25 minuta, 2800 fjalë, dhe një fjalim ku Presidenti i Kinës, Xi Jinping, iu drejtua gjithë botës në Davos, në një takim virtual në mbledhjen e tij të 50-të, me një titull ogurmirë: “Le të jetë fanari i multilateralizmit ndriçuesi i rrugës përpara të njerëzimit.” Takimet vjetore në Davos, historikisht bashkojnë udhëheqësit botërorë për të diskutuar axhendat globale dhe rajonale në fillim të çdo viti. Duke qenë së viti që lamë pas ishte më tepër se sfidues dhe i vështirë, ishte e pritshme që prioritetet, tonet dhe fjalimet do të kishin një nuancë tjetër.

Mesazhet që u dhanë

Presidenti Xi erdhi me një fjalim që tërhoqi vëmendjen specifike në sfidat që bota ka para dhe ndër të tjera u paraqit me katër detyra, katër propozime dhe pesë zotime.

Detyrat - variojnë nga rritja e koordinimit të politikës makroekonomike dhe promovimi i përbashket i rritjes së fortë, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë botërore; në braktisjen e paragjykimeve ideologjike dhe ndjekjen e një rruge të bashkëjetesës paqësore, përfitimit reciprok dhe bashkëpunimit fitimprurës. Vazhdon me mbylljen e hendekut midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim ku së bashku të punohet për prosperitet për të gjithë. Dhe, përfundon me bashkimin kundër sfidave globale dhe krijimin e një të ardhme më të mirë për njerëzimin...pasi asnjë problem global nuk mund të zgjidhet nga asnjë vend i vetëm. Duhet të ketë veprim global, reagim global dhe bashkëpunim global!

Presidenti Xi propozon - qëndrimin me përkushtim ndaj hapjes dhe përfshirjes, në vend të mbylljes dhe përjashtimit. Më shumë përkushtim ndaj të drejtës dhe rregullave ndërkombëtare, në vend të kërkimit të epërsisë. Vazhdon me qëndrimin e përkushtuar në konsultime dhe bashkëpunim, në vend të konflikteve dhe konfrontimeve pasi dallimet në histori, kulturë dhe sistemin shoqëror nuk duhet të jenë një justifikim për antagonizëm ose konfrontim. Dhe përfundon me rëndësinë e përkushtimit për të ndjekur kohën, në vend që të refuzohet ndryshimi; duhet t'i përshtatemi peizazhit ndërkombëtar në ndryshim dhe t'i përgjigjemi sfidave globale kur ato paraqiten – tha ai.

Në fund Presidenti Xi u zotua se Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar për COVID-19; do të vazhdojë të zbatojë një strategji të favorshme të hapjes duke nxitur një mjedis biznesi që bazohet në parimet e tregut, të qeverisura me ligj dhe standarde ndërkombëtare; do të vazhdojë të promovojë zhvillim të qëndrueshëm duke zbatuar plotësisht Axhendën 2030 dhe do të bëjë më shumë në frontin ekologjik, duke transformuar dhe përmirësuar strukturën e saj industriale. Do të vazhdojë të përparojë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin të cilët janë një motor kryesor për përparimin njerëzor, dhe një armë e fuqishme në trajtimin e shumë sfidave globale. Dhe, Kina do të vazhdojë të promovojë një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare si një ndjekës i vendosur i një politike të jashtme të pavarur të paqes

Presidenti Xi shprehu gjithashtu se historia dhe realiteti e kanë bërë të qartë, herë pas here, se qasja e gabuar e antagonizmit dhe konfrontimit, qoftë në formën e luftës së ftohtë, luftës së nxehtë, luftës tregtare ose luftës teknike, përfundimisht do të dëmtonte interesat e të gjitha vendeve

Mesazhi që u trumbetua

N.q.s bëjmë një shikim virtual dhe panoramik të titujve të mediave botërore, por specifikisht atyre perëndimore, pas fjalimit të Presidentit Xi, fjalët më të lakuara janë ‘Kina paralajmëron’ – Nga Wall Street Journal tek BBC, Reuters, France24 deri tek Al-Jazeera, CNN, Bloomberg e shumë të tjerë, u fokusuan pothuajse ekskluzivisht në një paragraf të vetëm, ku thuhet: “Ndërtimi i rrathëve të ngushtë, fillimi i një Luftë të re të Ftohtë, për të refuzuar, kërcënuar ose frikësuar të tjerët, për të vendosur me dashje shkëputjen, përçarjen ose sanksionet dhe për të krijuar izolim ose ftohje, vetëm do ta shtyjë botën në ndarje dhe madje edhe në konfrontim.”

Po çfarë paraljmëron Kina?

Italiania, Korriere della Sera shkruan se edhe pse ShBA nuk u përmend asnjëherë në këtë fjalim pa dyshim ishte shënjestra kryesore kur flitej për izolim arrogant dhe hegjemoni. Kurse CNBC, shkruan; Tani është Amerika e Bidenit, por bota e kujt do të jetë? - Nga sensacioni tek alarmizmi, asgjë nuk ka munguar në komentimet mbarëbotërore. Por si shihet nga Kina ky mesazh?

Jo paralajmërim, por një ftesë. Dora u mbajt e zgjatur dhe dera u mbajt e hapur – shkruan një komentator kinez. Kina dëshiron të punojë për këtë lloj ideje globale të prosperitetit të përbashkët ndërsa shkon përpara. Tani për tani, bota ka çështje shëndetësore dhe çështje ekonomike që kërkojnë zgjidhje të përbashkët.

Einar Tangen, një analist i njohur, shpreh se ky fjalim përmban tri pika të rëndësishme: Së pari, kjo ishte një vazhdim. Është ajo që Kina bën mirë. Planifikon, zbaton, rregullon dhe vazhdon! Por temat parësore mbeten të njëjtat. Së dyti, ishte një ftesë për të gjithë botën për t'u bashkuar dhe për të gjetur një mënyrë në të cilën çështjet globale mund të zgjidhen me qasje globale. Dhe së fundmi, një kujtesë që historia ka treguar se luftërat e ftohta dhe përçarja nuk çojnë asnjëherë në bashkim, por vetëm përçarje.

Fuqia e Kinës nuk ka qenë kurrë për të kërcënuar të tjerët, por është përdorur për të bërë jetën e qytetarëve të saj më të mirë dhe për të dhënë një dorë ndihme të tjerëve, atëherë kur mundet. Por veprime të tilla duket se kanë kërcënuar interesat e ngulitura globale, duke e bërë Kinën një shënjestër të armiqësisë politike, ekonomike dhe kulturore.

Kurthi i Thukiditit (një qasje teorike e çështjes)

Në rrëfimin e tij për Luftën e Peloponezit, historiani i madh Grek përshkruan fenomenin në lidhje me një luftë që dy mijë e pesëqind vjet më parë shkatërroi dy qytetet e mëdha të Greqisë klasike, ai vëren: “Ishte frika e frymëzuar në Spartë nga rritja e Athinës që bëri luftën të pashmangshme.”

Kur një fuqi në rritje sfidon një aktuale të tillë, shpesh vijon lufta. Kjo perspektivë, e njohur si ‘kurthi i Thukididit’ sipas historianit grek, ka filluar të marrë terren mediatik dhe akademik pas shkrimeve te Graham Allison, një profesor i njohur i Harvadrit, i cili analizon disa hipoteza strukturore të Kinës dhe ShBA-ve që mund të çojnë në konflikt midis tyre.

Diskursi i ‘kurthit të Thukiditit’ në fakt është shumë i favorshëm për ato rryma dhe ata faktorë që i druhen humbjes së hegjemonisë. I shtojmë kësaj edhe frustrimin botëror të ardhur nga lodhja pandemike dhe formula për tymnajë mediatike është e gatshme për përdorim.

Lufta e Fohtë, qoftë kjo e vjetra e kaluar ose e reja që po teorizohet vetëm në fjalë, është tërheqëse për ata që dëshirojnë kaos dhe supremaci, dhe ngrejnë alarmet për fatet e njerëzimit si pasojë e ngritjes së Kinës në statusin e superfuqisë.

Nga ana tjetër, për Presidentin Xi, alarmet kanë trajtë tjetër. Në fjalimin e datës 25 Janar ai tha se: “Ndryshimi në vetvete nuk është shkak për alarm. Ajo që është alarmuese është arroganca, paragjykimi dhe urrejtja; është përpjekja për të imponuar hierarki në civilizimin njerëzor ose për të imponuar historinë, kulturën dhe sistemin shoqëror të vetes mbi të tjerët.”

Së fundmi, në kohët që jetojmë, duke ditur ato që dimë dhe duke parë ato që kemi parë, ide të tilla do të karakterizoheshin më mirë si reflektime mbi një ‘përrallë paralajmëruese’ që pakkush dëshiron ta përjetojë përsëri.

Dr. Marsela Musabelliu