
Gjithë mediat botërore bënë lajm në faqet e para kur Presidenti serb Aleksandar Vuçiç doli në aeroportin e Beogradit së bashku me ambasadoren kineze për të pritur kontigjentin prej 1 milion të vaksinës kineze Sinopharm. Nuk vonuan pastaj lajme të tjera që vinin nga Hungaria si vendi i parë në BE që miratoi përdorimin e kësaj vaksine, apo ato që lidheshin me sigurinë e saj, të cilën e demonstronin duke e bërë publikisht Presidenti turk Erdogan, apo presidentët e Indonezisë, Sejshelleve e të tjerë. Por edhe presidentët e vendeve të tjera si Peruja, Kili, Kamboxhia kanë deklaruar publikisht që do të përdorin vaksinën kineze.
Në asnjë rast nuk besoj se kishim të bënim me show, përkundrazi, ishte një moment kur jepej vlerësim e siguri, garanci për publikun për të qenë më të bindur se vaksina është rruga e duhur për të parandaluar virusin. Sinopharm dëshmon jo vetëm humanizëm nga ana e dhuruesve kinezë, por edhe një standard të lartë teknologjik dhe të certifikuar përmes provash të shumta klinike.
Në emergjencën botërore të nevojës për vaksina, vende të ndryshme sot pasi marrin garancitë klinike të vaksinave të prodhuara nga shumë shtete, me pragmatizëm dhe jashtë influencave politike të cilat në këtë moment janë më të pakuptimta se në asnjë rast tjetër, po negociojnë e marrin vaksinat. Është një shërbim në emër të jetës, një qasje e drejtë për t’i shërbyer popullit dhe shkëputje nga mentaliteti i ndërvarësisë gjeopolitike.

Sot lufta dhe “armiku” më i madh është pandemia që ka shkaktuar koronavirusi. Bota nuk ka luksin të politizojë vaksinat, por një bashkëpunim i madh ndërkombëtar për realizimin në sasi të mëdha e të certifikuara është sot, por mbetet edhe në vijim sfida më e madhe. Prodhimi i vaksinës vërtet është një garë, por rregullat po prishen dhe shumë vende të pasura po porosisin e blejnë vaksina, duke rënduar gjendjen e situatën e vendeve të varfëria e atyre në zhvillim. Me të drejtë, Presidenti francez Macron theksoi këto ditë se vendet e fuqishme dhe ato që kanë mundësi ekonomike e teknologjike duhet që të ndihmojnë me vaksina vendet e varfëria. Kjo për disa arsye: E para sepse mundësitë e tyre janë të kufizuara në planin financiar, e dyta në kushtet e jetesës së atyre njerëzve virusi shpërndahet më shpejt dhe e treta në se popullsia e atyre vendeve vaksinohet, izolimi do të jetë më efikas dhe fitorja mbi pandeminë do vijë më shpejt.
Jo rastësisht shtete të ndryshme i kanë hedhur sytë nga Kina. Ajo e ka bërë vaksinën një produkt publik për të gjithë, duke u orientuar me mbështetje kryesisht tek vendet që kanë mundësi të kufizuara për ta blerë dhe kryer këtë proces në popullsinë e tyre. Më shumë se 53 vende në zhvillim kanë marrë ose do të marrin si donacion vaksinën kineze, duke iu përgjigjur konkretisht planit dhe strategjisë së OBSH-së për një shpërndarje të barabartë të vaksinave. Ky është një konkretizim në praktikë i deklaratës së Presidentit Xi që pas kërkim–zhvillimit të vaksinave, në të cilën Kina ka angazhuar gjithë potencialin e saj më të zhvilluar shkencor dhe teknologjik, të realizohet një produkt publik global. Janë gjithashtu deri tani edhe 22 vende në të cilat Kina ka eksportuar vaksinën. Dimensionet e humanizmit marrin edhe në këtë rast një vlerë të veçantë dhe riafirmojnë bujarinë e Kinës.

Problemi i shpërndarjes së vaksinave ka prodhuar tension dhe pakënaqësi të shumta në BE dhe jashtë saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të zhgënjyer dhe të zemëruar më Bashkimin Europian për mungesën e ndihmës ndaj pandemisë që ka shkaktuar koronavirusi. Një pragmatizëm në zgjidhjen e kësaj situate nga Serbia, e cila ka marrë më shumë se 1 milion vaksina, i jep garancinë këtij vendi se imuniteti i tufës do të arrihet shumë më shpejt se vende të përparuara në BE, që porositën me shumicë, por po i marrin ato me pikatore. Shumë shtete jo vetëm në Ballkan po e shikojnë tani mundësinë e sigurimit të vaksinës nga Kina dhe Rusia, pasi certifikimi shkencor i ka dhënë garancitë e veta. Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn deklaroi se pret miratimin nga BE të vaksinës kineze, për të trokitur pastaj në dyert e Sinopharm për të marrë produktin e shumëpritur.
Ministri serb i shëndetësisë, Zlatibor Loncar argumenton se suksesi në vaksinimin masiv dhe uljen e infeksioneve ka ardhur edhe prej faktit se Serbia nuk ka patur asnjë paragjykim lidhur me vaksinën dhe e ka marrë atë nga të gjithë ofertuesit. Në Serbi janë në dispozicion disa lloje vaksinash dhe qytetarët janë të lirë të zgjedhin. Politika nuk ka ndërhyrë siç ka ndodhur në disa vende të tjera ballkanike, ku rastet po shënojnë një kurbë ngjitëse. Shembulli i Serbisë për ta zgjidhur me negociata dypalëshe dhe për të parë në disa drejtime, po jep rezultate, ndërkohë që vende të tjera si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Mali I Zi e të tjerë janë në pritje të programit Covax. Aleksandar Vuçiç e krahasoi situatën në Ballkan me atë të pasagjerëve të varfër në Titanik : “Udhëtarët e klasit të parë kanë siguruar nga një vend në varkat e shpëtimit dhe vendet që nuk janë të pasura, apo janë të vegjël, si vendet e Ballkanit Perëndimor, po mbyten bashkë më Titanikun".

Pragmatizmi i Vuçiç po jep rezultate, ndërkohë që liderë të tjerë vijojnë të kenë ngarkesa politike. Në se ka një fushë ku duhen eliminuar këto ngarkesa në mënyrë të menjëhershme është shëndeti dhe përpjekjet për t’i shërbyer njerëzimit. Qasja e Kinës, ndryshe nga vendet e tjera është se lidhur me vaksinën ajo iu shmang çdo interesi tregtar, përfitimi hegjemonist dhe protagonizmi politik. Në themel vuri humanizmin , teksa po i drejtohet kryesisht vendeve në zhvillim dhe me mundësi të pakta për të përballuar këtë sfidë kaq të vështirë.
Lufta për të paraqitur sa më efektive vaksinat e prodhuara Pfizer Biotech, Moderna e të tjerë në fillimin e saj mori ngjyrat e një lufte tregtare po edhe politike. Tani që nuk kanë kaluar shumë kohë që prodhimi, shpërndarja dhe siguria e tyre kanë pikëpyetjet e veta, lufta politike ndaj vaksinës kineze jo vetëm ka heshtur, por po kërkohen korridore bashkëpunimi për të zgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur situatën e rëndë të krijuar nga pandemia.
Sulmi dhe akuzat ndaj Kinës kaluan nga lufta tregtare në atë ideologjike, por nuk u desh shumë kohë që të verifikohej se kjo ishte rruga më e gabuar. Solidariteti e bashkëpunimi, shkëmbimi i të dhënave dhe i mundësive teknologjike, të ofruara bujarisht nga Kina, ishte drejtimi ku në se ecej që në fillim, beteja do të ishte edhe më e lehtë ndaj sëmundjes që ka pushtuar botën.
Gjendja e rëndë epidemike dhe rritja eksponenciale e rasteve në të gjithë botën pas shpërthimit të mutacioneve të reja, po gjunjëzojnë shtete të fuqishme dhe tani nuk kanë më kohë të artikulojnë akuza me ngjyrime politike e ideologjike, po i largohen përpjekjeve për të ruajtur hegjemoninë nëpërmjet vaksinës dhe po shikojnë me sytë nga Kina për të gjetur korridoret më të shpejta të rrugëdaljes së vështirë. Kina po e dëshmon këtë ne veprime konkrete në një sërë vendesh dhe kërkesat për Sinopharhm, por edhe Sputnik V po rriten.

Në forumin e Davosit Presidenti Xi Jinping ndër të tjera theksoi se: “Ndërsa përballemi me krizën e tanishme dhe përpiqemi të sjellim ditë të mira për çdo njeri, ne duhet të bashkohemi dhe të punojmë sëbashku” Ky është një qëndrim konstant i presidentit kinez për të dëshmuar jo vetëm nevojën e një bashkëpunimi të gjerë e pa komplekse, e një kontributi të përbashkët jo vetëm në betejën e pandemisë, por edhe për një zhvillim ekonomik sa më të hapur dhe që kontribuon për të mirën e përbashkët të njerëzimit. Bashkëpunimi dhe reagimi global janë në thelb të politikës së sotme kineze, pasi problemet me të cilat ballafaqohet globi e kushtëzojnë këtë gjë.
Jo rastësisht doktrinën e saj të multilateralizmit Kina e ka në themel të politikës së vet dhe kjo po dëshmohet edhe në këtë periudhë të pandemisë, e konkretisht tani që nevoja për vaksina sa vjen e bëhet më urgjente dhe një luftë gati mbijetese. Pikërisht në këtë periudhë kaq delikate, solidariteti dhe humanizmi kinez po shfaqet krejt natyrshëm dhe fuqishëm. Vaksinimi masiv mbarëbotëror është rruga e duhur. Por kjo siç po verifikohet në praktikë nuk realizohet nga një shtet, apo edhe dy tre, pavarësisht fuqisë së tyre. Vaksina ndaj Covid-19 megjithëse u eksperimentua, prodhua dhe realizua në një kohë rekord, si në asnjë rast më parë, paraqiti komplikimet e veta dhe strategjia e bashkëpunimit e kërkuar disa herë me forcë nga OBSH-ja, mbetet mundësia efikase që pa anatemuar asnjë vaksinë, dhe pa e futur atë në rrugën e ideologjizimit dhe strategjisë për të krijuar hegjemoni, arrihet të ringjallet shpresa .

Presidenti indonezian bëri vaksinë kineze
Kina me bujarinë e spikatur dhe në ndjekje të politikës së saj për krijimin e bashkësisë së fateve të barabarta, po i përgjigjet pozitivisht me vaksina të gjitha vendeve që i janë drejtuar asaj. Sapo u kthye nga Afrika në fillim të janarit, ministri i jashtëm kinez Wang Yi deklaroi se Kina do të rrisë bashkëpunimin jo vetëm me vendet ku ishte për vizitë, por edhe me të tjera në mbështetjen për vaksina. Por jo vetëm vendet afrikane, ato të Amerikës Latine dhe të Azisë, por dhe vende të BE-së dhe të Ballkanit po shohin drejt Kinës për të gjetur edhe në këtë rast çelësin e shpëtimit. Disa ditë më parë arritën në Islamabad kontingjenti i parë i vaksinave të dhuruara nga Kina, për t’u drejtuar më pas në Brunei, Nepal, Kamboxhia, Laos, Filipine, Mianmar, Sri-Lanka, Mongoli, Palestinë, Bjellorusi, Sierra Leone, Guine Ekuatoriale dhe Zimbabve. Por këto janë adresat e fundit, pasi gjatë janarit është arritur bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, Marokun, Indonezinë, Turqinë, Brazilin dhe Kilin. 10 milionë vaksina arritën në Turqi në muajin janar, duke i dhënë frymëmarrje një procesi që pret vaksinën, si oksigjenin e jetës.
Para dy ditësh u nënshkrua edhe nga Maqedonia e Veriut një kontratë më Kinën për të marrë 200.00o mijë vaksina. Teknologjia dhe siguria e lartë kanë bërë që sytë të drejtohen nga produkti kinez i Sinopharm, si një garanci për të tejkaluar krizën që ka kapluar globin.
Asnjë vend dhe kompani nuk ka shtrirje bashkëpunimi e koordinimi sa ka arritur Kina me vaksinën e saj dhe që po e zgjeron gjithnjë e më shumë hartën në këtë drejtim, duke i kontribuar konkretisht përpjekjeve globale për mposhtjen e pandemisë.
Gëzim Podgorica







