Të martën, në 9 shkurt, u zhvillua në formën e videokonferencës Samiti i Liderëve të Kinës me përfaqësuesit e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Formati i njohur si 17+1, duke iu referuar pjesëmarrjes në të, të 17 vendeve europiane, nisi në vitin 2012 dhe reflekton në një pjesë të madhe qasjen që synon të ketë Kina ndaj Europës. Njëkohësisht ka dhe sfida të shumta të cilat mbeten përcaktuese për ardhmërinë e këtij bashkëpunimi, ndaj të cilit duket se të gjitha palët kanë një interes të vazhdojë dhe më tej.

Vetë forumi i bashkëpunimit është rritur përgjatë viteve. Greqia ishte vendi që iu shtua platformës duke e kaluar atë nga 16+1 në 17+1. Por, një element që pasqyroi rëndësinë që i kushton Kina kësaj platforme ishte përfshirja e vetë Presidentit të Kinës, Xi Jinping. Në fakt, lajmi që Presidenti i Kinës do të merrte përsipër drejtimin e forumit, duke zëvendësuar Kryeministrin kinez, Li Keqiang, u bë i ditur që vitin e kaluar, por pandemia e detyroi takimin vjetor të shtyhej në kohë.

Statura e Kinës dhe prezenca e saj në Europë, veçanërisht në Europën Lindore, Qendrore dhe në veçanti në Ballkan, ka ardhur duke u rritur. Forumi 17+1 ka qënë padyshim një mekanizëm që i ka shërbyer këtij fenomeni, teksa takimet e përvitshme kanë shërbyer për të rritur kontaktet ndërmjet palëve dhe shqyrtimin e hapjes së mundësive të reja të bashkëpunimit. Nga ana e saj, Kina synon të ndërtojë mbi këtë platformë mundësinë për akses më të madh në treg, si dhe për të lehtësuar hyrjen në Kinë të produkteve agrokulturore dhe produkteve të tjera nga vendet europiane.

Megjithatë, është po aq e vërtetë që potenciali i investimeve dhe tregtisë ndërmjet këtyre vendeve dhe Kinës mbetet ende i pashfrytëzuar plotësisht. Objektivi i deklaruar nga Presidenti Xi Jinping për importimin në Kinë të mbi 170 miliardë dollarë produkte bujqësore nga rajoni në pesë vitet e ardhshme synohet të realizohet me dyfishimin e importit të mallrave bujqësore dhe rritjen me 50% të vëllimit të tregtisë bujqësore. Është e rëndësishme të vendoset në perspektivë ky fakt, prandaj mund të përmendim faktin që në vitin 2020, vëllimi i tregtisë dypalëshe kaloi për herë të parë vlerën e 100 miliardë dollarëve. Qartësisht këto janë objektiva të rëndësishme dhe ambicioze dhe, nëse arrihen, synojnë të japin një impuls të ri në marrëdhëniet ndërmjet këtyre vendeve.

Padyshim që pandemia COVID-19 nuk mund të anashkalohej si temë diskutimi dhe në fakt, Presidenti i Kinës Xi Jinping e theksoi atë edhe në fjalimin e tij kryesor. Natyrshëm që kjo temë, duke përfshirë shpërndarjen e barabartë të vaksinave në nivel global, por edhe nevojën për mbështetje ekonomike për të tejkaluar impaktin ekonomik të pandemisë, ishte ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga liderët europianë.

Përtej këtyre shqetësimeve, takimi i fundit shënoi dhe diskutime për bashkëpunime të reja dhe inovatore, mbi të gjitha duke marrë parasysh situatën e vështirë ekonomike dhe të shëndetësisë në botë. Fjala vjen, mbështetja për bashkëveprimin në industrinë e shëndetit publik është një pikë e rëndësishme që meriton reflektim të gjerë. Në të njëjtën kohë, ideja e krijimit të një mekanizmi dialogu për bashkëpunimin në fushën e tregtisë elektronike meriton gjithashtu vëmendje të veçantë.

Vetë formati është ndërtuar në bazë të synimit për të rritur angazhimet dhe mundësitë për bashkëveprim. Jo më kot, ai është bërë pjesë e projektit strategjik të Kinës “një brez një rrugë”. Kjo u theksua në takimin e fundit nëpërmjet kontekstit global dhe mundësisë për të avancuar konceptin e multilateralizmit dhe zhvillimeve të ndërlidhura me të, në një moment kur globalizmi dhe hallkat e bashkëveprimit ndërkombëtar janë vënë në dyshim.

Është e qartë që, në këtë sens, nuk mund të mungojnë as refleksionet gjeopolitike, ndërsa gjasat janë që trendi i rivalitetit në rritje ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë edhe pas ndërrimit të administratës në këtë të fundit.

Brenda kontureve të këtij kompeticioni dhe marrëdhënieje të ndërlikuar duhen parë përpjekjet për avancimin e platformave rajonale që do krijojnë avantazhe për secilën prej këtyre fuqive të mëdha në raport me tjetrën. Iniciativa e Tre Deteve, e mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara, konsiderohet në shumë aspekte si një lloj platforme alternative dhe konkurruese ndaj platformës 17+1. Një pjesë e mirë e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore janë pjesë e të dyja nismave, megjithatë këtu bëjnë përjashtim Ballkani perëndimor dhe Greqia.

Gjithsesi, takimi i 9 shkurtit e anashkaloi këtë rivalitet ndërmjet fuqive dhe këtyre projekteve madhore në kontinentin europian dhe u përqendrua në ato që mund të etiketohen elemente të prekshme. Kjo u vu re në diskursin e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët privilegjuan në fjalimet e tyre fusha dhe zhvillime të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti mirëqenien e banorëve të vendeve të tyre. Në fund të fundit, përtej retorikës dhe argumentimeve të gjera, metrika e vërtetë e suksesit të këtyre iniciativave do të mbetet pikërisht aftësia për të rritur mirëqenien e popullsive dhe për të krijuar një klimë më të mirë për bizneset dhe tregtinë.

Në kohën kur Kina e ka vënë si prioritet marrëdhënien me vendet e kontinentit europian, sikurse u reflektua dhe me arritjen e marrëveshjes së përgjithshme për tregtinë dhe investimet me Bashkimin Europian, formati 17+1 ofron një tjetër platformë të rëndësishme. Dhe në vitin e saj të nëntë, duket sikur ajo po trajtëzohet gjithmonë e më shumë si një platformë e qëndrueshme.