Zhvillimi i Kinës çdo ditë e më shumë bëhet impresionues, por krahas këtij zhvillimi të gjithanshëm ajo që është e dukshme, është edhe fakti se punohet jo vetëm për zhvillimin brenda saj, por edhe për t’i shërbyer begatisë së përbashkët. Propozimi i Presidentit kinez Xi Jinping për ndërtimin e “ bashkësisë të fateve të përbashkëta të njerëzimit” po jetësohet çdo ditë në nisma të rëndësishme, konkrete dhe që po i japin një impakt zhvillimi ekonomisë globale. Nisma “Një brez, një rrugë” dhe ajo “17+1”, nuk janë tashmë vetëm nisma të programuara që presin të implementohen, por janë bashkëpunime konkrete me shtete në të katër anët e globit. Synimi i sotëm i politikës kineze është orientuar nga fakti se duhet të shkojmë drejt një bote harmonike dhe të mirëkuptuar me njeri-tjetrin, duke u investuar drejt bashkëpunimit, por edhe mbështetjes ndaj atyre vendeve me mundësi të kufizuara.

Rrugëtimi i iniciativës “17+ 1” po bëhet gjithnjë e më i shpejtë dhe po dëshmon se politika kineze e bashkëpunimit dhe ndihmës jo vetëm që është e sinqertë e dobibrurëse, por edhe e hapur për të rritur formatin e komunikimit. Megjithëse periudha e vështirë e vititi të kaluar rëndoi edhe mbi ekonominë kineze, ajo nuk u tërhoq nga dhënia e impulseve nxitëse për Nismën “17+1” dhe duke gjetur rrugë të reja për të thelluar projektet. Në videotakimin e fundit kryetarët e shteteve e të qeverive të Evropës Juglindore nuk e fshehën optimizmin për bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme, duke nënvizuar forcën frymësuese të saj dhe transformimet që ka sjellë përgjatë këtyre 9 viteve, që kur ajo ka nisur. Që nga viti 2012 kur u formësua Nisma është rritur në mënyrë të dukshme komunikimi i Kinës me 17 vendet që janë të përfshira në të. Trena të përditshëm nisen nga Kina në drejtim të Evropës, e me distinacione të posaçme drejt Hungarisë, Polonisë, Lituanisë, Republikës Çeke, Sllovakisë e vendeve të tjera, pjesë e këtij mekanizmi.

Vëllimi i tregtisë së Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është rritur mbi 85 %. Në pesë vitet e ardhshme pala kineze planifikon të importojë mallra me vlerë mbi 170 miliardë dollarë, duke synuar të realizojë dyfishin e importit të mallrave bujqësore nga këto vende. Po kështu do të punohet për të rritur me 50 % vëllimin e tregtisë bujqësore. Më shumë se 6 herë janë rritur fluturimet direkte, tregues që nuk e gjen me asnjë rajon tjetër. Projektet kërkimore shkencore, infrastrukturore, ivestimet në shumë fusha nuk janë inciativa, por realizime konkrete, duke sjellë ndikim pozitiv në ekonomitë e vendeve përfituese.

Që prej krijimit të mekanizmit investimet e drejtëpërdrejta të Kinës në vendet e EQL kanë arritur në 3.14 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2020, kryesisht në sektorët e infrastrukturës, energjisë, pjesë këmbimi, logjistikë e të tjerë. Ndërkohë 17 vendet investuan në Kinë 1,72 miliardë dollarë. Kina dhe vendet e EQL kanë krijuar më shumë se 212 binjakëzime në rang province e komune që i kanë shërbyer jo vetëm bashkëpunimit, por edhe krijimit të një atmosfere më miqësore e mirëkuptuese. Gjuha e shifrave mbetet argumenti bindës dhe referencial për t’i dhënë jetë këtij bashkëpunimi, por edhe për të kundërshtuar tezat që përpiqen të errësojnë qartësinë e mekanizmit dhe të dobisë së ndërsjellë të tij.

Vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me 17 vendet e EQL-së në vitin 2020 ishte 103.4 miliardë dollarë, 8.4 % më e lartë se norma e rritjes së tregtisë së jashtme të Kinës dhe e tregtisë së jashtme me Evropën në tërësi. Vlera e përgjithëshme e kontratave të projekteve të nënshkruara me 17 vendet e EQL-së u rrit me 34.6 %, duke arritur në 5.41 miliardë dollarë. Një bashkëpunim që ka kaluar një rrugë prej afro 9 vitesh, i përshkuar nga motivimi i sinqertë i ndihmës dhe i partneritetit të hapur, mund të sjellë këto shifra, të cilat përmbajnë brenda vetes së tyre solidaritet dhe angazhim konstruktiv.

Mbështetur mbi parimin e multilaterizmit Kina ka ndërtuar marrëdhëniet ekonomike e politike të së ardhmes së saj, si një rrugë për të patur jo vetëm me këto vende, por me të gjithë, zhvillim e përfitime reciproke. Promovimi i politikave multilaterale për të cilën Pekini po punon prej vitesh, e bën botën më paqësore, më të qëndrueshme dhe më të drejtë. Multilaterizmi i ka dhënë Kinës një rol shumë më të avancuar në politikën globale, pasi ajo ka shtuar bashkëpunimin duke sjellë ekuilibra të rinj dhe zhvillim më të balancuar. Një botë multipolare, globaliste, jashtë konflikteve që konsumojnë paqen dhe ulin ritmet e zhvillimit, është në sytë e Kinës orientimi dhe investimi i së sotmes, por edhe së ardhmes.

Në vazhdimësinë e parimeve të multilaterizmit dhe të bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë ishte edhe fokusimi i shkëmbimit të mendimeve e propozimeve që u bënë në takimin virtual të lidërve të Evropës Qëndrore e Lindore në fillim të këtij muaji me Presidentin kinez Xi Jinping. Përballimi i sfidës së epidemisë me të gjithë rezonancën komplekse që ka ajo, zgjerimi i bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella duke fokusuar faktorët dhe elementët konkretë të tij dhe rritja e vëmendjes tek zhvillimi i gjelbër, si një sfidë globale, ide dhe teza të cilat Presidenti kinez ka qartësuar prej kohësh, janë drejtime në të cilat marrëdhëniet midis Kinës dhe EQL marrin tashmë një drejtim dhe suport të ri të fuqishëm.

Ajo që mbetet sot sfida më e vështirë: Përballimi i pandemisë ka marrë edhe një herë në samit mbështetjen e hapur dhe dashamirëse të Kinës. Kërkesat për vaksina, po marrin një vëmendje të shtuar nga autoritetet kineze. Situata e tanishme e pandemisë nuk mund të interpretohet gjeopolitikisht, ajo ka nevojën për të patur shëndetin e njerëzve kryefjalë dhe për të gjetur e shfrytëzuar burimet e mundshme të vaksinave, që sjellin uljen e efekteve të rënda që ka pandemia.

Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi këto ditë se vaksinat kineze mund ta ndihmojnë Hungarinë të jetë para vendeve të tjera të BE-së në vaksinimin kundër Covid -19. Në samitin e 9 shkurtit Orban vlerësoi përpjekjet e Kinës në studimin e prodhimin e vaksinave dhe duke iu referuar të dhënave shkencore nga institutet e specializuara hungareze në këtë fushë, ai i përcaktoi vaksinat kineze shumë të sigurta. Deri në fund të muajit shkurt, Hungaria do të vaksinojë më shumë se 6.8 milionë vetë, kur dihet që popullsia e saj është afro 10 milionë banorë. Në lidhje me këtë betejë, siç është lufta kundër Covid-19, presidenti çek Milos Zeman duke shprehur falenderimet e tij në një prononcim për shtypin tha se “ faktet tregojnë se Kina është mikja jonë e vërtetë”.

Ditë më parë, Presidenti serb Vuçiç ishte bashkë me ambasadoren kineze në aeroportin e Beogradit për të pritur 1 milion vaksina Sinopharm, ndërkohëe që Maqedonia e Veriut firmosi të hënën e kaluar marrëveshjen e parë për vaksinat kineze, duke e cilësuar një oksigjen të domosdoshëm ardhjen e tyre.

Ajo që ishtë edhe kryefjala e samitit virtual, të cilën Presidenti kinez e theksoi në fjalimin e tij: “Parimi i parë është bashkëpunimi i bazuar në konsultime, Kina dhe vendet e EQL-së e respektojnë njeri-tjetrin dhe zhvillojnë bashkëpunim pa kushte politike, duke këmbëngulur në barazinë e vendeve të mëdha e të vogla dhe në konsultime, ndërtim dhe në ndarje të përbashkët të përfitimeve”, është edhe pista nga do të ecë do të zhvillohet edhe në të ardhmen ky mekanizëm.

Përkushtimi i Kinës për ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, përshkoi edhe samitin e fundit, duke dëshmuar edhe një herë koherëncën e Kinës në këtë drejtim. Viti 2020, i cili kishte një rëndësi thelbësore për Kinën pasi ajo përfundoi ndërtimin e shoqërisë relativisht të begatë në të gjitha aspektet të njohur si “ Xioakang”, por në të njëjtën kohë ruajti dhe zhvilloi më tej përgjegjësitë në kuadër të mekanizmit “17+1”, rezultatet e të cilave gjatë vititi 2020, ishin impresionuese.

Duke i rezistuar krizës pandemike, po edhe vështirësive ekonomike që erdhën si rrjedhoje e saj, u dëshmua se ky mekanizëm ka forca dhe energji të tilla, ndikimi i të cilave në ekonomi, i jep hov një zhvillimi intensiv shumëplanësh. Bashkëpunimi midis vendeve është realizuar në formë përpjestimore, duke i dhënë hapsirën e duhur integrimit ekonomik dhe atij kulturor, me efekte pozitive në shumë vende. Disa vende, ndër to edhe Shqipëria akoma nuk kanë gjetur ritmin e duhur brenda këtij mekanizmi, për të patur një partneritet ta hapur me përfitim të ndërsjellë. Dialogu politik dhe diplomatik midis dy vendeve ka qënë dhe mbetet korrekt dhe i mirëkuptuar, por këtij dialogu nuk i është përgjigjur sa e si duhet një intensitet bashkëpunimi në veçanti në fushën ekonomike.

Kryeministri shqiptar në këtë forum virtual theksoi se mbeten të pashfrytëzuara mundësitë që ofrohen nga komunikimi pozitiv midis dy vendeve, dhe kjo gjë lipset të korigjohet në praktikë në vijimësi. Nënshkrimi i dy protokolleve ditët e fundit midis Administratës së Përgjithëshme të Doganave të Kinës dhe Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë është një hap real dhe inkurajues që produktet shqiptare të hyjnë në tregun kinez. Ajo që ndër të tjera nënvizoi Presidenti Xi se “Kina dhe vendet e EQL-së besojnë se hapja mund të krijojë mundësi dhe gjithëpërfshirja mund të sjellë larmi” është edhe një ftesë për të qënë më atraktivë ato vende të cilat nuk po marrin atë përfitim që ofron ky mekanizëm.

Gëzim Podgorica