Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbën vitin e kaluar statusin e vendit numër një në botë për investimet e huaja direkte. Vendi që kalon në pole position është Kina, duke u bërë destinacioni i parë dhe referent në këtë drejtim, por edhe duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e vet ekonomike e ritmet e larta të zhvillimit. Duke u mbështetur në një analizë dhe shifra të publikuara nga Kombet e Bashkuara, investimet e drejtpërdrejta në firmat kineze shënuan një rritje prej 4 % vitin e kaluar dhe janë një tregues tjetër i rritjes së Kinës në ekonominë globale. Viti 2020 gjunjëzoi shumë ekonomi të fuqishme, por ekonomia kineze doli shpejt nga trauma e fillimit dhe fundi i vitit 2020 regjistroi një sërë treguesish pozitivë, duke afishuar qëndrueshmërinë në rritje pozitive të ekonomisë kineze dhe vizionin e reformave të kryera gjatë dekadave të fundit.

Shifrat që shumë vende i kanë të ulta dhe nuk sjellin optimizëm për një rimëkëmbje dhe gjetje të shpejtë të ekuilibrit të zhvillimit, Kina i ka mbresëlënëse. Përdorimi real i kapitalit të huaj arriti vitin e kaluar në 999.98 miliardë juanë, që përbën edhe një rekord historik. Ndërkohë që ekonomia kineze arrin këto rezultate, në shkallë globale, investimet e huaja direkte u ulën. Forca tërheqëse e investimeve të huaja sfidoi edhe propagandën e intensifikuar nga vende të ndryshme ndaj Kinës dhe tregoi se ajo është në një rrugë të pandalshme zhvillimi në të gjithë sektorët. Nga njeri plan pesëvjeçar në tjetrin, hapat kanë ardhur duke u forcuar e konsoliduar, mbështetur në politika vizionare afatgjata të cilat mundësuan një ecje zhvillimore të Kinës.

Nuk është goditja pandemike ajo që nxorri Kinën në vendin e parë në rang global lidhur me investimet e huaja direkte. Goditja pandemike kishte një rezonancë gjithëpërfshirëse për të gjithë ekonominë botërore. Ekonomitë e konsoliduara ditën ta kalojnë me më pak dhimbje e pasoja, duke u rifutur në shinat e zhvillimit më shpejt se ekonomitë që kanë pasur problem përgjatë gjithë kësaj dekade dhe ju ka munguar një konsolidim i qëndrueshëm. Rritja e investimeve të drejtëpërdrejta erdhi si rezultat i disa masave shumë efektive, që konsistojnë në: Zbatimin e politikave të ndihmës ndaj ndërmarrjeve në fushat fiskale, të financimit, të sigurimeve shoqërore e të tjerë. Po kështu u nxit në mënyrë të programuar hapja e tregut, duke hequr shumë kufizime dhe duke reklasuar ndjeshëm klimën e investimeve, por duke bërë edhe një legjislacion që i stimulon këto investime.

Viti i kaluar, që ishte viti i goditjes pandemike, rezultoi me fitime për më shumë se 60 % të kompanive të huaja që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kinë dhe mbështetur mbi atë çfarë pritet në të ardhmen, më tepër se 90% e këtyre kompanive e shohin me optimizëm arritjen e ritmeve të periudhës së para pandemisë. Ky optimizëm është real dhe i bazuar në atë çfarë ofroi viti 2020. Jo rastësisht investitorë të huaj mjaft të fuqishëm si “Exxon Mobil”, “ Daimler” BMW, “ Toyota”, “ LG” por edhe shumëkombëshe të tjera po shtojnë investimet e tyre, duke qënë të sigurt në suksesin e investimeve dhe ecurinë pozitive të tyre.

Fluksi i IHD Kine

Fluksi i IHD Kine

Domethënie pozitive ka fakti që trendi rritës vazhdon edhe në këtë vit, pasi lokomotiva ekonomike kineze po rrit shpejtësinë e saj. Vetëm në industrinë e shërbimeve, investimet e huaja në muajin janar, krahasuar me janarin e vitit të kaluar u rritën me 11%. Gjithashtu sektorët e tregtisë me shumicë e pakicë regjistruan një rritje në këtë zë të ekonomisë prej 27.2 % me bazë vjetore.

Shifrat pozitive që po shënon Kina në IHD ( Investimet e Huaja Direkte ) sipas ekspertëve tregojnë lëvizjen drejt qendrës së ekonomisë globale, e cila më parë dominohej nga SHBA. Viti 2016 ishte viti më i mirë për SHBA lidhur me IHD, kur u arrit shifra prej 472 miliardë dollarësh, ndërkohë që Kina në këtë vit kishte vetëm 134 miliardë dollarë. Diferenca ishte e theksuar.

Ndërkohë që pas atij viti investimet në Kinë vetëm rriteshin, në SHBA kanë shënuar rënie viti pas viti. Administrata e Trump u përqëndrua në largimin e kompanive amerikane nga Kina, ndërkohë që kompanitë kineze që operonin në Kinë i paralajmëroi për një sërë masash me të cilat do të ballafaqoheshin investimet e tyre në SHBA. Kjo strategji nuk dha efektet që priteshin dhe ndërsa kurba e IHD në Kinë shënoi përgjatë kësaj periudhë rritje, në SHBA vetëm ulje.

Diferenca e theksuar prej 338 miliardë dollarësh në fushën e IHD u rikuperua nga Kina vetëm në një hark kohor prej 4 vitesh, duke qënë tani në vendin e parë në rang global. Treguesit e vitit të kaluar, në mënyrë të veçantë PBB ( Produkti i Brendshën Bruto) që shënoi rritjen prej 2.3% e bëjnë Kinën ekonominë e vetme në botë që shmangu shpejt dhe tejkaloi krizën e vitit të kaluar, por që i dha vendin e parë edhe në IHD, që janë në fakt tregues i fuqisë dhe i stabilitetit ekonomik të një vendi.

IHD, ashtu si shumë tregues të tjerë ekonomikë, patën vitin e kaluar një rënie drastike në rang global. Faktorët lidhur me këtë fakt janë analizuar në shumë plane, por ajo që vlen të nënvizohet është fakti se Kina i ofroi botës siguri, zhvillim e qëndrueshmëri në rritje, si rezultat jo vetëm i masave komplekse që ndërmori, por edhe si koherencë e një ekonomie të stabilizuar, që pavarësisht dallgëve të fuqishme që i goditën të gjithë, diti të rifitojë ritmet. IHD në shkallë globale kanë rënë 42 % në vitin 2020 dhe ekonomi të tjera përveç SHBA, pësuan një rënie të ndjeshme. Britania e Madhe është një referencë tjetër e traumatizimit që shkaktori pandemia. IHD nga 45 miliardë dollarë në vitin 2019, ranë në 1.3 miliardë.

Rriten investimet e huaja

Rriten investimet e huaja

Nuk është e rastësishme që tashmë BE, por edhe vende të tjera kanë një këndvështrim tjetër në të gjitha marëdhëniet me Kinën. Ata e shohin edhe si një konkuurente të fuqishme, por duke u orientuar në politika pragmatiste dhe larg konflikteve me natyrë gjeopolitike, kërkojnë partneritet.

Kina ka ofruar bujarisht mundësinë e bashkëpunimit e të koordinimit, jo vetëm për të tejkaluar situatën që u shkaktuar nga pandemia, por shumë kohë më parë. Nisma” Një brez, një rrugë”, por edhe inciativa të tjera me ndikim global, përcjellin mesazhin se sinergjia, bashkimi i forcave, sjellin zhvillim, pavarësisht madhësisë së vendeve. Edhe në Samitin e fundit të mekanizmit 17+1, Presidenti Xi nënvizoi lidhur me bashkëpunimin me shtete të ndryshme se “ pavarësisht nga madhësia e tyre, ata janë partnerë të barabartë në një mekanizëm bashkëpunimi që përfshin konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta”.

Gjetja e rrugëve të secilit vend për të shfrytëzuar forcat për bashkëpunim, duke u integruar brenda nismave që ofron Kina, mbetet një mundësi e mirë për një të ardhme ku duhet të mbizotërojë multilaterizmi. Krijimi i situatave të favorshme ekonomike, ku të gjithë duhet të jenë përfitues, që u theksua edhe në samitin e fillimit shkurtit të këtij viti tregon se Kina i qëndron besnike doktrinës së ndërtimit të një bashkësie me të ardhme të përbashkët. Parimi i bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta ka dëshmuar një pragmatizëm pozitiv, ndaj të cilit shumë vende të përfshirë tashmë në nismat me efekt global që ka ndërmarrë e udhëheq Kina, po ndjejnë efektet pozitive jo vetëm në tejkalimin e situates së vështirë të goditjes pandemike, por në një afat kohor shumë më të gjatë.

Nxitja e bashkëpunimit të tregtisë dhe investimeve recirproke si një mundësi që vendos ekuilibra normale në barazpeshimin tregtar, e theksuar edhe në samitin e 17+1, tregon se Kina kërkon të zhvillohet e të ecë më shpejt, por duke u investuar që kjo ecje të jetë e përbashkët e në dobi të zhvillimit global.

IHD në Kinë

IHD në Kinë

Gëzim Podgorica