Duke ndjekur qartësisht politikën e multilaterizmit, të komunikimit të hapur dhe të interesit reciprok në marëdhëniet ndërkombëtare, pa ndërhyrë në çështjet e brendshme të secilit vend, Kina ka ardhur duke e zgjeruar e thelluar bashkëpunimin me shtete të ndryshme në të gjithë globin. Krijimi i bllokut tregtar më të madh të botës para pak kohësh ( RCEP), është dëshmi e prirjeve të Kinës për një bashkëpunim të hapur e pa komplekse dhe që krijon koridore zhvillimi për të gjithë.

Pavarësisht fërkimeve të shumta që ka patur me administratën e kaluar të SHBA, ajo ka bërë thirrje disa herë që të shmangen sa më shumë përplasjet dhe të gjendet rruga për rivendosjen e balancuar jo vetëm të shkëmbimeve tregtare, por të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Presidenti Xi Jinping në mesazhin e urimit për Presidentin amerikan Joe Biden, shprehu shpresën se të dy palët do të ndjekin frymën e moskonfliktualitetit, moskundërvënies, të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.

Pas mesazhit kuptimplotë të liderit kinez, gjatë këtyre ditëve Ministria e Jashtme e Kinës, por edhe ambasadori kinez në SHBA, Cui Tiankai (Cui Tiankai) kanë rikonfirmuar vullnetin e palës kineze për të qënë e hapur e bashkëpunuese me adminstratën e re amerikane të drejtuar nga Joe Biden, për të çuar përpara marëdhëniet kino-amerikane në mënyrë të qëndrueshme e të shëndetëshme.

Nevoja për t’i kthyer lidhjet dypalëshe në rrugën e drejtë të zhvillimit, është një kontribut, por edhe përgjegjësi e veçantë për paqen e zhvillimin botëror. E kaluara pozitive e marrëdhënieve të mirëkuptuara midis dy vendeve ka dëshmuar se efektet e afrimit të qëndrimeve kanë sjellë rezultate të mëdha në favor të botës.

Periudha katërvjeçare e presidencës Trump u shoqërua me tensione të herëpashershme, çfarë ka dëmtuar jo vetëm palët, por ka patur ndikimet e veta në plan më të gjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përplasjet e vazhdueshme kanë bërë që të shpenzohen energji të cilat mund të kanalizoheshin në një drejtim më efektiv dhe do të kishin sjellë përfitime reciproke.

Ndërkohë që marrëdhëniet Kinë –SHBA gjatë periudhës së fundit u shoqëruan me diferenca në shumë drejtime, Kina thelloi bashkëpunimin me BE-në, vendet e Azi –Paqësorit, por edhe vende të tjera. Në një fjalim të sajin verën e kaluar në Fondacionin Konrad-Adenauer, kancelarja Merkel deklaroi se: “BE ka një interes të madh strategjik për të formësuar aktivisht bashkëpunimin me Kinën, aktor i rëndësishëm i këtij shekulli”. BE ka pohuar që Kina është tregu më i madh i botës me një ritëm të pandalshëm zhvillimi.

Konstruktiviteti i BE-së dhe i mjaft vendeve të tjera në marrëdhëniet e bashkëpunimin me Kinën, duke gjykuar mbi mundësitë e partneritetit e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë, nuk ka patur këtë prirje me SHBA-në. Diplomacia kineze me shumë bujari ofroi mundësi e qasje korrekte menjëherë për administratën e re amerikane, duke shmangur rrugën e inspiruar veçanërisht nga ish-sekretari amerikan Mike Pompeo. Pas përplasjeve për tregtinë dhe koronavirusin, marrëdhëniet Kinë- SHBA kanë arritur nivelin më të ulët në vite. Administrata e Trump njoftoi një seri kufizimesh ndaj Kinës gjatë muajve të fundit, duke e vështirësuar politikisht e teknikisht administratën e re në ndërmarrjen e hapave për sprapsjen menjëherë të tyre.

Gjatë fushatës presidenciale, Biden tha se ka patur komunikim shumë të gjatë me Presidentin kinez Xi Jinping, se sa me lider të tjerë. Tani do të mbetet të shikohet se si do të jetë ky kurs në situatën e re të krijuar me ardhjen e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë. Shumë e rëndësishme është të shikohet se si do t’i trajtojnë të dy palët marrëdhëniet e tyre të dëmtuara.

Menjëherë pas marrjes zyrtare të detyrës nga Presidenti Joe Biden, diplomacia kineze ka folur hapur për tejkalimin e situatës së krijuar. Kina ishte ndër shtetet e para në botë që shprehu kënaqësi dhe optimizëm për një këndvështrim ndryshe të të gjitha marrëdhënieve, pasi Presidenti amerikan Joe Biden firmosi vendimin për kthimin në Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimin e klimës. E realizuar pas një investimi e përpjekje disavjeçare dhe e firmosur nga më shumë se 200 vende, Marrëveshja e Parisit pësoi një goditje të rëndë, pas vendimit për të dalë prej saj nga ish –Presidenti Trump.

Kina gjatë kësaj periudhe ka rritur vemendjen dhe investimet, duke realizuar arritje mbresëlënëse në drejtim të përmirësimit të klimës. Por këto përmirësime kërkojnë angazhim global dhe investim të përbashkët. Kjo sfidë globale nuk mund të përballohet nga shtete të veçanta dhe arritja e një solidariteti e investimi të përbashkët jep shpresë për të patur një sukses të domosdoshëm në këtë drejtim jetik për globin. Qeverisja globale e klimës me rikthimin e SHBA-ve, sigurisht që është një mundësi për të gjetur rrugë e shtigje të tjera në bashkëpunim me të gjithë shtetet.

A është ky sinjal një përpjekje për konsensus global? Në këtë periudhë kur Kina po ecën me maturi e konstruktivitet në marëdhëniet ndërkombëtare, qëndron besnike e politikës së multilaterizmit, sinjale të tilla sipas gjithë asaj që është theksuar publikisht, do të ishin të mirëpritura. Periudhën shumë të vështirë të recesionit ekonomik, Kina e tejkaloi më shpejt se të gjithë shtetet e tjera dhe shembulli i saj jep optimizëm të bazuar në fakte, por edhe shembull se kjo periudhë tejkalohet duke ndjekur së pari politikën dhe rrugën e fateve të përbashkëta. Prandaj qasjet konstruktive të diplomacisë kineze në periudhën e re të administratës amerikane, synojnë jo vetëm tejkalimin e situatës së panevojëshme konfliktuale midis dy vendeve, por edhe një klimë të re bashkëpunimi në rang global.

Ajo që Presidenti kinez ka theksuar se “njerëzimi është bërë një bashkësi me fate të përbashkëta, me interesa të ndërthurura e me ndërvarësi nga njeri-tjetri” në këtë periudhë të recesionit ekonomik si pasojë e pandemisë, ku shtete me ekonomi të konsoliduar vazhdojnë të jenë në vështirësi serioze, merr një vlerë më të veçantë kur kërkohet bashkëpunim e ura e rrugë komunikimi të qëndrueshme.

Midis Kinës e SHBA-së urat e rrugët e bashkëpunimit nuk kanë qënë të forta e trafiku i bashkëpunimit në to ka qënë shumë më i vogël se sa ai që mund e duhej të realizohej. Ekonomitë e të dy vendeve e kanë ndjerë këtë. Lufta tregtare midis dy vendeve nuk solli asnjë rezultat pozitiv në ekonominë amerikane dhe shumë analistë kanë theksuar se Trump dështoi.

Pakësimi i më shumë se 245.000 vendeve të punës në SHBA gjatë vitit 2020 si pasojë e fërkimeve tregtare, është një nga treguesit se tensioni nuk ka sjellë asnjë efekt pozitiv, përkundër efektit boomerang. Një numër i madh ndërmarrjesh që eksportojnë në Kinë kanë kufizuar aktivitetin e tyre, duke tronditur rëndë financat dhe krijuar problem me punësimin. Administrata e re në analizën e luftës tregëtare nuk mund të injorojë vlerësimin realist se pala më e dëmtuar ka qënë ajo amerikane dhe problemet e shkaktuara tek konsumatorët amerikanë e kanë ndjerë më tepër efektin e kësaj përplasjeje se sa tregëtia kineze.

Defiçiti tregëtar I SHBA-së me Kinën është rreth 300 miliardë dollarë. Analiza e bilanceve jep argumentin se ndryshimi i trajektores së komunikimit medis dy vendeve, kthehet në një bilanc me vlera të ndërsjella ekonomike.

Ditët e ardhshme do të mbetet për të verifikuar se në çfarë rruge do të ecin marrëdhëniet midis dy vendeve. Ndërsa Kina vazhdon të thellojë e konsolidojë bashkëpunimin pothuaj me të gjitha vendet e BE-së dhe Azi-Paqësorit, por edhe ato të rajoneve të tjera të botës, bashkëpunimi midis dy vendeve që përfaqësojnë dy ekonomitë më të mëdha të botës, vlerësohet mjaft përcaktues për të gjitha zhvillimet.

Ajo që Presidenti Biden nënvizoi disa herë edhe gjatë fjalimit të tij inaugurues me 20 janar se është koha për të bashkëpunuar, janë fjalë që të gjithë i kanë pritur dhe shohin mundësitë e një qasjeje të re.

Politika kineze jashtë çdo kompleksi është shprehur e hapur, e gatshme për ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit. Mbetet për t’u parë se në cilin drejtim do të ecë politika e re amerikane, në drejtim të konkurencës së egër që nuk dha rezultate, apo të bashkëpunimit ?

Sido që të jetë Kina e ka rikonfirmuar rrugën e vet që do të vazhdojë rritjen dhe komunikimin e hapur. Retorika e replikave jo vetëm që helmon marrëdhëniet, por dëmton rëndë rrugën e një marrëdhënie të relaksuar që ka munguar në periudhën e fundit. Pavarësisht se cila do të jetë e ardhmja në marrëdhëniet midis dy vendeve, Kina e ka zgjedhur rrugën e vet të rritjes, së politikës së multilaterizmit dhe investimit në fatet e përbashkëta të njerëzimit, duke dhënë në këtë drejtim një kontribut që sa vjen e rritet.

Gëzim Podgorica