Aktiviteti ekonomik në nivel global ka qenë e vijon të mbetet nën efektin negativ të pandemisë Covid-19. Në masat e marra kundër pandemisë vendet kanë dhënë një mbështetje fiskale prej 14 trilionë $ USA. Reagimi i politikës fiskale në zbutjen e efekteve negative të shkaktuara nga pandemia, u shfaq në menyre direkte në formën e transfertave për individët dhe bizneset, në faljen dhe shtyrjen e detyrimeve tatimore, të kontributeve dhe tarifave për bizneset, si dhe në formën e shtimit të shpenzimeve për të mbuluar nevojat imediate të sistemit shëndetësor në përballimin e pandemisë. Në mënyrë indirekte, nëpërmjet emetimit të garancive shtetërore si një mbështetje për adresimin e nevojës për likuiditet për kompanitë publike dhe private, të kredive me terma lehtësuese, me qëllimin e ruajtjes së vendeve të punës dhe rigjallërimin e aktivitetit prodhues dhe të shërbimeve.

Në fillimin e vitit 2020, institucionet ndërkombëtare financiare si FMN, Banka Botërore etj, kanë rekomanduar se prioritet do të jetë shpëtimi i jetëve dhe sigurimi i mjeteve të jetesës së familjeve të prekura. Mbështetja për ekonomitë familjare dhe biznesin në nevojë duhet të jetë e disponueshme, derisa rimëkëmbja ekonomike të jetë e siguruar. Në përgjigje të krizës COVID-19, qeveritë në të gjithë botën morrën masa të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë dhe për të kufizuar kolapsin ekonomik global më të thellë në historinë bashkëkohore. Konsumi dhe investimet kanë kontribuar për të zbutur efektet e pandemisë dhe rigjallërimin e rritjes ekonomike. Investimi publik dhe privat është konsideruar një nevojë urgjente në sektorë kritikë për kontrollimin e pandemisë si ai i kujdesit shëndetësor, të arsimit, të infrastrukturës dixhitale, të zinxhirëve të furnizimit të transportit të sigurt, etj.

Kina renditet e treta në listën e vendeve më të fuqishme të G-20 mbas SHBA dhe Japonisë për mbështetjen fiskale të drejtëpërdrejtë. Ndërsa për mbështetjen jashtë buxhetit publik në formën e garancive sovrane, sigurimit të likujdetit, etj, Kina renditet në vendin e shtatë. Nga pikëpamje e eficencës paketa e ndihmës e qeverisë kineze ka dhënë një rezultat pozitiv për rigjallërimin e ekonomisë krahasuar me vendet e tjera të cilat kanë shënuar një tkurrje të rritjes ekonomike. Kina ka arritur të zbusë efektet e pandemisë dhe të ketë e vetme nga të gjitha vendet G-20 një rritje ekonomike pozitive në vitin 2020.

Kina ndërmori masa të rëndësishme dhe të qëndrueshme për tu përballur me një mjedis të rëndë dhe kompleks nën ndikimin negativ të epidemisë. Masat synuan të stabilizonin aktivitetin prodhues, qëndrueshmerinë e financave publike, tregtinë e brendëshme dhe të jashtme. Prioritetet në këtë situatë u fokusuan plotësisht në mbrojtje të punësimit; jetesës së njerëzve; entitetet e tregut; sigurinë e ushqimit dhe energjisë; stabilitetin e industrisë dhe zinxhirët e furnizimit. Paketa fiskale u miratua dhe ështe bërë operacionale në kohën më të shpejtë dhe niveli i saj ka qënë më i lartë se mesatarja e vendeve me të ardhura të ulta dhe të atyre në zhvillim.

Paketa në nivelin e 4.7% e PBB, ose 4.9 Trilion RMB (711 Miliard $ USA) e masave fiskale të drejtpërdrejta ka përfshirë: (i) rritjen e shpenzimeve për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, (ii) prodhimin e pajisjeve mjekësore, (iii) disbursimin e përshpejtuar të sigurimit të papunësisë dhe zgjatjen e tij për punëtorët migrantë, (iv) lehtësimi e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, dhe (v) investime shtesë publike. Paketa në nivelin 1.5% e PBB ose 1.6 Trilion RMB ( 232 Miliard $ USA) lejoi shtyrjen e kontributeve të sigurimeve shëndetësore, si dhe të detyrimeve tatimore të të ardhurave për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të vetëpunësuarit, etj.

Kina ka ndërmarrë gjithashtu masa të ndryshme stimuluese për të mbështetur aktivitetin e biznesit. Paketa mbështetëse e garancitë sovrane, huasë dhe likuiditetet për biznesin në nivelin e 1.3% të PBB, ose 1,33 trilionë TMB ( 198 miliardë $ USA) lejuan ofrimin e shërbimeve të garantimit të huasë, mbulimin e pagesës së interesit të kredisë për firmat e vogla dhe të mesme si dhe bizneset individuale, e bonove speciale të thesarit, etj.

Një sërë masash lehtësuese u ndërmorën për të mbështetur dhe lehtësuar aktivitetin prodhues, si përjashtimi i pagesave të transportit, ulja e tarifave të shërbimit nga aeroportet dhe hekurrudhat, ulja e çmimeve të energjisë elektrike me 5%, ulja e tarifës logjistike të hekurrudhës me 50%, ulja e tarifave portuale, përjashtimi nga pagesat e qirasë për pronat shteterore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e shërbimeve, ulje e taksave dhe perfitimin e kredive me norma preferenciale interesi. Marrja e masave të menjëhershme si dhe madhësia e paketave të politikave fiskale dhe masave te tjera në mbështetje të aktivitetit prodhues, rezultoi në humbje më të vogla ekonomike në përqindje të Prodhimit të Brendëshëm Bruto, krahasuar me ekonomitë në nivel global. Duke reflektuar mbështetjen e fortë të politikës, humbja e parashikuar e prodhimit për shkak të efekteve negative të COVID -19 është relativisht më e vogël për ekonomitë e përparuara se sa vendet e tjera.

Sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2020, Kina është renditur e dyta nga vendet në nivel global për humbjet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID – 19. Humbjet në Kinë llogariten në 1.5% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto, ndërsa SHBA në 1.3% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto. Humbjen më të lartë e kanë shënuar vendet në zhvillim të Azisë, vendet e Amerikës Latine me respektivisht -8.0% dhe -6.9% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto. Në nivel global ekonomitë kanë pësur një humbje në -3.7% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto (grafiku 1).

Grafiku 1: Vleresimi i humbjeve ekonomike nga efekti negativ i pandemisë

Burimi : IMF, World Economic Outlook, January 2021 dhe kalkulimet e autorit

Mbas një kontraktimi të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit 2020, Kina ka arritur një rekuperim të shpejtë të rritjes ekonomike. Në tremujorin e parë PBB-ja ra me 6.8%, dhe më pas në tremujorët e dytë, të tretë dhe të katërt Kina ka pasur një rimëkëmbje ekonomike në formë V në vitin 2020. Sipas vlerësimeve paraprake, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) ishte 101,598.6 miliardë RMB në vitin 2020, një rritje prej 2.3 përqind krahasuar me vitin e kaluar në çmime të krahasueshme. PBB-ja nga viti në vit për tremujorin e parë ra me 6.8 përqind, duke u rritur me 3.2 përqind për tremujorin e dytë, 4.9 përqind për tremujorin e tretë dhe 6.5 përqind për tremujorin e katërt ( grafiku nr 2)

Grafiku 2 : Rritja ekonomike reale në përqindje e PBB sipas tremujoreve, 2019-2020

Burimi : Nationat Bureau of Statistics of China, dhe kalkulimet e autorit

Kina ka udhëhequr rimëkëmbjen globale nga pandemia COVID-19, kryesisht sepse ishte e suksesshme në kontrollimin e pandemisë brenda tre muajve nga shpërthimi fillestar, në kontrast me shumë ekonomi të tjera dhe të përparuara, të cilat vazhdojnë të luftojnë më shumë se gjashtë muaj pas shpërthimeve të tyre fillestar. Faktorë të tjerë, krahasuar me vendet e tjera, janë ecuria e konsumit dhe investimeve gjatë tremujorëve të parë, të dytë dhe të tretë te vitit 2020. Në tremujorin e pare te gjithë vendet në rang global përfshi dhe Kinën shënuan tkurrje te ekonomisë, rënie te konsumit dhe te investimeve. Rënia e konsumit dhe e investimeve është një nga efektet e drejtë për drejta të ndikimit të pandemisë. Viti 2020 tregon rënie të konsiderueshme të konsumit dhe të investimeve krahasuar me periudhat e mëparshme 2017-2019 ( grafiku nr 3).

Dallimi me vendet e tjera qëndron në radhë të parë në intensitetin e ngadalësimit të rënies së konsumit dhe rritjes së investimeve në tremujorin e dytë dhe të tretë. Në Kinë rënia e konsumit nga 1.2% në tremujorin e par. u ngadalësua në 0.7% dhe në 0.2% në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërsa në vendet e avancuara rënia e konsumit u ngadalësua por mbeti ne rreth 5.6 deri 4.7 herë më e lartë krahasuar me Kinën. Ndersa dallimi i ecurisë së investimeve është edhe më i thellë. Mbas tkurrjes së investimeve në tremujorin e parë në -1.8%, në tremujorin e dytë dhe të tretë investimet shënojnë një rritje pozitive respektivisht në 0.9% dhe 1.6%. Ndërsa në vendet e avancuar rënia e investimve ngadalësohet por mbetet negative dhe në tremujorin e dytë dhe të tretë respektivisht -1.2% dhe -0.4%.

Grafiku Nr 3 : Rritja në përqindje e konsumit dhe investimeve sipas tremujoreve 2017-2020

Rigjallërimi i ekonomisë në Kine si dhe në të gjitha vendet e zhvilluara u mbështet nga politikat fiskale stimuluese, rritja e investimeve, rikupërimi i konsumit, dhe rritja e eksporteve. Politika fiskale ka pasur natyrë stimuluese përgjatë vitit 2020. Borxhi publik në nivel global vlerësohet të ketë arritur në 98% e PBB në fund të vitit 2020 krahsuar me 84% në vitin 2019. Ndërsa niveli i deficit buxhetor mesatarisht të arrijë në –13.3% për ekonomitë e avancuara dhe –10.3% të PBB per vendet në zhvillim. Në linjë me eksperiencën botërore, deficiti buxhetor u rrit në -11.8 % të PBB-së ne vitin 2020 krahasuar me -6.0% të PBB në vitin 2019. Borxhi në terma të PBB-së u shtua nga 56.5% në vitin 2019 në 65.8% të PBB në vitin 2020 duke pasqyruar zgjerimin e deficitit si dhe emëtimin e garancive sovrane.

Rritja e investimeve u drejtua kryesiht nga rritja e investimeve në asetet fikse në industri dhe në vecanti në industrin e teknollogjisë së lartë dhe të sektorit social. Në vitin 2020, investimi në asete fikse (me përjashtim të familjeve rurale) u rrit me 2.9% krahasuar me vitin 2019. Investimet në industrinë primare u rritën me 19.5%; në industrinë sekondare në 0,1%; dhe në industrinë terciare me 3.6%. Investimi privat u rrit me 1.0% përqind. Investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën me 10.6%, investimet në shërbimet e tregtisë elektronike dhe të informacionit u rritën përkatësisht me 20.2% dhe 15.2%. Investimet në sektorin social u rritën mesatarisht në 11.9%., përkatësisht 29.9% në investimet e industrisë ss shëndetësisë dhe 12.3% në industrinë e arsimit.

Në vitin 2020 vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 32,156 miliardë RMB, duke shënuar një rritje prej 1.9% krahasuar me vitin e kaluar. Vlera totale e eksporteve ishte 17,933 miliardë RMB ose një rritje prej 4.0% ndërsa vlera totale e importeve ishte 14,223 miliard RMB duke shënuar një rënie prej 0.7%. Bilanci tregtar ishte 3,709.6 miliardë juanë në tepricë. Në vitin 202 të ardhurat e disponueshme të banorëve për frymë në mbarë vendin ishin 32,189 RMB ose një rritje nominale prej 4.7% krahasuar me vitin e kaluar. Të ardhurat e disponueshme për frymë të familjeve urbane ishin 43,834 RMB me një rritje nominale prej 3.5%.

Të ardhurat e disponueshme për frymë të familjeve rurale ishin 17,131 RMB me një rritje nominale prej 6.9%. Në vitin 2020, shpenzimet e konsumit për frymë në mbarë vendin ishin 21,210 RMB, duke shënuar një rënie nominale prej 1.6%. Shpenzimi i konsumit për frymë të familjeve urbane ishte 27,007 juan, me një rënie nominale prej 3.8%, ndërsa shpenzimi për frymë i konsumit të familjeve rurale ishte 13,713 RMB, me një rritje nominale prej 2.9%. Politikat fiskale stimuluese, rritja e investimeve dhe eksporteve ndikuan në rikuperimin e ekonomisë kombëtare, në sigurimin e standardeve të punësimit dhe të jetesës, duke plotësuar objektivat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Vlera totale e shtuar e prodhimit industrial u rrit me 2.8% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas niveleve të industrive vlera e shtuar e industrisë primare u rrit me 3.0%, ajo e industrisë sekondare ishte 2.6% dhe ajo e industrisë terciare u rrit me 2.1%. Për sa i përket sektorëve, vlera e shtuar e minierave u rrit me 0.5%; ajo e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, energji termike, gaz dhe ujë u rrit me 2.0%; e prodhimit të teknologjisë së lartë dhe prodhimit të pajisjeve u rritën respektivisht me 7.1% dhe 6.6% gjatë vitit të kaluar. Konkretisht, prodhimi i robotëve industrialë, automjeteve të reja energjetike, qarqeve të integruara dhe pajisjeve mikro kompjuterike u rritën përkatësisht me 19.1%, 17.3%, 16.2% dhe 12.7%. Në vitin 2020, indeksi i prodhimit të shërbimeve ishte i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Vlera e shtuar e shërbimeve të transmetimit të informacionit, softuerit dhe teknologjisë së informacionit dhe ajo e shërbimeve financiare u rritën përkatësisht me 16.9% dhe 7.0%. Prodhimi i përgjithshëm i grurit në vitin 2020 arriti në 669.49 milion ton, me një rritje 0.9% krahasuar me vitin e kaluar.

Prof. Dr. Petraq Milo