Nisma 17+1, krijuar në 2012 me iniciativën e Qeverisë kineze me synim përmirësimin e marrëdhënieve të biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, është pjesë e nismës “Rruga e Mëndafshit”. Anëtarë janë Shqipëria, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Kjo iniciativë, deri tani, vlerësohet deri në 1 trilion dollarë.

Që nga viti 2012 e deri tani janë zhvilluar shumë takime. Në takimin e majit 2018, Ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi, tha “Marrëdhëniet e Kinës me këto vende janë me përfitim për tërë Evropën” dhe “marrëdhëniet e Kinës me këtë pjesë të Evropës, janë të natyrshme në ndihmë të marrëdhënieve me tërë kontinentin evropian”.

Takimi i 9 shkurtit 2021, organizohet kur pandemia e Covid–19 është përhapur kudo në botë, kur ekonomia e çdo vendi të botës është në vështirësi dhe parimet e qeverisjes po orientohen drejt demokracisë pjesëmarrëse dhe vendosjes së punës (jo parasë) në qendër të modeleve ekonomike.

Përballë këtyre sfidave kërkohen qasje të reja, bashkëpunim dhe solidaritet për të mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin, duke orientuar dhe përmirësuar përpjekjet për të ruajtur sigurinë, shëndetin publik rajonal dhe global dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis vendeve, në dobi të të gjithëve.

Presidenti Xi Jinping në fjalën e tij theksoi: “Takimi në këtë moment të pazakontë tregon vendosmërinë tonë për të qëndruar së bashku përballë vështirësive, për të ndjekur zhvillimin e përbashkët përmes bashkëpunimit”. Në tashmë i “marrim vendimeve përmes konsultimit, në respekt të ndërsjelltë”, duke patur parasysh se “të gjitha vendet e përfshira, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë partnerë të barabartë në një mekanizëm bashkëpunimi që përfshin konsultime të gjera, kontribut dhe përfitime të përbashkëta. Kina ka përpiluar plane, ka vendosur për projektet bazuar në realitetin kombëtar të secilit vend dhe inkurajon që të gjehet mënyra më e mirë për të shfrytëzuar forcat e çdo vendi në këtë bashkëpunim”.

Më tej ai shtoi: “Për ta bërë bashkëpunimin tonë më të ekuilibruar, ne kemi ndjekur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet kulturore, i kemi dhënë rëndësi të njëjtë tregtisë dhe investimeve dhe jemi siguruar që frytet e bashkëpunimit të ndahen nga të gjitha vendet dhe komunitetet”.

Doganat, zonat industriale, bujqësia, eksportet, shkëmbimi i profesionistëve, bashkëpunimi në fushat e kulturës, sportit, turizmit, medias, institucioneve të arsimit të lartë, zhvillimin e gjelbër, shkencë, teknologji, inovacion e sipërmarrje, etj., janë piketat e së ardhmes si objektiva strategjike dhe operacionale. Të gjitha këto në një kohë që Kina ka filluar implementimin e Planit 14-të Pesëvjeçar, pjesë e të cilit janë edhe mbështetja dhe nxitja e këtyre projekteve dhe iniciativave me karakter shumë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe global, duke patur parasysh angazhimin dhe përpjekjet e përbashkëta të vendeve pjesëmarrëse në këto iniciativa, për të arritur progres më solid, thelbësor dhe të qëndrueshëm.

Si në çdo takim ndërkombëtar, vendet anëtare kërkojnë më shumë siguri dhe garanci për veprimet dhe iniciativat, kështu që ishte më se e natyrshme që këto vende të kërkonin ecuri më të shpejtë të projekteve të filluara dhe përshpejtim të punës për fillimin e projekteve të reja.

Është fakt se disa vende të kësaj nisme janë vende të Ballkanit Perëndimor, disa vende janë pjesë e nismës së Evropës Juglindore dhe disa vende janë pjesë e angazhimeve në Mesdhe. Kjo bën që fokusi i këtyre vendeve të mos jetë thjesht Bashkimi Evropian, por interesa më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse në kuadër të globalizimit ekonomik.

Gjithashtu, rikonfigurimi i fuqisë politike, ekonomike dhe social – kulturore në botë ka sjellë një ribalancim të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha, ku Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Rusia, duket se janë lojtarët kryesorë, pa nënvlerësuar edhe ndikimin në rritje të Indisë, Brazilit dhe disa vendeve të tjera.

Në lidhje me nismën 17+1, është shumë e rëndësishme deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilën thellohet se: “Ne e dimë që partnerët tanë evropianë kanë interesat e tyre dhe raportet e tyre dhe administrata e re amerikane nuk po i detyron partnerët evropianë që të zgjedhin mes Kinës dhe SHBA-së, por do përkushtohet më shumë në thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët mbi çështjen e Kinës”, megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të bindur se “Kina përdor si mjet organizatat multilaterale për të avancuar interesat e saj shumëplanëshe”.

Edhe në BE ekzistojnë shqetësime se projektet kineze në vendet e Ballkanit Perëndimor janë ndryshe nga ato evropiane në lidhje me konceptet e menaxhimit, transparencës dhe qëndrueshmërisë.

Është fakt se pas nëntë vitesh nga krijimi e kësaj platforme ndërkombëtare bashkëpunimi, marrëdhëniet tregtare midis këtyre vendeve dhe Kinës janë rritur me 85%. Në vitin 2020 tregtia e Kinës me këto vende arriti në 103.15 miliardë dollarë. Përparim mbresëlënës është bërë në një numër projektesh si ai në Portin e Pireut në Greqi, Uzinën e Çelikut Smederevo në Serbi dhe Urën Peljesac në Kroaci, hekurudhën Budapest – Beograd, etj. E gjithë kjo paralelisht me përfundimin e negociatave midis Kinës dhe BE-së për programin mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet, marrëveshjen mbi treguesit gjeografikë dhe fillimin e partneritetit për bashkëpunimin e gjelbër dhe dixhital.

Në fakt, Pekini ka bërë investime në shumën 12 miliardë euro për projekte ndërtimore në 16 vende, një e treta e të cilave shkoi në Serbi, në Bosnje dhe Hercegovinë (21 për qind) dhe Mal të Zi (7 për qind). Kina ka investuar të paktën 8 miliardë euro në hekurudha, energji dhe ndërtim rrugësh në Ballkanin Perëndimor.

Në vitin 2019 investimet kineze në Shqipëri arritën mbi 800 milionë dollarë, duke e bërë Kinën një prej vendeve kryesore investuese në Shqipëri, eksportet e Serbisë në Kinë janë rritur 15 herë në pesë vjetët e fundit, Bosnje Hercegovina kërkon bashkëpunim në fushën e investimeve në termocentrale, Mali i Zi, dëshiron bashkëpunim më të gjerë me Kinën, Bullgaria mbështetet iniciativën për identifikimin dhe zbatimin e masave konkrete për zgjerimin dhe lehtësimin e hyrjes në tregjet kineze dhe anasjelltas, duke thjeshtuar procedurat doganore, Polonia deklaroi se duhen thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e import – eksportit, në veçanti për produktet ushqimore dhe bujqësore, Sllovakia nënshkroi protokollin e eksportit të qengjave në Kinë, Greqia deklaroi se platforma do të ishte një simbol i bashkëpunimit, solidaritetit, mirëkuptimit dhe transparencës, etj.

Në këtë kuadër, në lidhje me iniciativën 17 + 1, tashmë kërkohet më shumë prakticitet në përpjekjet e përbashkëta për rimëkëmbje të shpejtë ekonomike. (Foto nga VCG)