i jepet botës nga iniciativa e hapësirës së tregtisë së lirë në Azinë Lindore, një rajon me resurse marramendëse për t'u shfrytëzuar në dobi të jetës së qytetarëve të të gjitha vendeve në fjalë. Nëse aleancat, lidhjet, marrëdhëniet, traktatet nisen nga premisa ekonomike dhe e zhvillimit të mirëqenies së qytetarëve, ato janë e duhet të jenë medoemos të suksesshme e të dobishme. Nëse ato ndërtohen bazuar në paragjykime gjeopolitike dhe interesa të caktuara të të fortit, ato janë të destinuara të dështojnë. Ky është pra konkluzioni i asaj që po ndodh me tregtinë e lirë në Azinë Lindore.

Së treti, në çdo rajon të botës iniciativat e bashkëpunimit midis vendeve kufitare kanë dështuar disa herë ose përgjithmonë për shkak të grindjeve kufitare, për shkak të konflikteve historike. Shtetet e Azisë Lindore kanë historinë e tyre të bashkëpunimit e të konfliktit. Por ky rajon e kapërceu këtë ngërç që në start. Kjo do të thotë se më parë se bashkëpunimi një rajoni të caktuar i duhet stabiliteti, eleminimi i shkaqeve dhe mundësive për të pasur konflikte dy ose shumëpalëshe. Pikërisht këtë standard e kanë arritur të 15 vendet në fjalë para se ato të bashkohen në një iniciativë të tillë. Edhe në këtë aspekt roli i këtyre vendeve shërben si model për të gjitha rajonet dhe kontinentet e tjera në botë. Ndërkaq është e sigurt se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtia e lirë e forcojnë stabilitetin, paqen dhe sigurinë!

Në rastin konkret kishte dhe një rast specifik: Si mundej që Republika Popullore e Kinës dhe Japonia, dy vende në konflikt të hershëm të pranojnë njëri-tjetrin në një asosacion si ky i tregtisë së lirë në Azinë Lindore?! Kur lidershipi politik i vendeve të caktuara, në rastin konkret të Kinës dhe Japonisë, komunikojnë me sinqeritet shemben mitet dhe muret e ndarjes! Gjithçka varet nga transparenca dhe sinqeriteti. Janë këta dy elementë që vendosin themelet e paqes e të bashkëpunimit! Ky është mësimi më i madh nga modeli i bashkëpunimit të tillë!

Enver Bytyçi