Forumi Ekonomik Ndërkombëtar mbahet tradicionalisht në Davos, qyteti në lartësinë 1,560 metra, i rrethuar me male në të cilën gjendet stacioni më i madh i skive në Zvicër. Sidoqoftë, Davos nuk është i famshëm për borën e tij, por për pritjen e Forumit Ekonomik Botëror (ËEF). Forumi Ekonomik Botëror u mbajt për herë të parë në vitin 1971, në Gjenevë të Zvicrës si një organizatë jofitimprurëse e pavarur, e paanshme dhe jo e lidhur me interesa të veçanta. Për më shumë se 50 vjet Forumi Ekonomik Botëror, i njohur gjithashtu si Forumi Davos, ka shërbyer si një platformë globale ku udhëheqës të biznesit; të qeverive; të organizatave ndërkombëtare; të shoqërisë civile dhe akademike bashkohen në fillim të çdo viti për të adresuar çështje kritike ndërkombëtare. Në 2021, Forumi nuk do të mbahet në formatin e tij tradicional, por në formën e një takimi virtual, për t'ju përshtatur situatës së krijuar nga pandemia globale Covid-19.

Nga 25 deri më 29 Janar, Forumi Ekonomik do të zhvillojë raunde bisedimesh, ku udhëheqësit globalë do të ndajnë njohuritë e tyre për gjendjen e botës në 2021. Axhenda e Forumit do të përfshijë pjesëmarrjen e udhëheqësve të shteteve dhe të qeverive, administratorë të kompanive dhe udhëheqës të shoqërisë civile, të medias globale dhe përfaqësues të të rinjve nga Afrika, Azia, Evropa, Lindja e Mesme, Amerika Latine dhe Amerika e Veriut. Një total prej 1,507 të ftuarish do të marrin pjesë virtualisht në takimet e ndryshme që do të mbahen gjatë këtyre ditëve. Pjesëmarrësit do të diskutojnë një larmi temash për të ndihmuar udhëheqësit për zgjidhje inovative për të ndaluar pasojat negative ekonomike dhe sociale të pandemisë dhe për të nxitur një rimëkëmbje ekonomike gjatë vitit 2021 dhe në vazhdim.

Diskutimet janë përqendruar në pesë fusha kryesore si : (i) hartimi i sistemeve ekonomike kohezive dhe të qëndrueshme, (ii) transformimi dhe zhvillimi i sistemeve industriale kompetitive, (iii) rritja e përgjegjësisë dhe e respektit ndaj të drejtave globale, (iv ) shfrytëzimi i teknologjive revolucionare të industrisë së katërt, si dhe (v) zgjerimi i bashkëpunimit global dhe rajonal. Hartimi i sistemeve ekonomike kohezive dhe të qëndrueshme do të kërkonte kalimin nga një ekonomi e bazuar në energjinë e përfituar nga lëndët djegëse fosile, në një ekonomi të pastër. Kjo do të mundësojë një transformim rrënjësor si të mënyrës se si prodhojmë, po ashtu dhe të konsumit të saj. Zgjerimi i prodhimit dhe përdorimit të energjisë së rinovueshme; përdorimi i makinave elektrike; të autobusëve; të kamionëve; të mjeteve të transportit hekurudhor, do të çojë drejt dekarbonizimit të sektorit të transportit, i cili përbën gati një të katërtën e të gjitha emisioneve globale. Një ekonomi globale e qëndrueshme kërkon një marrëveshje të re të gjelbër, për të siguruar një nivel të emetimeve zero. Qeveritë duhet të thellojnë reformat strukturore stimuluese për rritjen e produktivitetit, për të prodhuar më shumë me më pak burime natyrore. Kjo do të kërkojë transformimin e sektorëve që formojnë shtyllën kryesore të ekonomive të vendeve si sistemet e kujdesit shëndetësor, të industrisë, të infrastrukturës, të energjisë si dhe sistemet e transportit.

Rritja e përgjegjesisë dhe respektimi i të drejtave globale duhet të shndërrohet në një moment transformues për njerëzimin. Kjo do të kërkojë iniciativa të guximshme për të trajtuar kërcënimin e pandemive globale në të ardhmen; spekulimet financiare, evazionin dhe shmangien e taksave, si dhe kërcënimin ndaj krizave financiare. Në shfrytëzimin e teknologjive revolucionare të industrisë së katërt, teknologjia dixhitale mund ta bëjë prodhimin më produktiv, duke përdorur më pak burime intensive si dhe mund të mundësojë që zinxhirët e furnizimit të jenë më elastik për t'ju përgjigjur krizave të mundshme globale. Teknologjia do të mundësojë integrimin më të gjerë të energjisë së rinovueshme, t'i bëjnë qendrat e banimit më të jetueshme, infrstrukturën më efikase dhe të përmirësojë jashtëzakonisht shumë ofrimin e kujdesit shëndetësor. Teknologjia mund të përmirësojë diagnozën dhe trajtimin e sëmundjeve dhe të lehtësojë sistemet e kujdesit shëndetësor. Teknologjia do të ndryshojë mënyrën e prodhimit, konsumimit dhe furnzimit të mallrave.

Agjenda e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar është një tentative e liderëve globalë për të formuluar parimet, politikat dhe partneritetin e nevojshëm në këtë kontekst të ri të bashkëpunimit global. Pritet që udhëheqësit nga të gjitha sferat e jetës të punojnë në 2021 së bashku, praktikisht për një të ardhme më gjithëpërfshirëse, kohezive dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Presidenti i Kinës Xi Jinping, i cili mori pjesë në Forumit Ekonomik Botëror (ËEF) të Davosit, mbajti një fjalim të posaçëm, me lejtmotiv “ lëreni pishtarin e multilateralizmit të ndriçojë rrugën e njerëzimit përpara”, duke vënë në dukje se vendet po kalojnë recesionin më të thellë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Për herë të parë në histori, ekonomitë e të gjitha vendeve janë goditur rëndë në të njëjtën kohë; zinxhirët globalë të industrisë dhe furnizimit janë shpërbërë; volumi i tregtisë dhe investimeve kanë shënuar rënie. Në këtë realitet, Presidenti Xi ka nënvizuar se: Asnjë problem botëror s’mund të zgjidhet nga një vend i vetëm, prandaj duhet të ketë veprim, reagim dhe bashkëpunim global.

Problemet me të cilat përballet bota janë të ndërlikuara dhe komplekse dhe mënyra për t'i zgjidhur ato arrihet përmes përkrahjes së multilateralizmit dhe ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Presidenti Xi theksoi se "pandemia është larg përfundimit dhe ringjallja e fundit e rasteve të epidemisë na kujton se duhet të vazhdojmë luftën”. Si provë që Kina po bën pjesën e saj, Presidenti Xi, rikonfirmoi pesë nga politikat e saj si : (i) bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar për COVID-19 duke siguruar ndihmë për mbi 150 vende, për 13 organizata ndërkombëtare dhe dergimin e 36 ekipeve të ekspertëve mjekësorë në vendet në nevojë.; (ii) hapje të ekonomisë për një interes të përbashkët, (iii) promovimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, (iv) përparimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si dhe domosdoshmërinë e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare. Presidenti Xi e konsideron shumë të rëndësishëm forcimin e G20 si forumin kryesor për qeverisjen ekonomike globale, duke theksuar nevojën e angazhimit për një koordinim të politikës makroekonomike, të mbajtjes së qëndrueshme dhe të hapur të zinxhirit global të industrisë dhe furnizimit, të funksionimit të shëndoshë të sistemit financiar global, të promovimit të reformave strukturore si dhe të zgjerimit të kërkesën globale".

Prof. Dr. Petraq Milo