Sipas raportit dhe parashikimeve më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritshmëritë janë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina të jenë ekonomitë më të suksesshme në ripërtëritjen e ekonomisë nga pasojat e pandemisë COVID-19. Rishtazi, dy ekonomitë më të mëdha botërore gjenden në një tjetër garë indirekte, përtej luftës tregtare. Rol kryesor luan ekonomia, kësaj rradhe në kontekstin e luftës gjithëpërfshirëse kundër pandemisë dhe nën petkun e zhvillimit të takimit të përvitshëm të “Davosit”.

“Agjenda e Davosit” është një konferencë katër-ditore e mbajtur nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili këtë vit zhvillohet në formën e një video-dialogu nga data 25 deri në 29 janar. Synimi i këtyre takimeve është përfshirja në diskutime të rëndësishme të karakterit politik, ekonomik dhe kulturor të udhëheqësve të ndryshëm të politikës dhe të biznesit. Këtë vit, në mënyrë aspak suprizuese, fokusi kryesor është shkëmbimi i ideve rreth veprimeve të përbashkëta për përballimin e pandemisë. Fryt i këtyre shkëmbimeve synohet të jetë gjetja e zgjidhjeve për të arritur një ekonomi botërore më gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme. Në mënyrë të veҫantë, interes ngjalli pjesëmarja e presidentit të Kinës, Xi Jinping, i cili mori pjesë në këtë event virtual ditën e hënë, në ditën e parë të video-konferencës.

Në këtë periudhë të pazakontë të bashkëjetesës me COVID-19, SHBA dhe Kina edhe njëherë po shpalosen si protagonistët kryesorë të zhvillimeve botërore me gjithë diferencat e veta. I ndryshëm është realiteti në këto dy vende, sikurse e ndryshme është edhe mënyra se si ato po e luftojnë pandeminë. Ndërkohë që Kina po gëzon përmbajtjen e suksesshme të shpërhapjes së pandemisë, SHBA po përpiqet të luftojë përhapjen e shpejtë me stimuj ekonomikë të një shkalle të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Por, pavarësisht se këto dy vende janë kaq shumë të angazhuara në ҫështjet e tyre të brendshme, sytë i kanë të drejtuar drejt njëri-tjetrit.

Në fjalën e mbajtur nga presidenti Xi në “Agjendën e Davosit”, marrëdhëniet e tendosura mes Kinës dhe SHBA-së nuk u përmendën asnjëherë në mënyrë direkte. Megjithatë, këto marrëdhënie ishin të nënkuptuara gjatë gjithë fjalës së tij. Që nga inaugurimi i presidentit të ri amerikan Joe Biden, kjo ishte dalja e parë përpara një audience ndërkombëtare e presidentit kinez.

Katër vite më parë presidenti Xi Jinping mori pjesë gjithashtu në ceremoninë e hapjes së sesionit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror. Kryefjalë e diskursit të tij atëherë ishte rëndësia e bashkëpunimit për një fat të përbashkët dhe nevojën e lidhjes së ngushtë të interesave mes vendeve të ndryshme, duke dhënë kështu një mesazh të rëndësishëm për t’u bërë bashkë në përballjen e sfidave të përbashkëta të njerëzimit. Tashmë, në fjalën e tij katër vite më vonë, presidenti Xi nënkuptonte se hija e këtyre sfidave dhe problematikave është ende prezente.

Pavarësisht divergjencave të qëndrimeve dhe politikave mes vendeve, thirrja e presidentit kinez ishte më shumë në lidhje me bashkëpunimin në karakter ekonomik. Sipas këndvështrimit të tij, qeveritë botërore duhet të lundrojnë së bashku në një drejtim, për të rikthyer ekonominë globale në rrugën e duhur. Parësore për Xi Jinping momentalisht duket të jetë ndërtimi i një konsensusi dhe bashkëpunimi global, duke vazhduar drejt rrugës së globalizimit dhe mbështetur idenë e një një ekonomie të hapur si dhe për të pranuar realitetin multilateral

Në fjalët konstruktive dhe kundër konfliktualitetit të presidentit Xi Jinping, fshihet ama gjithashtu realiteti i mospërputhjeve dhe fërkimeve mes Kinës dhe SHBA-së. Kumti i fjalës së presidentit kinez duket të jetë i drejtuar në mënyrë të veҫantë drejt politikëbërësve amerikanë. Ajo shërben gjithashtu si një rikujtesë e rrezikut që u kanoset të gjithëve në rast të një përshkallëzimi të konfliktualitetit. Masat si vendosja e sanksioneve, krijimi i izolimit mes vendeve, si dhe shtimi i përҫarjes nëpërmjet kanosjeve dhe intimidimeve u cilësuan si disa nga rreziqet më të mëdha, sidomos në këtë periudhë tepër sensitive të shkaktuar nga pandemia.

Surprizuese ishte edhe përmendja e mundësisë së një Lufte të Ftohtë të re, ҫfarë bën edhe më të qartë garën ekzistuese mes dy superfuqive botërore. Në këtë kohë pasigurie dhe vështirësie, një përshkallëzim i përballjeve dhe antagonizmi i shtuar mes tyre do të kishte padyshim një kosto për të dy vendet. Sigurisht që efektet e tyre nuk do të limitoheshin vetëm në mbarëvajtjen e marrëdhënieve bilaterale, por do të preknin në mënyrë të qartë shumë e shumë vende të tjera të cilat bashkëveprojnë në mënyrë të pandërprerë me dy superfuqitë ekonomike.

Ekonomia botërore ka pësuar humbje të mëdha që do të lënë pasoja të ndjeshme për një kohë të zgjatur kohore. Megjithatë, ndërkohë që pritshmëritë ekonomike të SHBA-së dhe Kinës duken premtuese, fati i tyre duket të jetë i ndërlidhur. Mbetet për t’u parë nëse ky fat do të vijë në formën e kompeticionit dhe bashkëpunimit në fusha specifike, apo do të jetë në formën e konfrontimit verbal dhe ekonomik. Iniciativa drejt dialogut mund të shmangë kosto të shtuara për këto dy vende dhe për një ekonomi botërore tejet të brishtë. “Davos” përbën një skenë në arenën e këtyre zhvillimeve përcaktuese për fatin e sistemit ekonomik dhe politik global.

Nga Aleksandër Çipa