
Nga Republika Popullore e Kinës mungojnë lajmet sa i përket pandemisë së Covid-19. U bënë 14 muaj që kur atje u shfaq rasti i parë i infektimit me koronavirus dhe sot, pas kaq kohësh, lajmet për këtë virus mungojnë. Kjo do të thotë se Kina, institucionet shtetërore të saj, vetë qytetarët kinezë e kanë fituar tashmë betejën për të mposhtur krizën planetare që shkaktoi Covid-19.
Megjithatë në botën perëndimore shfaqen interpretime të ndryshme. Ka prej tyre që fitoren kineze e konsiderojnë si një lloj propagande për shkak të sistemit politik. Por dëshmitarët e korrespondentët e mediave perëndimore të atashuar në Pekin, Shangai dhe qytete të tjera të vendit e përgënjeshtrojnë këtë hipotezë. Ata shpjegojnë se e vërteta qëndron në atë se Republika Popullore e Kinës e ka mposhtur tashmë virusin vdekjeprurës. Madje më shpejt dhe më me efikasitet se çdo vend tjetër i botës.

Ulf Roeller drejton redaksinë e TV ZDF gjerman në Shangai. Ai shkruan se "Kina në këtë moment e ka mposhtur Corona-virusin. Jeta në Kinë pulson përsëri. Njerëzit shkojnë në punë, tregtojnë dhe festojnë. Mbretëron jeta e zakonshme… Ekonomia kineze shfaqet përsëri e fuqishme…" Eshtë i mjaftueshëm ky përshkrim për të kuptuar se normaliteti nuk është sajesë dhe propagandë, por një realitet, të cilit kinezët tashmë i janë rikthyer aktivisht. Sipas Roeller, e gjitha ka ndodhur për shkak të angazhimit të institucioneve të shtetit kinez, të masave të izolimit dhe fuzionimit të ekonomisë.
Të njëjtën gjë pohojnë gjithashtu njohës dhe dëshmitarë të tjerë të realitetit kinez. Stefanie Schmitt raportonte para dy muajsh nga Pekini se "Kina ka hapur përsëri të gjitha shkollat, restorantet janë plot, lëvizja brenda vendit është e pakufizuar, ndërsa për ata që lëvizin jashtë është e detyrueshme karantina 14 ditore. Sipas Schmitt, për qeverinë kineze mposhtja e krizës dhe stabiliteti ekonomik janë fokusi më i lartë i politikës së saj. Kjo ndodh, shkruan Schmitt, sepse u morën masa të rrepta e të mëdha shpëtimi për të gjithë dhe u mbështeten nga shteti jo vetëm bizneset, por edhe konsumi.
Duke sintetizuar suksesin kinez të përballimit të krisës së Covid-19, ekspertë dhe analistë të ndryshëm e trajtojnë këtë si një përpjekje të shtetit kinez dhe presidentit Xi për ta dëshmuar veten përballë opinionit publik si "shpëtimtarë" të kombit. Duke u ndalur te ky fabul, profesori i Universitetit të Trierit në Gjermani, Sebastian Heilmann, shkruan se "Është plotësisht normale që të gjitha forcat të koncentrohen në një pikë dhe madje në fund qeveria të udhëheqë luftën e popullit kundër virusit.

Si në Kinë dhe në vendet e tjera, në të cilat është përhapur Covid-19 dhe kriza e Koronavirusit, janë marrë thuajse të njëjtat masa. Të tilla janë ato për luftën e drejtpërdrejtë kundër krizës, që lidhen me izolimin, shërbimin shëndetësor e mobilizimin e njerëzve për ta përballuar krizën. Dhe nga ana tjetër janë likuiditetet për bizneset dhe punëmarrësit në funksion të përballimit të kostove të konsumit, si dhe masat për gjallërimin ekonomik.
Po atëherë pse në Kinë këto masa patën një sukses më të madh se në çdo vend tjetër? Kritika është ndalur vetëm te ajo që nuk duket, se "Shteti kinez ka dashur të dëshmojë forcën e tij në konkurencën ndërkombëtare dhe se qeverisë kineze i duhej ta shfrytëzonte këtë krizë për të forcuar pozitën e vet brenda vendit"! Nuk ka qeveri në botë që nuk punon me të tilla ambichje. Max Weber shkruan se politika është mjet për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Kjo vlen si për vendet demokratike, ashtu edhe ato me një qeverisje autoritare. Por ka dy lloj politikash, sipas Weber. Njëra ka të bëjë me politikënët që vijnë në pushtet për interesin e tyre personal dhe tjetri ka të bëjë me politikanët që vijnë në pushtet për t'u shërbyer qytetarëve"! Mposhtja e krizës është shërbimi më i mirë që i bëhet vendit dhe qytetarëve. Ndërkaq konkurrenca ndërkombëtare sidomos në ekonomi është motiv i suksesit dhe zhvillimit të botës së sotme të ndërvarur.

Por ajo që nuk shihet në Republikën Popullore të Kinës është fakti që në kushtet e centralizimit të masave anti-krizë roli i shtetit dhe pesha e tij rriten shumë, krahasuar me vendet e demokracisë liberale. Ky fakt homegjenizon më shumë shoqërinë. Përballë tyre gjendet një armik, në rastin konkret i padukshëm, dhe shteti e shoqëria bëhen njësh për ta përballuar atë. Në vendet krejt të lira është vështirë të ngjizet ky fenomen. Kompaktësimi i shtetit, qeverisë dhe qytetarëve është struktura e përfundimi i këtij suksesi. Luftën kundër Covid 19 të dy palët e shohin si akt heroizmi. Heroizmi masiv i mobilizon njerëzit dhe resurset e tjera për të përballuar me shumë sukses të keqen që kanoset, në rastin konkret të koronës!
Enver Bytyçi







