Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) është një iniciativë për të promovuar marrëdhëniet e ndërsjellta të biznesit, tregtisë dhe investimeve ndërmjet këtyre vendeve. Në Prill të vitit 2012, në Poloni u mbajt Samiti i Parë i liderëve të Kinës dhe të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili vendosi fillimisht kornizën e bashkëpunimit "16 + 1". Greqia në Samitin e 8-të të liderëve në Kroaci në vitin 2019 iu bashkua zyrtarisht kësaj platforme duke u bërë "17 + 1". Aktualisht, anëtarët e platformës të bashkëpunimit përfshijnë Kinën, Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Greqinë. Në periudhën 2012-2020 janë mbajtur 8 Samite, respektivisht në 2012 në Varshavë; në 2013 në Bukuresht; në 2014 në Beograd; në 2015 në Suzhou; në 2016 në Riga; në 2017 në Budapest; në 2018 në Sofie; dhe në 2019 në Dubrovnik. Samiti i 9-të fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Pekin në vitin 2020, por u shty për shkak të pandemisë së re të koronavirusit. Ky samit u mbajt në një takim virtual në datën 9 Shkurt 2021. Presidenti kinez Xi ka vlerësuar bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke u bërë thirrje vendeve përkatëse të punojnë së bashku për një kapitull të ri në bashkëpunimin e tyre të mbështetur mbi disa parime të pranuara nga të gjitha palët, si marrja e vendimeve përmes konsultimit, dhënia e përfitimeve për të gjithë partnerët, ndjekja e zhvillimit të përbashkët përmes hapjes dhe gjithëpërfshirjes, si dhe rritja më e lartë ekonomike përmes inovacionit.

Pas krizës financiare të vitit 2008 dhe rënies së konsiderueshme pasuese të investimeve të huaja direkte në këtë rajon, shtetet e Evropes Qendrore dhe Lindore u përpoqën të gjenin burime alternative të rritjes ekonomike. Kina u përcaktua si një partner i rëndësishëm në adresimin dhe kapërcimin e kësaj mungese dhe shtytës në stimulimin e rritjes ekonomike. Kjo platformë, kryesisht me fokus ekonomik, do të ishte rritja e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, transportit dhe logjistikës, tregtisë dhe investimeve. Kina u zotua të krijojë një linjë kredie me vlerë 10 miliard dollarë në projekte në fusha të tilla si infrastruktura, teknologjitë e reja dhe ekonomia e gjelbër. Gjithashtu u angazhua për të rritur vëllimin e saj të tregtisë në 100 miliard dollarë dhe për të krijuar një fond bashkëpunimi investimi prej 500 milion dollarë në fazën e parë. Gjithashtu, përveç bashkëpunimit ekonomik, kjo platformë do të synojë zgjerimin në fusha tradicionale si kultura, arsimi, turizmi, shëndetësia, por dhe në fusha të reja si ato dixhitale, inteligjenca artificiale, teknologjia financiare, shkenca e jetës dhe mbrojtja e mjedisit.

Nga krijimi i kësaj platforme, bashkëpunimi midis vendeve të Evropes Qendrore dhe Lindore është bërë më i rëndësishëm, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, promovimin e trenave të mallrave Kinë-Evropë. Disa projekte në fushën e energjisë dhe të infrastrukturës janë konkretizuar dhe të tjera janë në zhvillim, si termocentrali fotovoltaik Kaposvar 100 MG në Hungari- një investim në 100 milion euro; autostrada 180 kilometra që lidh portin e Tivarit të Malit të Zi me Serbinë; termocentrali i Stanari në Bosnje –Hercegovinë; autostrada E763 e Serbisë; linja hekurudhore Budapest-Beograd; linja ekspres tokë-det Kinë-Evropë; faza e parë e urës Peljesaç dhe rrugëve të saj të hyrjes në Kroaci; blerjet e sektorit të makinerisë së inxhinierisë civile Huta Staloëa Ëola në Poloni, etj. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me 17 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore është rritur me 8.4% në vitin 2020, duke arritur në nivelin e 103.45 miliardë dollarëve. Vëllimi tregtar i produkteve bujqësore arriti në 730 milion dollarë amerikanë në gjysmën e parë të vitit 2020, duke u rritur me 8.2 përqind nga viti në vit. Numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë arriti nga 17 në vitin 2011 në 12,400 në vitin 2020, me destinacione kryesore përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke.

Burimi : AMO, Policy Paper 2020

Burimi : AMO, Policy Paper 2020


Burimi: Ministria e Tregtisë

Burimi: Ministria e Tregtisë

Presidenti Xi, në video konferencën e mbajtur, u shpreh se Kina do të vazhdojë të sigurojë vaksina për vendet në nevojë, duke nënvizuar se deri më tani Serbia ka marrë 1 milion doza vaksinash nga një kompani kineze dhe ka një bashkëpunim të vazhdueshëm midis Hungarisë dhe kompanive kineze të vaksinave. Kina do të konsiderojë në mënyrë aktive të tilla partneritete me vendet e tjera të Evropes Qendrore dhe Lindore nëse ka nevojë. Përparësi për momentin është lufta ndaj pandemisë COVID, për ringjalljen ekonomike, rifillimin e udhëtimeve dhe aktiviteteve ekonomike në një mënyrë të kujdesshme dhe të rregullt, dhe mbajtja e zinxhirëve industriale dhe të furnizimit të qëndrueshëm. Bashkëpunimi Kinë-Vendet e Evropes Qendrore dhe Lindore është një platformë ndër rajonale me ndikim të rëndësishëm në lidhjen ekonomike dhe tregtare ndërmjet vendeve në kuadrin e bashkëpunimit “Një Brez Një Rrugë”. E rëndësishme në këtë aspekt është shpejtimi i përfundimit të projekteve të tilla si hekurrudha Budapest-Beograd dhe zhvillimin e Express të linjës hekurrudhore Kinë-Evropë. Rezultatet e bashkëpunimit duhet të synojnë një përfitim në zgjerimin e tregëtisë dhe rritjen e investimeve për të gjithë vendet partnere. Kina do të angazhohet të importojë në pesë vitet e ardhshme më shumë se 170 miliardë dollarë amerikanë mallra, zhvillimin e zonave demonstruese dhe parqeve industriale. Thellimi i bashkëpunimin bujqësor do te synoje dyfishimin e eksportet bujqësore të vendeve të Europes Qendrore dhe Lindore për të rritur tregtinë e mallrave bujqësore të dyanshme me 50 përqind gjatë pesë viteve të ardhshme. Kina ka propozuar krijimin e një tregu me shumicë të prodhimeve bujqësore në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore dhe prezantimin e një programi shkëmbimi për profesionistët e rinj të bujqësisë. I një rëndësie të veçantë mbetet zhvillimi i gjelbër për të avancuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për ndryshimin e klimës dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Parisit, si dhe në suksesin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës dhe të Konventës për diversitetin biologjik. Gjithashtu në video konferencë është propozuar nga Presidenti Xi ngritja e një Qendre Kërkimore Kinë-Vendet e Evropes Qendrore dhe Lindore, mbajtja e një Forumi Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për talentet e reja dhe startup si dhe mbështetjen e themelimin e një universiteti Fudan në Hungari.

Prof. Dr. Petraq Milo