Parimi i multilaterizmit dhe zbatimi i tij në marrëdhëniet midis vendeve në të gjithë globin, po dëshmohet si orientimi më i saktë për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Zgjidhja e problemeve mjaft të ndërlikuara të cilat përbëjnë sfida të fuqishme ka gjetur çelësin e artë tek parimi i zbatimit të një politike multilaterale dhe rrugës për ndërtimin e një bashkësie që ka si busull orientuese pranimin e faktit se fatet e barabarta të njerëzimit, janë pjesë e një përgjegjësie dhe angazhimi të përbashkët.
Presidenti Xi Jinping, gjithnjë e më shumë ka orientuar politikën e shtetit kinez drejt multilaterizmit, si një doktrinë e cila ka sjellë rezultate jo vetëm për Kinën, por për të gjithë ata që e kanë kuptuar dhe interpretuar drejt racionalitetin e kësaj rruge, të pakompleksuar as nga e kaluara, dhe as nga politikat me vision të shkurtër të ditës. Doktrina multilateriste në periudhën e pandemisë, u evidentua si një nga rrugët që jo vetëm vendosi një komunikim të hapur e të domosdoshëm për të ulur efektet negative që shfaqi pandemia, por i mundësoi kërkimit shkencor një frymëmarrje më të madhe dhe garanci që nuk ishte parë në asnjë rast tjetër.
Më shpejt se në çdo ballafaqim të njerëzimit me pandemi të tjera, u gjet formula dhe u prodhuan vaksina, që po jep optimizëm për të minimizuar efektet e sëmundjes së rëndë. Komunikimi i hapur, shkëmbimi i të dhënave, përvojave dhe rezultateve dhe marrja e një përgjegjësie të përbashkët në këtë betejë për jetën, bënë të mundur që sot në botë të jenë në qarkullim disa vaksina efektive.
Fjalimi i Presidentit Xi në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit me të drejtë u mirëprit dhe fjala kyçe ‘multilaterizëm” gjeti shprehjen e vet në të gjithë thelbin e diskutimeve e të shkëmbimit të mendimeve që u mbajtën këtu. Pa qënë nevoja për të shkuar larg në kohë, realiteti i kësaj periudhe po tregon se bashkëpunimi global në këtë periudhë të ngarkuar pandemike, jo vetëm për tejkalimin e situatës shëndetësore, por edhe atë atë që lidhet me rimëkëmbjen ekonomike, po bazohet mbi doktrinën multilaterale.
Me të drejtë Kina ka arsye të forta të ndjehet mirë, se politikën e saj po e orienton gjithnjë e më shumë drejt multilaterizmit, që i shërben jo vetëm ndërtimit të raporteve të drejta midis shteteve, por krijohet një mundësi e barabartë zhvillimi edhe për shtete të vegjël, apo edhe të mesëm.
Zhvillimi i sotëm botëror i orientuar nga multilaterizmi, bën të mundur që të forcohet bashkërendimi i politikave makroekonomike si dhe të zvogëlohen diferencat jo të vogla midis vendeve të zhvilluara e vendeve në zhvillim. Por që ky zhvillim të jetë harmonik dhe i qëndrueshëm, është e nevojëshme të shmangen paragjykimet politike si dhe të orientohen drejtë energjitë tek marrja e përgjegjësive për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.
Në historinë e gjatë shumëshekullore, Kina ka qënë shembull i një politike paqësore dhe e mosndërhyrjes në punët e brendshme, duke u drejtuar nga bashkëpunimi i hapur dhe pa paragjykime. Vizioni i saj është shumë i qartë për të sotmen dhe të ardhmen e njerëzimit, por edhe ofertat për kontribut global janë pjesë e një politike të matur e me synime zhvillimi. Nisma e madhe “Një brez, një rrugë”, e cila ka tejkaluar në thelbin e vet çdo diferencë ideologjike, është sot platforma më e madhe e bashkëpunimit ekonomik dhe që po çertifikon shumë ndryshime infrastruktore të rëndësishme në vendet që janë përfshirë në këtë inciativë.

Por jo vetëm kaq. Në kushtet e krijuara nga pandemia vendet pjesmarrëse janë treguar të hapura që të zgjerojnë bashkëpunimin në kuadrin e nismës “Një brez, një rrugë” .
Tregtia elektronike, investimet në zhvillimin e gjelbër, bashkëpunimi rajonal e të tjerë morën një përparësi thelbësorë në kuadrin e kësaj Nisme. Vendet pjesmarrëse kanë bashkërenduar politikat për një bashkëpunim konkret në fushën e financave, taksave, energjisë, zhvillimit të gjelbër e të tjerë. Investimet e drejtëpërdrejta jo financiare nga kompanitë kineze në vendet që janë pjesë e kësaj nisme, për 9 muajt e vitit të kaluar kapën e shifrën e 13.02 miliardë dollarëve.
Kontributi dhe përfitimet e përbashkëta po bëhen gjithnjë e më të prekshme dhe po sfidojnë në mënyrë konkrete teorinë dhe mjegullën që përpiqej të shpërndante ish-sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. Në shumë takime ai ka përsëritur tezën se Nisma “ Një brez, një rrugë “ do t’i fusë vendet në “ kurthin e borxheve”. Reagimi ndaj kësaj teze ka qënë i menjëhershëm nga shumë shtete pjesëmarrëse.
Janë 140 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare që kanë nënshkruar me Kinën bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme. Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta deklaroi kohë më parë publikisht se “Po, kemi marrë hua nga Kina, por morëm edhe nga SHBA-ja”. Duke analizuar tezën e “kurtheve të borxheve”, konstatohet shumë lehtësisht se nga vendet që janë në bashkëpunim me Kinën, borxhet ndaj saj janë shumë të vogla në përqindje në totalin e borxhit kombëtar dhe asnjë vend nuk është zhytur e ka humbur orientimin për shkak të bashkëpunimit me Kinën. Përkundrazi, bashkëpunimi ka qënë i hapur dhe ka kontribuar në zhvillimin vendor dhe atë rajonal, por edhe më gjërë se kaq.
Unilaterizmi dhe proteksionizmi nuk janë tipar i politikës së Kinës dhe pikërisht kjo ka bërë që oferta e ndihmat e saj nuk kamë bazë të paragjykohen, por të shikohen e të vlerësohen si opurtunitete zhvillimi.
U ndala pak më gjatë tek kjo Nismë, për të theksuar faktin se Kina gjithnjë e më shumë i kushton rëndësi politikës së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe zgjerimi i efekteve pozitive të kësaj nisme, e dëshmom më së miri këtë. Duke patur një trend befasues pozitiv në zhvillimin ekonomik, shteti më i madh i botës ka rritur vëmendjen dhe ka shtuar investimet edhe ndaj vendeve të tjera, për t’u ofruar shanse e mundësi zhvillimi e për funksionuar në mënyrë kapilare në drejtim të rritjes ekonomike e përballimit të sfidave.
Politika kineze gjithnjë e më shumë po investohet tek bashkëpunimi, duke treguar se kjo rrugë sjell përfitime reciproke. Ajo ka ditur mjaft mirë të harmonizojë interesat kombëtare me ato në planin ndërkombëtar. Politika e hapur dhe shfrytëzimi efikas i mundësive për të bërë biznes, për të koordinuar projekte, programe zhvillimi e investimi, për të shkëmbyer përvoja teknologjike, kanë bërë të mundur që Kina të realizojë në një periudhë të shkurtër marrëdhënie shumëplanëshe ekonomike më vende të ndryshme të globit, duke u bërë kësisoj adresa më e kërkuar dhe e sigurt në zgjidhjen e çështjeve kyçe.

Shembujt që e ilustrojnë këtë janë të shumtë. Po ndalem vetëm tek njëri prej tyre, që gjatë vitit 2020 rrezatoi një efekt mjaft pozitiv në ekonominë europiane dhe ishte garanci e siguri për tejkalimin e situatës pandemike. Vëllimi i trenave ishte mbi 10.000 gjatë vitit të kaluar, duke krijuar një kanal jetësor në plotësimin e kërkesave të shumta jo vetëm të konsumatorëve, por edhe të ekonomisë. Kina, duke qënë një shtet paqësor e bashkëpunues u investua konkretisht për realizimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta, përmes ndjekjes në praktikë të politikës e doktrinës së multilaterizmit.
“Thelbi i multilaterizmit është të diskutojmë së bashku trajtimin e çështjeve ndërkombëtare, dhe e ardhmja dhe fati i botës të kontrollohen nga të gjitha vendet “ – theksoi Xi Jinping në videofjalimin e tij në Davos, duke rikonfimuar konstruktivitetin politik të tij për shumëplanësinë që i nevojitet botës.
Ideja e Presidentit kinez për të theksuar multilaterizmin si një mundësi për të arritur unanimitet në sistemin e qeverisjes globale, është rruga që po dëshmohet e arsyeshme për një zhvillim të barabartë.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të qeveriset me rregullat dhe konsensusin e arritur nga të gjitha vendet, dhe jo sipas urdhërave të disa vendeve” Ky koncept i qeverisjes globale, në të cilin vendos theksin Presidenti Xi, nuk përbën thjesht një tezë, por rrugën për të zbatuar në mënyrë rigoroze sundimin ndërkombëtar të ligjit të pranuar përmes Kombeve të Bashkuara si thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Gëzim Podgorica







