
U zhvillua këto ditë forumi i përvjetshëm ekonomik botëror në Davos të Zvicrës, i cili u mbajt online për shkak të vështirësive të krijuara nga Covid-19. Në ditën e parë të këtij forumi foli presidenti i kinës Xi Jinping, i cili vendosi të marrë pjesë personalisht. Në fakt nuk është hera e parë që presidenti Xi merr pjesë në takimin e Davosit, duke treguar sa rëndësi politike i jep këtij forumi. Forumi Ekonomik në Davos e ka fillesën në vitet 1970, por rëndësi të veçantë dhe vëmendje të shtuar ka marrë sidomos në dhjetëvjetorin e fundit të shekullit të shkuar kur liberalizmi ekonomik dhe globalizimi morën konotacione të reja dhe përmasa të tilla që u bënë pjesë e axhendave politike e ekonomike në një shkallë që nuk kishte ndodhur më parë. Për pasojë shkencëtarë, njerëz të suksesshëm të biznesit, por edhe politikanë dhe liderët botëror filluan të merrnin pjesë dhe të diskutonin vizionin e tyre për ekonominë dhe tema të tjera të lidhura.
Këtë vit çështja më e rëndësishme që shqetëson shoqërinë globale është përballimi i pandemisë Covid-19. Kështu për presidentin Xi përgjigja ndaj pandemisë nuk mund të jetë veçse e përbashkët dhe e koordinuar. Por në fjalët e presidentit kinez ka vënd edhe për tema të tjera që kanë qënë objekt debati në vitet e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke marrë shkas pikërisht nga pandemia, presidenti kinez rilançon edhe një herë multilateralizmin si një parim të domosdoshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Por presidenti kinez gjithashtu paralajmëroi se ndërtimi i mureve dhe nisja e një luftë të re të ftohtë do ta çonte botën drejt më shumë ndarjeve dhe përballjeve, duke u shprehur se “të ecësh vetëm do të thotë të dështosh gjithmonë”.

Lideri kinez rikujtoi se çdo vend është i veçantë për nga historia dhe sistemi shoqëror, dhe se mbi të gjitha askush nuk është në një pozitë dominuese, një aludim i qartë ky për ata, sidomos në perëndim, që e shohin Kinën nga pozita superioriteti për shkak të sistemit politik të ndryshëm. Për liderin kinez asgjë nuk mund të arrihet duke i rënë me grusht tavolinës por gjithmonë mbi bazën e konsultimit të përbashkët dhe ndërtimit të konsensusit në një botë ku parimi themelor në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të jetë multilateralizmi. Gjithashtu ai theksoi se pandemia nuk mund të jetë një justifikim për të kundërshtuar globalizimin që është i pashmangshëm. Kjo është në fakt një tjetër temë shumë e diskutuar në shumë qarqe që e shohin globalizimin si një fenomen i cili megjithëse ka sjellë vende e popuj më afër, ata mendojnë se gjithashtu ka shkaktuar edhe pabarazi të mëdha dhe favorizuar vendet e zhvilluara dhe ka kontribuar në shfrytëzimin e natyrës. Këto qarqe e quajnë veten no-global. Për këta, megjithëse nuk ju drejtua drejtpërdrejtë, presidenti i Kinës sjell shembullin e vendit të vet i cili falë globalizimit dhe integrimit të ekonomive botërore në një treg të madh global, ka arritur një zhvillim të paimagjinueshëm vetëm pak dekada më parë.
Të gjitha konceptet e prekura nga presidenti kinez janë të rëndësishme për Kinën e cila sot po përpiqet ta shtyjë në një fazë të re integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar. Ky integrim ka nisur atëherë kur në vitet 1970, në ndryshim nga vendet e tjera të bllokut komunist që ishin në llogoret e përballjes me perëndimin që lufta e ftohtë kishte imponuar, Pekini i shtriu dorën e normalizimit Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot Kina dëshiron të ketë një angazhim më të thellë me komunitetin ndërkombëtar në proporcion me peshën e vet ekonomike në rritje që i ka lejuar të jetë destinacion i shumë investimeve nga e gjithë bota, por edhe po investon në shumë anë të botës po ashtu.
Disa nga pikat e prekura nga presidenti kinez janë në funksion të një axhendë që kërkon medoemos bashkëpunim ndërkombëtar. Çështje si lufta kundër ndryshimeve klimatike, apo çrrënjosja e varfërisë absolute janë po ashtu pjesë e axhendave të shumë vendeve, por edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në mënyrë që këto iniciativa të kenë sukses është e domosdoshme një qasje multilaterale, dhe një bashkëpunim më i madh dhe i hapur mes vendeve. Mbi të gjitha për Kinën është e domosdoshme që të krijohen hapësira ku Pekini të japë kontributin e vet në një frymë që eviton paragjykime të natyrës politike sikurse ato që u ngritën herë pas here nga administrata Trump , të cilat minuan besimin reciprok.
Por duke parë paqartësitë në rritje në arenën ndërkombëtare, Kina gjithashtu po zhvillon fuqishëm tregun e brendshëm duke rritur fuqinë blerëse të qytetarëve të vet të cilët pasi kanë mundur varfërinë absolute, dita ditës po shtojnë radhët e klasës së mesme dhe asaj me të ardhura të larta dhe që mund t'i japë një shtysë të fuqishme konsumit të brendshëm. Kina gjithashtu merr pjesë në Forumin e Davosit krenare për axhendën e saj të ngjeshur me iniciativa në mbrojtje të natyrës dhe përpjekjeve të saj për kthimin e energjive të rinovueshme në një oportunitet të madh sa për shëndetin po ashtu edhe për ekonominë. E megjithatë Kina dëshiron dhe ka interes që ta mbajë të hapur tregun e saj ndaj investimeve të huaja, por edhe dëshiron që investimet e saj në vende të huaja të jenë në një klimë besimi dhe interesi reciprok. Në këtë kuptim merr rëndësi të veçantë Marrëveshja e Investimeve Kinë – BE që u përfundua me sukses në fund të vitit që sapo u mbyll.

Në Forumin Ekonomik të Davosit zëri i presidentit të Kinës ishte zëri i një superfuqie botërore e cila pohon se kërkon të jetë një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, padyshim kontribuese e konsiderueshme e rritjes ekonomike globale, dhe në kërkim të paqes dhe bashkëpunimit reciprok për ndërtimin e një njerëzimi që, sikurse disa herë ka thënë presidenti Xi, është një bashkësi që ka një fat të përbashkët. Por fjala e Kinës është po ashtu edhe fjala e një vendi që kërkon respekt për historinë e saj shumëshekullore, dhe po ashtu për historinë më të re të dekadave të fundit që i kanë dhënë formë Kinës që ne njohim.
Ylber Marku







